Llojet e përvojës populiste

Nga Robert Skidelsky*

Mundja në zgjedhjet presidenciale franceze e Marine le Pen nga Emmanuel Macron ishte një fitore e madhe për Europën liberale. Por ishte një betejë, jo një luftë. Ideja që një nga tre shtetas francezë votoi për Frontin Kombëtar të Le Pen ishte e pakonceptueshme disa vite më parë.

Analistët kanë etiketuar si “populiste” valën e politikës demagogjike që ka përfshirë Europën dhe pjesën tjetër të botës. Por përtej stilit të rreptë të populizmit çfarë kanë tjetër të përbashkët këto lëvizje? Në fund të fundit, Podemos i Spanjës dhe Syria e Greqisë janë të majtë. Fronti Kombëtar i Francës, Partia për Liri e Holandës dhe Alternative für Deutschland (AfD) e Gjermanisë janë të djathtë. Beppe Grillo, lideri i Lëvizjes Pesë Yje të Italisë, thotë se lëvizja e tij nuk është as majtas as djathtas.

Dhe megjithatë tematikat vërtiten të gjitha te nacionalizmi ekonomik, mbrojtja sociale, anti-europianizmi, anti-globalizimi dhe armiqësia jo vetëm ndaj establishmentit politik por edhe vetë politikës.

Për të kuptuar se çfarë mund të nënkuptojë kjo për evolucionin e politikës europiane, shihni historinë e fashizmit. Benito Musolini, themeluesi i fashizmit italian në 1919 filloi si një socialist revolucionar. Në Gjermani, fjala nazist, nuk duhet të harrojmë se nënkuptonte shkurt Partinë Nacionaliste Socialiste të Punëtorëve Gjermanë.

Fillimisht, fashizmi ishte një lëvizje kombëtare, anti-kapitaliste. Më vonë i shtoi sulmet ndaj kapitalizmit liberal, veçanërisht “financës ndërkombëtare”. Dhe kjo shpejt u kthye në anti-semitizëm – atë që socialdemokrati gjerman August Bebel e ka quajtur “socializëm për budallenjtë”. Fashizmi europian ra me mundjen e Gjermanisë në 1945, por forma më pak agresive mbijetuan gjetkë, si në Argjentinë me Peronizmin.

Baza sociale e fashizmit midis dy luftërave e bëri të arsyeshme të shihej si një parti e të djathtës. Në atë kohë, klasa punëtore mbështeste në mënyrë të varur partitë e të majtës. E vetmja hapësirë politike e mbetur për fashizmin ishin borgjezët e vegjël, pronarët e dyqaneve, biznesmenët e vegjël dhe nëpunësit civil të nivelit të ulët.

Sot, baza sociale e politikës së krahut të majtë është zhdukur. Klasa punëtore klasike është zhdukur: partitë socialdemokrate dhe sindikatat tregtare janë hije të asaj që kanë qenë. Kjo do të thotë se populistët e krahut të majtë në mënyrë të pashmangshme konkurrojnë me ata të krahut të djathtë për mbështetje të të njëjtin grup të cilit fashizmi iu kthye mes luftërave: meshkujve të rinj të papunë, “burrit të vogël” që ndihet i kërcënuar nga bankierët oligarkë, degëve globale të furnizimit, politikanëve të korruptuar, burokratëve të largët të BE-së dhe “maceve të trashura” (të pasurve) të të gjitha llojeve. Populistët e sotëm, të çfarëdo hapësire politike, njëkohësisht shënjestrojnë jo vetëm të njëjtët mbështetës të mundshëm, por edhe armiqtë gjithashtu.

Sa hapësirë ekziston për rritjen e mëtejshme të populizmit dhe cilët – socialistët apo fashistët – do t’i tërheqin votat e mundshme?

Përgjigjja e zakonshme për pjesën e parë të pyetjes u dha nga ish-presidenti amerikan Bill Clinton në fushatën e 1992: “Është ekonomia, budalla”. BE-ja ka qenë më e ngadalta nga qendrat ekonomike botërore që u rikuperua nga kriza e 2008. Në Francë, papunësia është 10 për qind. Papunësia e rinisë është rreth 24% dhe 34% në Itali – duke krijuar hapësirë pjellore rekrutimi për ekstremet e të majtës dhe të djathtës.

