Lideri ka rëndësi, partia është vetëm një pengesë

Nga Ervis Iljazaj

Ky fenomen, nga i cili nuk mund të shpëtonte Shqipëria, vjen si pasojë e ndryshimeve shoqërore dhe kulturore, të cilat kanë transformuar partitë politikë. Parti të cilat janë të organizuara në mënyrë të strukturuara, që mbledhin rregullisht forumet apo organet brenda tyre për vendimmarrjet politike që nuk ekzistojnë më. Janë parti të shekullit të kaluar dhe nëse janë të tilla, janë thjesht një pengesë për efikasitetin e tyre në një shoqëri kaq komplekse dhe, që ecën me një shpejtësi të madhe drejt ndryshimeve.

Gara për kreun e Partisë Demokratike, ndër të tjera, ka shtruar në opinion publik dhe një çështje shumë të rëndësishme, atë të funksionimit, demokracisë, rolin e strukturave dhe raportin e kryetarit me to brenda partive politike.

Në momentin që Lulzim Basha shpalli listën e kandidatëve për deputet, para zgjedhjeve të 25 Qershorit, ky vendim, u kritikua ashpër dhe vazhdon të kritikohet edhe sot nga kundërshtarët e tij si një vendim personal dhe autokratik, pasi lista nuk ishte konsultuar me strukturat e Partisë Demokratike. Akuza nga më të ndryshmet vërshuan drejt tij, duke e konsideruar si një person i cili ka zaptuar partinë apo që e ka personalizuar atë. Përtej debatit nëse ishin listat e duhura apo nëse Lulzim Basha duhet të jepte dorëheqjen mbas humbjes së zgjedhjeve, debat i cili është konsumuar në këto ditë dhe, që nuk është qëllimi i këtij artikulli, vlen të theksohet se vendimi personal i Bashës është një vendim më se normal në politikën e sotme jo vetëm në Shqipëri, por kudo në vendet europiane dhe më gjerë.

Në të njëjtën mënyrë trajtohen dhe qëndrimet e Edi Ramës brenda Partisë Socialiste. Ai shihet si një person i cili kontrollon totalisht strukturat e partisë dhe, që merr vendime duke anashkaluar çdo procedurë vendimmarrjeje që parashikohet nga organizimi dhe funksionimi i saj.

Ka një personalizim të jetës partiake, i cili po karakterizon funksionimin e partive edhe përtej vendit tonë, aq sa drejtuesit e saj nuk quhen më kryetarë, por liderë. Pra, si të thuash kemi të bëjmë me një liderizim të politikës me të gjitha elementet që ai nënkupton.

Tashmë, po ndodh një fenomen që politologët e quajnë demokraci plebishitare. Në momentin që lideri i partisë zgjidhet me një anëtar një votë, i fortë me mbështetjen e anëtarësisë, anashkalon të gjitha strukturat e partisë. Gjithashtu, sot, ndryshe nga dekada më parë, funksionet e partive janë të shumta. Në këtë mënyrë kanë nevojë për një katalizator dhe një vendimmarrje të përqendruar për të kontrolluar të gjitha aktivitetet. Këtë e bëjnë nëpërmjet liderit, i cili i fortë më mbështetjen popullore nuk ka nevojë për legjitimitetin e strukturave për vendimmarrjet politike.

Në transformimin e partive politike dhe personalizimin e tyre, padyshim ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm dhe evolucioni mediatik. Me zhvillimin e mjeteve të komunikimit dhe, sidomos me anë të rrjeteve sociale ka një komunikim direkt të liderit dhe popullit, duke zbehur kështu, rolin e strukturave partiake. Në fund të fundit, strukturat e ndryshme të partisë, kanë shërbyer si një lloj ndërmjetësimi midis anëtarësisë dhe drejtuesve. Ndërmjetësim, i cili nuk është më kaq i domosdoshëm me zhvillimin e mjeteve të komunikimit.

Larg qëllimit për të thënë nëse ky fenomen është një gjë e mirë apo e keqe për funksionimin e politikës, e rëndësishme është të theksohet se ky është një fenomen që ka prekur politikën përtej kufirit të Shqipërisë, si pasojë e zhvillimeve shoqërore dhe kulturore që nuk kanë vonuar të mbërrijnë edhe në vendin tonë.

Andaj, më shumë se sa funksionimin e partive, dhe personalizimin e tyre, duhet të shqetësohemi për funksionimin në mënyrë të pavarur të pushteteve të tjera që i kontrollojnë ato, në mënyrë që ky personalizim që ka ardhur për arsyet e lartpërmendura të mos kthehet në autoritarizëm, por të shërbejë vetëm si një përgjegjësi më e madhe për persona të caktuar, duke mbajtur në shinat e ligjshmërisë çdo aksion politik.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Si e kam njohur Ramis Alinë

Nga Mustafa Nano, Revista Mapo Ishte vjeshtë e vitit 1998. Kryeredaktorit të Shekullit,...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.