Llalla-Lu: Dueli jo i heshtur

05 Duel Llalla LuPërplasja e ambasadorit të SHBA Donald Lu me kryeprokurorin Adriatik Llalla duket se është vetëm dalja në sipërfaqe e një lufte të fshehtë që bëhet pro dhe kundër Reformës në Drejtësi apo mënyrës se si ajo do të vijë në jetë… SHBA: Reforma do jetë e suksesshme. Zotimi ynë. Meta: Prokuroria nuk shkeli ligjin, nuk kishin magjistratë

Nga Vladimir Karaj

Reforma në Drejtësi është kushti kryesor i avancimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Ajo po ashtu është me gjasë e vetmja “fije e brishtë shprese…në errësirën e dhjamur si pelte”, për të perifrazuar Dritëro Agollin e sapo ndarë nga jeta, për shumicën dërrmuese të shqiptarëve. Ata kanë vlerësuar, në një sërë sondazhesh, se sistemi i drejtësisë është më i korruptuari dhe ai ku kanë më pak besim. Reforma ndërkohë edhe pse e miratuar me shumicë absolute në kuvend, nuk duket se do të implementohet lehtë. Më shumë se kaq përplasja e fundit mes ambasadorit Donald Lu dhe kryeprokurorit Adriatik Llalla, bën të qartë pavarësisht se kë besojmë, se shqiptarët që e mbështesin atë mund të kenë të drejtë të jenë të “frikësuar” se ajo mund të prapësohet. Frika vjen me gjasë në një moment inkurajimi të zërave, përgjithësisht konspiracionistë, se reforma mund edhe të hiqet prej axhendës së të qenit prioritet i SHBA, faktori kryesor mbështetës i saj, pas zgjedhjes në Uashington të një presidenti të ri. Ndërkohë edhe ambasada e SHBA tha se shihte “përpjekje për të minuar procesin”, por tha dhe se do të vijonte të mbështeste reformën si një “zotim të SHBA-ve”.

Konspiracioni

Prej kohësh në rrjetet sociale, por edhe në deklarata publike krerësh politikë reforma lidhet me “konspiracion sorosian”. Reagimi i Prokurorit të Përgjithshëm ndaj ambasadorit Lu është një shembull i kësaj, edhe pse në intervistën për Blendi Fevziun Llalla nuk ishte aq i qartë për rolin e Soros në këtë reformë. “Por kjo reformë mbështetet në kontributin e fondacionit Soros”, -tha Llalla. Më herët aludime të ngjashme janë shpërndarë edhe nga personazhe të tjera politike apo publike edhe pse në kontekste të ndryshme. Kjo përfshin ish-kryeministrin Sali Berisha që e përdori si argument kundër kryeministrit Edi Rama apo kreun e Kuvendit Ilir Meta që e përdori më ironi ndaj BIRN pas një shkrimi për kontrata lobimi të LSI në Uashington. Por Llalla nuk është zyrtari i parë i lartë që bëri publikisht lidhjen konspirative mes Soros dhe reformës. Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani e tha këtë në intervistën e fundit si ministër në Top Story: “Në fakt, këto janë teori konspiracioni, por po të shohësh, ekspertët ishin ose të Fondacionit Soros, ose të lidhur me Fondacionin Soros”, -tha ai. Koordinimi, ndoshta edhe i pavullnetshëm i këtyre gjysmë akuzave të ushqyera në teoritë konspirative apo i qëndrimeve mbi reformën mes Llallës dhe Manjanit është i hershëm. Madje qëndrimi i parë publik kundër një pjese të draftit prej Prokurorit të Përgjithshëm u bë në një konferencë me atëherë të sapo emëruarin ministër të Drejtësisë. Ky i fundit përdori edhe një shprehje që përkufizoi situatën: “Nuk jemi republikë ekspertësh”. E ndërsa përplasja mes ambasadorit Lu dhe Llallës është bërë e ashpër, Manjani nuk mungoi të shënonte se kjo ishte përfundimtare dhe se tashmë kishte vend vetëm prej njërin prej tyre. Manjani tha në një postim në Facebook se ose duhej të largohej Llalla ose Lu. Nga ana e tij kreu i Kuvendit Ilir Meta ishte i vetmi zyrtar shqiptar që foli pas situatës së krijuar. Meta tha se kishte kërkuar informacion dhe vuri në dukje se kryeprokurori nuk kishte shkelur ligjin apo kushtetutën dhe se pretendimi i prokurorisë se numri i kandidatëve që plotësonin kushtet ishte i njëjtë me numrin e atyre që u propozuan ishte i saktë. “Sipas shkresës që mban datën 3.2. 2017 në Prokurorinë e Përgjithshme nuk ka pasur asnjë prokuror tjetër që të ketë përfunduar shkollën e Magjistraturës për të plotësuar këtë kusht ligjor . Në prokuroritë e apeleve nuk ka pasur asnjë prokuror që plotëson kriterin. Nuk ka pasur asnjë rast të uljes në detyrë të prokurorëve me magjistraturë”, -tha Meta, duke i dalë kështu në një farë mënyre në krah kryeprokurorit. Edhe ky i fundit pretendon se edhe pse ka çuar vetëm tre kandidatë duke e bërë shortin nul, nuk kishte pasur mundësi të tjera për shkak të ligjit. Interesant në gjithë pjesën e konspiracionit është fakti se ndërsa Fondacioni për Shoqëri të Hapur (Soros) nuk e ka mohuar mbështetjen, ai pretendon se këtë e ka dhënë përmes Kuvendit të Shqipërisë. “Mbështetja që fondacioni i jep procesit, e ritheksoj, procesit të reformës, është bërë me një marrëveshje me Kuvendin e Shqipërisë. Të gjitha telenovelat që shohim këto kohë iu shtohen argumenteve për të krijuar një fasadë të re përpara zgjedhjeve për të gjetur armikun e jashtëm”, -tha kreu i këtij fondacioni në Shqipëri, Andi Dobrusha.

