Lindshmëria e shqiptarëve drejt pikës më të ulët që nga themelimi i shtetit

Të dhënat e periudhës janar-shtator 2017 tregojnë një rënie dramatike të lindjeve në Shqipëri në krahasim me vitin e kaluar, duke e vënë vitin aktual në rrugën për të shënuar nivelin më të ulët të lindjeve që kur shteti shqiptar filloi për herë të parë regjistrimin e lindjeve në vitin 1929.

Numri i lindjeve në Shqipëri pësoi një rënie tjetër dramatike gjatë këtij viti me afro 14 për qind në krahasim me vitin e kaluar, i cili ishte gjithashtu një rekord negativ historik.

Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave tregojnë se për periudhën janar-shtator 2017, në Shqipëri lindën pak më shumë se 20 mijë foshnja nga afro 24 mijë që patën lindur në të njëjtën periudhë të vitit 2016. Deri në fund të këtij viti, gjasat janë që në Shqipëri të lindin më pak se 30 mijë fëmijë, nga 32 mijë që patën lindur më 2016.

Shkaqet e rënies së lindjeve janë të shumta dhe interpretimet e mundshme konsiderohen si jodomethënëse për demografët, por migrimi masiv i popullsisë konsiderohet si një shkak i rëndësishëm për lindshmërinë e ulët, për arsye se migrimi prek para së gjithash moshat e reja, të cilët kanë edhe lindshmërinë më të lartë.

Shqipëria përjetoi një valë të pazakontë emigrimi duke filluar nga viti 2015, në të cilën me dhjetëramijëra shqiptarë u larguan nga vendi në mënyrën më dëshpëruese të mundshme, duke zgjedhur të aplikojnë për azil në vende si Gjermania apo Franca pavarësisht faktit se shumica dërrmuese e kërkesave për azil refuzohen si të pabazuara nga autoritetet e këtyre vendeve.

Lindshmëria e ulët dhe emigrimi masiv kanë hedhur sakaq farën e një krize demografike në rritje, e cila konsiderohet si shqetësim i veçantë edhe për mirëqenien ekonomike dhe shoqërore të vendit.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, në raportin e vet të fundit për Shqipërinë, vëren se “presionet demografike po rriten dhe pjesa e popullsisë në moshë pune është e destinuar të ulet”. [Link raporti i FMN].

“Rënia e parashikuar e popullsisë në moshë pune si pasojë e emigrimit si dhe plakja e popullsisë do të rëndojë gjithnjë e më shumë në potencialin e rritjes [ekonomike],” thuhet në raportin e FMN.

Mosha mesatare e popullsisë në Shqipëri është përkeqësuar me shpejtësi përgjatë dy dekadave të fundit duke e bërë Shqipërinë nga vendi me popullsinë më të re në Europë në një nga vendet me popullsinë më të moshuar.

Si rrjedhojë e kësaj, pjesa e popullsisë mbi 65 vjeç, [mbi moshën e punës] është rritur me shpejtësi dhe pritet të rritet edhe më tej përgjatë dekadave të ardhshme.

Por plakja e popullsisë si pasojë e emigrimit konsiderohet problem krahasimisht më i vogël se sa rënia e lindshmërisë për shkak se një pjesë e emigrantëve aktualë mundet që një ditë ndërkohë që lindjet e munguara nuk mund të zëvendësohen.

Ndërsa brezat e shqiptarëve të viteve 2015 -2017 do të jenë më pak se 30 mijë vetë, këta shqiptarë kur të rriten do të duhet të kujdesen për brezat e prindërve të vet, të cilët ka gjasa do të jenë dy dhe tre herë më të numërt.

Zyrtarisht qeveria aktuale nuk mendon se Shqipëria ka një problem të rëndë me shkallën dramatike të emigrimit.

Shkruar Nga
More from Revista User

Horoskopi ditor, e enjte 12 tetor 2017

Dashi Jeta juaj në çift do jetë shumë e qetë gjatë kësaj...
Read More