Loja politike me detin

Negociatat për ndarjen e detit me Greqinë dhe konflikti i përsëritur Rama-Meta. Marrëveshja e 2009 dhe si kanë ndryshuar sjelljet e aktorëve nga opozita në pushtet dhe anasjelltas. Dilema se tani mund të fitojmë më shumë “ujë e kripë” për të lënë naftë dhe gaz dhe “kërcënimi” grek për negociatat me BE

Nga Sebi Alla

Marrëveshja për ndarjen e detit me Greqinë thuhet se është gati dhe pritet një ditë Pashkësh të muajit prill për ta nënshkruar, por mungesa e informacionit e ka mjegulluar çështjen, çka ka nxitur politikën në të dyja vendet për të bërë “Kasandrën”. Teknicienët dhe opinioni publik, janë më shumë të interesuar të fitojnë “detin që na takon”, ndërsa politika e sheh përtej këtij “detaji”, ndoshta duke sakrifikuar pasurinë kombëtare për çështje më “madhore” sipas saj, siç është integrimi i Shqipërisë në BE. Kjo ndodhi në vitin 2009, po detajet tregojnë se mund të ndodhë edhe tani, ku pala shqiptare po “lutet” në Athinë për të marrë prej saj një votë çliruese për hapjen e negociatave si vend kandidat për në BE. As Greqia në dukje nuk është e qetë. Ish-ministrja e Jashtme Teodora Bakojanis kërkoi interpelancë me ministrin aktual Nikos Kotzias për negociatat më Shqipërinë për çështjen e detit, duke e akuzuar se po rrëzon marrëveshjen e parë të vitit 2009. Në Shqipëri, opozita realisht i ka duart e lidhura për këtë çështje, pasi ka humbur integritetin moral, kur Gjykata Kushtetuese i rrëzoi marrëveshjen e parë, por rolin e “kundërshtuesit” e ka marrë presidenti i vendit. Me të drejtën që i jep Kushtetuta, kreu i shtetit ka kërkuar që para se të japë plotfuqishmërinë për nisjen e negociatave duhet të informohet me më shumë detaje kush është grupi përfaqësues, mbi çfarë bazash do diskutohet dhe hartat konkretë. Çdo debat mund të shumëzohet me zero nëse marrëveshja realisht është e përfunduar dhe mund të na serviret si fakt i kryer në javët në vazhdim. “Ndaj me presidentin të gjithë dashurinë dhe vëmendjen për Kanionet. Unë e kam dhënë përgjigjen time dhe nuk i lëviz asnjë presje. Nëse keni ardhur deri këtu për të nxjerrë ndonjë lajm, se janë krisur marrëdhëniet e mia me presidentin, ke gjetur vendin më të gabuar. Përgjigjja ime nuk është as ironike dhe nuk dua aspak që t’i iki pyetjes. Presidenti ka qenë ai që më ka njohur me kanionet dhe më ka intriguar për të bërë rafting”, kështu deklaroi kryeministri Edi Rama i pyetur për konfliktin me presidentin për ndarjen e detit. Një deklaratë e bërë nga afër kanioneve të Lumit Osum, por përtej “shkrepave” të Skraparit, ku bëhet sporti i rafting-ut, në mes është çështja e madhe e detit. Dhe këtu presidenti nuk ka ndërmend të lëshojë, duke iu referuar Kushtetutës po tenton të bëhet faktor.

