Lideri, mes burrit dhe fëmijës

Avokat Spartak Ngjela ishte i ftuar special në “Shkollën Pranverore të Lidershipit” në Dhërmi, organizuar nga Instituti Europian Pashko. Ngjela iu foli të rinjve për lidershipin politik. Duke cituar presidentin amerikan Nixon, Ngjela tha: “Në politikë ka dy lloj njerëzish, burri dhe fëmija. Dallimi midis burrit dhe fëmijës në politikë është se i pari hyn për të marrë diçka ndërsa i dyti për të bërë diçka”. Sipas Ngjelës liderët e rinj duhet të kenë një raport të drejtë midis pushtetit dhe qëllimeve. “Sot vendimtare në procesin e lidershipit janë idetë, dikur ka qenë forca, por sot janë idetë”, -tha Ngjela. Sipas analizës së tij në Shqipëri, ky raport midis forcës dhe ideve ka qenë në favor të së parës.

Nga Spartak Ngjela*

Tema e lidershipit është shumë e gjerë dhe më shumë e komplikuar sa duket. Esencialisht është logjikë, është guxim, kurajë, paraqitje, elekuencë dhe të gjitha këto duhet të konvergojnë në një pikë. Megjithatë kam përshtypjen se juve iu intereson lidershipi politik! Se lidership ka kudo, por keni parasysh një gjë, të gjithë duan të kenë fuqi, por kjo varet nga fusha ku e arrijnë këtë. Por duke qenë se ne jemi ende një shoqëri e paformuar dhe e papjekur mirë, të gjithë jemi sulur te lidershipi politik. Të gjitha ato që thamë më lart, megjithëse janë shumë të ndryshme nga njëra-tjetra, kanë një të përbashkët, dëshira për të arritur diçka dhe egoja për të arritur famën.  E keni dëgjuar ju kur dikush thotë se çdo gjë e bëj në emër të shkencës? Jo, absolutisht e bën për famë. Sakrifikon, lë paratë dhe gjithçka, por në fund të fundit mbetet në histori.

Por lidershipët tanë nuk punojnë për historinë. Ata punojnë për momentin, sepse nuk e kanë të lartë koshiencën e historisë. Unë flas për politikën, se këtu për shkencë nuk mund të flitet, e as për ndonjë fushë tjetër ku mund të bëhesh lider botëror. Të marrim së pari, lidershipin politik, me qenë se është më e prekshmja nga ju dhe pastaj do të flasim edhe për lidershipin shkencor.

Ka një raport të drejtë midis pushtetit dhe qëllimit. Nuk është intensioni (qëllimi) që e çon te pushteti, por është dëshira për pushtet që e çon te një vullnet për pushtet, i cili është ky që ne i themi ‘intension’. Pra ky intension e çon drejt pushtetit. Por pyetja që bëhet është, kur ka filluar dhe pse e duan? Pra p.sh. më pyesin mua, pse e do pushtetin? Para, thotë njëri. Seks, thotë tjetri.  Dëshirë patologjike, thotë një tjetër. Ai nuk e thotë por e ka. Nixon na ka thënë:  Në politikë hyjnë për t‘u bërë  liderë  dy tipa njerëzish. Ata janë burri dhe fëmija. Dallimi midis burrit dhe fëmijës në politikë është ky: “Nëse fëmija hyn për të marrë diçka, burri hyn për të bërë diçka”. Me burrë konceptohet edhe gruaja.  Merreni këtë test  dhe vendoseni për të parë  se si kanë ecur, çfarë kanë bërë, dhe kujt i përkasin liderët politikë shqiptarë. Aspekti tjetër është që brenda këtij intensioni për pushtet, mangësia është sot tek idetë, dikur ka qenë forca, por sot janë idetë. Në Shqipëri?

Nëse s’ka ide, ka forcë

Por pyetja që bëhet është: ide në funksion të kujt? Ide në funksion të opinionit publik dhe jo të një katedre filozofie. Raporti mes ideve të liderit dhe opinionit publik shqiptar është shumë i keq, për të mos thënë pranë zeros. Pra cilat janë idetë? S’ka fare, ka vetëm fyerje, sharje deri në nivel personal. I do opinioni këto apo nuk i do, kjo është një çështje që nuk ka vend për diskutim. Unë jap këtu raportin që kam konstatuar, raporti midis ideve të liderit dhe opinionit publik në Shqipëri është zero. Në rast se do na duhet të themi se ku është defekti dhe si rregullohet, mendoj se nuk është në objektivin e këtij leksioni.

