Libri provokues i Nanos: A është mirë me qenë shqiptar?

UET-Press promovon nesër, 30 qershor, librin më të ri të Mustafa Nanos me titull: “SANDWICH: A është mirë me qenë shqiptar?”

Një tjetër provokim nga Mustafa Nano?!

Nga titulli duket i tillë, por është më shumë se vetëm një provokim, është një udhëtim në historinë e shqiptarëve që nga Ilirët e deri më sot. 

“Albanologjia, me të vërtetat, dilemat, mitologjitë e me misteret e saj, duket se është pasioni i tij i viteve të pjekurisë. Sprovat e para të kësaj stine të re të krijimtarisë së tij, Nano na i kishte dhënë që me botimin e librit “Unë jam gegë”, në vitin 2013, dhe të atij me titull “Pax Albanica”, më 2014”, shkruan historiani Pëllumb Xhufi në parathënien e këtij libri.

Në librin e ri, i cili botohet nga UET-Pres, Nano tenon të shqyrtojë në mënyrë kritike disa prej tezave kryesore të shkencave albanologjike, origjinën e popullit shqiptar, me vazhdimësinë iliro-shqiptare, me marrëdhëniet e shqiptarëve me sllavët e me grekët, me gjuhën e kulturën e tyre, me procesin e islamizimit, me rolin e shqiptarëve në ngjarjet e mëdha politiko-ushtarake në rajonin e Ballkanit, etj.

Ai thërret në “ndihmë” pothuajse të gjithë autorët e huaj që kanë udhëtuar në viset shqiptare dhe kanë shkruar për Shqipërinë në kohë të ndryshme, shumica e këtyre autorëve janë të pabotuar në shqip.

Mustafa Nano kërkon të ç’mitizojë dhe të ç’dramatizojë nacionalizmin shqiptar dhe marrëdhëniet me fqinjët në këtë kontekst.

Ai i merr në shqyrtim të gjitha platformat nacionaliste të fqinjëve tanë, grekë apo sllavë, por kritika ndaj nacionalizmit vlen dhe kur vjen fjala për shqiptarët.

Ai madje guxon që të kritikojë nervin antisllav të At Gjergj Fishtës në “Lahutën e Malcis”.

“Autori konsideron se në një mjedis inkandeshent e skizofren, si ai ballkanik, shfaqjet e nacionalizmit duhen mbytur që në vezë, e në këtë kuptim ai nuk heziton të trajtojë me po aq dorë të rëndë edhe shfaqjet e interpretimit nacionalist të historisë tek shqiptarët, siç ishte edhe ajo tentativë e ndrojtur e vitit 1998, kur Akademia e Shkencave të Shqipërisë kuturisi të hartojë një platformë mbi zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare”, shkruan Xhufi duke të përgatitur për atë që do të lexosh më tej në libër.

“Duke kërkuar një tjetër linjë marrëdhënieje me fqinjët, duke kërkuar e duke evidentuar atë çka është pozitive, posaçërisht në marrëdhëniet e tyre me shqiptarët,” thotë Xhufi, “Nano sjell momente të shumta të historisë, të rindërtuara nga autori me citim të bollshëm dokumentesh, kronikash bashkëkohore e historianësh me emër, flasin për bashkëjetesë normale e bashkëpunim deri edhe me serbët”.

 

Shkruar Nga
More from Redaksia

Përse mbretëresha Elizabeth nuk e lejon Kate Middleton të lyejë thonjtë?

Princesha Kate Middleton është një nga femrat më të komentuara në botë....
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.