Kushtetuesja që rrëzoi paktin

Më një kompas në dorë, ish-kryeministri Sali Berisha tentoi t’i vërë kapak çështjes së detit në vitin 2009, duke deklaruar se marrëveshja ishte në interes të Shqipërisë dhe ishte ndarë në mënyrë të barabartë. Edhe pse firmën në fund të marrëveshjes së 27 prillit 2009 e kishte ish-ministri i Jashtëm Lulzim Basha, “koston” politike në të mirë e të keq, e mori vetë si gjithnjë kreu i qeverisë në atë kohë Sali Berisha. Opinioni publik shtangu kur u njoh me marrëveshjen dhe për më shumë disa ekspertë u shprehën se Shqipëria kishte humbur rreth 350 km katrorë det karshi fqinjëve. Kaq donte Partia Socialiste në atë kohë në opozitë që të niste turin e saj sa ligjor aq edhe politik. Eksponentë të rëndësishëm të opozitës Saimir Tahiri dhe Damian Gjiknuri, u paraqitën në Gjykatën Kushtetuese duke dorëzuar ankimin për marrëveshjen e 27 prillit 2009. Disa muaj më vonë, më 15 prill 2010, Gjykata Kushtetuese do ta rrëzonte thuajse në çdo pikë të saj marrëveshjen për ndarjen e detit. “Marrëveshja e lidhur midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”, është e papajtueshme me Kushtetutën sa i takon çështjeve lidhur me: a) mospajisjen e delegacionit shqiptar me plotfuqi të rregullt nga Presidenti i Republikës për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e marrëveshjes; b) mangësitë serioze në përmbajtjen e marrëveshjes; c) moszbatimin e parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare për ndarjen e hapësirave detare midis dy vendeve me qëllim arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndershëm; ç) mosmarrjen parasysh të ishujve si rrethana të veçanta në delimitimin e hapësirave detare”. Ky ishte thelbi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, e cila me nëntë vota pro, rrëzoi në unanimitet këtë pakt mes dy shtetesh. Marrevshja u kthye në nul, duke e çuar edhe një herë situatën në pikën zero, ku palët detyroheshin të rinegocionin, por këtë herë mbi baza të përcaktuara qartë nga ana e Gjykatës Kushtetuese së Shqipërisë. Politikisht kjo rëndoi disi pozitën e PD-së që kishte marrë mandatin e dytë qeverisës, por si mjeshtër i krijimit të situatave, Berisha gjeti “armiq të jashtëm”, në këtë problem fort të brendshëm. Ai deklaroi se një fuqi e tretë kishte ndikuar që kjo marrëveshje të rrëzohej, duke kuptuar se kishte ndërhyrë Turqia për interesat e saj. Por ky vendim i Gjykatës Kushtetuese, aq i dëshiruar nga opozita e asaj kohe, PS-së mund t’i kthehet në “boomerang” tani. Argumentimet e nëntë anëtarëve të atëhershëm të kushtetueses e kanë shteruar çdo diskutim dhe pala shqiptare ishte e detyruar që të shkonte përballë fqinjëve grek me një dokument të rëndësishëm në duar, për të tentuar të rinegociojë dhe arrijë në marrëveshje të re.

Ujë e kripë apo naftë dhe gaz?

Në marrëveshjen e parë u ndoq parimi i baraslargësisë mes dy vendeve. Kjo “shpjegon” edhe atë kompas që vendosi ish-kreu i qeverisë Sali Berisha, kur tha se deti ishte ndarë në mënyrë të barabartë. Mirëpo pala shqiptare kishte çeduar në përcaktimin e baraslargësisë. Në veri të Korfuzit, ndodhen disa ishuj më të vegjël, sikurse janë Erikousa dhe Othanoi. Në marrëveshjen e 2009-s, ndërmjet këtyre ishujve dhe brigjeve shqiptare, është përdorur vija mesore strikte e baraslargësisë, e cila, gjithashtu, ishte në dëm të Shqipërisë. Në fundin verior të kanalit të Korfuzit në paktin detar të para nëntë viteve janë marrë si pika bazë matëse në favor të Greqisë ishuj të pabanuar apo delta shkëmbore, si Barketa, Nisis, Peristerai apo Lazareto. Shqipëria mund ta kundërshtojë një gjë të tillë. Për ta ndarë në mënyrë të barabartë ekspertët shprehen se nuk duhen marrë si pika fundore kufitare ato tre ishuj të veçuar, që më shumë njihen si shkëmbinj ujor dhe nuk i plotësojnë kriteret e arkipelagut, që në të drejtën ndërkombëtare njihet si vijë kufitare të një shteti. I gjithë diskutimi në këtë pikë do ishte për më shumë hapësirë detare nga pala shqiptare, që nënkupton se do “fitonim” më shumë “ujë e kripë”… Diskutimi i vërtetë është për zonat ku mendohet se janë me burime të konsiderueshme nafte dhe gazi. Ende pa u hapur hartat e shtroheshin mirë në diskutime, në maj të 2015 Ministria e Punëve të Jashtme reagoi kur i dorëzoi ambasadorit grek në Tiranë një notë proteste në lidhje me planet e Greqisë për të eksploruar rezerva nafte dhe gazi në detin Jon, pikërisht në zonën e “Joni 5”, për të cilën Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kishte lidhur Marrëveshje me Ndarje Prodhimi me kompaninë “Capricorn” qysh në shtator të vitit 2007. Qeveria shqiptare pretendon se zona “Joni 5”, nuk ka të bëjë me “Joni 2” në pjesën greke, por në fakt ekspertët thonë se është e njëjta koordinatë dhe për pasojë Greqia nëse arrin ta përfshijë këtë pjesë në ndarjen e re të detit, do siguronte atë hapësirë detare të mbushur me sasi të madhe nafte dhe gazi. Droja më e madhe është se Greqia të lëshojë ca hapësirë detare nga marrëveshja e vitit 2009 dhe të mbajë si pjesë ekskluzive të saj hapësirën e përcaktuar si “Joni 5”.

