Liberalizimi si fenomen në sistemin universitar në Shqipëri

Studimi i realizuar, bazuar në anketimet e kryera, synon t’u japë përgjigje, mbi bazën e perceptimit të të rinjve, pyetjeve të mëposhtme: Si ka ndikuar liberalizimi në cilësinë e arsimit? Masivizimi prodhon cilësi? A ka avantazhuar apo jo lidhjen e tij me tregun e punës? Mbi ç’kritere mund të matet vlera e diplomës?

Nga Eskja Vero, Edi Puka* 

Ky punim përbën një përpjekje për të vëzhguar studentët shqiptarë se si arrijnë të perceptojnë avantazhet dhe disavantazhet që ka shkaktuar liberalizimi i sektorit arsimor në institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri. Në fillim të viteve 2004-2005, sistemi arsimor universitar pësoi ndryshime të qenësishme për sa i përket mundësisë së shkollimit në arsimin e lartë. Liberalizimi u pa si një nevojë e domosdoshme nga të gjithë politikëbërësit, duke u bazuar në strategjitë e zhvillimit mbi dhënien e një mundësie për të nxjerrë breza më të edukuar dhe më të profesionalizuar se në dekadat e mëparshme. Kjo nismë shfaqi për herë të parë në vendin tonë një dukuri të re, të ashtuquajturën: masivizimi në institucionet e arsimit të lartë. Studimi i realizuar, bazuar në anketimet e kryera, synon t’u japë përgjigje, mbi bazën e perceptimit të të rinjve, pyetjeve të mëposhtme: Si ka ndikuar liberalizimi në cilësinë e arsimit? Masivizimi prodhon cilësi? A ka avantazhuar apo jo lidhjen e tij me tregun e punës? Mbi ç’kritere mund të matet vlera e diplomës?

Trajtesa u jep një përgjigje problematikave dhe dimensioneve të reja në të cilat po zhvillohet arsimi i lartë në Shqipëri. Shpeshherë kemi dëgjuar se diskutimet mbi çështjet e arsimit kanë prekur shumë grupe të interesit duke filluar që nga profesorati, administratorët apo menaxhuesit e universiteteve, nga analistë të ndryshëm të fushave të arsimit dhe jo vetëm, deri te hartuesit e politikave arsimore, dhe pak herë kemi vënë re përfshirjen e studentëve, në dëgjimin e zërit të tyre si grup interesi që preket më shumë nga strategjitë dhe politikat arsimore. Në këtë punim synohet njohja e mendimit të kësaj kategorie e cila pothuajse nuk është përfshirë në shqyrtimin dhe evidentimin e problematikave të ndryshme që janë krijuar brenda sistemit arsimor universitar në vendin tonë.

Roli i arsimit

Sfidat e zhvillimit të sotëm global, i kanë vendosur individët në të jetuarit e një shoqërie shumë dinamike, ku forcat e evoluimit të saj na çojnë drejt një mjedisi social i cili sa vjen dhe bazohet mbi nevojën për dije. Ndaj universitetet janë, vendi në të cilin promovohet dija, nëpërmjet ideve inovative, hartimit të kurrikulave shkollore, kualifikimeve akademike, ku studentët mësojnë shkencën dhe përgatiten për të fituar një profesion të caktuar. Kështu, roli i arsimit në edukimin dhe shkollimin e brezave të rinj, mbetet një ndër prioritetet kryesore për çdo qeveri kombëtare, e cila duhet të ndërmarrë nisma, për hartime politikash që synojnë reformimin dhe funksionimin e çdo sistemi arsimor, qoftë rajonal por edhe global. Fokusi i këtij punimi është përqendruar në pyetjen kërkimore se, cilat janë perceptimet që kanë studentët shqiptarë në (universitetin publik dhe privat) mbi avantazhet dhe disavantazhet që ka shkaktuar liberalizimi i sektorit arsimor në institucionet e arsimit të lartë? Risia e trajtesës është në përfshirjen e të rinjve, për të identifikuar problematikat thelbësore që hasin gjatë implikimit të strategjive dhe politikave arsimore në institucionet ku ata studiojnë. Sipas tyre, si ka ndikuar ky liberalizim në cilësinë e arsimit? Masivizimi prodhon cilësi? A ka avantazhuar apo jo lidhjen e tij me tregun e punës? Mbi ç’kritere mund të matet vlera e diplomës? Siç edhe dihet ishin fillimet e viteve 2004–2005, ato që liberalizuan sistemin tonë arsimor. Liberalizimi në këtë sektor, u pa si një nevojë e domosdoshme nga të gjithë politikëbërësit, duke u bazuar në strategjitë e zhvillimit mbi dhënien e një mundësie për të nxjerrë breza më të edukuar dhe më të profesionalizuar se në dekadat e mëparshme. Kjo nismë shfaqi për herë të parë në vendin tonë një dukuri të re, të ashtuquajturën: masivizimi në institucionet e arsimit të lartë. Në çështjen e parë të kësaj trajtese, shtrohet problematika e masivizimit, bazuar në pohimet që kanë dhënë studentët ndaj perceptimit të tyre për cilësinë e arsimit dhe të mësimdhënies në universitetin ku studiojnë. Nelson Mandela ka thënë: “Arsimi është arma më e fuqishme që ju mund të përdorni për të ndryshuar botën”.

