Lista e Ramës nuk është vendim gjykate, është fushatë permanente

Nga Ervis Iljazaj

Ka ngjallur debate të shumta publikimi nga ana e Kryeministrit i një liste emrash punonjës në sektor të ndryshëm të administratës publike, të cilët konsiderohet të korruptuar dhe që nuk kryejnë detyrën sipas ligjit dhe etikës profesionale. Në këtë qëndrim, Rama ka arritur si pasojë e denoncimeve që i kanë ardhur nga qytetarët në faqen e tij të Facebook-ut. Sigurisht që kjo nuk është një mënyrë normale për të luftuar korrupsionin në administratën publike. E para sepse janë denoncime të rasteve të korrupsionit që vijnë vetëm nga një pjesë e popullit, ai i majtë, i cili është në komunikim të përhershëm me Kryeministrin. E dyta sepse vijnë si pasojë e indiceve që nuk konsiderohen të mjaftueshme në këtë mënyrë për të ngritur një akuzë publike.

Përtej debatit, i cili në këto raste deformohet dhe ngrihet mbi rëndësinë e veprimit, kjo listë nuk është një vendim gjykate, por një operacion komunikimi në vazhdimësi të fushatës elektorale të zgjedhjeve të 25 Qershorit.

Megjithatë, ky nuk është rasti i parë që disa aksione politike që vijnë nga reagimet e publikut janë kthyer në procedura juridike dhe kanë shërbyer si indicie për hapjen e proceseve të caktuara. Është e rëndësishme të theksohet se askush në një shtet ligjor nuk dënohet pa një procedurë normale juridike. Shqipëria me gjithë problematikat e saj është një vend garantist, ku i sigurohen të gjitha instrumentet e nevojshme për mbrojtjen juridike, por edhe publike.

Por ky nuk është qëllimi i vërtetë i publikimit të listës nga ana e Edi Ramës. Qëllimi i vërtetë është fakti se Rama ndodhet në fushatë elektorale të përhershme. Dhe pastrimi i administratës nga njerëzit e korruptuar ka qenë i vetmi premtim elektoral gjatë gjithë fushatës zgjedhore. Në këtë kuptim kërkon të sigurojë opinionin publik se premtimin e tij të vetëm do ta mbajë.

Edhe pse zgjedhjet kanë mbaruar dhe Rama i ka fituar ato, stili i tij politik, që ndoshta ka vend për të diskutuar, nuk del dot nga sjellja sikur të jetë në fushatë zgjedhore në çdo kohë.

Ky nuk është një instrument që e përdor vetëm Rama, por fushata permanente është një koncept që po mbizotëron kudo në vendet europiane. Nëse duam vërtet të kuptojmë politikën e sotme, duhet të braktisim përfundimisht idenë, që fushata zgjedhore është një moment i përkohshëm. Kjo, sepse sot, të qeverisësh do të thotë mbi të gjitha të komunikosh. Nëse nuk je në media, nuk ekziston, sidomos zhvillimi i mediave sociale iu ka ofruar politikanëve një komunikim direkt me popullin e tij pa qenë nevoja për ndërmjetësimin e mediave tradicionale.

Nuk mund të presim një veprim politik tradicional, edhe në rastin kur bëhet fjalë për akuza të tilla të paprovuara ende, në një kohë kur e gjithë struktura politike dhe shoqërore ka ndryshuar. Ky është vetëm një konstatim që ndodh, larg çdo diskutimi nëse është një gjë e mirë apo e keqe. Ai është një tjetër debat, i cili kërkon hapësira më të mëdha se sa një artikull gazete për t’u debatuar.

Por si gjithmonë në Shqipëri debatet marrin forma dhe tone të ndryshme. Gjithsecili është në të drejtën e tij ta gjykojë veprimin e Edi Ramës duke publikuar një listë emrash që i vjen nga populli i tij, por, nëse nuk kuptojmë qëllimin e këtij veprimi, që nuk është aspak një vendim gjykate, por një fushatë elektorale si pasojë e operacionit “tepsia”, nuk kemi kuptuar asgjë dhe po futemi drejt një rruge të gabuar diskutimi.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Pse i doni politikanët të jenë protagonistë edhe në gusht?

Nga Mustafa Nano “Lulzim Basha ka ikur, ka lënë vendin, ka marrë...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *