Libër apo Facebook? 10 autorë shqiptarë, nga erosi tek mitet urbane

Ja librat që sugjerojnë botuesit për lexuesit në stinën e verës; ndoshta raste të rralla ku propozimet janë befasuese duke orientuar drejt letërsisë shqipe, aq e “përfolur” për shpërfillje por edhe për mungesën e cilësisë, e leximit të një letërsie të mirë. Këtë vit duket se letërsia shqipe përmbush memorien, një lloj  letërsie e kujtesës që vërtitet mes eseistikës dhe historive urbane.

“Dinte të lexonte. Qe zbulimi më i rëndësishëm në gjithë jetën e vet. Dinte të lexonte. Zotëronte antidodin kundër helmit të pleqërisë”, shkruan shkrimtari kilian Luis Sepulveda. Me kwtw kontekst, leximi – kjo histori e vështirë mes një teksti letrar dhe lexuesit sot ka një betejë me kohën dhe teknologjinë. Digjitalizimi është i mrekullueshëm, tha para pak kohësh shkrimtari nga Kosova Musa Ramadani, por libri nuk do të vdesë kurrë. Me këtë besim, në këtë numër të Mapo-s letrare sjellim sugjerimet për 10 libra të 2017 nga autorë  shqiptare, të propozuar nga shtëpitë botuese. Ndoshta raste të rralla ku propozimet janë befasuese duke orientuar drejt letërsisë shqipe, aq e “përfolur” për shpërfillje por edhe për mungesën e cilësisë, e leximit të një letërsie të mirë. Këtë vit duket se letërsia shqipe përmbush memorien, një lloj  letërsie e kujtesës që vërtitet mes eseistikës dhe historive urbane…Gazetari Mustafa Nano sërish shkakton polemika me librin ese “Sandwich, a është mirë me qenë shqiptar?”, botimet UET Press; ndërsa botimet “Çabej” me kujtimet e Mustafa Greblleshit, krijon urën lidhëse të atmosferës letrare e soviale të viteve ’30-’40 me personazhë sa enigmatikë, aq edhe të lënë në errësirë, ndërsa tregonin për një jetë urbane e lëvizje qytetare që pak ngjason edhe me ditët e sotme; Tom Kuka misteri që shoqëroi me muaj hijen e një shkrimtari anonim me librin e tij mbi….; Lindita Arapin në dyzimin e një historie dashurie, hyn drejtpërsëdrejti në shqisat e një emigranti shqiptar, që tejkalon historitë e thjesta urbane; rikthejmë Kukullën e Kadaresë, si një romanth emblemë për nënat shqiptare, I ftohtë, I vrazhdë, shkrimtari jep një realitet që sillet ende si një mbeturinë mentale nëpër familjet shqiptare edhe pse absurdi i jep frymë letrare… “Ne, kemi disa autorë shqiptare, me libra që brenda këtij viti u pritën mjaft mirë nga lexuesit falë vëmendjes që iu kushtua atyre përmes promovimeve, por edhe jehonës që patën nga mediat e ndryshme vizive dhe ato të shkruara. Gjithashtu, përmes postës elektronike dhe rrjeteve sociale nuk kanë reshtur komentet, pëlqimet e mendimet e lexuesve apo njerëzve të njohur të fushës së letërsisë. Kjo është diçka pozitive jo vetëm për ne si shtëpi botuese, por edhe një lajm i mirë që dita-ditës po shtohen lexuesit e letërsisë shqipe. Ndaj, këto pushime verore janë momenti i duhur për ta shijuar letërsinë e mirë shqipe dhe për t’ua sugjeruar atë të tjerëve”, shprehet në gatishmërinë e saj për këto sugjerime, Irena Toçi, botuesja e “Toena”.

***

Mustafa Greblleshi

 Kujtimet 1939- ‘44

Botimet “Çabej”