Arsimi është çelësi i suksesit që rrit kapacitetet intelektuale të njerëzve dhe ndihmon në mirëqenien e shoqërisë në tërësi. “Mbështetësit e masivizimit, sipas tyre arsimimi shihet në fakt si shprehje e lirisë së njeriut, me qëllim që individët të zhvillojnë kapacitete dhe aftësi për të zhvilluar vetveten, për të ndërtuar të ardhmen e tyre dhe të botës ku jetojnë”,(Gjuraj, 2012). Universitetet janë vatrat e edukimit dhe si të tilla ato marrin përgjegjësinë për të prodhuar dijen shkencore dhe edukimin cilësor të brezave. Në një artikull shkencor, Teichler (2008) argumenton se, zgjerimi i arsimit në Europë erdhi si pasojë se vendet europiane arritën të merrnin mësim, për hapat e diversifikimit të universiteteve në dy mënyra kryesore: së pari, ajo u ndikua nga zgjerimi dhe diversifikimi që njohën sistemet kombëtare të arsimit të lartë që nga vitet 1960 deri në 1990 ku, si shembull konkretisht u panë rezultatet e arsimit dhe suksesit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës; së dyti, nga konkurrueshmëria që lindi për universitetet individuale të klasit botëror në një mjedis global duke filluar që nga viti 1990.

Këto fakte shërbyen si një përvojë e mirë, që njohën më pas edhe historinë e suksesshme të universiteteve elitare të SHBA– së, dhe nevojën që patën vendet në zhvillim për të përqendruar burimet e tyre të pakta. Në analizën se si u zgjeruan dhe diversifikuan institucionet e arsimit të lartë, Teichler përmend 7 hapat që përdorën Meek & Wood (1998), për të evidentuar diversifikimin që njohu arsimi si, (1) diversifikimi i sistemeve që përfshinte llojet e arsimit të lartë; (2) diversiteti strukturor që përfshin dimensionet organizative; (3) diversiteti programatik, ndryshimet që ndodhën për kurrikulat; (4) diversiteti procedurial, që kishte të bënte me mënyrat e mësimdhënies; (5) diversiteti në reputacion, pra dallimet që ekzistojnë në statusin dhe prestigjin e institucioneve të arsimit të lartë; (6) diversiteti konstitucional që përfshinte llojet e studentëve në këto institucione; dhe e fundit (7) diversiteti në vlerat dhe klimën, e cila përfshinte mjediset e brendshme kulturore dhe sociale që çdo institucion ofronte për studentët e tij. Këto ishin disa nga fazat që ravijëzuan edhe si parime në përgjithësi, ecurinë e evoluimit të edukimit dhe përhapjes së tij në shoqëritë e tjera të botës.

Në kontekstin shqiptar, dukuria ndodhi në fillim të viteve 2004–2005 duke shkaktuar fenomenin e masivizimit të universiteteve shqiptare, përtej kapaciteteve dhe mundësive që ato ofronin. Por solli disa pasoja ku së pari, vuri në dyshim cilësinë e dijes, duke çuar në standarde të dobëta si në mësimdhënie dhe në kërkimin shkencor. Së dyti, një numër shumë i madh studentësh të cilët ndjekin studimet universitare, kanë një shifër të lartë papunësie. Papunësia ndikon negativisht në formimin profesional, shoqëror dhe psikologjik të studentëve. Të qenit me një status të papunë i demotivon ata për t’u rritur profesionalisht në degën ku kanë studiuar.

Në librin “Arsimi i lartë për një shoqëri të hapur” theksohet se “masivizimi i universiteteve nuk duhet të jetë qëllim në vetvete, nuk duhet t’u shërbejë politikave populiste dhe as të pengojë konkurrencën e bazuar në vlera midis universiteteve publike dhe private siç ka ndodhur deri më sot. Edhe pse të drejtën për të ndjekur arsimin e lartë e ka çdo njeri, jo çdokush meriton të regjistrohet në universitet dhe jo çdokush meriton të diplomohet”, (Tarifa, 2013, f. 52). Pra, e gjithë problematika fokusohet në objektivin se, si duhet të administrohet sistemi arsimor që të prodhojë cilësi në kushtet e kësaj prurjeje masive? Kjo çështje meriton një vëmendje të veçantë në procesin e të rishikuarit të këtyre politikave arsimore të ndërmarra nga qeveria shqiptare, por hapësira e këtij shkrimi nuk synon arsyet e hartimit të këtyre politikave, por pasojat që ato kanë sjellë konkretisht te shtresa më e prekur që janë studentët. “Është e njohur aksioma se shkalla e qytetërimit të një vendi matet jo me sa të madh e ka ai arsenalin ushtarak, sa pozant rendin ekonomik, sa të shtrenjta pasarelat e modës, por në radhë të parë sa efikas e ka sistemin arsimor”, (Dedaj, 2014). Prandaj objektivisht duhet të analizohet se, sistemi arsimor ka vërtet nevojë për një ndryshim rrënjësor ku së pari, një nga mënyrat që mund të çojë në rritjen e cilësisë është përputhja e dijes shkencore me nevojat e tregut, mundësive që ka vendi për punësim, orientimin e studentëve dhe profesioneve në ato degë që nxisin shkollimin e tyre jo vetëm në universitete por dhe në shkollat profesionale.

