Luarasi: Shenjë e mirë kur media sulmohet nga politikanët

Raporti i medias dhe politikës në një marrëdhënie të ndryshueshme mes “buzëqeshjes” dhe kërcënimit. A po futet media në shinat e misionit të saj dhe sa tregues është që media ia ka arritur qëllimit kur sulmohet nga protagonistët e politikës? 

Iris Luarasi, pedagoge e gazetarisë në Universitetin e Tiranës

Media po sulmohet nga të gjitha anët, veçanërisht nga eksponentë protagonistë të politikës. Fakti që sulmohet nga të gjitha palët, a tregon se media është në funksionin e vet?

Unë mendoj që në momentin që media sulmohet nga politikanët, kjo është gjithnjë një shenjë e mirë për median. E dëgjoj vazhdimisht nga politikanë e njerëz të ndryshëm që fajësojnë median, por unë mendoj se fajet në këtë vend nuk i ka vetëm media (sigurisht ajo ka rolin dhe fajin e saj në një shoqëri si e jona), por shumë më tepër fajet i ka politika dhe sistemi i korruptuar e i kapur.

Në një vend si ky i joni, ku njerëzit presin të shohin spektaklin e radhës çdo të enjte në skenën e quajtur parlament, është mëkat të fajësosh median. Kjo më kujton shprehjen “mos i qëllo atij që të sjell mesazhin”.

Nuk është faji i medias që fjala ka humbur peshën që duhej të kishte e shprehjet “hajdut, mashtrues, trafikant, i korruptuar” që i dëgjon në foltoren e parlamentit nuk kanë më asnjë peshë, siç duhej të kishin në të vërtet, sepse në gjithë këto vite nuk kemi parë asnjë politikan me peshë që paguan çmimin e hajdutërisë, trafikimit, korrupsionit dhe mashtrimit.

Kjo e bën korrupsionin, vjedhjen, mashtrimin një gjë normale e shprehjet të humbasin rëndësinë e tyre të vërtet. Në një vend jo normal si ky i yni, ku pritshmëritë ndaj politikës, sistemit gjyqësor, shëndetësor, arsimor i kemi të ulëta, pse duhet të kemi pritshmëri kaq të mëdha për median?

Ne nuk kemi parlamentarë që nuk kanë asnjë ndryshim me parlamentarët britanikë, e në një situatë të tillë pse duhet të pretendojmë se gazetarët që na pyesin e na intervistojnë janë njësoj si gazetarët e BBC????

Ka një ndarje edhe mes vetë protagonistëve të medias, që në disa raste merret me sulmet ndaj njëri-tjetrit, duke akuzuar për anshmëri. Sa e dëmton ky fenomen për të qenë një media e fortë dhe a mungon “sindikalizmi pozitiv”, që të parët që duhet të mbrojnë gazetarët janë vetë gazetarët?

Është e vërtetë që ka ndarje mes vetë protagonistëve të medias, dhe sigurisht që media ka problemet e saj me paanshmërinë dhe objektivitetin.

Por, në botën e sotme të zhvillimit të teknologjisë dhe informacionit nuk ka më asnjë mundësi që të mbash fshehur diçka që ndodh dhe madje kjo më duket një gjë super pozitive. Nuk di ndonjë ngjarje që ka ndodhur e që ka arritur të mbetet e fshehtë, sepse edhe nëse nuk trajtohet nga një media, ka shumë media të tjera që do ta publikonin apo transmetonin lajmin.

Në fund të ditës, shumica e gazetarëve në këtë vend nuk janë njerëz të mirëpaguar, për më tepër janë qenie njerëzore, kanë familje për të mbajtur e kredi për të paguar.

Kjo pa dyshim nuk është një justifikim e nuk mund të prevalojë misionin që ata kanë marrë përsipër të luajnë në shoqëri për të zbardhur të vërtetën në sytë e publikut, dhe pak “sindikalizëm” do i bënte shumë mirë medias që akuzohet për çdo gjë të mbrapshtë që ndodh në këtë vend. T’i japim Cezarit atë që i takon Cezarit…

 

Shkruar Nga
More from Redaksia

A duhet të gëzohemi për hapjen e negociatave? Ish-ministri paralajmëron…

  Prej ditësh politika dhe opinioni publik po pret me ankth se...
Read More