Librat e Gilmanit në rrëfimin e Irenës

“Alfabeti i tranzicionit” dhe “Mendimi kritik i një qytetari”, dy librat në mungesë të Gilman Bakalllit. Zëri kritik i intelektualit të angazhuar në shoqërinë e sotme

Dikur ajo ishte lexuesja e parë e shkrimeve të tij. Shpesh përtej telefonit i konfirmonte idetë që ai i kishte hedhur në letër, për t’i botuar të nesërmen në gazetë. E rritur me leximin Irena nuk shihte te këto shkrime bashkëshortin, por modelin e intelektualit të angazhuar, i cili kërkonte të ndikonte përmes shkrimeve për një shoqëri dhe vend më të mirë. Zëri i tij ishte jo vetëm zëri i saj, por i mijëra lexuesve që gjenin te shkrimet e Gilman Bakallit të ngjashmin e tyre. Ikjen e tij, Irena e ka zëvendësuar me librat që e risjellin Gilman Bakallin po aq aktiv në mendimin e sotëm shqip, me shkrime që dhe pse të shkruara në kohë janë pa kohë. “Alfabeti i tranzicionit” (botimet UET PRESS) dhe “Mendimi kritik i një qytetari” (Pegi) janë dy botime që kanë ardhur në kurimin e Irena Bakallit, duke zbutur kështu mungesën përmes rreshtave që e bëjnë Bakallin një zë të fortë në shoqërinë shqiptare.

“Mendimi kritik i një qytetari” erdhi në dyvjetorin e ndarjes së tij nga jeta. Në këtë përmbledhje janë “fotografuar” momente të ndryshme të politikës, etikës, moralit, fesë, mediave etj., të shoqërisë shqiptare gjatë këtij “tranzicioni të përhershëm”. Në trajtimin e çështjeve, autori ka zgjedhur si model të tijin të preferuar mendimin kritik. Me anë të mendimit kritik autori analizon dhe vlerëson informacionet, duke na dhënë një mënyrë për të mësuar zgjidhjen e problemeve të jetës. Falë përvojës së tij si pedagog, i specializuar në shkencat e komunikimit, nëpërmjet mendimit kritik ai bazohet në përpjekjen për të marrë vendime të paanshme, ku vlerat themelore janë: qartësia, rregulli, saktësia dhe provat. Më poshtë Irena (e shoqja) vjen në një rrëfim për këtë libër…

Në pjesën më të madhe të shkrimeve Gilmani përpiqet të ngrejë pyetje, dhe eliminon paragjykimin…Sa esenciale i sheh këto pyetje për realitetin e sotëm?

Është e vërtetë, Gilmani shtron pyetje dhe shmang paragjykimet.
Kjo është mënyra e tij e të menduarit edhe e të vepruarit, jo vetëm kur shkruan, por edhe në aktivitetin e tij akademik. Jam e bindur se edhe studentët e tij e njohin mirë këtë mënyrë.
Siç ka thënë edhe ai vetë, duke shtruar pyetje lind nevoja për të menduar, lind mundësia për përgjigje dhe për zgjidhje.
Për sa kohë këtyre pyetjeve nuk i është dhanë një zgjidhje e duhur, sigurisht që ato vazhdojnë të mbeten esenciale në realitetin tonë.

Çfarë sipas jush do t‘i sjellë ky botim tregut të sotëm të botimeve?

Të dy botimet e Gilman Bakallit, “Alfabeti i tranzicionit” dhe “Mendimi kritik i një qytetari”, ofrojnë në tregun e sotëm të botimeve dy libra cilësorë, në formë dhe në përmbajtje. Jo vetëm për temat që trajtohen, ngjarjet e fenomenet e jetës sonë shoqërore-politike, por veçanërisht, për mënyrën se si ai e bën këtë, metodat që ai përdor. Dhe duke dashur të shkojë më tej, pasi edhe metodat e të shkruarit studiohen në shkollë e si pasojë, janë potencialisht të aksesueshme për këdo që dëshiron të shkruajë me përgjegjësi diçka, mendoj se, vlera e vërtetë e këtyre botimeve është modeli se si autori i implementon këto metoda, modeli i tij origjinal i të menduarit, të argumentuarit dhe të guxuarit. Kjo është ajo që përbën të veçantën e dy librave të Gilman Bakallit.

Ajo çfarë e karakterizon shkrimin e Gilmanit është universaliteti i rrëfimit, duke i bërë shkrimet pa kohë. Sipas jush nga buronte ky vështrim përtej kohës?

