“Lista Serbe” del nga Qeveria “Haradinaj”, Gjuriç me duar të fashuara në takim

“Lista Serbe” ka vendosur të dalë nga Qeveria e Ramush Haradinajt, në Kosovë, ndërsa kryetari Goran Rakiç, pas takimit me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se do të tentojnë ta formojnë vet Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Më herët, Rakiç kishte deklaruar se do të konsultohej me presidentin Aleksandar Vuçiç, për të marrë një vendim përfundimtar.

“Ne do të marrim një vendim të mençur e do të udhëhiqemi nga interesat e qytetarëve”, ka thënë Rakiç, i cituar nga mediet serbe, sipas të cilave “dhuna dhe sulmi i Forcave Speciale të Kosovës i kanë shqetësuar serbët në veri të vendit”.

Rakiç u shpreh se ky nuk ishte vetëm sulm brutal klasik, por një sulm terrorist, më shumë mbi popullin e paarmatosur serb.

Në këtë takim ishte edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, i cili i arrestua dhe më pas u largua nga policia për në Serbi.

Gjuriç në këtë takim shihej me të dy duart e fashuara.

Në përgjigje të arrestimit të Marko Gjuriçit një ditë më parë dhe largimit të tij me forcë nga Kosova, serbët bllokuan disa rrugë në veri me makina e kamione, një praktikë kjo aspak e re për ta.

Për këtë arsye, qarkullimi në rrugën nga Mitrovica për në Zveçan dhe Leposaviç, ka pasur vështirësi të mëdha.

Në qytetin e Mitrovicës, ndërkohë, gjendja paraqitet e qetë, edhe pse prania policore është shtuar ndjeshëm.

Shefi i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë u prangos pasi shkeli në Kosovë, edhe pse i ishte ndaluar ta bënte një gjë të tillë.

Presidenti Thaçi vlerësoi se ndërhyrja e policisë ishte mëse e rregullt dhe në mbrojtje të qartë të rendit e të ligjit të Kosovës, ndërsa për Vuçiçin, njësitë e saj u sollën si banda terroriste.

Kreu i shtetit serb mblodhi me urgjencë mbrëmjen e së hënës Këshillin Kombëtar të Sigurisë, ku tha se thelbi i ndërhyrjes policore të hënën ishte të tregohej se “mund ta marrin veriun”.

Në Kosovë, nga ana tjetër, disa e shohin veprimin e zyrtarëve serbë si provokim të pastër. Ai erdhi pak ditë pas darkës së presidentëve Thaçi-Vuçiç në Bruksel, e vetëm pak orë pas pajtimit të Prishtinës zyrtare që të nisin angazhimet për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Shqiptarët po hanë mish me ngjyrues, gjalpë me vaj palme dhe qumësht me toksina

  Një studim i fundit i shoqatës Albanian Food Industry nxorri në...
Read More