“Libri i Lumturisë” dhe vënia e groundeve në diskutim

Grounded ose bazat, janë pohime të garantuara në qenien tonë, pa diskutim. Ato janë përthithje në një mënyrë të ngadalshme, rituale ose të jashtëzakonshme, të cilat fondamentojnë sjelljen mentale, dispozitën e saj. Edhe te poetët më me emër, grounded janë nyja, të cilat nuk vihen në lojë

Nga Doc. Mimoza Ahmeti

Grounded ose bazat, janë pohime të garantuara në qenien tonë, pa diskutim. Ato janë përthithje në një mënyrë të ngadalshme, rituale ose të jashtëzakonshme, të cilat fondamentojnë sjelljen mentale, dispozitën e saj. Edhe te poetët më me emër, grounded janë njyja, të cilat nuk vihen në lojë. Zakonisht ato u shërbejnë atyre për të ngritur ndërtesën në kundërdallim me format e tjera, më të ulëta, apo të asaj që në tërësi ata supozojnë si dobësi njerëzore dhe shoqërore. Kështu egoja ngre, formon, kundërve katet e strukturës së vet, të cilat marrin kompleksitete të pabesueshme dhe vetëm rrallë vetëreduktim nëpër formë. Ato orientohen sipas qëllimit dhe intensifikimit të tij, vetëreferencial. Variabli social vetëm, ndryshimi i rrufeshëm i tij, mund ta rrëzojë një ego- ndërtesë, përgjatë kathetimit të saj signifikues, edhe poetik.

E meqë fjala është te “Libri i Lumturisë”, për nocionin e së cilës kemi pa fund përcaktime, ndryshe nga kuptimi i saj si zhvillim në vijim të kathetimit të vet, apo të një hipervijimi pozitiv të groundeve- bazë të saj, ky krijim hyn në vëzhgim të besimeve të veta më të thella, duke dyshuar…

(Këto poema u shkruan diku para mesit të dhjetëvjeçarit të dytë të këtij shekulli. Vë re që kam marrë përsipër një diskutim të rrënjëve të qenies. Kjo ndodhi nga një kombinim i çuditshëm mes shkollimeve dhe përvojave individuale primuliane). Le të vëzhgojmë një autoportret:

Krimi

Kjo forcë e mistershme

që bashkoi te ti

iluzion e perfeksion,

gojën e bardhë në një fytyrë dielli

për të çapitur qiell që nuk mbaron së kurri,

për të thurë ide me të cilat do të vishen shpirtrat e mardhur…

Kjo forcë që u prir e u shkëput e selektoi drejt teje-

la pas mijëra qenie, fytyra, fate,

që ti s’i pëlqen,

i quan të pamjaftueshme,

herë herë të frikshme, pothuajse të tmerrshme…

E në kalim e sipër ideje kupton

që ky krim u krye në emër të përsosjes

sate, të përkushtimit ndaj teje,

për të frymëzuar të tjerë,

pikërisht ata:

gjithë atë botë që ti s’e do, e refuzon,

që është ana tjetër e fytyrës

sate, mbetja prej asaj balte që u zgjodh fytyra

jote, rrezëllitëse,

që kultëron me shekuj, edhe kur nuk është më,

që kultëron me vite-

deri në pikën e fundit të dritës

deri në dritën e pikës së fundit.

Natyra parciale e groundeve nuk mund të dallohet nga struktura e tyre, as nga fati  “i tjetrit”. Empathia për tjetrin është në vetvete ndjeshmëria për veten dhe jo për atë. Kështu diskutimi i groundeve vjen prej efekteve të pësimit:

Përfshirja

 

Sa herë përfshihemi

jetojmë Universin dendësisht,

imanenca e tij na jep plotësi

absolute,

deri kur marrim goditjen!

 

Është e pamundur të mos goditesh

nëse përfshihesh.

 

Ndihemi si një bërthamë absorbuese që u shpërbë

nga një element solid: Fati.

 

E kur tërhiqemi,

ndërsa vëzhgojmë,

bashkë me vëzhgimi na lind një pyetje e frikshme:

Vullnetin e kujt po përmbushnim me vullnetin tonë?

