Loja me Presidentin

Zgjedhja e Presidentit të ri dhe afatet që parlamenti po i djeg qëllimisht. Skenarët Rama-Meta dhe pse varet zgjedhja e kreut të ri të shtetit nga pjesëmarrja e opozitës në zgjedhje. Çfarë pritet të ndodhë në negociatat me McAllister dhe cilët janë kandidatët për president?

Nga Sebi Alla

Kërkohet një President, por askush nuk afrohet. Posti i kryetarit të shtetit ngjan se nuk po “lakmohet” nga askush deri më tani. PS dhe LSI, ose më qartësisht Rama dhe Meta, ngjan se kapën çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri si një mënyrë për të zgjidhur ngërçin e madh politik, duke provokuar zgjedhje të parakohshme përballë opozitës që deri tani ka vendosur t’i bojkotojë. Ky rasti më i keq. Shkohet në zgjedhje të parakohshme, si pasojë e krizës që lind dhe presidenti i ri zgjidhet pas zgjedhjeve. Për ta bërë të rëndësishëm këtë post, ka edhe një formë tjetër, që merr kuptim, ku Rama t’ia ofrojë këtë mundësi Ilir Metës për të qenë në krye të shtetit. Por kjo me një haraç që duhet të “paguajë” kreu i LSI-së; futjen e PS-LSI në koalicion, por nëse opozita hyn në zgjedhje. Këta skenarë po qarkullojnë ditët e fundit në korridoret e politikës, po ende nuk është shtruar në dhomën e madhe të parlamentit. Një variant i tretë, jo pak i mundshëm, është që çështja e presidentit të futet si paketë në tentativën e një zgjidhjeje më të madhe politike, që mund të vijë pas mbërritjes në Tiranë këtë të martë, të negociatorit David McAllister, i cili mban detyrën e zëvendës/presidentit të PPE-së. Një personalitet europian si McAllister, është ofruar me disa lobingje politike si një njeri i pranuar nga të gjithë, por një dështim që në kontaktet e para do e vështirësonte pajtimin mes palëve. Deri atëherë, loja me presidentin mbetet ende si një gur i rëndësishëm në fushën e shahut politik.

Raundet që digjen shpejt

Si kurrë më parë çështja e presidentit nuk po diskutohet mbi kriteret e emrit, integritetit, apo të një njeriu të paanshëm, por është futur deri më tani vetëm në marifete politike, mes PS dhe LSI, si dy forca që gjenden në parlament. Kuvendi ka përcaktuar të enjten e javës së ardhshme si kohën kur do mbahet raundi i tretë dhe i fundit, që kërkon 84 vota (ose president konsensual). Në mungesë të votave, por mbi të gjithë edhe të një emri, këto afate tkurren dhe nëse edhe në raundin e tretë dhe të katërt nuk ka emra konkretë, atëherë automatikisht do të hapet sirtari ku ndodhet Kushtetuta, për t’iu referuar asaj për këtë rast, ndonëse shpesh nga politika në dy vitet e fundit është kthyer si “fletore hartimi”, me ndërhyrje e ndryshime të vazhdueshme. Në nenin 87 të Kushtetutës përcaktohet se në rast se parlamenti nuk arrin që edhe në raundin e pestë të zgjedhë kreun e ri të shtetit, atëherë Presidenti aktual shpërndan parlamentin dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, të cilat duhet të zhvillohen brenda 45 ditëve. Çka i bie se nëse nuk paraqitet asnjë emër si kandidat, atëherë ciklin e vetë të përzgjedhjes së presidentit parlamenti e mbyll më 3 Maj dhe më pas që nga kjo kohë llogariten jo më shumë se 45 në zgjedhje të parakohshme. Për këtë procedurë që djeg në një periudhë shumë të shkurtër raundet për zgjedhjen e presidentit të ri, kryeministri Rama ka një shpjegim, duke e konsideruar këtë formë si “parimore” dhe në respekt të përfshirjes së opozitës në proces. “Ne duam sërish t’iu japim mundësi atyre që mungojnë në Parlament. Duam një President të paanshëm. Një President që të jetë në gjendje që, kur ka nevojë vendi, të ulë në një tryezë partitë politike”, -tha kryeministri Rama. Në të njëjtën linjë ishte edhe kreu i Kuvendit Ilir Meta, duke zgjatur edhe një herë dorën për opozitën dhe duke tentuar të bëjë rolin e njeriut që politikisht ul tensionet mes dy forcave të mëdha PD dhe PS. Ai hodhi poshtë mundësinë e përdorimit të zgjedhjes së presidentit si formë për të provokuar zgjedhje të parakohshme. “Nuk e shikoj si një variant konstruktiv dhe të dobishëm. Nuk është ky qëllimi, qëllimi është përfshirja e opozitës në procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri” -u shpreh Meta. Një politikan që shpesh vetofrohet si “amortizues” i përplasjeve mes forcave të mëdha do i shkonte për shtat dhe me një institucion si presidenca…, këtu Meta merr rolin, por më parë duhet të presë zhvillimet. Nga ana tjetër, kreu i opozitës Basha nuk la pa e komentuar këtë situatë që mund të çonte në ngërç institucional, por sërish ishte kundër, duke këmbëngulur se kërkesat e opozitës së bashkuar janë të qarta për një qeveri teknike, që sipas tij do siguronin zgjedhje të lira dhe ndershme pa Edi Ramën kryeministër. Zërat se marrëveshja mes PS dhe LSI është arritur, por pritet vetëm momenti i shpalljes ka turbulluar ca ombrellën e opozitës. Lideri Basha ditët e fundit nuk lë pa hedhur ndonjë shigjetë “pickuese” edhe ndaj kreut të LSI-së, duke e quajtur qeveria Rama-Meta si problemin e vetëm.