Kohë e keqe për negociata

Në dy raste që Shqipëria ka kërkuar ndarjen e detit me Greqinë është nisur në disfavor politik. Në vitin 2009 qeveria Berisha ishte e etur për të pasur imazh dhe qe gati të bënte gjithçka që të siguronte marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me BE-në. Për këtë “hap të madh” i nevojitej vota e Greqisë, e cila iu premtua me të dyja duart, sapo pala shqiptare ra dakord me marrëveshjen e ndarjes së detit. E njëjta situatë politike është edhe aktualisht ku qeveria shqiptare ka nevojë për votën greke, për të marrë hapjen e negociatave si vend kandidat për në BE. Në kushte të tilla Athina zyrtare di mirë të bëjë llogaritë me fqinjin “në nevojë”, për më shumë me klasën politike që ka treguar se për interesa momentalë është gati të lëshojë edhe territor. Negociatat ngjanin si hermetike deri disa muaj më parë, por deri më tani më shumë janë shprehur pala greke, e cila nisi të flasë një muaj më parë, por i vuri fre gjuhës kohët e fundit, për të mos agravuar gjendjen në të dyja vendet. Nga ana tjetër, një grusht njerëzish të rëndësishëm e dinë ç’po ndodh me çështjen e ndarjes së detit qëndrojnë të heshtur. Në këtë “lojë shahu”, që synon të zërë “mbretëreshën”, po luhet edhe me deklarata. I pari që foli për një marrëveshje thuajse të arritur ishte ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias. “Ramë dakord për zonën ekskluzive ekonomike. Kufirin do ta bëjmë me 12 milje, pastaj procedohet me zonën ekskluzive ekonomike. Ajo mund të shpallet kur tjetri e ka pranuar që sidoqoftë ke të drejtë 12 milje. Kjo është diçka e rëndësishme dhe kemi dhe gjëra të tjera të rëndësishme. Për zonën ekskluzive ekonomike bëmë 13 orë negociata, i pamë në mënyrë analitike në takimin treditor të Kretës”, deklaroi Kotzias. Një deklaratë e tillë nuk u prit mirë nga pala shqiptare, pasi i doli në dritë një e vërtetë që ndoshta nuk duhej thënë në këtë kohë. Ministria e Jashtme Shqiptare reagoi duke deklaruar se ende nuk ka një marrëveshje konkrete. Mirëpo shpejt u shua kjo jehonë, kur kreu i qeverisë Edi Rama ra dakord me Kotzias. “Ministri i jashtëm grek ka konfirmuar çka është e shkruar në nenin 3 të Konventës së Detit. Parimi i 12 miljeve është parim i konventës. 12 miljet janë edhe sot. 12 miljet Shqipëria i ka regjistruar në OKB që në vitin 1992. Ai nuk ka thënë që ne do të zgjerohemi në 12 milje, por jemi bazuar në parimin e 12 miljeve. Ne do të marrim për bazë parimin e baraslargësisë duke e axhusteruar sipas rastit”, -tha Rama, ndërsa shtoi se: “Greqia është e lumtur me marrëveshjen e vitit 2009 që sipas Gjykatës Kushtetuese është antikushtetuese që e përkthyer është tradhti”. Nga Athina korridoret politike ziejnë edhe për çështjen e ndarjes së detit me Shqipërinë. Zëri i ish-ministres së Jashtme Teodora Bakojanis nuk është për t’u anashkaluar në Greqi, pasi thirri ministrin aktual, të jepte shpjegime pikërisht për çështjen e ndarjes së detit me Shqipërinë. Një nga deputetët konservator i është drejtuar ministrit Kotzias duke e pyetur për çështje teknike. Ministri i jashtëm grek nuk u ndal në detaje teknike. “Politika e jashtme do të duhet të ushtrohet me kthjelltësi, përgjegjshmëri, seriozitet dhe efikasitet, dhe jo për hatër të marketingut të brendshëm politik”, theksoi Kotzias. Askush nuk po e kupton ç’po ndodh me këtë situatë, pasi loja është më e madhe sesa deklaratat për konsum politik. Në Greqi mund të ngrihet një tymnajë e qëllimshme, për të lënë të kuptohet sikur marrëveshja e ndarjes së detit është në disfavor të saj. Ndërsa në Shqipëri po shterohet pika e fundit e debatit politik mbi çështje kompetencash, plotfuqishmërie dhe deklaratash që vijnë edhe buzë lumenjve për çështjen e detit…!

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Varrimi i Toto Riinës dhe shqiptarët pa varre

“Respekti ynë për të vdekurit, kur sapo kanë vdekur, është diçka e...
Read More