LSI regjistrohet në KQZ; PS, në zgjedhje edhe vetëm

votimeKQZ ka miratuar dje vendimin për regjistrimin e LSI në zgjedhjet e 18 qershorit. LSI deklaron se është e pamendueshme që në 2017 të ketë zgjedhje pa opozitën. PS-së i humbet durimi dhe deklaron se do të dalë në zgjedhje edhe pa LSI në koalicion

Kur mbeten edhe pak javë nga afati ligjor për regjistrimin e koalicioneve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të majtët që aktualisht bashkëqeverisin vendin nuk kanë ende një vendim për të ripërsëritur marrëveshjen që në datën 1 prill mbush 4 vjet. Teksa socialistët kanë shprehur tashmë edhe publikisht vullnetin e tyre për të vijuar bashkëpunimin me LSI edhe për 4 vite të tjera, kjo e fundit ka hezituar deri tani që të shprehë të njëjtin vullnet, duke shmangur në vazhdimësi një përgjigje të prerë në këtë drejtim. Në këtë situatë, socialistët kanë vendosur të luajnë blofin dhe të deklarohen se do të dalin në zgjedhje, jo vetëm pa opozitën, e cila ka deklaruar mospjesëmarrje në zgjedhje, por edhe pa LSI-në, e cila ka zgjedhur që edhe kësaj here të luajë rolin e afruesve të palëve drejt një zgjidhjeje. Këtë e ka deklaruar dje numri dy i socialistëve, Gramoz Ruçi, teksa ka theksuar se PS do shkojë në zgjedhje madje edhe nëse LSI nuk do t’i bashkohej në koalicion. Por nga ana tjetër, kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Luan Rama, i është përgjigjur PS-së në vendimin e saj për të shkuar vetëm në zgjedhje, se është jo e logjikshme që në vitin 2017 të zhvillohen zgjedhje pa opozitën, duke lënë të kuptohet se LSI nuk do bëhej pjesë e një skenari të tillë. Por pavarësisht këtij qëndrimi, LSI ka vendosur që nga ana tjetër të respektojë afatet ligjore, duke u regjistruar si subjekt zgjedhor në KQZ, duke lënë kështu të hapur mundësinë që në rast se gjendet një zgjidhje për krizën politike ajo të jetë e gatshme për të vijuar fushatën elektorale.

Ruçi

Partia Socialiste do të hyjë në zgjedhje pavarësisht nëse opozita do të ndryshojë mendje apo do t’i bojkotojë ato. Nga Libofsha e Fierit ku mori pjesë në një takim në kuadër të përgatitjeve për fushatën zgjedhore, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, edhe një herë duke përfaqësuar linjën e ashpër brenda partisë sa i përket krizës politike, ka informuar elektoratin se PS është e përgatitur për çdo lloj skenari, përfshi këtu edhe më të keqen, pra edhe nëse LSI nuk do pranojë ta ndjekë atë në koalicion. Ai ka deklaruar se me gjithë faktin se PS e ka kërkuar me ngulm prej disa muajsh një përgjigje nga LSI për vijimin e bashkëpunimit edhe në kërkim të një mandati të dytë qeverisës, ajo nuk ka marrë një përgjigje të qartë prej aleates së saj. Por kjo sipas tij nuk do e pengojë PS-në që të vijojë përgatitjet për të dalë edhe e vetme në zgjedhje edhe nëse LSI nuk do pranojë ta nënshkruajë një marrëveshje të dytë bashkëpunimi. Ruçi ka qenë i qartë teksa ka theksuar se PS do të shpalosë alternativën e saj në zgjedhje me apo pa LSI-në. “Partia Socialiste e ka shprehur vullnetin e saj për të shkuar në zgjedhje me LSI-në, por i takon kësaj të fundit të vendosë. Atë që kodi i lejon vetë, individualisht, të paraqiten dhe me koalicion, të dyja janë forma demokratike dhe përderisa e lejon Kodi Elektoral është gjë normale. Megjithatë çdo subjekt politik deri ditën që duhet të përfundojë me regjistrimin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë të lirë të vendosin sipas interesave që ata gjykojnë dhe mendojnë se kanë rezultatin më të madh. Kështu që mbetet për t’u parë. Në vullnetin tonë politik, për të qenë me aleatin tonë 4-vjeçar tashmë në qeverisje e kemi shpalosur. Ende LSI s’ka marrë vendimet, është sovrane në vendimet e saj. Ne jemi të hapur qoftë për koalicion, ashtu siç kemi vendosur që me apo pa koalicion, PS të paraqesë alternativat e saj në zgjedhjet e ardhshme”, – u shpreh Ruçi nga Libofsha. Pak ditë më parë si Ruçi, ashtu edhe vetë kryeministri, Edi Rama deklaruan se sa i përket fatit të zgjedhjeve parlamentare ato do të zhvillohen në datën e caktuar edhe nëse PD nuk do të heqë dorë nga vendimi për të mos marrë pjesë në to.

