Lobimet, rasti i qartë se ndërkombëtarët janë palë politike në Shqipëri

Nga Ervis Iljazaj

Rasti i përfolur për lobimet e financuara nga rusët për Partinë Demokratike, akuza të cilat nuk janë vërtetuar ende dhe në këtë kuptim duhet bërë durim për të folur për to, ndër të tjera, është tregues i një fenomeni tipik të politikës shqiptare. Shpesh, fatet e kësaj të fundit varen nga faktorët ndërkombëtarë apo nga ndikimet e saj të ndryshme brenda Shqipërisë.

Siç ka ndodhur shpeshherë në raste të tilla, palët politike shqiptare kërkojnë mbështetje apo justifikime të aksioneve të tyre politike te ndërkombëtarët, dhe veçanërisht SHBA, për të fituar besimin e popullit, të cilin e kanë humbur prej kohësh. Në këtë mënyrë ndërkombëtarët janë kthyer si pikë referimi për qytetarët shqiptarë, për të ndarë të drejtën nga e gabuara, të mirën dhe të keqen, në një mënyrë, që me shumë gjasa nuk ndodh në asnjë vend tjetër.

Sigurisht, që roli i ndërkombëtarëve ka qenë dhe do të jetë shume i rëndësishëm në Shqipëri, për shkak të proceseve të integrimit euroatlantik, aq më tepër në një kontekst gjeopolitik rajonal ku luhen beteja të rëndësishme midis fuqive ndërkombëtare.

Në këtë drejtim duhen kuptuar, të gjitha investimet që partitë politike shqiptare bëjnë për të arritur një kontakt sado të vogël më politikën amerikane. Dhe, rasti i kontratës të lobimit të Partisë Demokratike, përtej faktit nëse është i financuar nga rusët ose jo, gjë të cilën nuk e dimë me saktësi deri në këto momente, është një praktikë që e përdorin të gjitha palët politike shqiptare.

Kush mendon, që roli i tyre është i parëndësishëm, për të ndikuar lojën politike, është ose naiv, ose nuk ka kuptuar ende që Shqipëria është në një kontest të ndryshëm, politik, rajonal dhe gjeopolitik.

Fatkeqësisht apo fatmirësisht, politika shqiptare do të vazhdojë të ndikohet edhe më shumë në të ardhmen nga ndërkombëtarët.

Të gjitha diskutimet mbi rolin e ndërkombëtarëve në politikën tonë të brendshme, janë thjesht një tension i panevojshëm. Sa më parë ta pranojmë rolin e rëndësishëm që ato do të vazhdojnë të kenë, aq më mirë do të jetë për të gjithë. Mjafton që të zgjedhim krahun e duhur, që deri më tani duket se është plotësisht properëndimor, pavarësisht se gjithmonë e më shumë ka tendenca nga fuqi të mëdha të tjera që kërkojnë të ndikojnë në Shqipëri, siç mund të jetë Rusia apo Turqia.

Prandaj, debatet për sovranitetin e humbur të Shqipërisë janë debate sovraniste pa sovranitet. Shqipëria që në momentin që ka pranuar të integrohet në BE apo në NATO, ka çeduar një pjesë të rëndësishme të tij, ne favor të organizatave ndërkombëtare dhe vendimmarrjes politike përtej kufijve të Shqipërisë.

A është kjo mënyrë e politikëbërjes demokratike apo jo, ky është një diskutim tjetër. Megjithatë, shumë pak janë ata që mendojnë që globalizim do të thotë demokraci.

Që nga momenti i ndryshimit të regjimeve, ndërkombëtarët kanë patur një rol thelbësor në politikën e vendit, dhe kanë shërbyer si fanar ndriçues në të gjitha proceset e tranzicionit politik. Të gjithë mendonim se, sa më shumë do të kalonte koha, Shqipëria do të ishte e aftë të vetëqeverisej dhe të bëhej sovrane në vendimmarrjet e saj politike të rëndësishme, ndërkohë që, e kundërta ndodhi. Roli i ndërkombëtarëve përgjatë gjithë tranzicionit dhe deri më sot, jo vetëm që nuk u reduktua, por vazhdoi të ishte po i njëjtë, ndoshta edhe më i madh, për shkak të betejave gjeopolitike që po zhvillohen në Rajonin e Ballkanit.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Kapitalizmi ka nevojë për një shtet të mirëqenies që të mbijetojë

Por mirëqenia duhet reformuar për të përballuar plakjen dhe imigrimin The Economist...
Read More