A ishte kjo vërtet një çështje principi?

Apo një lojë forcash që na rrëmben e shkakton

hidhërim e lotë?

 

Ah, lotët dhe buzëqeshjet

në horizontin e fundëm të shtrirjes

humanoide!

 

Pjesorja e groundeve që mendon se rrok tërësinë, krijon kohën metafizike. Ajo vuan nga iluzioni i padrejtësisë, nga vonesat në keqkuptimin me tjetrin, që i japin gjithmonë të drejtë egos. Kjo vonesë që shkaktohet nga besimi, ndërton jetën, konfliktin, pritjen. Ky proces quhet Latency. Latenci është një vonesë në lidhje me dikë përpara teje, ose që ti je përpara tjetrit dhe ai të ka zënë rrugën sepse ti mund t`ia zësh dhe nuk e bën, sepse rruga jote është e garantuar nga graunde; ai të nis pastaj nëpër një rrugë tjetër sepse nuk është i zoti t´i bjerë nga rruga jote, sepse lindi në një kohë pa rrugë, i përket për shembull kuotës me kapërcime…. Ky është një proces iluziv që shkakton vuajtjen virtuale që quhet ndryshe vdekje në shpirt. Shkaku është brenda por sytë e shohin jashtë. Të gjithë vdesin duke u krahasuar me të gjithë…Kuptimi i këtij kuptimi është Lumturia.

Le të shohim poezinë “Latenci” ku koha dhe struktura janë një:

LATENCI

O ju, latencie…

karkasa të një realiteti

që u iluminua në ëndërrim

pa vend e shenjim…

Prej ku jeni futur

kaq thellë në shpirtin tim?

 

Askush nuk e shkel dot atë truall ku jeni Ju!

Me qenë te Ju, me qenë në askund,

qe i vetmi vend në jetë

ku qeshë dikund!

 

O ju, latencie, ju, besime,

Ju, ëndrra krimesh legjitime,

Ti, eros norme, kundër dëshire..

 

O ju, latencie, mullëza imagjinimi

sinap’ i shkeljes- farë njësimi!

 

Format individuale dhe kolektive vokojnë njera tjetrën. Ndodh pikërisht në vonesë që palët apelojnë kundër njera -tjetrës. Logjika e përjashtimit është rrjedhuar nga vija e ndarjes që bën dallimin. Hapësira njerëzore në dukje e pafundme është finite nga mënyra e origjinimit: guri themeltar është kundërdallimi. Rruga drejt kthimit është e pashmangshme. Sepse tjetri te ti është rruga. Ikja tepër larg ndodh për kthimin e takuar nga sublimimi tek kapërcimi dhe rirendimi:

HABIA DO TË NDODHË

 

Habia do të ndodhë

kur të gjitha planet do të sheshohen në një shtrirje

dhe të gjitha këndet do të përmbysen në një rrafsh-

si rruaza do të rrjedhin zemrat përmbi sheshin e syve,

do të duket e padukshmja më qartë se e dukshmja.

 

Lamtumira e shqisave po ndodh ngadalë:

truri percepton përtej prekjes.

Përmallimi për shqisoren do të shuhet pak nga pak,

por kjo do të jetë një plagë e pambyllshme.

Për ku po niset kjo qenie Absolute

duke u njësuar me sensin e fillikatisë!

A është i vetëmjaftueshëm Njëshi?

 

Me sa duket kish qenë e fshehta e së fshehtës kaq e

thjeshtë: jeta e predhës

në goditje objektivi

të krijuar nga drejtimi.

 

Për ku po nisesh, o yll,

o Njeri i Njësuar,

me buzëqeshje kibernetike?

 

Paç fat të mbarë!

Mos harro që gjithçka

lëviz ndërsa ti lëviz!

Objekti është i pakapshëm

ngaqë është i ndryshueshëm.

Humbja paraqitet si Kohë,

fitorja si Hapësirë,

por gjithçka përpihet,

rrotullohet e nulifikohet te rifillimi.