Ajo që vlen të theksohet është se liberalizimi i arsimit nuk duhet të shihet si një dukuri me spektër negativ, pasi aksesi për të marrë dhe dhënë njohuri i përket çdo qytetari në një shoqëri demokratike. Problemi qëndron në raportin midis koncepteve prurje masive – treg pune. A i përgjigjet skema aktuale e arsimit nevojave të tregut? Ende në Shqipëri ashtu siç e thekson edhe draft – raporti i reformës së arsimit, qëndron fakti se akoma nuk është bërë në rang kombëtar një analizë e mundësive reale që ka vendi për punësim, zhvillimin dhe orientimin e arsimit të lartë drejt përmbushjes së këtyre nevojave aktuale apo në të ardhmen sipas nevojave të tregut. Megjithatë shkrimet, analizat, opinionet, kryesisht të ekonomistëve shqiptarë, theksojnë ndjeshëm se dija dhe produktet e saj duhet të ballafaqohen në një treg me mundësinë që shoqëria ka për t’i plotësuar. Në librin “Universiteti për zhvillim” Minxhozi (2013), thekson se mënyra që të sigurohet rritja ekonomike duke shmangur kështu tepricat ose mungesat për kapital njerëzor, duhet që kërkesat për dije dhe kapital njerëzor të identifikojnë fillimisht dinamikat e trendeve të punësimit, për të eliminuar në këtë mënyrë mungesat për profesione dhe dije (f. 27-31). Pra, problemi qëndron te paaftësia e sistemit për të prodhuar profesionistë që i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Mirëpo ky është një problem. Një problem tjetër që ndodh te çdo individ, është edhe mënyra e filtrimit apo e përzgjedhjes ndaj gjërave që janë të përshtatshme për këta individë. Reverendi Sun Myung në librin “Si qytetar global paqedashës. Dashuri, paqe botërore” shprehej:

Në tragjedinë “Mbreti Lir”, diku mbreti i thotë shërbëtorit të tij besnik se një njeri duhet ta kuptojë se si funksionon kjo botë. Edhe kur është i verbër. Në mënyrë figurative, në f. 277 autori shprehet: “Të zgjuarit duhet ta rreshtojnë veten në anë të ligjeve dhe të ritmit të universit”, dhe disa rreshta më tutje: “Peshqit kanë shtigjet e tyre dhe kohë të caktuara kur kalojnë në to. Nëse nuk i dimë këto rrugë, nuk mund t’i kapim. Vetëm fakti që ka ujë, nuk do të thotë se ka peshq”. Kjo është ajo që propozojnë shumë ekonomistë: zgjedhjet e njerëzve duhet të kenë doza të theksuara racionaliteti, duke u përpjekur për të krijuar një lidhje logjike ndërmjet atyre që kemi arsye për t’i zgjedhur dhe atyre që janë racionale nga ne për t’i zgjedhur. (Nathanaili, 2013)

Myung me shprehjen e “Mbretit Lir” ndihmon të kuptuarit dhe të reflektuarit ndaj një mesazhi tepër të rëndësishëm në lidhje me sistemin arsimor në qendër të të cilit vihen vetë studentët. Pavarësisht se ata nuk janë të orientuar nga politika apo zhvillime arsimore që synojnë lidhjen e profesioneve me tregun e punës, nga ana tjetër janë edhe vetë studentët shqiptarë të cilët në këto kushte duhet të ndërgjegjësohen me disa “doza racionaliteti” mbi kërkesë-ofertën në arsim. Në këto kushte kur këta studentë shohin se sot shumë të rinj po diplomohen me përqindje të lartë në fakultetet e degëve kryesisht si juridik, ekonomik, shkenca politike, dhe nga ana tjetër ballafaqohen me një treg i cili nuk e ka kurrsesi aftësinë ta përballojë këtë prurje, atëherë pse vazhdon të ndodhë ky fenomen? Pra është e vërtetë që edhe pse mungojnë ata mekanizma orientues ndaj tregut të punës, edhe të rinjtë duhet t’i bazojnë zgjedhjet e tyre në mënyrë intuitive.

*Punimi u prezantua në Konferencën Shkencore “Ditët e Studimeve Shqiptare” organizuar nga UET

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Sa aktual që janë!

Nga Ndriçim Kulla Nga t’ia nisim? Cila është ajo atmosferë e veçantë...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.