Meta dhe gratë që shohin Presidencën

Në një situatë më se kritike mospjesëmarrja e opozitës në zgjedhje do e çonte vendin në një rrugë me labirinte që kanë për destinacion kaosin dhe këtë kryeministri Edi Rama e ka më se të qartë. Por përveç këtij telashi, Ramës i është shtuar edhe një tjetër, ajo e deklaratave të LSI-së se nuk marrin pjesë në zgjedhje farsë, pa praninë e opozitës. Këtu Rama detyrohet të lëshojë nga pushteti i tij dhe të nisë të llogarisë mirë bashkëqeverisësin e deritanishëm Ilir Metën. Nëse PD do marrë hapin ekstrem të mospjesëmarrjes në zgjedhje, Ramës nuk i mbetet rrugë tjetër përveçse minimalisht të ketë LSI-në në zgjedhje. Meta mund të marrë premtimin se do shkojë drejt presidencës, në zgjedhjet qoftë edhe të parakohshme si pasojë e krizës së nxitur institucionale. Në këtë mënyrë LSI ka një argument për të ndezur makinën e fushatës, ku më pas Meta e ka të sigurt rrugën për t/ë-u ngjitur në tapetin e kuq të Presidentit… Nga radhët e LSI është përmendur edhe Edmond Panariti, që mban detyrën e ministrit të Bujqësisë, por me situatën aktuale mund të jetë vetëm një emër më tepër. Muaj më parë, teksa ishin në ujëra të qeta dolën edhe emrat e parë të grave që synonin postin e presidentes. Thuajse kanë bërë një vetëshpallje personalitete politike si Arta Dade apo Mimi Kodheli nga Partia Socialiste. Ndërsa jo krejt në tymnajë kohët e fundit është hedhur edhe emri i Majlinda Bregut nga radhët e PD-së. Padyshim kjo do ishte një përzgjedhje ideale në një kohë “romantike” politike, por situata e tanishme duket se kërkon edhe llogari të tjera, ku favori shkon tek Ilir Meta.

Zgjidhja vjen nga jashtë

Të gjitha “kulisat e ëmbël” për të arritur në presidencë, mund të rrëzohen vetëm një marrëveshje të madhe politike mes pozitës dhe opozitës. Ardhja e negociatorit David McAllister, zëvendëspresident i PPE-së ka për qëllim arritjen e një marrëveshjeje politike, ku opozita të dilte nga protesta dhe mbi të gjithë të regjistrohej për të marrë pjesë në zgjedhje. Modalitetet përcaktohen në vijimësi, por nëse kjo marrëveshje merr rrugën e duhur, atëherë brenda asaj mund të shtrohet në tavolinë edhe çështja e emrit të Presidentit të ri. Këtu mund të kërkohej konsensusi, por e sigurt është se të dyja palët nuk mund të prisheshin për “aq pak”, nëse marrëveshja e madhe do të arrihej. Madje nën dëlirin e zgjidhjes së krizës nuk është çudi që të binin të gjitha palët dakord për një personalitet, i cili mund t’i lërë të kënaqur të gjithë, qoftë edhe duke veshur me kostumin e kreut të shtetit dikë jashtë radhëve të politikës. Marrëveshje të tilla janë bërë edhe më herët, si ajo e vitit 2002 kur Nano dhe Berisha ranë dakord që Alfred Moisiu të ishte kreu i shtetit. Në rast të dështimit të McAllister, atëherë PS mbetet e “dënuar” për të lëshuar ndaj LSI-së duke i ofruar me dëshirë postin e Presidentit.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Përrallat e ‘800-ës: Zanat “flasin” gjermanisht

Qendra e Studimeve Shqiptare në Londër boton koleksionin e përrallave shqiptare në...
Read More