Megjithëse Macron nuk është një i fiksuar pas financave, ai do të ngushtojë deficitin e qeverisë franceze nga 3.4% në 3% të PBB-së, në linjë me tavanin e vendosur nga Pakti i BE për Stabilitetin dhe Rritjen. Në vijën e parë janë 120.000 vende të shërbimit civil. Megjithatë ai do gjithashtu ta nxisë ekonominë me një paketë stimuli 50 miliardë euro dhe shtim të kujdesit shtetëror.

Për ta përmbledhur këtë, Macron ka nevojë për rritje dhe ai po mbështetet te reformat në investimin e kapitalit dhe ulja e barrierave për mallrat dhe shërbimet për ta arritur këtë. Ai planifikon të ulët taksimin për korporatat nga 33% në 25% dhe të përjashtojë investimet financiare nga taksimi i pasurisë. Një kritik i madh i proteksionizmit, ai do të nxisë për Marrëveshjen Tregtare Ekonomike BE-Kanada dhe Partneritetin Transatlantik të Tregtisë dhe Investimit me SHBA. Mbështetja e tij për ligjin El Khomri, që e bëri më të lehtë heqjen nga puna të punëtorëve dhe kundërshtimi i tij për 35-orëshin e punës në javë, tregojnë dëshirën e tij për të rritur “fleksibilitetin” e tregut francez të punës.

Pavarësisht diskutimit për “ekonomi të gjelbër” dhe thirrjeve për një program investimit të gjerë Europian, agjenda e Macron është gjerësisht neoliberale. Në thelb, Macron shpreson që agjenda e tij, nëse zbatohet në nivel europian, do të ngrejë jo vetëm ekonominë franceze, por atë të gjithë Europës.

Në fakt, gjasat janë që reforma të tilla t’i zhysin më keq këto shpresa për ngritje të ekonomisë, duke iu dhënë populistëve shansin e tyre. Në këtë rast, cilët populistë do ta kapin mundësinë?

Ekonomisti Dani Rodrik e vë apelin e populizmit në fokus. Ai argumenton se demokracia, sovraniteti kombëtar dhe integrimi ekonomik global janë reciprokisht të papajtueshëm; të paktën njëra duhet sakrifikuar. Duke qenë se shumë votues në Europë dhe BE ndihen të goditur nga globalizimi, një parti populiste që e vë shtetin agresivisht mbi çdo gjë tjetër ka një avantazh ndaj rivalëve.

Nga kjo perspektivë, Macron ishte kandidati ideal ndaj të cilit të humbte Le Pen. Ai paraqet elitën globaliste. Ai shfaqet i butë ndaj imigrimit. Dhe duke supozuar se partia e tij politike dështon të fitojë shumicën në zgjedhjet parlamentare të muajit tjetër, qeveria e tij do të ketë nevojë për mbështetje nga partitë tradicionale. Gjatë pesë viteve të ardhshme, figurat e establishmentit mund të bashkohen rreth politikave dështuese, duke i dhënë Le Pen shënjestrën ideale për fushatën presidenciale të vitit 2022.

Sigurisht, mbështetja për një program të majtë patjetër që ekziston në Francë. Rreth 20% e votuesve mbështetën populistin e majtë Jean-Luc Mélenchon në raundin e parë presidencial. Në raundin e dytë, një hashtag shumë domethënës në Twitter ishte #NiPatronNiPatrie (as shefi as vendi) reflektonte pakënaqësinë e shumë votuesve me zgjedhjet presidenciale mes neoliberalizimit dhe nacionalizmit. Detyra e të majtës është të drejtojë vëmendjen në aspektet vërtet problematike të integrimit ekonomik global – financializimi, prioriteti i kapitalit ndaj punës, i kreditorit ndaj debitorit, i padronit ndaj punëtorit pa përfunduar në politikë reaksionare./The Telegraph/

*Anëtar i dhomës së lordëve

Shkruar Nga
More from Redaksia

Mimoza Ahmeti: Kopshtijet e Monesë

Si të mos mjaftonin tablotë në mure, të mëdhaja në shtrirje, befas...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.