Një libër i rrallë që skanon gjendjen e Shqipërisë në kohën e pushtimit nazi-fashist, parë nën optikën e një intelektuali të ri të asaj kohe, një shkrimtari të spiktatur dhe një shqipëruesi me vlera të rralla. Botimi është paraprirë me një parathënie nga Ismail Kadare, dhe është në treg nga botimet “Çabej”.  Në parathënie të këtij botimi, Kadare ka shënuar mes të tjerash: “…Të gjitha përpjekjet e sinqerta të Greblleshit për t’u futur në jetën e përditshme artistike dhe shoqërore do të ndeshnin në ftohtësinë e regjimit, gjersa në vitin 1947, si shumë intelektualë të tjerë, do të arrestohej, pa shkak. Pas daljes nga burgu, jeta e tij do të ishte një ankth, në të cilin ai nuk arrinte të kuptonte për ç’shkak nuk burgosej prapë, e aq më pak për ç’arsye mund të lirohej, në qoftë se kjo ndodhte. Greblleshi ende djalosh, plot energji e me një njohje letrare të madhe, e ka kuptuar, me sa dukej, se ishte pikërisht letërsia që po e merrte më qafë. Si rrjedhim, ai jo vetëm u detyrua të heqë dorë nga punët që lidheshin me kulturën, për t’u bërë vite me radhë thjesht bojaxhi, por e shpalli këtë më 1963, duke botuar librin me tregime Albumi i një bojaxhiu. Është një nga shembujt më tronditës për atë që është quajtur “taksë për të qenë shkrimtar”. Duhet thënë se as kjo nuk e ndihmoi për t’u bërë pjesë e asaj bote që e donte aq shumë, por që me sa dukej, jo rastësisht, lidhej me fjalën greminë. Mustafa Greblleshi nuk u përmend më asnjëherë si shkrimtar gjersa vdiq i harruar më 1986. Ndaj homazhi që i bëhet me këtë botim, nën kujdesin e Anna Shkrelit, tridhjetë vjet pas ndarjes së tij nga jeta, është dyfish prekës e meriton gjithë vëmendjen e mirënjohjen tonë…”

Bardhyl Londo

Nata e verbër

Botimet “Toena”

Pas  rrëfimeve  drithëruese  në  librin  “Jeta  që  na dhanë”  për  jetën  burg  në  sistemin  totalitar, në  librin  e  ri  të  Bardhyl  Londos  letërsia  bën  ndërhyrjen  e  saj  në  simbiozën  e  njeriut  me  kohën, me  të  kaluarën, me  të  tashmen  dhe  të  ardhmen. Një  mision  kësodore  kryen  romani  “Nata  e  verbër” i  Bardhyl  Londos,  të  cilin,  për  dekada  me  radhë  e  kemi   vlerësuar  si  poetin  që  i  ngjan  vetëm  vetes. Pas  këtij  libri, të  njëjtin  gjë  duhet  të  themi  për  të  edhe  në  prozë. Londo,  si  rrallëkush  në  periudhën  postkomuniste,  ka  ditur  t’i  rikthehet  së  djeshmes, lojës  me  të  duke  zbritur  me  kandil  në  dorë  në  kthinat  e  kujtesës  dhe  të  kthehet  prej  andej  duke  qeshur dhe  qarë  njëkohësisht  me  sarkazmin  e  hidhur  që  shkakton  banaliteti.

Shkrimtari  ka  ndërtuar  një  strukturë  letrare  ku  bashkëjeton  fantastikja  me  realen, ajo  që  ndodh  vërtet  me  pandehmën, nofka  me  emrin, kryeqyteti  me  provincën, personaliteti  njerëzor  me  ideologjinë, individi  me  pushtetin, indoktrinimi  me  folklorin, verbëria  me katarsisin, persekutimi  me  tragjedinë, erotika  me  impotencën, iluzioni  i  lirisë  me  lirinë, komprometimi  i  saj  nga  e  kaluara  dhe  shumë  asociacione  të  tjera  që  vijnë  me  ngjyra  pirandeliane  dhe  përmes  një  grotesku  mbresëlënës. Një  roman  që  të  mban  mbërthyer  dhe  të  detyron  të  udhëtosh  me  personazhet,  disa  prej  të  cilave  jetojnë  jo  kohën  reale,  por një  kalendar  krejt  tjetër. Kemi  të  bëjmë  me  një  tekst  me  shumë  regjistra  gjuhësorë  ku  metafizikja  dhe  fakti  ndeshen  në sfondin  e  fantastikes  për  të  rikrijuar  botën  shqiptare  nën  peshën  e  një  banaliteti,  i  cili,  njëherësh,  ka  edhe  fytyrën  e  dhunës  edhe  atë  të  klounit. Aty  ku  nuk  ndërhyn  kuraja  civile, ndërhyn  letërsia,  e  cila  mundohet  t’i  japë  sy  lexuesit  për  të  mundur  verbërinë  e  një  nate  të  gjatë  groteske.

