Listat e hapura nuk janë zgjidhja!

foto-per-opinion-iljazajNga Ervis Iljazaj*

Me shumë gjasa, vendi do të shkojë në zgjedhjet parlamentare të ardhshme me këtë sistem zgjedhor. Edhe pse nuk e shprehin në mënyrë direkte, partive politike kryesore dhe liderëve të tyre iu shkon përshtat ky sistem për shumë arsye që tashmë janë të ditura.

Duket sikur reforma e sistemit zgjedhor ka kaluar në plan të dytë me vullnetin e plotë të aktorëve kryesorë politikë.

Kryetarit të opozitës për të forcuar pozitat e tij brenda Partisë Demokratike dhe krijimin e një grupi parlamentar që është mbështetës i lidershipit të tij, ky sistem i jep mundësinë, që ai të “shpëtojë” nga individualitet brenda partisë, të cilët në shumë raste nuk e ndjekin në betejat e tij politike. Në këtë mënyrë, ai do të ketë fakultet të plotë në përcaktimin e kandidatëve që do të plotësojnë listat e Partisë Demokratike. Jo më kot, sistemi zgjedhor duket sikur ka dalë nga axhenda politike e Lulzim Bashës, i cili thekson më shumë fenomenin e shitblerjes së votës se sa domosdoshmërinë e ndryshimit të sistemit në funksion të përmirësimit të përfaqësimit politik dhe qeverisjes së vendit. Ndoshta, kjo është alibia perfekte për të përgatitur terrenin e një humbje të mundshme në zgjedhjet parlamentare.

Ndërsa, nga kampi i mazhorancës, ka një heshtje totale për sa i përket ndryshimit të sistemit zgjedhor. Në pritje të mandatit të dytë, Rama, me sa duket nuk do të rrezikojë në përllogaritjen që do ta çonte atë në marrjen e mazhorancës parlamentare të ardhshme.

E vetmja forcë politike, që tenton ta rikthejë në vëmendjen e opinionit publik reformën zgjedhore, është Lëvizja Socialiste për Integrim. I vetmi propozim që ka hedhur deri më tani, nuk ka të bëjë me ndryshimin e sistemit, por me “perfeksionimin” e tij, sipas saj. Paradoksalisht për faktin se, kjo parti ka qenë në krye të protestave kur u aprovua sistemi zgjedhor aktual. Mirëpo, LSI, në mënyrë të papritur me këtë sistem e gjeti veten në aktorin kryesor të përcaktimit të mazhorancave qeverisëse. Propozimi i tyre ka të bëjë me mundësinë që qytetarët duhet të kenë për zgjedhjen e kandidatëve brenda një liste të caktuar nga partia politike përkatëse, ose ajo që quhet ndryshe listat e hapura.

Në pamje të parë, ky mekanizëm iu pëlqen të gjithëve, duke iu kthyer në këtë mënyrë “të drejtën votuesve për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre”. Midis kandidatëve të çdo liste, zgjidhen deputet ata që kanë marrë më shumë preferenca.

Duke e parë në këtë këndvështrim, duket maksimumi i demokracisë, por defektet e listave të hapura, sidomos në një realitet të tillë politik dhe shoqëror si ky i yni janë të shumta.

Pikë së pari, shtyn drejt korrupsionit dhe shkëmbimit të votës klienteliste midis zgjedhësve dhe kandidatëve. Një raport i cili do të bëhet edhe më i theksuar seç mund të jetë me sistemin aktual.

Pikë së dyti, listat e hapura do të krijonin një “luftë” brenda llojit, e cila do të dëmtonte garën e ndershme dhe reale politike jo vetëm midis partive, por edhe brenda tyre.

Pikë së treti, partitë e dobëta do të mbeteshin peng e kandidatëve të tyre më të “fortë”.

Pikë së katërti, listat e hapura do të prishnin një praktikë të mirë, e cila është vendosur tashmë në përfaqësimin politik. Atë të kuotave dhe balancimin e raportit midis gjinive të ndryshme në Parlamentin tonë.

Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishmja, paratë dhe financimi i fushatave do të shkonin në favor të atyre kandidatëve, të cilët janë më të “aftë” për të tërhequr fonde, duke hequr në këtë mënyrë mundësinë e barabartë për t’u zgjedhur të të gjithë pjesëmarrësve në listat përkatëse. Shpeshherë këto financime gjatë fushatave vijnë në mënyrë jo të ligjshme.

Për këto arsye, listat e hapura jo vetëm që nuk zgjidhin problemet e shumta që ka ky sistem zgjedhor, por do t’i theksojnë ato. Andaj, zgjidhja e vërtetë do të ishte ndryshimi tërësisht i këtij sistemi, i cili ka deformuar përfaqësimin politik dhe mënyrën e qeverisjes.

Megjithatë, ky është një diskutim që do të ngelet i tillë, sepse asnjë palë politike, në të vërtetë s’e do ndryshimin e këtij sistemi. Propozimet që jepen, më shumë se tentativë për reformimin e tij, janë provokime për kundërshtarë politikë apo aleatë qofshin ata.

*Pedagog UET

Shkruar Nga
More from revista mapo

Debati për çmimin Kadare, shpërthen Mimoza Ahmeti: Ka ardhur koha që shkrimtari Perëndi t’iu hapë udhën të rinjve

Vijojnë debatet për çmimin Kadare: Tre javë pas ndarjes së çmimit letrar në...
Read More