Reagimet

Ambasada Amerikane sidoqoftë nuk është tërhequr nga pozicioni i saj. Dje ndërsa ende mbetet e nderë situata mes Llallës dhe Lu, kjo e fundit lëshoi një deklaratë ku ishte sërish e ashpër, duke aluduar për tentativa që synonin të frikësonin dhe minonin procesin. “Shtetet e Bashkuara kanë marrë një angazhim përpara popullit shqiptar për të monitoruar çdo hap të zbatimit të Reformës në Drejtësi. Asnjë përpjekje për të na frikësuar apo për të minuar procesin e reformës, nuk do të na pengojë që të sigurojmë që ajo do të jetë e suksesshme për të parandaluar manipulimin politik dhe korrupsionin në gjyqësor. Ky është një premtim i yni”, thuhet në deklaratë. Qëndrimi duket se kërkon të sqarojë debatin ndonjëherë jo fort serioz mes palëve politike në vend se pse Donald Lu mban këtë qëndrim. Opinioni duket i ndarë mes akuzave të kryeprokurorit se ambasadori i ka qëndrimet personale dhe për interesa personalë dhe palës që besojnë se këto janë qëndrime të SHBA. Duket se ambasada e ka pasur këtë të qartë kur në reagimin e djeshëm përndryshe nga qëndrimi i ambasadorit në takimin që filloi “betejën”, shkruan në emër të Shteteve të Bashkuara. Kjo me gjasë për të bërë të qartë se qëndrimet nuk ishin të ambasadës. Më shumë se kaq kjo e fundit është e qartë se i bindet një direktive të Departamentit të Shtetit për të luftuar korrupsionin. Direktiva e cilëson korrupsionin si cenim të sigurisë dhe përmend edhe ndihmën që SHBA japin në luftë kundër tij në të gjitha vendet mike.

Por ndërsa lufta mbetet ndezur asnjë prej palëve politike në vend, përjashto kreun e kuvendit, nuk po mban qëndrim. Qeveria dhe presidenca ku Lu ka zhvilluar disa takime kanë heshtur. E vetmja që reagoi ishte përfaqësia e Bashkimit Europian. Kjo e fundit ka dalë kundër kryeprokurorit Adriatik Llalla, ndërsa vlerësoi Donald Lu. “BE shpreh vlerësimin më të lartë për angazhimin diplomatik të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe në veçanti të ambasadorit Donald Lu”, thuhet në një deklaratë për shtyp. Në reagimin e misionit evropian thuhet se, BE dhe SHBA po bashkëpunojnë ngushtë për të mbështetur qytetarët shqiptarë për krijimin e një sistemi drejtësie tërësisht të pavarur, të përgjegjshëm, të paanshëm dhe profesional.