 

Azem Deliu

Puthësi i paligjshëm

Botimet “Onufri”

Në Republikën e Moralistës i riu Ivan Shollohov burgoset për një arsye nga më të papërfytyrueshmet: puthje jashtë orarit të lejuar. Partia, përveçse e ka ndaluar dashurinë mes çifteve, ka caktuar edhe orarin kur çiftet mund të kenë kontakt intim (jo dashuri). Në një shtet ku privatësia nuk ekziston, ku identiteti është në krizë të vazhdueshme dhe ku gjithkush, gjithkund, është në rrezik, zhvillohet ngjarja e prozës së parë të shkrimtarit 21 vjeçar, Azem Deliu. Përpjekja nuk shkon kah portretizimi besnik i një diktature, siç e kemi parë në letrat shqipe të pasviteve 90’ por kah një rrëfim dinamik që ka në qendër ankthin e karakterit dhe diktaturën e bën shumëdimensionale: pa kohë dhe pa vend. Botimet e “Onufri” e rendit këtë roman të Deliut në rekomandimet e leximeve të verës. “Romani i shkruar në traditën më të mirë të letërsisë antiutopike (distopia), apelon tek lexuesi shqiptar për një shqetësim permanent, që mund të bëhet kërcënues nesër: strukturat e mendimit totalitar, mendësia dhe praktika totalitare, fanatizmi, ekstremizmi, paragjykimi dhe militantizmi i çdo lloji, janë likuidimi vdekjeprurës i çdo horizonti lirie demokratike, individuale e shoqërore. Si roman i parë për shkrimtarin, ky është një fillim shumë premtues, i nisur nga nota “do” e organos së tij”, ka shkruar Agron Tufa. Interesimi edhe ndërkombëtar për autorin, tashmë 21 vjeçar, është në rritje e sipër nga disa shtete. Shtypi freng e ka quajtur “autor i madh i vendit të vogël” shkrimtarin i cili që nga mosha 19 vjeçare është anëtar i Shoqatës së Filozofëve të Kosovës.

 

Rudi Erebara

Epika e yjeve të mëngjesit

Botimet “OMBRA GVG”

Ky është një roman mbi imoralitetin e diktaturës dhe diktatorëve të saj. Rrëfimi ndërtohet mbi raportet komplekse që autoritarizimi dhe izolimi krijoi në raportet njerëzore. Ishte një ushtri kundër civilëve. Një ushtri, e cila e pa Shqipërinë si plaçkë lufte që ditën e parë që vuri sundimin e saj në të gjithë territorin shqiptar. Epika e Yjeve të Mëngjesit është fitues i Çmimit për Letërsinë i Bashkimit Europian në vitin 2017. Romani Epika e Yjeve të Mëngjesit është një dëshmi e fatit të Sulejmanit, një piktor shqiptar i punësuar në ndërmarrjen e dekorit të Tiranës. Një problem teknik ndodh më 16 tetor 1978, ditëlindja e diktatorit shqiptar Enver Hoxha dhe që i ngarkohet atij si përgjegjësi nga Sigurimi i Shtetit. Rreth kësaj kohe, Shqipëria po ndërpret marrëdhëniet me Kinën komuniste të Maos. Gjithashtu më 16 tetor 1978, Józef Wojtyła, një prift nga Polonia komuniste bëhet Papa Gjon Pali i Dytë në Vatikan. Vonë në mbrëmjen e 16 tetorit, një shi i furishëm shpëlan germat e sloganeve të shkruara nga ndërmarrja e dekorit me të kuqe të thellë, një simbol i gjakut të derdhur gjatë luftës për liri nga partizanët komunistë. Edhe pse aktivitetet festive janë mbyllur, sigurimi i shtetit, nën urdhrat e drejtpërdrejta të diktatorit komunist, fillon të kërkojë për fajtorët, edhe pse një fajtor nuk mund të ekzistojë. Sulejmani është njeriu i shënjuar sepse ai gjendet në anën tjetër të llogores së luftës së klasave, të konceptuar dhe zbatuar me fanatizëm nga komunistët në pushtet. Ndërsa ai ndjen se është shënjestruar si viktimë, Sulejmani përpiqet të ndryshojë emrin në Edmond. Ai bën gjithashtu një pikturë që tregon disa partizanë rreth një zjarri. Kjo shihet si arsye e mjaftueshme që Sulejmani të ndëshkohet.

 

Edmond Tupe

Fjalor erotik frutash, lulesh e perimesh

Botimet “Pegi”

Lulet, frutat dhe perimet janë shkaku më i mirë për t’u thelluar në imagjinatën e përbashkët erotike të gjuhës dhe kombit shqiptar. Në vijim të botimit të mëparshëm, edhe ky libër befason, ngacmon dhe sfidon lexuesit, të cilët i fton për ta bërë pjesë të komunikimit të brendshëm dhe të jashtëm këtë libër xhepi. Detaje të librit siç shihet edhe nga titulli i këtij fjalori, autori ka përfshirë në të lulet, frutat dhe perimet, duke u përpjekur, jo vetëm të vërë në dukje tiparet erotike të këtyre tri kategorive, por edhe të provojë se, nga ana fonetike, shpesh emrat e tyre shpalosin ose krijojnë një atmosferë erotike, për të cilën rrëfen edhe një ngjarje krejt të imagjinuar, por të përshtatshme vetëm për publikun shqiptar dhe për gjuhën shqipe. Nëpërmjet këtyre ngjarjeve, autori ka arritur të shpalosë disa shprehi apo gjeste të përhapura të kulturës sonë, i ka vendosur ato në kontekste sa erotike, po aq edhe gazmore apo satirike, duke paraqitur kështu një pjesë të rëndësishme e të lashtë, sa edhe të censuruar, në letrat shqiptare. Fragmente nga libri: 1) Ndoshta sepse emri “pjeshkë” fillon me germën “p”, me të cilën fillon edhe emri vulgar që shenjon organin në fjalë? Ndoshta sepse pjeshka e ka lëkurën me push? Ndoshta sepse ajo është e butë përbrenda? Ndoshta sepse pjeshka çahje ndahet më dysh me një futje gishti te vendi i bishtit? Ndoshta sepse, pasi i hiqet po aq lehtësisht bërthama, gropëza që kjo lë është bojë vishnje si thellësitë e dëshirueshme të trupit femëror? Sidoqoftë, pavarësisht se cila mund të jetë përgjigjja më e saktë, kur të rinjtë shohin t’u kalojë pranë ndonjë vajzë e bukur, shtatderdhur dhe sexy, ata i thonë njëri-tjetrit, duke ulur zërin, por, nganjëherë, edhe duke e ngritur enkas, “Shih çfarë pjeshke!” ose “Hajde pjeshkë, hajde!”, dy shprehje këto ku fjala “pjeshkë” mund të interpretohet si një metaforë për personin femëror në tërësi, pra jo vetëm për organin e saj seksual, por, kur veshi të zë, në gojën e njërit prej djemve, shprehjen “Të hëngsha pjeshkën!”, nuk ka më asnjë pikë dyshimi: fjala “pjeshka” ka sërish kuptim metaforik, por, kësaj radhe, ajo shenjon vetëm vendin më intim të femrës që meshkujt e rinj ëndërrojnë të eksplorojnë me gishtin e njëzet e njëtë që natyra u ka falur aq bujarisht.”

Musa Ramadani

Profeti nga Praga

Botimet UET Press

Pas polemikave që shkaktoi këtë vit çmimi Kadare, duket se Profeti nga Praga, e shkrimtari nga Kosova, Musa Ramadani qe një refleksion i një marrëdhënieje letrare mes dy vendeve. Në një intervistë ekskluzive për “Mapo”, Ramadani ka zbuluar pse ka qenë e errët marrëdhënia Kosovë Shqipëri, si iu zhduk botimi në ’89, flet për procesin me Kafkën…Motivacioni i çmimit ishte: “Musa Ramadani me “Profeti nga Praga” ka sjellë një roman të veçantë si për nga forma, ashtu dhe nga përmbajtja. Duke qenë i strukturuar në tregime të lidhura fort me njëra-tjetrën, “Profeti nga Praga” shpërfaqet si një mozaik rrëfimesh dhe kolazh teknikash narrative, një roman për letërsinë si tekst kënaqësie dhe akt përjetësie, ku krijuesi shpaloset si një libër i hapur ndaj konteksteve dhe konotimeve të ndryshme”. Profeti nga Praga, i dedikohet Kafkës; ndërsa shkrimtari është shprehur dhe mbi përmbajtjen e saj biografike duke thënë: ”Personazhet, ambientet, vendbanimet e tij dhe klubi “Arco” janë të dhëna dokumentare në 20%. Pjesa dërrmuese e romanit ka të bëjë me idenë, invencën, imagjinatën dhe intuitën në kuptimin kreativ”.

