Lindita Bajraktari: Pas 22 vitesh karrierë m’u desh një Master

Një moment i pafavorshëm siç ishte shkurtimi i vendit të punës, u kthye në një moment ridimensionimi. Lindita Bajraktari rrëfen sesi iu desh t’ia niste nga e para pas 22 vitesh pune dhe sesi studimet Master për Marrëdhënie Ndërkombëtare në UET, profilizuan arsimimin e saj, i pasuruan CV-në dhe zgjeruan rrjetin e saj të kontakteve. Të gjitha këto, mendon ajo, ndihmojnë për t’u përballuar me botën e punës, që siç e ka provuar edhe nga eksperienca personale, është e egër dhe shumë e vështirë

Javën e kaluar ajo u rikthye në UET. Jo më si studente Master, por për të ndarë me kolegët më të rinj që janë ende në bankat e auditorëve si ish-studente dhe pjesë e rrjetit “UET Alumni”.

Në kuadër të “Alumni Talk” organizuar nga zyra e rrjetit Alumni në këtë universitet për të ndarë përvojën e saj në Fakultetin e Shkencave Sociale të Aplikuara në UET.

Vendimin për të ndjekur studimet Master në këtë degë, e mori në një moment, të cilin e kujton si jo fort të favorshëm. “Më 2014-n pozicioni im i punës në Ambasadën e Danimarkës në Shqipëri u shkurtua. Pas 22 vitesh kuptova se karriera ime për të cilën kisha investuar aq shumë u lëkund”- rrëfen Lindita Bajraktari, duke kujtuar sesi krejt papritur i duhej t’ia niste edhe njëherë nga e para. “Tashmë po prekja një realitet tjetër të tregut të punës. Pavarësisht se ke mbi supe shumë vite punë, gjatë së cilës ke fituar një eksperience të padiskutueshme, si dhe je e pajisur me trajnime të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, e ndjen se, për t’u përballur me këtë treg tejet të vështirë arsimimi duhet të kompletohet dhe t’i përshtatet kërkesave të tregut”.

Përshtatje do të thoshte të ndiqte studime që do i jepnin kualifikimin që i nevojitet pikërisht në atë kohë. Nuk ishte nevoja të niste edhe një herë ciklin Bachelor, por studimet Master do i vinin në ndihmë, duke zgjedhur Marrëdhëniet Ndërkombëtare, lidhur ngushtë edhe më përvojën e saj shumëvjeçare me ndërkombëtarët.

“Për UET-in kisha dëgjuar nga kolegët e mi, nga studentë që kishin mbaruar studimet aty. Gjithashtu njihja nga larg e afër edhe profesorë të nderuar, të cilët jepnin mësim në UET. Personalisht unë e vlerësoj një shkollë nga trupa pedagogjike dhe kjo më mjaftoi për të marrë vendimin. Unë mendoj, se çdokush fillimisht hulumton me seriozitet shkollën, kolegjin apo universitetin ku do të studiojë e pikërisht unë këtë bëra dhe të gjitha ç’kisha dëgjuar dhe lexuar për UET-in i gjeta të vërteta” – pohon Lindita edhe sot, pasi e ka përmbyllur ciklin e saj Master në UET.

Ajo rrëfen se erdhi në UET me pritshmëri të larta, duke u bazuar edhe në ato që kishte dëgjuar për të si institucion i arsimit të lartë.

“UET-i, më prezantohej si një universitet i mirë dhe serioz, kështu që dhe pritshmëritë e mia ishin të larta, por isha dhe skeptike duke parë, se shumë universitete asokohe u mbyllën për kualitete të dobëta. Ndërkohë, sapo fillova studimet për Marrëdhënie Ndërkombëtare konstatova një program mësimor, i cili përmblidhte në një kuadër teorik të gjithë përvojën time në punë me ndërkombëtarët. Kësisoj ky program jo vetëm përmbushi pritshmëritë e mia, por më ndihmoi të arrij në përfundimin, se ndoshta studimet Master studentët duhet t’i kryejnë, pasi kanë bërë disa vite punë”, është e mendimit Lindita, duke shtuar se në këtë konkluzion – ku studimet Master idealja është ndiqeshin pas disa viteve përvojë profesionale –e ka arritur duke u bazuar në rezultatet e studentëve që ishin në marrëdhënie pune, të cilët kishin rezultate më të mira krahasuar me ata që vinin direkt nga Bachelor. “Mbase kam një përshtypje të gabuar, por unë këtë e kam konstatuar në auditorët e UET-it” –rrëfen ajo.

