Ligjërimi agresiv i lidershipit politik

Nga Roland Lami*

Në gjithë këto vite është vënë re sidomos në periudha fushatash elektorale që në përgjithësi aktorët politikë në vend që ta orientojnë debatin apo diskutimin te kritikat, ballafaqimi i alternativave apo programeve janë marrë me sulme personale, etiketime dhe gjuhë agresive dhe emocionale. Një gjë e tillë është manifestuar si në zgjedhje lokale ashtu dhe në ato të përgjithshme, pavarësisht se natyra e zgjedhjeve, rëndësia politike apo stili i fushatave. Pikërisht këtë prirje nxjerr në pah studimi i realizuar nga një grup ekspertësh të financuar nga Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë/ SOROS, i cili analizon ligjërimin politik të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, të pasqyruar në pesë gazetat kryesore (Panorama, Shekulli, Shqip, Mapo dhe Gazeta shqiptare) përgjatë dy periudhave – 3 muaj përpara dhe 3 muaj pas zgjedhjeve të 2009-s, dhe atyre të 2011-s dhe po ashtu studimi i realizuar me të njëjtën metodologji në 2015 nga një grup studiuesish të Universitetit Europian të Tiranës me fokus ligjërimin politik gjatë fushatës lokale të kandidatëve për kryetarë bashkie, Erion Veliaj dhe Halim Kosova.

Në të tria këto studime ndër të tjera evidentohet fakti se 45%-50 % e ligjërimit të secilit prej aktorëve politikë të lartpërmendur dominohet nga fyerje të drejtpërdrejta ose jo të drejtpërdrejta personale apo karakteri, akuza pa bazë si dhe krahasim apo asocim i kundërshtarit me tipare politike të së kaluarës ose të figurave politike botërore me imazh negativ. U ndalem te ky komponent i studimit dhe jo te të tjerat, për arsye se dy muajt e fundit ligjërimi politik është ngarkuar mjaft duke paralajmëruar deri diku përsëritjen e të njëjtit fenomen që shqyrtohet në studime të mëparshme.

Muajt e fundit akuzat ndaj familjarëve të kryeministrit dhe kreut të opozitës janë intensifikuar së tepërmi. Etiketimet, personalizimi, gjuha agresive, akuzat pa bazë etj., janë pjesë dominante e eksponentëve kryesore të dy partive kryesore PD dhe PS. Në këtë kontekst, çdokush kërkon të kuptojë se çfarë kalkulimi politik fshihet pas këtij ligjërimi politik? Si ka mundësi që koha evoluon dhe ligjërimi politik vazhdon të dominohet kryesisht nga etiketime, akuza, personalizime, fyerje dhe jo alternativa, programe, vizione etj.? Si ka mundësi që lidershipi, koha, konteksti ndryshon ndërkohë përmbajtja e ligjërimit mbetet po ai?

Nga një këndvështrim i ngushtë pragmatist me sa duket për pjesën dërmuese të shoqërisë situata nuk shikohet kaq problematike. Përndryshe aktorët politikë nuk do të kishin arsye të vazhdonin përsëritjen e të njëjtit ligjërim nga një palë zgjedhje në tjetrën, pasi do të ndëshkoheshin me votë. Aq më shumë që sondazhet, takimeve direkte dhe indirekte me grupe të ndryshme sociale furnizojnë me të dhëna të mjaftueshme mbi “shijet” e elektoratit. Me sa duket shumica e elektoratit jo vetëm në terma sasiorë por edhe në terma cilësorë dikton një arsenal të caktuar fjalësh, konceptesh, argumentesh që duhet të artikulohen nga aktorët politikë me qëllim deshifrim me sukses të mesazhit. Politika në krahun tjetër i përgjigjet në mënyrë adekuate kësaj pritshmërie për arsye maksimalizim kuptueshmërie të mesazhit dhe përmbushje kënaqësish dhe kështu krijohet një rreth vicioz ku e ke të vështirë të dalësh.

Kjo mënyrë komunikimi ndërmjet marrësit–publikut dhe dhënësit–aktorit politik stimulohet edhe nga mediat. Siç dihet, mediat kanë interes maksimal për ligjërime të personalizuara dhe me ngarkesë emocionale pasi rriten shanset në maksimizimin e vëmendjes së pjesës dërmuese të audiencës. Politika duke e njohur edhe këtë fakt shfrytëzon median që të komunikojë me pjesën dërmuese të publikut. Njëkohësisht, media stimulon politikën që të përdorë ata terma apo leksik që i garantojnë asaj audiencë maksimale. Në këtë rast, tipologjia e audiencës në këndvështrimin e medias apo e votuesin në rastin e partive politike kushtëzon shkallën e interesit të medias dhe mënyrën e komunikimit të politikës me elektoratin. Sa më masive shija e publikut për të mirëkuptuar ligjërimin konfliktual aq më aktiv është aktori politik që nëpërmjet medias të përmbushin këtë pritshmëri.

Kategoritë që kanë këto “shije” nga të dhënat që japin mediat për tipologjinë e audiencës apo kompanitë e fushatave elektorale pranë partive politike janë kryesisht votues të shtresës së ulët, një pjesë e shtresës së mesme e ulët që është punësuar falë lidhjeve me njërën nga forcat politike ose pretendon të punësohet me qeverinë e së nesërmes, një pjesë e shtresës së lartë ku përfshihen përfaqësues të kompanive të ndryshme biznesi që përfitojnë aktualisht nga pushteti ose mund të përfitojnë më shumë nga pushteti nesër pavarësisht nivelit të ulët arsimor që ato kanë. Ndërsa kategoria e elektoratit “gri” ku përfshihen një pjesë e konsiderueshme e shtresës së mesme e lartë (aq sa është në Shqipëri) kanë tjetër shije. Zakonisht, ata priren të vlerësojnë më shumë atë lloj ligjërimi që mbart maturinë, projektin, moderacionin, elokuencën, qetësin dhe stabilitetin. Mirëpo, për fat të keq pesha elektorale e kësaj kategorie është në minorancë në raport me kategoritë e tjera. Kështu që për sa kohë pesha elektorale e kësaj kategorie votuesish konsiderohet e papërfillshme në raport me shumicën e votuesve, situata nga pikëpamja e ligjërimit duket e vështirë të ndryshojnë edhe në këto zgjedhje. Nevojitet kohë që minoranca të kthehet në mazhorancë dhe përmbajtja e ligjërimit të mbartë cilësitë që kërkon kjo kategori votuesish. Apo thënë ndryshe që ligjërimi të jetë më shumë konstruktiv se sa konfliktual apo i personalizuar dhe etiketues nuk duhet të ndryshojnë thjesht konteksti ku zhvillohet ky ligjërim, por ajo që është më e rëndësishme duhet të ndryshojnë mbartësit e mesazhit.

*pedagog, UET

Shkruar Nga
More from revista mapo

Efekti i reformave të qeverisë: Vlerësimet e Civicit dhe Xhepës

A patën efekt reformat e qeverisë dhe çfarë ndikimi dhanë në ekonomi?...
Read More