Lu dhe “Kavaja” detyrojnë palët të ulen në tryezë

Ndërkombëtarët kanë ndërmarrë dje një tur negociatash për të ulur sërish në tryezën e bisedimeve dy liderët e politikës shqiptare. Ambasadori Lu ka zhvilluar dje dy takime me Ramën, ndërsa Basha ka zhvilluar një takim me ambasadorët e vendeve të BE. Frika për trazira në Kavajë ka detyruar ambasadat të akreditojnë vëzhgues në zgjedhje

Kreu i qeverisë Edi Rama dhe ai i opozitës Lulzim Basha kanë zhvilluar dje në mbrëmje një takim të dytë, por pa mundur sërish që të sheshojnë mosmarrëveshjet dhe të gjejnë një zgjidhje për ngërçin politik që ka përfshirë vendin prej 18 shkurtit të shkuar.

Por që palët të arrinin të uleshin sërish brenda 24 orëve përballë njëra-tjetrës duket se kanë ndikuar disa faktorë, përfshi këtu rolin dhe ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar, rreziku i dhunës në zgjedhjet e së dielës në Kavajë, por edhe nevoja për një stabilitet afatgjatë që mund ta sjellë vetëm një palë zgjedhje me opozitën të pranishme.

Për këtë qëllim e enjtja e djeshme ka qenë një ditë e ngjeshur me negociata, ku duket se rolin e ndërmjetësit e kanë marrë sërish përfaqësuesit e huaj të akredituar në Tiranë.

Kështu ambasadori amerikan Donald Lu dhe ajo e BE-së Romana Vlahutin, në dy takime të veçanta u përpoqën që të negociojnë me kryeministrin Rama për të gjetur një zgjidhje për çështjet për të cilat palët i mban larg, ndërsa pjesa tjetër e ambasadorëve të vendeve të BE-së në Tiranë kanë zhvilluar një bisedë të gjatë me kreun e opozitës, Lulzim Basha.

Ndërkohë që paralelisht me këto përpjekje opozita ka rritur presionin ndaj zgjedhjeve që pritet të mbahen të dielën për Bashkinë e Kavajës, ndërsa ka nisur edhe dislokimin e drejtuesve kryesorë të saj për të organizuar protestën në ditën e votimit.

Ambasadorët

Pavarësisht dështimit të raundit të dytë të negociatave të zhvilluara në presidencë ditën e mërkurë, palët u treguan të kujdesshme për të lënë ende hapur derën për t’u ulur sërish në kërkim të një zgjidhjeje për krizën politike.

Ndaj nisur pikërisht nga ky predispozicion, ambasadorët e vendeve më të mëdha të akredituar në Tiranë kanë nisur dje që në orët e para të ditës një tur takimesh, kjo edhe për të bindur palët që të ulen sërish dhe të negociojnë pozicionet dhe ofertat e tyre.

Kështu pak orë para konferencës së paralajmëruar, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me ambasadorin amerikan Donald Lu, me të cilin ka biseduar për rreth 40 minuta.

Tema e bisedës pavarësisht se nuk pati asnjë komunikim zyrtar, nuk ishte e vështirë të merret me mend se ishte përqendruar pikërisht te dialogu me opozitën.

Burime nga qeveria bënë me dije se Rama dhe Lu kanë biseduar mbi ecurinë e negociatave të një dite më parë dhe mundësitë që ekzistojnë për të afruar palët drejt një konsensusi.

Por pavarësisht këtij takimi, kreu i qeverisë nuk do të ndryshonte qëndrim dhe në konferencën e lajmëruar që më parë nga Kryeministria, do të rikonfirmonte vetëm ofertën që i ishte bërë një ditë më parë në tryezën e presidentit kreut të opozitës.

Ndërkohë nga ana tjetër, kreu i opozitës Lulzim Basha zhvilloi një takim të ngjashëm me ambasadorët e vendeve kryesore anëtare të Bashkimit Europian.

Takimi zgjati rreth 90 minuta dhe në të mungonte ambasadorja Romana Vlahutin.

Burime nga takimi bënë të ditur se në fokus të bisedës mes ambasadorëve të BE dhe kreut të PD-së Basha ishte pikërisht ngërçi politik dhe gjetja e rrugëzgjidhjeve për daljen nga kjo situatë.

Këtë takim do ta pasonte një tjetër takim i kryeministrit Rama me ambasadorin Lu, i cili duke qenë i bindur se ka ende mundësi për të gjetur një zgjidhje që do të fuste PD-në në zgjedhje, ka marrë përsipër edhe çuarjen e palëve drejt një konsensusi.

