Lobimi, Teatri Kombëtar dhe Transparenca e Munguar

Nga Gerti Sqapi – Pak muaj më parë, në një bisedë eksploruese me një përfaqësues biznesi në lidhje me temën e lobimit, pyetjes time se nëse ekzistonte dhe zhvillohej lobimi në Shqipëri, ai u përgjigj me një: Po. Madje pohoi se është një fazë të tillë saqë grupe të ndryshme interesi i parashtrojnë studime, drafte, propozime të caktuara ligjore në fusha të caktuara prej të cilave preken, qeverisë dhe institucioneve në varësi të saj.

Dhe kjo, në mungesë të një kornize rregullatore ligjore të aktiviteteve të lobimit që t’i detyronte grupet e interesit apo lobuesit që përfaqësojnë interesat e tyre të raportojnë kontaktet apo ndërveprimet me zyrtarët publikë, zhvillohet në fshehtësi dhe larg vëmendjes së publikut.

Mungesa e një kornize rregullatore ligjore mbi baza detyruese për lobimin në Shqipëri i ka shërbyer jo rrallë mungesës së transparencës në procesin politik vendimmarrës, e ka bërë atë të jetë i mbyllur në duart e pak personave që vendosin, me një llogaridhënie politike që është pothuajse inekzistente.

Një histori e ngjashme, si shumë të tjera më parë në vendin tonë, është zhvilluar edhe në lidhje me ngjarjen e shumëpërfolur, prej muajsh tanimë, të ndërtimit të teatrit të ri kombëtar. Palët që mbrojnë pozicione të ndryshme – Bashkia, Qeveria dhe një pjesë e mirë e aktorëve të kooptuar nga njëra anë, dhe opozita, një pjesë e shoqërisë civile dhe aktorë të tjerë nga ana tjetër – i drejtojnë më tepër argumentet (lexo, akuzat) kundër njëra-tjetrës, por që në thelb nuk e prekin thelbin e çështjes që ka të bëjë me transparencën e vendimmarrjes.

Kështu debati midis palëve më së tepërmi është fokusuar nëse duhet ndërtuar apo jo teatri i ri kombëtar, nëse do duhet të mbrojmë publiken dhe trashëgiminë kulturore apo duhet të lejojmë “modernen” të zhvillohet, nëse duhet ndërtuar teatri i ri me paratë publike apo me ato të koncesionarit që do duhet të marrë “diçka” në këmbim.

Megjithatë fare pak shtrohet për diskutim çështja në mënyrë të atillë që të rrokë problematikat e mungesës së informacionit nga ana e publikut lidhur me projektin e ri të teatrit kombëtar, se kur është dorëzuar ai si projekt, nga kush është propozuar për t’u ndërtuar, cilat janë interesat e tij për të ndërtuar këtë vepër publike etj.

Histori të ngjashme vendimmarrjesh lidhur me koncesionet për ndërtimin e veprave publike apo delegimin e shërbimeve të caktuara publike te palë të treta, dhe që shpesh i serviren publikut pasi janë firmosur, gjenden plot në Shqipëri. E përbashkëta që ato kanë është mungesa e informacionit mbi atë që merr formën e një lobimi “të pakontrolluar” nga ana e atyre që kërkojnë të influencojnë vendimmarrjen publike, dhe që e bën shpesh publikun të hedhë hije dyshimi mbi vendimet që merren nga ana e politikanëve dhe “interesave” që qëndrojnë pas tyre.

Miratimi i një kornize rregullatore të aktivitetit të lobimit në Shqipëri bashkë me krijimin e një regjistri publik të lobimit (lehtësisht të aksesueshëm nga cilido), në të cilin lobuesit do ta kishin të detyrueshme të raportonin të dhëna në lidhje me aktivitetin e tyre, do ta bënte publikun shumë më tepër të kujdesshëm dhe do t’i jepte atij mundësinë e një shqyrtimi të pavarur rreth atyre që kërkojnë të influencojnë vendimmarrjen.

Pra, miratimi i një kornize rregullatore detyruese mbi lobimin në Shqipëri do të bënte të mundur zbulueshmërinë e informacioneve mbi aktivitetin e lobimit dhe atyre që përfshihen në të për publikun e gjerë, duke e bërë këtë fundit më të informuar rreth asaj se cilët grupe apo interesa qëndrojnë pas politikave apo vendimmarrjeve të caktuara. Kjo nga ana e saj, do të siguronte edhe një kornizë për t’i mbajtur politikanët që kanë të drejtën e marrjes së vendimeve më të përgjegjshëm dhe llogaridhënës në detyrën e tyre, pasi do të përballeshin me mundësinë e një ndëshkimi të mundshëm nga ana e një publiku më të mirinformuar rreth asaj që qëndron pas politikave të caktuara.

Nëse në rastin e ndërtimit të teatrit të ri kombëtar do të kishim pasur mundësinë e informacionit (të detyrueshëm për t’u raportuar dhe zbuluar publikisht në rast të një ligji rregullator detyrues mbi lobimin) lidhur me ato që duan të ndërtojnë një teatër të ri me koncesion (qoftë Fusha, Kodra apo Mali sh.p.k.), projektin e paraqitur, dhe personat që janë lobuar nga ana e tyre, me siguri këta 6 muajt e fundit do të kishim pasur më pak tryeza debati shterpë nëse ekziston apo jo projekti për ndërtimin e teatrit të ri kombëtar, nëse duhet ta ndërtojmë atë apo jo, apo nëse do duhet të bënim një ligj të posaçëm ad hoc për këtë gjë apo jo.

Politikanët përballen gjithmonë me kosto kur marrin vendime të caktuara. Rregullimi i lobimit, duke i dhënë mundësinë e transparencës dhe informacionit të zbuluar publikut të gjerë rreth asaj se kush kërkon të influencojë kë rreth çfarë në procesin politik vendimmarrës, krijon më shumë premisa për të pasur një publik më të kujdesshëm ndaj procesit politikëbërës, dhe për politikanë më të përgjegjshëm në vendimmarrjen e tyre.

*Pedagog UET

Ky shkrim është pjesë e projektit Agjenda Liberale të Institutit Europian Pashko

Shkruar Nga
More from Redaksia

“Lirimin e Tahirit e paralajmëroi Agron Xhafaj gjatë muhabetit”

Nga Bujar Nishani - Ambasada e SHBA në Tiranë paralajmëroj dhe denoncoj një...
Read More