Një vepër pothuaj sa poetike aq dhe moderne, që lexohet me një frymë, duke çuar drejt misterit të Kafkës, dhe lirisë së tij të njëkohshme, një vepër që lindi nga “dashuria e madhe” e shkrimtarit, kur shprehet se: “ Kafka përfaqëson frikën e luftërave botërore, shtypjen e individit, eksodin e popujve të vegjël, dhe vizionaritetin e shekullit 21…që nga “Metamorfoza”, “Procesi” dhe “Kështjella”, ai është bërë sivëllai im letrar. Njësoj sikurse Sadek Hedajati persian me të vetmin roman “Bufi i verbër”, i cili ishte binjaku i Franc Kafkës gjerman.”

Lindita Arapi

Çaste
Botimet “Dudaj”

Ekziston një ushtri e tërë shkrimtarësh në botë që bëjnë një luftë të vazhdueshme për vëmendje, për lexues. Lindita Arapi mendon se këtë lloj shkrimtari që nuk e arrin suksesin e njeh më mirë. Në librin e ri “Çaste”, ajo ndjek dy fate paralele të panjohurish, dy botë të copëtuara gjermano-shqiptare në një atmosferë qyteti.“Gjithmonë më ka bërë përshtypje anonanimiteti, vetmia, këto momentet kaq fluide dhe të rrëshqitshme të metropolit. Duket sikur ka një lloj performance urbane shumë të rrëshqitshme”, thotë Arapi. Ky mozaik tregimesh ka gjurmë të Arapit poete, autore e librave “Kufomë lulesh”, “Ndodhi në shpirt”, “Melodi e heshtjes” të shkruar midis viteve 1993-’99. Zhvendosja e saj në botën gjermane vetëm sa i krijon distancën e nevojshme për ta parë të kaluarën në Shqipëri me sytë e mendjes, si në romanin “Vajzat me çelës në qafë”.

“Kur shkruaj shqip, futem brenda atij ishullit të vogël që është dhoma e punës, që është kompjuteri, letra dhe që aty për mua është Shqipëria. Ndonjëherë më duket sikur qëndroj mbi urë”, ka thënë Lindita. “Çaste-kolazhe metropoli”, miti i kalimtares në metropol, i Çastit të rrëshqitshëm kërkon jetëgjatësinë në romanin eksperimental.. Dy të panjohur, të huaj me jetën e vet, pas një vërtitjeje vetmitare e shkëmbimeve flurore në përditshmërinë anonime urbane pikëpiqen, e për t’i shpëtuar tëhuajëzimit gërryes i dorëzohen ndjenjës më triviale e më të fuqishme. Kështu fluidja hedh rrënjë, çasti bëhet frymëgjatë dhe fragmentet bashkohen.

Mustafa Nano

“Sandwich: A është mirë me qenë shqiptar?”,

Botimet UETPress

Një titull libertin e provokativ konsiderohet libri më i fundit: “Sandwich (A është mirë me qenë shqiptar?), I promovuar pak ditë më parë nga botimet “UETPress”, por që ka pasur jehonë të menjëhershme, që ashtu si pritej ka ngjallur edhe polemika. Duke hyrë në çështje identitare të shqiptarëve, parë drejtpërsëdrejti nga të huajt, kryesisht evropianë që kaluan këtej nga shekulli i 18, Nano ndërton librin ese duke hapur debate jo vetëm kulturore por edhe antropoligjike. Pyetur për vështirësinë e perceptimin, e kuptimit të titullit të librit, për një kulturë si e jona, Nano është përgjigjur: Ky titull mund të duket si një trill për të shkaktuar efekte marketingu, por nuk është tamam kështu. Ka një përputhje mes titullit dhe përmbajtjes. Në thelb unë merrem në këtë libër me sandwich-in historik grek-shqiptar-serb. Pse ky provokim intelektual? Çfarë është ky libër për shqiptarët? Autori është shprehur se “Në këtë libër kam në fokus shqiptarët, apo ngjarje të historisë së Shqipërisë, por në korelacion me fqinjët tanë. Ka disa interpretime të historiografive kombëtare në Ballkan mbi ngjarje të caktuara që më duken të pasakta. Studiuesit shqiptarë, serbë, grekë i kanë mëshuar më shumë idesë se kombet e tyre janë tepër të ndarë prej njëri-tjetrit, se historia e Ballkanit është një histori armiqësish, se kjo armiqësi është e hershme, e në ndonjë rast duke dhënë përshtypjen se kombet në Ballkan kanë lindur me urrejtjen ndaj (apo për t’i dhënë urrejtje) njëri-tjetrit. Historia e 150 viteve të fundit, që nis në momentin kur lindën idetë nacionale këtyre anëve, rreket ta provojë këtë gjë, pasi është në thelb një histori mospajtimesh, luftërash, krimesh, mizorish, rivendikimesh territoriale, revanshi, etj, etj, por para kësaj kohe, për shekuj të tërë, nuk ka qenë kështu. Jo tamam kështu. Historiografitë nacionale, të ndihmuara edhe nga arti, letërsia e në përgjithësi kulturat nacionale, kanë bërë të vetën për ta shtrirë këtë klimë konflikti në të gjitha kohët. …”