“Nisja e menjëhershme e operacionit të monitorimit ndërkombëtar, që nga java e ardhshme do të mbikëqyrë procesin e vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, është një tjetër angazhim i përbashkët i BE dhe SHBA”, thuhet në deklaratë. Në krah të ambasadorit ndërkohë është shprehur edhe avokati Spartak Ngjela, i cili ishte i ashpër ndërsa sulmoi kreun e akuzës për abuzim me vizën diplomatike. Edhe pse nuk është bërë e qartë nga asnjë prej palëve, Prokurori i Përgjithshëm duket e ka humbur vizën pasi bashkëshortja e tij ka shkuar të lindë në SHBA. Departamenti i Shtetit në sqarimin për vizat e këtij lloji thotë se ato mund të përdoren vetëm për qëllime zyrtare. Ngjela shkruante madje se vizat për Llallën dhe të shoqen ishin anuluar nga Departamenti i Sigurisë në SHBA, pasi ishte vërejtur kjo anomali.

Konflikti mes Llallës dhe Lu duket ndërkohë se është më i gjatë. Të dy kanë pranuar; ambasadori duke folur për 18 muaj angazhim të prokurorit kundër reformës dhe ky i fundit duke e akuzuar për shantazhe se përplasja ishte e gjatë. Kjo e fundit madje mund të lexohet edhe si vijim i përplasjeve mes LSI dhe PS. Rama e pati mohuar se qëndrimet e Manjanit për reformën ishin problem për koalicionin, por shkarkimi i tij së fundmi dhe shpërthimi i kësaj beteje të re, duket se lë pak për të dyshuar se përplasja kryesore vjen rreth këtij boshti. Lu madje në deklaratën e tij i lidhi ata që i akuzoi për reformën edhe me një përpjekje për të manipuluar zgjedhjet. Megjithatë nga qeveria nuk ka pasur ende asnjë reagim zyrtar për situatën. Ndërkohë duket se java e ardhshme që përkon me instalimin e institucionit të vetingut është vendimtare. Përplasja mund të bëhet edhe më e ndezur sa kohë palët i afrohen procesit thelbësor që do të shqyrtojë thuajse gjithë sistemin e drejtësisë dhe rreziku për këtë mbetet i hapur, ndërsa vendi iu afrohet zgjedhjeve.

Si ndodhi përplasja

Sherri nisi të premten e shkuar, kur u hodh shorti për anëtarët e Këshilli të Emërimeve në Drejtësi, një prej institucioneve të reja që mbron pavarësinë e gjyqësorit. Shorti u drejtua nga sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, por menjëherë pas tij dy anëtarë nga gjyqësori (Vladimir Kristo, Mirela Fana) u larguan pasi më parë nuk kishin dorëzuar dosjet në ILDKPI për t’iu nënshtruar vetingut, duke dhënë arsye personale. Nga ana e prokurorisë u vërejt si anomali se kishte vetëm tre kandidatë për tre vende në KED. Praktikisht kjo e kthente shortin në nul. Ambasadori Lu e quajti këtë “dhunim të frymës së Kushtetutës”, por Llalla është mbrojtur duke thënë se asnjë kandidat tjetër nuk plotësonte një nga kriteret. Akuzës së Lu, Llalla iu përgjigj me një letër të gjatë ku edhe e akuzoi për shantazh dhe ndërhyrje në dëm të hetimit për çështje personale. Në intervistë Llalla la të kuptohej se nga ambasadorë të tjerë i ishte kërkuar edhe arrestimi i zyrtarëve shumë të lartë në nivel ish-kryeministri. Ai tha se të gjitha ishin raportuar në Presidencë dhe Kuvendin e Shqipërisë.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Kapexhiu në teatër: Shqiptarët e ’90-s, seks e moral në “Playboy”

“Playboy”, një nga gazetat më të shitura erotike në fillim të ’90-s....
Read More