Me gjithë përvojën e gjatë të saj profesionale, Lindita pohon se Masteri që ndoqi e zgjeroi edhe më shumë fushën e dijes. “Profilizuan arsimimin tim duke e pasuruar kështu CV-në time, dhe gjithashtu zgjeruan rrjetin tim të kontakteve, e të gjitha këto pa diskutim ndihmojnë për t’u përballur me botën e punës që për hir të së vërtetës është e egër dhe shumë e vështirë” -thotë ajo, duke u nisur nga përvoja personale.

Studentëve të UET, atyre që erdhi t’u flasë në auditor javën e kaluar u këshillon të shfrytëzojnë në maksimum çdo mundësi që ofron universiteti.

“Së pari, të marrin pjesë rregullisht nëpër leksione e seminare jo vetëm me prezencë fizike për arsye mungesash, por të jenë pjesëmarrës aktivë në çdo orë mësimi, të jenë kërkues ndaj profesorëve të tyre, të kërkojnë pa frikë ndryshime nëse ata e gjykojnë se diçka nuk shkon sipas pritshmërisë, të përdorin sa më shumë bibliotekën e UET-it, e cila është një bibliotekë e pasur, të kërkojnë mundësi për internship, sepse do e shohin më nga afër tregun e punës, të angazhohen në organizata e forume të ndryshme duke ofruar vullnetarizmin e tyre. Mbi të gjitha të konsiderojnë me seriozitet atë çka prindërit po investojnë për arsimimin e tyre”.

Lindita ka gjithashtu një sugjerim për universitetin, për të gjetur mënyra më efikase në realizimin e praktikave, për të cilën në fund të kryerjes vlerësohen me notë.

“Mendoj se praktika duhet të kryhet me seriozitet dhe përpikëri. Universiteti të angazhohet për të gjetur vendet ku studentet të bëjnë praktiken. Gjithashtu profesorët që japin vlerësimin për realizimin e kësaj praktike t’i ndjekin studentët atje ku ata po e zhvillojnë atë. Gjithmonë sipas meje dhe qofsha e gabuar praktikat nuk organizohen shumë mirë. Unë nuk e pëlqej faktin që studentet paraqesin një vlerësim nga supervizori i vendit të punës ku ata kanë realizuar praktikën dhe kaq mjafton”. Lindita thotë se praktika është një pikë kyçe për studentët pasi i përball fillimisht me botën e punës dhe nëse ata nuk e frekuentojnë kjo është një mangësi e madhe në formimin e tyre. “Kam bindjen se një praktikë e realizuar me seriozitet i ndërgjegjëson studentët për punën, por pse jo shpeshherë mund të shërbejë dhe si trampolinë për fillimin e një karriere, e në këtë rast ka ndihmuar universiteti”.

Sa i përket zgjedhjes së një oferte vendase apo të huaj sa i takon studimeve, Lindita përgjigjet me sinqeritet. “Vajzën time do doja ta shkolloja jashtë vendit, por duke i bërë asaj të qartë që dhe punën duhet ta gjejë jashtë vendit. Nëse ajo do të punojë dhe krijojë jetën e saj këtu, atëherë këshilla ime është të shkollohet në një universitet privat në Shqipëri. Për të qenë më e qartë një student shqiptar që ka studiuar jashtë vendit e ka shumë të vështirë të përshtatet kur kthehet këtu, e thënë kjo gjithmonë sipas mendimit tim. Unë punova këtu, por në një ambient ndërkombëtar dhe më besoni e pata dhe e kam shumë të vështirë të gjej veten në këtë treg shqiptar të punës” – thotë ajo, duke përfunduar me një këshillë për të gjithë studentët. “Të studiojnë shumë e të punojnë fort për ta ndryshuar këtë botë pune në favor të tyre. Studentët e arsimuar mirë ndryshojnë sisteme dhe zhvillojnë shoqërinë”. Dhe nisur nga shembulli i Linditës, nuk është kurrë vonë t’ia nisësh nga e para dhe aq më pak, nuk është kurrë vonë të studiosh. Të studiuarit gjatë gjithë jetës u jep mundësi jo vetëm të gjitha grupmoshave që janë aktive në tregun e punës, por edhe të përshtatesh në tregun që ndryshon çdo ditë e pse jo të gjesh veten në një profesion tjetër.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Fati i Ballist Morinës, Bushati: Po bëjmë gjithçka për të penguar ekstradimin

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati deklaron se shteti shqiptar ka bërë gjithçka...
Read More