Dëshira jeton përtej asaj çfarë është-

dhe kaq ishte Zoti.

 

Braktisja e kohës njerëzore është një vetëdije e njohur poeti. Me gjthë  rebelimin në dukje, ajo fsheh thelbin se dashuria ka burim kozmik. Duket sikur manjetizmi, kjo dhuratë që mban trupat lidhur dhe që përjetohet në mënyrë të paidentifikuar, që është shtjella e kapilariteteve të frymës, që është harruar nga njeriu dhe kjo është burim i mjerimit të tij: 

 

Qiell-diva

Kam kohë që udhëtoj me njerëz, unë që dikur vrapoja me yje,
pashë gjelbërimin e detit sot, pengohej të hynte në sytë e mi, nga mizoria arsye…
Përse e bëre këtë, më pyeti vetja? Përse e humbe lirinë e shpirtit frymor për dashuri njeriu?
Kjo rraskapitje e pakuptimtë mentale, e shqisave, pa bërë asgjë, të griu!
Ti që dikur kryeje mbikalime për aortën e Frymës, ti, Diva e mushkërisë qiellore,
me filigran pambarim transi qëndisje ekstremitetet nervore
me ar puthjesh ndjesore …
(Nuk u lodhe me ngjarje dhe orendi?)

 

Zbukuro, shkëlqe fildish gëzimi, hapu përtej reve të një qielli të përdorur
harko alabastër mëngjesi, mbi muzgun e shpirtrave së koti të lodhur, 
Dashuria e përkushtimi vetëm për një njeri- ishte qëndisja e rrjetit me fijet e merimangës, 
por tani që këtë ti e di, i vjen këputja prangës!
Përfshij, mos u ndal, e mos vono në detaj 
nuk ka diferencë në esencë, shpirti është gjithmonë Maj!
Dëshira vlen vetëm nëse përfshin gjithçka,
pasi gjithçka jeton nëpër dëshira
dhe kjo është puthja e vetme që i mbet Njeriut për sot,
por ndoshta edhe më e mira!

Vrapo me yje, vrapo me yje e mos
kthe krye…
Mos u ndal, Diva ime, qiellore,
me pamje rastësisht tokësore.

 

Lumturia në këtë përmbledhje poemash është vetëdija për kufizimin e groundeve formëformuese, që ndërtojnë. Bashkë me njohjen e kufizimit ekspozohet madhështia e shpirtit që kërkon dimensionin e paevidentuar por jo të paditur. Koha sociale që paraqitet si koha universale jetohet vetëm si kraft historic dhe jo si esencë:

Dashuria është punë

horizontesh dhe shkëputje

prej trupit

 

Dashuria është punë horizontesh,

nuk i duron amatorët.

Dashuria e dashnorëve

mbaroi me Adamin dhe Evën…

Janë këto vargjet me të cilat hapet vëllimi, të cilat venë në diskutim edhe ndjenjën mes dy dashnorësh, ku fillon dhe transcendimi historik. Ҁ´na shtyn të duam dikë më shumë se të tjerët dhe ta kthejmë atë në mitin e jetës sonë, prej të cilit mendojmë të çlirojmë shpirtin? Sa mban ky mit? Sa liri dha ai? Sa liri jep erosi për Qytetin, për Metropolin?

Sigurisht që dha. Jep. Dha lirinë e kraftit. Por Fryma përgjigjet në poemën “Lëndë Misterioze”:

Eja tek Unë, qetësohu! Shiko

në fytyrën time,

në fytyrën e pashenjë

të Frymës Shenjimtare!

“Libri i Lumturisë” (autor: Mimoza Ahmeti), provë e një avancimi dhe ndërlidhjeje të një identiteti ndërkulturor poetik, u botua nga “Mapo”, një vit më parë, nën dashamirësinë e pakursyeshme të moderatorit Henri Ҁili.

Lumturia si vetëdija kundrejt vetëdijes, është mesazhi.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Bilanci real i Procesit të Berlinit

Dy vite pas Procesit të Berlinit efektet ekonomike janë të pandjeshme dhe...
Read More