Tani vijmë te gjërat klasike.

Në ç’mënyrë dhe çfarë na shtyn që të pëlqejmë një lider? Po të ishte femër do të thoshim se ishte e bukur ose është i pashëm dhe e duan femrat. Këto kanë influencë në atë që do ti themi “karizëm”, por nuk është gjithçka. Verbi, pra fjala është ajo që afekton të dyja palët. Paraqitja nuk duhet të jetë e shëmtuar, por megjithatë verbi është ai që afekton të dyja palët dhe sidomos femrat. Cila është arsyeja? Për këtë drejtojuni Frojdit ose Jungut. Për momentin mund të themi se femra e ka më të zhvilluar afeksionin ndaj fjalës. Dhe nuk jemi ende tek ideja, jemi vetëm tek afekti i fjalës. Pra, përpara se të formulojmë dhe të kemi idenë, duhet të kemi fjalën, pra oratorinë dhe oratoria është ajo që i duhet liderit. Njëra krijon dhe tjetri interpreton. Oratoria është krijim dhe në këto momente unë këtu me ju nuk jam orator, interpretoj ato që kam lexuar. Do isha krijues nëse do t’ju flisja me qëllimin për t’ju marrë votën.  Në qoftë se ju do ishit juria dhe unë si avokat do t’ju kërkoja pafajësi. Por fakti që jam lektor, jam në oratori.  Oratoria tek Aristoteli ka tri tipare;  është eulogjia, politika dhe avokatia. Një lider duhet t’i ketë të tria këto. Dhe tani të fillojmë e t’i analizojmë këto, por çfarë do të thotë verb? Ka rëndësi shumë të madhe.  Hitleri ishte krejtësisht mediokër, por ishte elokuent. Pra verbi ose elokuenca është një gjë e domosdoshme  në momentin e të qenit lider sepse do t’ju marrë ju me vete.

Tani vijmë tek aspekti tjetër, te fakti se si duhet të formohemi. E para nuk mund të ketë lider pa krijuar ekip. Si krijohen ekipet dhe në çfarë mënyrash krijohen ekipet, duhet të merrni e të lexoni dokumentet e Oxfordit. Ajo është shkolla më e madhe e të gjitha kohërave që ka krijuar liderë, për të krijuar ekip. Por është shumë e vështirë dhe është shkollë e veçantë dhe janë njerëz të zgjedhur. Janë ata njerëz që kanë këto karakteristika, duhet të kenë logjikë, kuptueshmëri të lartë që vjen nga matematika dhe logjika dhe si ç’thashë më parë, nëse doni të zgjeroheni, shkoni dhe merrni literaturën e Oxfordit. Një lider nga Oxford dhe që besoj se e njihni të gjithë është Gandi. Me një dhi ai arriti të pushtojë Indinë. Dhe ai në Oxford ishte përgatitur. Por nuk lanë gjë pa thënë në parlamentin anglez kundër tij. Ndërsa tani e kanë figurë të madhe. Prandaj mund të ketë një diskordancë mes kohës dhe liderit. Po ekzistoi kjo, ai lider është i vdekur. Çdo lider duhet të jetë njësh me kohën e tij. Në qoftë se është në kohën e tij dhe në qoftë se ka këto cilësi që ju thashë dhe di të krijojë një ekip, atëherë ai është vërtet një lidership i suksesshëm. Gjykimi i saktë që do të gjeni në Oxford është ky: forca morale e karakterit dhe forca e instinktit për të drejtuar janë parimet. Por për ta individualizuar as ju nuk e bëni dot e as unë s’e bëj dot.