Tom Kuka

Hide mbi kalldrëm

Botimet “Pegi”

Një rrëfim mbi dyzimin e shoqërisë shqiptare: nga njëra anë, e sunduar nga intrigat, tradhtitë e abuzimet e të fortëve e nga ana tjetër, e drobitur nga skamja, verbëria e bestytnitë e të dobëtve.

Janë vitet ‘30. Vitet e një Shqipërie që më në fund ka një emër, një qeveri dhe një kryeqytet. Dhe ç’kryeqytet! Tirana na shpaloset me tonalitetet e një fotografie bardhezi, në të cilën, falë një rrëfimi mjeshtëror, ndiejmë kutërbimin e kanalizimeve në qiell të hapur, të djersës së mëditësve, të qenve që rrëmojnë rrugëve, por edhe erën e sapunit të rrobave, të gatimeve në shtëpitë përdhese dhe të frutave që rëndojnë në pemët e oborreve të tyre. Pluhuri i bardhë i allçisë dhe i rrugëve na mahis sytë dhe gëlimi i zhurmshëm i vegjëlisë në pazar na vret veshin. E në këtë zallahi zërash e personazhesh, Di Hima, kryehetuesi i Tiranës, një burrë i mençur, me karakter tërheqës dhe ende i pamartuar, heton mbi vrasjen e Andon grekut, duke zbuluar një botë sekretesh e shantazhesh, nga e cila mund ta shpëtojë vetëm një dashuri e thjeshtë dhe e paqtë. Autori shpalos një tablo groteske e njëkohësisht mallëngjyese të një Shqipërie të skamur, të uritur e të nëpërkëmbur, ku jeta e njeriut nuk vlen asnjë dyshkë e ku nderi është vetëm një fasadë për sytë e botës. Në fakt, asgjë nuk ka ndryshuar… pothuajse një shekull më parë, ajo që ishte Tirana mbetet ende Tirana.

Ky është romani i parë i autorit që shkruan me pseudonimin Tom Kuka. Identiteti i tij i vërtetë nuk njihet. “Jam një njeri që, ma merr mendja, më njohin mjaftueshëm. Natyrisht, nuk kam bërë punë të zeza, që të kem frikë të paraqitem me emrin tim. […]

Zija Çela

Ora e Zooparkut

Botimet “Toena”

“Ora e Zooparkut”, romani më i fundit i Zija Çelës, është një vepër tjetër mjaft e vlerësuar, madje duke ardhur me zhvillime të reja autoriale. “Të ngjan sikur kjo ngjeshje, ky surpres narrativ, gjuhësor dhe emocional ka një burim të përbashkët. Mund të hamendësoj se autori është ndodhur në një gjendje tjetërsoj, më të zymtë, më të trishtë, në një nga ato gjendjet e trishtim-kllapisë që e afrojnë njeriun me të Vërtetën e thelbit dhe me krijimtarinë e madhe. Një rrëfim në vetën e parë, ashpërsisht realist, me trajektore gjithë zigzage kohore e hapësinore, por ku retrospektivat duken iluzionisht si vazhdim linear i rrëfimit. Romani “Ora e Zooparkut” është thellësisht modern, pa synuar që të jetë i tillë. Dhe ky është moderniteti i vërtetë.”, ka shkruar Rudolf Marku për këtë vepër.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Sindroma e gjelit të detit dhe ringritja e të djathtës

Nga Gentian Gaba Përfytyrojeni veten në vendin e një gjeli deti, të...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *