“Loja e shahut” dhe rreziku i opozitës

Nga Ndriçim Kulla

Më në fund gjithçka është zyrtare. E kemi dëgjuar disa herë nga opozita, e kemi dëgjuar nëpër media apo në ligjërimet e analistëve, se kjo mazhorancë ka kaluar në një regjim autoritar, që kontrollon gjithçka, që është e lidhur me krimin, korrupsionin dhe oligarkinë. U desh mosdekretimi i gjeneral Lleshit, që të ndizej situata dhe institucioni i Presidentit të shprehej nëpërmjet zëdhënësit për shtyp se “ka ikur njëherë e përgjithmonë koha e drejtimit të shtetit me sekretarë të parë”. E thënë kjo në një kohë kur vendi gjendet mes gjithë këtyre problemesh me vakume të organeve të drejtësisë dhe me mungesë të Gjykatës Kushtetuese, gjendja mund të përshkruhet si një zbrazëti institucionale, si një demokraci në rrezik. Problemi nuk qëndron aspak në diskutimin e qëndrimit të presidencës dhe në lëvizjet që mazhoranca do të bëjë për zgjidhjen e situatës. E gjitha kjo është taktikë e saj. Problemi qëndron në mënyrën dhe qasjen e opozitës ndaj gjendjes së përgjithshme, në parim, dhe ndaj strategjisë së saj të veçantë për ta shfrytëzuar këtë situatë.

Sipas mazhorancës, kjo strategji përkthehet në formulën e lojës së shahut, një parim ky historikisht i lidhur ngushtësisht me taktikën në politikë, e që sot është ngritur në një nivel akoma dhe “më të lartë”, duke u përkthyer në një luftë midis klanesh dhe lobesh. Është një lojë që si qerre ka lidhur pas shumë herë edhe vetë veprimin e opozitës sonë, që duke dashur t’i përgjigjet lëvizjeve dhe akteve për ngjarje dhe denoncime te caktuara, është përfshirë edhe ajo vetë në këtë lojë shahu. Mund të përmendim këtu mjaft raste, si ai i Tahirit, Babales, Xhiselës, Dakos e kështu me radhë. Mirëpo, nuk duhet harruar kurrë se parimi i “lojës së shahut” është gjëja më e tmerrshme, është cinizmi më i neveritshëm, që është luajtur dhe mund të luhet edhe më vonë, jo vetëm në kurriz të elektoratit, të cilit i është manipuluar pozicionimi i votës, por sidomos atyre njerëzve që nuk kanë votuar askënd dhe e shohin veten jo të manipuluar, por më keq, të përdorur si mish për top. Le të marrim rastin më të fundit. Pse vallë këmbëngulet kaq shumë në dekretimin e Lleshit? Çfarë lidhjesh, standardesh apo cilësish përmbush ai që nuk gjenden në masën e tërë atyre kapaciteteve që ka brenda vetes PS, e që mund ta përmbushin fare mirë këtë detyrë? Kuptohet qartë se kjo lojë shahu në radhë të parë është në dëm të vetë elektoratit dhe të zgjedhurve të kësaj partie, ndaj duhet të bëhet një ndarje e qartë e tyre nga rilindasit e sotëm. Po njëlloj, kjo lojë shahu mund të përdoret edhe për të bashkuar e shtrënguar radhët e shpërndara e të pakënaqura të socialistëve të vërtetë ndaj “shkaktarit” të gjithë kësaj, presidentit Meta. Të gjitha këto mund të ndodhin, vetëm s’duhet harruar se loja e shahut, edhe në rastet kur mund të duket ose të shfaqet mundësia e përdorjes, për të përfituar avantazhe, qoftë edhe të qëndrueshme, mbetet tek e fundit taktikë, dhe kurrë strategji.

