Loja për Balilin, apo për presidentin, koalicionin dhe kryeministrin e ri

arion sulo foto opinionNga Arion Sulo

Lëvizja e Kryetarit të Kuvendit për të mbledhur Këshillin e Sigurisë për Klement Balilin edhe pse përmbushi disa qëllime njëherësh, ku më “spektakolarja” ishte spostimi i akuzës për lidhje me të kërkuarin për trafik droge nga LSI te qeveria, sërish e la të paqartë përgjigjen e pyetjes se pse Meta po investohet kaq fort kundër qeverisë dhe Edi Ramës.

Intervista e ministrit Lefter Koka në mbrëmje i hodhi më shumë dru zjarrit të konfliktit, por  njëherësh shtoi tymnajën mbi sulmin e LSI dhe mbi të gjitha për të ardhmen e koalicionit.

Kërkesa e Metës drejtuar Presidentit, e përligjur me “mbështetjen amerikane” dhe e veshur me mantelin e shtetarit është shumë e vështirë për t’u argumentuar juridikisht dhe ngjan më shumë si shpërdorim i një institucioni serioz, që ka të bëjë me sigurinë kombëtare.

Futja si pykë e të shumëkërkuarit për kanabis në axhendën e mbledhjeve të rralla të Këshillit të Sigurimit mbetet e dyshimtë, por çka duket qartë është fakti se edhe pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, policët e Tahirit nuk do t’i jenë afruar Klement Balilit ndonjë metër më shumë.

Moskapja e Balilit dhe vonesat në zbatimin e urdhër-arrestit nga Greqia janë njollë turpi për qeverinë dhe Ministrinë e Brendshme, por Këshilli i Sigurimit është pa rol në këtë punë; ai vetëm sa do të japë një vërejtje me gojë për Tahirin.

Fundi i arratisë së tij të gjatë nuk varet nga raportimi i ministrit të Brendshëm para Presidentit dhe kreut të SHISH, nga justifikimet e tij për punën e policisë apo nga nxitja me fjalë që kryetari i Kuvendit mund t’iu bëjë autoriteteve.

E vërteta është se Klement Balili nuk arrestohet, pasi ka pasur dhe ka mbrojtje politike dhe shtetërore.

Akti i kreut të Kuvendit me Këshillin e Sigurimit është i paragjykueshëm për vërtetësinë, pasi për t’u quajtur një kontribut në luftën kundër krimit të organizuar dhe jo një lojë politike, ai do të duhej të distancohej nga akuzat për lidhje të vjetra me Balilin dhe të shprehej qartë për mbrojtësit aktualë të tij, si dhe të kërkonte ndjekjen penale dhe shkarkimin e tyre.

Pas konsumimit të këtyre përpjekjeve, LSI do të fitonte madje një kauzë të fortë morale edhe për të mos ndenjur më në qeveri, pasi nuk është pak që kreu i Kuvendit dhe Presidenti të kenë shqetësime apo dyshime të arsyeshme se “Eskobari i Ballkanit” ka lidhje në nivele të larta të qeverisë.

Në të vërtetë, Këshilli i Sigurimit dhe sulmi i ministrit Koka – njësoj si deklarata pa asnjë efekt e Ylli Manjanit për mobilizimin e ushtrisë për kanabisin, po përdoren nga Meta në funksion të disa temave të rëndësishme që ai dhe Rama i kanë të hapura në tryezë; zgjedhja e Presidentit, koalicioni i 18 qershorit, (roli i PDIU), Avokati i Popullit dhe kryeministri i 4-vjeçarit të ri.

Përveç pasardhësit të Igli Totozanit, që nuk është se mund ta ndajë aleancën e 1 prillit, tri çështjet e tjera do të lënë gjurmë në fatin e dy partive dhe kryetarëve të tyre.

Me peshën që ka LSI, është normale që të ndikonte në këto momente dhe të rriste aksionet e veta në secilin stacion, por sulmi i hidhur i Metës ndaj Ramës tregon se tryezat e bisedimeve nuk kanë qenë aq të mbara.

Në varësi të ecurisë së tyre do të mund të lexohet edhe intensiteti i sulmeve të kreut të LSI për kryeministrin.

Shërbimi i dytë i lajmit për Këshillin e Sigurimit dhe akuzat e rënda të Leftër Kokës për implikim të policisë me krimin janë mesazhet që Meta i dërgon kryeministrit se mund ta godasë fort, tani edhe në vijim, me nxjerrjen e skandaleve apo të palarave të tjera.

Distancimi i sotëm i LSI nga Klement Balilit dhe Vangjush Dako shërbejnë edhe për të pasur nesër argumente më shumë, nëse kryeministri vijon me tre Jo-të.

Në të kundërt, në një “aksham- pazar” të mirë, Këshilli i Sigurisë do të çelet dhe mbyllet si ai për kanabisin apo ëndrrat në sirtar për lista të hapura dhe numërimin elektronik, që tani nuk i përmend më njeri. As nga LSI!

Shkruar Nga
More from revista mapo

A do e ‘lëshojë’ Trump Ballkanin?!

Një diplomat në Prishtinë i tha MAPO se në rast të një...
Read More