Tani do vijmë te një aspekt tjetër që e di që ju ka munduar nga romanet, jo nga tekstet universitare, pushteti, seksi dhe paraja. Dhe ju sugjeroj që në lidhje me këtë temë të gjeni material në lidhje me konfliktin mes Frojdit dhe Jungut dhe që të dy donin të bënin një revolucion në këtë aspekt, Frojdi vë në qendër seksin, ndërsa Jungu vë në qendër pushtetin. Dëshira seksuale, thotë Jungu është deri në moshë të re dhe më pas lind dëshira për pushtet. Dhe unë mendoj se ka të drejtë.

Atëherë, cili është raporti midis pushtetit dhe parasë? Ka disa vështrime, por neve na duhet lideri. Lideri që do në mënyrë të pastër sundimin nëpërmjet pushtetit nuk e ka shtysën e vet të shkojë në pushtet por të fitojë para. Asnjë nga psikanalistët modern nuk e pranojnë, se çfarë krijon mbasi vjen në pushtet. Edhe Nixon kur arriti në atë përfundim që ju thashë nuk e ka nxjerrë nga vetja, njerëzit e tij të afërt ia kanë sugjeruar si gjetje dhe ai e ka konstatuar në raport me veten. Nixoni nuk qe i dhënë fare ndaj parasë. Por i tmerrshëm ndaj pushtetit derisa preku Kushtetutën amerikane.  Por problemi qëndron që në gjykimin që ka dhënë dy lloj tipe liderësh; një është fëmija dhe tjetri është burri dhe me sa kam parë unë ia kanë pranuar në mënyrë unanime.

Këtu i keni dhe analizoni këta që keni. Nuk do t’ju dalë ndonjë burrë! Pra në raport me këto të tria, paraja ka ardhur në funksion të demagogjisë. Paraja duhet për të propaganduar idetë e tua në funksion të demagogjisë. Aristoteli nuk e pranonte demokracinë me këtë gjykim. Të tria sistemet degradojnë, -tha ai. Monarkia degradon në monarki absolute, domethënë tirani. Fisnikëria, që është pushtet i dytë, degradon në oligarki. Ndërsa demokracia degradon në demagogji. Të vetmin shembull aristotelian që kemi e kanë bërë me qëllim apo me dëshirë është shembulli anglez dhe që i ka të tria brenda. Demosin e ka dhe fisnikërinë e ka, që është dhoma e lordëve dhe monarkinë e ka. Pyetja bëhet sikur të ishte Aristoteli gjallë a do t’i gjente në demagogji? Sigurisht që do i gjente, por më të filtruar.

Për t’i dhënë fund leksionit tim, kam menduar të jap këto përcaktime: cili është raporti midis pushtetit, parasë dhe forcës? Po qe se ke forcë dhe nuk ke logjikë dhe arsye, nuk ke asgjë. Cezari tha: që të fitosh duhet që t’i kesh forcën, logjikën dhe arsyen dhe duhet të dish të kombinosh forcën me arsyen.

*Fjala e mbajtur në Shkollën e Lidershipit Maj 2017, organizuar nga Instituti Europian Pashko

Liderët e ‘90-s: Çfarë mendon Ngjela për Pashkon, Berishën dhe Hajdarin

Në optikën e Spartak Ngjelës vetëm Azem Hajdari kishte të gjitha tiparet e një lideri pas viteve ’90, ndërsa sipas tij e ardhmja e vendit dhe e PD-së do ishte krejt ndryshe po të kishte udhëhequr Gramoz Pashko dhe po të zbatoheshin idetë e tij.

Gjatë debatit me studentët në “Shkollën Pranverore të Lidershipit” në Dhërmi organizuar nga Instituti Europian Pashko, Ngjela i njohu të rinjtë me figurën e Pashkos, ekonomisti dhe politikani shqiptar që frymëzon vlerat mbi të cilat bazohet Instituti Europian Pashko. Më poshtë pyetje-përgjigje me studentët:

Duke qenë se Gramoz Pashko në vitet ‘70 ka qenë një nga nxënësit “kulturor” të avokat Ngjelës, çfarë mund t’ju thotë sot të rinjve nga tipi apo prototipi i Pashkos në rini?

Pashko ishte një nga studentët më me vullnet që kam takuar. E kishte nga ambicia apo e kishte nga ndonjë gjenerim i brendshëm unë nuk di t’ju them. Ai la një vit universitetin për të bërë një kurs jashtë kornizave të universitetit të Tiranës. Kur e takova, ai e kishte zgjedhur drejtimin e studimeve për shkenca ekonomike dhe po të më kishte pyetur mua unë do t’i kisha sugjeruar diçka tjetër.  Por ekonomia politike që bënin në atë kohë ishte Marksi dhe Adam Smith. Pra, nuk ishte shkollë e keqe, por ishte shkollë formuese. Pashko më vonë u thellua shumë në studimet ekonomike në nivel teorish ekonomike dhe kam përshtypjen dhe si pedagog do të ketë qenë shumë i mirë. Pasi dy leksione që i kam kërkuar unë dhe kur i kam kontrolluar më vonë kur më duheshin ishin në nivele shumë të larta. Universiteti Europian i Tiranës e ka marrë si etalon dhe mirë ka bërë. Është themelues i Partisë Demokratike, por ata e hoqën për faktin se nuk e kuptonin. Pastaj për sa i përket raportit të tij me idetë dhe politikën kjo s’ka lidhje me shkencën, por si njeri i fushës akademike ishte në një nivel shumë të lartë. Sepse njihte mirë letërsinë, njihte shumë mirë pikturën, muzikën në të gjitha aspektet e veta. Pashko ishte enciklopedist, njihte mirë historinë, njihte në mënyrë perfekte gjenetikën dhe gjuhët e huaja. Ai fliste në mënyrë të shkëlqyer italisht, frëngjisht dhe anglisht. Këto gjuhë i njihte në nivele të larta të cilat ishin në funksion të jetës së tij akademike. Mua më vjen mirë që Universiteti Europian i Tiranës kërkon ta pozicionojë sa më lart.

Duke qenë se në pjesën e parë ju folët për cilësitë e një lidershipi, ju si mendoni, cili nga politikanët shqiptarë është me cilësitë e një lidershipi të suksesshëm?

Unë kisha përshtypjen dhe me qenë se ai nuk jeton më, por Azem Hajdarin e kisha menduar si një lider të suksesshëm, por ai nuk arriti të vazhdonte në rrugën e tij sepse e vranë. Në momentet që ishte në pjekuri e sipër dhe kulturën po e merrte me vonesë, u vra. Po ai i kishte cilësitë. Kur e kam takuar unë Azemin unë i kam ditur këto cilësi që ju thashë dhe ia konstatova. Ishte shumë i shpejtë në veprime. Nuk ishte anti-intelektualist, dhe luante mirë shahun e politikës. Por nëse do t’iu përmbahemi të gjitha atyre cilësive që thamë më lart dhe parimeve të oksidentit, duke u kthyer te pyetja mund të them se në Shqipëri nuk ka lider.

Meqenëse ju keni qenë një nga njerëzit e afërm të zotit Pashko, sipas jush nëse ai do të kishte marrë drejtimin e Partisë Demokratike, si do ishte Shqipëria nëse lider i PD nuk do kishte qenë Berisha?

Tani ne “me sikur” nuk mund të ecim por unë mund t’ju them se Pashko e kishte bërë gati reformën ekonomike. Dhe unë e kam parë atë reformë dhe është një reformë e shkëlqyer dhe më ka mahnitur.  Meqenëse ka edhe ekonomistë këtu, gjëja që më ka pëlqyer më shumë dhe që i kishte krejt origjinale, ishte projekti për konvertimin e monedhës dhe që sot ende nuk e kemi të konvertuar, do përdorte dy lloje lekësh. Lekun si ky i joni, që nuk e ha as qeni, dhe lekun e konvertuar. Dhe lekun e konvertuar pra të gjithë atë sasi lekësh që do hedhësh në treg duhet ta kesh të siguruar diku jashtë në një bankë, në ar apo në një monedhë të fortë, në mënyrë që të bëhet konvertimi i menjëhershëm i lekut. Dhe ai e kishte bërë shumë bukur, pasi e njihte mirë programet kompjuterike. Dhe programin e kishte programuar vet. Mund të shikoje me detaje se si merrte territor leku i konvertuar duke i zënë vendin lekut ekzistues. Në këtë mënyrë ne do ishim të predispozuar të përdornim lekun që ishte i garantuar në ar në një bankë tjetër deri sa ky lek të zhdukej fare nga tregu, që do ishte një gjë shumë e madhe. Dhe sistemin bankar e kishte ndryshe. Pashko ishte i pari që e goditi sistemin aktual bankar dhe kishte të drejtë, ai kishte ndërmend një tjetër sistem bankar. Duke u nisur nga kjo dhe nga kapaciteti i tij ekonomik, dhe me njohuritë e thella që kishte ai do kishte një përkrahje perëndimore shumë herë më të madhe dhe duke krijuar një besueshmëri më të lartë te partnerët. Dhe në këtë mënyrë bashkë me Pashkon do ishte më mirë, jo vetëm Partia Demokratike, por edhe situata politike në vend. Por Berisha eliminoi jo vetëm Pashkon, por të gjithë zërat dhe mendimet ndryshe në parti, duke bërë që t’i ndalej rruga edhe të tjerëve për t’u afirmuar si lider.