LSI

Ndërsa për PS-në me ose pa PD, më 18 Qershor vendi do shkojë në zgjedhje, për LSI-në është e palogjikshme të mendohet që të shkohet në zgjedhje pa opozitën në vitin 2017. Nënkryetari i LSI-së Luan Rama, thotë se në një vend demokratik, nuk mund të mendohet një proces zgjedhor pa garë gjithëpërfshirëse. “Nuk e mendoj që ka në Shqipëri ndonjë njeri me logjikë arsyetimi racionale, që të mendojë që në 2017 Shqipëria mund të zhvillojë zgjedhje pa opozitën”, – u shpreh dje kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama gjatë një prononcimi për mediat. Ndaj ai thekson se është detyrë e mazhorancës që t’i demonstrojë opozitës se është e gatshme që të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Gjithsesi ai nuk ka dhënë asnjë zgjidhje se si mund të arrihej kjo, aq më shumë kur opozita e ka vendosur si kusht që garancia e vetme për këtë gjë është largimi i Ramës dhe krijimi i një qeverie teknike. “Natyrisht ka një problem të madh, klasa politike në vend, sepse problemi më i madh është që është vrarë besimi, pra mungesa e besimit e krijon të gjithë këtë situatë, dhe është në përgjegjësinë e mazhorancës të demonstrojë konkretisht hapa për të rikthyer besimin te qytetarët në radhë të parë; tek opozita, që zgjedhjet do të jenë në përputhje me standardet dhe do të garantojnë, jo vetëm shprehjen reale, por edhe leximin real të vullnetit të popullit. Shqiptarët duhet të ftohen në zgjedhje për të zgjedhur, jo thjesht për të votuar”, – shtoi Luan Rama. Por ky qëndrim nuk e ka penguar LSI-në që nga ana tjetër të marrë të gjitha masat për të qenë gati për zgjedhjet e ardhshme. Dje ajo është regjistruar nga KQZ si subjekt zgjedhor për zgjedhjet e 18 qershorit, ndërsa prej javësh ka nisur fushatën në bazë, duke ndarë edhe zonat e punës për të gjithë figurat e saj kryesore. Gjithashtu, LSI ka hapur thuajse në gjithë Shqipërinë edhe zyrat elektorale, çka tregon se ndërsa pret një zgjidhje për krizën politike ajo bëhet gati edhe për të hyrë në zgjedhje. Gjithsesi testi i parë jo vetëm për qëndrimin që do të mbajë opozita, por edhe për vijimin e bashkëpunimit mes PS dhe LSI do e tregojnë zgjedhjet e Kavajës, që janë programuar për t’u mbajtur më 7 Maj.

Qeveria e kujdesit zgjedhor

Ndërkohë që nuk kanë munguar gjatë ditës së djeshme edhe skenarë të ndryshëm nga eksponentë të opozitës, çka mund të sillnin dhe gjetjen e një kompromisi, kryetari i LZHK-së Dashamir Shehi dhe deputeti demokrat Kastriot Islami kanë mbështetur dje si zgjidhje krijimin e një qeverie të “kujdesit zgjedhor”, e cila do të kishte për detyrë vetëm garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Madje Shehi ka shkuar edhe më tej duke hedhur si ide që një qeveri e tillë të krijohej për çdo lloj zgjedhjeje derisa palët të krijojnë besimin te institucionet dhe te njëra-tjetra. Ndërsa Kastriot Islami e konsideron këtë një çështje e mbyllur, madje ai bën të ditur se çështja ka mbetur vetëm te përcaktimi i detajeve, pra ministrave, afateve dhe detyrave të kësaj qeverie. “Duket pa asnjë dyshim se në ditët e para të prillit do të krijohet Qeveria “teknike”, e cila do të jetë Qeveri Kujdestare e Zgjedhjeve të Lira e të Ndershme, pra nuk do të jetë thjesht “teknike” në kuptimin që ka marrë ky term apo kjo praktikë në Shqipëri. Kjo është tashmë një çështje e mbyllur dhe e gjithëpranuar; kjo qeveri do të ketë mbështetjen e të gjitha forcave politike dhe deputetëve që janë të angazhuar për zgjedhje të lira e të ndershme”, – shkroi Islami në faqen e tij në Facebook.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Pse ikja e Renzit mund të dëmtojë integrimin e Shqipërisë

Pas Brexit dhe zgjedhjes sё Trump, referendumi në Itali shihet si shenjë...
Read More