Takimit të tyre i është bashkuar kësaj here edhe ambasadorja e BE-së në vendin tonë, Romana Vlahutin. Megjithëse sërish nuk pati një komunikim mbi këtë takim, duket se ai prodhoi edhe thirrjen e një tryeze të dytë mes dy krerëve të politikës shqiptare.

Vetëm pak minuta më pas do të konfirmohej se palët kishin pranuar sërish të uleshin te presidenti për një takim të dytë.

Kavaja

Por duket se paralelisht me rrugën diplomatike por edhe atë politike, opozita vijoi edhe dje që t’i bëjë një farë presioni mazhorancës që të ulet në tryezën e bisedimeve edhe me protestën që ajo ka paralajmëruar se do të mbajë ditën e diel në Kavajë ku do të zhvillohen zgjedhjet për kryetar bashkie.

Ashtu siç foli një ditë më parë vetë kreu i opozitës Lulzim Basha nga çadra, edhe dje nga i njëjti vend, ish-kryeministri Sali Berisha do t’i bënte thirrje kryeministrit Rama të pranonte zgjidhjen politike pasi në të kundërt do të përballej me revoltën qytetare e cila sipas tij do të ishte nga Kavaja.

“Zgjidhje mëshire, por edhe mëshira ka një kufi, edhe ajo po u tejkalua, pastaj të pret fataliteti, të cilin e meriton në çdo formë. Data 7 maj është një ditë historike në analet e demokracisë shqiptare. Pas 27 vitesh, Kavaja sërish bëhet kryeqyteti i demokracisë. Më 7 maj, Kavaja firmos fitoren e saj, fitoren e mbarë shqiptarëve, Kavaja hedh në kosh të plehrave, ia përplas në surrat, farsën e drogës, farsën elektorale të krimit, Noriegës së shqiptarëve, Edvin Kristaq Ramës. Ndaj thirrja ime për qytetarët e Kavajës në lartësinë e idealeve të tyre është ta shndërrojnë 7 majin me guximin, trimërinë, zgjuarsinë e tyre në ditën e ngadhënjimit të revolucionit mbi farsën elektorale”, -tha Berisha duke folur dje në çadër.

Ndërkohë që eksponentë të lartë të opozitës do të deklaronin në mediume të tjera se tani kishte ardhur “koha e dajakut”.

Po ashtu të tjerë zyrtarë të lartë të opozitës kanë zbarkuar në Kavajë në përgatitje të protestës së të dielës.

Ndërkohë që kryeministri Rama do t’i cilësonte përpjekjet e PD-së për të krijuar një situatë proteste dhe rrëmujash në Kavajë si një tregues i situatës së saj të rëndë në të cilën gjendet.

“Nëse PD mendon që 7 maji mund të jetë okazioni i jetës për të treguar sa në gjendje është të bëjë rrëmujë, është një tjetër shprehje e krizës nervore të PD”, -tha Rama gjatë konferencës për mediat.

Sipas tij për PS-në data 7 maj nuk asnjë rëndësi, pasi dita e provës do jetë 18 qershori.

“Unë nuk mendoj për 7 majin si datë për të bërë në Kavajë një ballafaqim fizik. S’më shqetëson 7 maji si moment kur PD tenton të provojë sa është në gjendje të çmendet”, – shtoi Rama.

Monitorimi 

Retorika kërcënuese që ka përdorur opozita ndaj procesit të zgjedhjeve në Kavajë duket se është kthyer në një shqetësim real për ndërkombëtarët.

Ndërsa disa ditë më parë do ishin drejtuesit më të lartë të së djathtës europiane ata që do t’i bënin thirrje opozitës që të hiqte dorë nga çdo skenar dhune, ditët e fundit përfaqësuesit e vendeve të huaja në vendin tonë kanë ndërmarrë edhe nismën për ta monitoruar nga afër procesin.

Shumica e përfaqësive të huaja në vendin tonë kanë paraqitur kërkesa në KQZ për të akredituar vëzhgues në zgjedhjet e të shkuarës, ku në shumicën e rasteve janë vetë ambasadorët.

Një kërkesë të tillë ka paraqitur Ambasada Britanike në Tiranë, për vëzhgimin e zgjedhjeve të pjesshme për kryetar në Bashkinë e Kavajës, të datës 7 maj 2017 me anë të ambasadorit Duncan Norman.

Kërkesë për t’u akredituar si vëzhgues ka paraqitur edhe ambasadorja sllovene, Lea Stancic, ndërsa delegacioni i BE ka paraqitur kërkesë për të akredituar dy përfaqësues të vet.

Po ashtu kërkesa të ngjashme kanë paraqitur edhe ambasada të tjera.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Takimi Meta-Basha, si korrektim i atij Rama-Basha

Nga Fitim Zekthi Takimi mes kryetarit të opozitës, Lulzim Basha dhe kryetarit...
Read More