Duke u nisur nga dy librat e tu, “Përkulja” dhe “Rënia e tiranisë shqiptare”, një mediokër si Enver Hoxha që e mbajti pushtetin për më shumë se 40 vjet, a mund ta quani lider dhe çfarë pozicioni zë Enver Hoxha si lider.

Të gjithë liderët komunistë përfunduan në mediokër. Edhe në bashkimin sovjetik mediokriteti drejtonte dhe historia e komunizmit është një histori që sillet rreth mediokritetit dhe dijes së lartë. Si doktrinë ajo vinte nga një filozof që unë s’e pranoj por që nuk ishte i dobët. Dhe që të kuptoje atë duhet të kishe një formim akademik shumë të lartë. Ata që e morën pushtetin dinin të bënin diçka, ishin të pjekur, kishin kapacitet intelektual dhe meqë ishim në diktaturë dhe në tirani i fituar del ai i cili di të përdorë çdo mjet. Intrigë, sharje, propagandë etj.

Duke u kthyer tek Enver Hoxha, ai ishte më mediokër se liderët e tjerë komunistë, por ai nuk rrëzohej sepse në kushte të tilla nuk të rrëzon dot populli me votë. Po të mos ishte mediokër, nuk do kishte rënë si figurë. Ja shikoni Mao, ai nuk ka rënë si figurë. Tiran ishte, por ka thënë diçka. Dhe ka një brumë që e mban, por ky i yni s’ka thënë asgjë, hiç, broçkulla ka thënë, prandaj ra. Por kjo nuk mjafton për të thënë se është njeri i madh, se po të jetë kështu Ali Pashë Tepelena është dhe më i madh se ky apo edhe Ahmet Zogu. Pra, ruajuni mediokritetit kur s’ka demokraci dhe në Shqipëri nuk ka demokraci. Këtu pushtetin e ka gjyqtari dhe mund të them se, jo vetëm Enver Hoxha ishte mediokër, të gjithë dhe sot janë mediokër.

Shpeshherë kemi dëgjuar se politika apo pushteti e ndryshon individin, a mund të na thoni se si ndodh kjo? 

Sigurisht që pushteti të deformon. Mund të ndodhë që të hysh në politikë apo në pushtet dhe të dukesh në rregull, por të ndryshon shumë.

Si mendoni, a e demotivojnë ata që shpesh i quajmë servilë ata që vërtet duan të hyjnë në politikë dhe të jenë liderët e së ardhmes? 

Forca e karakterit dhe morali janë principe që i kërkon universiteti i Oxford dhe po nuk i pate ato nuk të pranojnë. Hesiodi ka qenë bashkëkohës me Homerin dhe që atëherë tha: ç’është ky ligj? Nuk është ligji kryesori. Ligj kanë dhe kafshët. Ajo që na ndan nga kafshët tha Hesiodi është principi moral i drejtësisë. Dhe ne ecim me ligjet e kafshëve, sepse këtu s’ka drejtësi.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Gara për Dibrën/ Basha së bashku me Mustafajn në fushatë për Shehun 

Kryetari i opozitës Lulëzim Basha dhe ish-ministri i jashtëm, Besnik Mustafaj kanë...
Read More