E gjithë historia dhe lufta e sotme e opozitës, pavarësisht se ka arritje në denoncimin e krimit dhe korrupsionit dhe ne inicimin e disa nismave goxha serioze e të rëndësishme, si dekriminalizimi dhe vettingu në politikë, vazhdon të ngjajë përgjithësisht vetëm si taktikë, ose më qartësisht, si e mbartur me rrezikun e përfshirjes dashur pa dashur, në mënyrë të fshehur apo të pafshehur, në këtë lojë shahu. Ky mendoj, është ai perceptim i përgjithshëm i njerëzve që dëmton imazhin e opozitës, që dëmton besueshmërinë te nismat e saj të drejta, se tek e fundit, ky është perceptimi që nuk ngjall shpresë. Ndaj, si fillim duhet të jepet një qëndrim i prerë, veçanërisht jo me fjalë, por me vepra, se strategjia opozitare nuk ngrihet mbi goditje të përveçme, qoftë edhe ministrash, por mbi platformën e asaj që kjo opozitë do të bëjë kur të vijë në pushtet. Është provuar gjatë gjithë këtyre viteve se një strategji e tillë nuk ka dhënë rezultat. Nuk duhet parë vetëm ana denoncuese, që e përsëris, ka qenë cilësore, por duhet parë vetvetja, ana e brendshme, organike, strukturore e opozitës. Strategjia duhet të përfshijë goditjen e të metave, dobësive, lidhjeve të fshehta oligarke, e pse jo, edhe të korruptuara të saj, që dëmtojnë perceptimin se opozita e sotme nuk ndryshon nga mazhoranca, nëse vjen në pushtet.

Ç’është bërë për të shkatërruar këtë perceptim? A janë diskutuar mënyra, akte apo veprime, që të krijojnë bazat e një platforme, që do t’u shpjegojë konkretisht shqiptarëve se cilat janë masat konkrete që kjo opozitë do të marrë, duke nisur fillimisht nga vetvetja në opozitë, e pastaj në pushtet, për të qeverisur ndryshe. Programi ekonomik i parashtruar nga opozita ishte shumë i mirë, ende dhe sot mund të propozohet dhe mbetet avantazhues për shumicën e ekonomisë së shqiptarëve, e përsëri ajo nuk bindi. Po përse vallë? Mos vallë sepse nuk respektoi fare kontributet? Sigurisht që kjo është një nga arsyet. Por edhe sepse nuk u shoqërua me anën tjetër të strategjisë, transformimin e qëndrimit politik dhe institucional ndaj fenomeneve të krimit, korrupsionit dhe lidhjes me oligarkinë. A është vallë e gatshme opozita e sotme të japë shembuj konkretë, që po e lufton vërtet dhe ka një program konkret e të detajuar se si do t’i luftojë ato, pa u bërë njëlloj si mazhoranca e sotme në pushtet. Nëse arrihet t’u jepet përgjigje konkrete këtyre pyetje, atëherë mund të shpallim se vërtet, kësaj i thonë të mos jesh i përfshirë në lojën e shahut të mazhorancës.

Njerëzit, sot në shumicë po perceptojnë, se e gjithë lufta pozitë-opozitë, duket si një lojë shahu e madhe e politikës në kurriz të tyre, që ndryshon vetëm gurët, e jo qasjet dhe moralin në politikë. Ndoshta, ata mendojnë se në hije, në heshtje, në fshehtësi, të gjithë bëhen njëlloj kur vijnë në pushtet. Dhe s’ke pse të presësh ndoshta ndonjë kohë tjetër më të përshtatshme, siç mund të thotë ndonjë, për ta thënë këtë të vërtetë. “Ne nuk jemi si ata” u përgjërohej opozita e djeshme qytetarëve, e ja se ç’po provojnë sot kur ata janë në pushtet që po qeverisin si egërsira të babëzitura dhe ne kemi arritur të shtrojmë si opsion të mundshëm ikjen nga ky vend. Po atëherë, cila është zgjidhja?. Përballë lojës së shahut, në dritë të diellit apo në fshehtësi, ka vetëm një ilaç, transparencë dhe prova e asaj. Transparencë në qëllimet dhe në programin se si do t’i arrish ato që thua sot. Transparencë në qëndrueshmërinë dhe koherencën e nismave. Transparencë, para strukturave dhe elektoratit në përzgjedhjen e ekipit, deputetëve dhe kryetarëve të ardhshëm të bashkive. Transparencë në masat konkrete, të diskutuara dhe të shpallura, se vjen në pushtet për të qeverisur kundër këtyre plagëve të mëdha që kanë pllakosur sot Shqipërinë, me program dhe strategji, jo me taktikë. Vetëm kjo e sjell në pushtet opozitën, jo loja e shahut.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Budallai

Nga Edison Ypi Ata që i dehte aroma e blirit dhe i...
Read More