Shkrimet e Gilmanit nuk janë thjesht kronika, por ese. Si të tilla, ato janë shkrime kritike në prozë, me karakter shkencor ose divulgativ, në lidhje me një temë të caktuar politike, etike apo morale. Argumentimet, evokimet, informacionet, kritikat, përshkrimet, anekdotat, aforizmat, opinionet, shembujt, dialogjet etj., i bëjnë këto ese pa kohë.

Ju jeni kuratorja e librave të tij. Sa e vështirë ka qenë të ndërtoje një libër të kësaj natyre?

Detyra ime si kuratore ka konsistuar, në kurimin e formës dhe të përmbajtjes. Në lidhje me përmbajtjen, ky kurim ka konsistuar në gjetjen e personave të duhur për t’iu dhënë jetë dy librave: “Alfabeti i tranzicionit” dhe “Mendimi kritik i një qytetari”. Në këtë aspekt kam patur shumë fat (pasi nuk gjenden aq kollaj sot) të gjej profesionalizmin, përkushtimin dhe disponibilitetin të shkrira në një, te Gino Luka dhe Keti Geluzzi, të cilët kanë punuar për të dy këta libra.
Në anën tjetër, jam kujdesur personalisht edhe për një formë sa më të kuruar, pasi harmonia midis formës dhe përmbajtjes, për mendimin tim, është kusht thelbësor për krijuar një libër cilësor në tërësinë i tij.

Nëse do të veçoje një nga shkrimet që mbart ky libër, cili është?

Raporti im me këto shkrime është si raporti i nënës me fëmijët, i dua të gjithë njësoj.

A ka mbetur diçka tjetër e pabotuar nga Bakalli? Çfarë pritet të vijë në të ardhmen për lexuesin?

Botimi i radhës do të jetë varianti në anglisht i librit “Alfabeti i tranzicionit”, duke mundësuar kështu leximin e këtij libri edhe për lexuesin jo shqipfolës, i cili dëshiron të dijë më shumë mbi shoqërinë tonë dhe tranzicionin e saj të pafund. Gjithashtu, për lexuesit shqipfolës botimi i ardhshëm do të jetë një libër nga fusha e filozofisë, i cili në fakt do të jetë një libër më impenjativ për sa i përket vështirësisë së leximit. Për momentin le t’i lëmë mënjanë detajet në lidhje me këtë libër dhe t’iu japim mundësinë lexuesve të njihen me “Alfabeti i tranzicionit” dhe “Mendimi kritik i një qytetari”.

A i ndjeni lexuesit e librave të tij. Ju shkruajnë?

Po, kam patur disa kontakte. Të dy librat e Gilmanit lexohen me interes dhe me dëshirë nga kushdo që e do librin dhe që dëshiron të shkojë përtej leximit të romaneve apo poezive.
Kjo, jo vetëm sepse çështjet që trajtohen, në një formë apo në një tjetër, janë të lidhura me jetën e secilit prej nesh që jetojmë në Shqipëri, por edhe për mënyrën autentike të të shkruarit. Edhe për ata të cilët nuk jetojnë në Shqipëri, libri ofron një pasqyrë interesante dhe pa zbukurime të jetës së shoqërisë sonë, të përshkruar me një stil krejt të veçantë, karakteristikë kjo e Gilmanit.
Në shumë raste më kanë kontaktuar për të më pyetur se ku mund të gjendet libri, pasi jo gjithmonë e kanë gjetur kollaj, jo çdo librari e ka dhe jo në çdo moment. Për këtë arsye, tani, të dy librat mund të porositen edhe online nëpërmjet faqes Bukinist, e cila ofron mundësinë e sjelljes së librit në adresën e dëshiruar brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Gilmani intelektual, si është në vështrimin tuaj?

Gilmani ka qenë një person i pajisur me një kulturë të gjerë, studiues dhe i aftë të ushtrojë një ndikim të thellë në kontekstin shoqëror.

Funksioni social i intelektualit është angazhimi politik i tij kur i kërkohet të udhëzojë ose të bashkëpunojë në një proces të reformave politike. Ky rol ka evoluar në atë të krijuesve modernë të opinionit publik (opinion makers). E, Gilmani, ka qenë një person i tillë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Arkivi në ekran: Një portret poetik për aventurat e fëmijërisë

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit shfaq sot në kinema Millenium premierën shqiptare...
Read More