“Lufta e re e Ftohtë”, Shqipëria bëhet pjesë

Dy diplomatët rusë të cilët do të duhet të lënë territorin shqiptar janë Sekretari i Parë i ambasadës ruse Alexey Nikolaevich dhe Atasheu ushtarak Vladislav Filipov.

Shqipëria vendosi t’i bashkohet SHBA-së dhe shumicës së vendeve të BE-së duke dëbuar nga vendi ynë dy diplomatë rusë. Fillimisht ishte kryeministri Edi Rama që njoftoi në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, më pas vetë Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme përcolli një deklaratë për shtyp.

“Sot, në datë 26 mars 2018, në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme u thirr Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë, SH.T.Z. Aleksander Karpushin, të cilit iu komunikua nota verbale për shpalljen si persona të padëshirueshëm të dy diplomatëve rusë, veprimtaria e të cilëve nuk përputhet me statusin e tyre diplomatik”, thuhet në njoftimin e MEPJ-së.

Po dje mediat informuan se dy diplomatët rusë të cilët do të duhet të lënë territorin shqiptar janë Sekretari i Parë i ambasadës ruse Alexey Nikolaevich dhe Atasheu ushtarak Vladislav Filipov.

I pyetur nga Top Channel se pse Shqipëria mori një vendim të tillë, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati u përgjigj: “Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në BE. E kemi thënë disa herë, siç na e kanë bërë me dije edhe partnerët ndërkombëtarë çështjen e linkzimit e politikës sonë të jashtme me këto organizma. Tanimë kemi kaluar në një fazë tjetër, atë të koordinimit të veprimeve me partnerët tanë në NATO, dhe ky është një veprim i koordinuar me to, në përgjigje të zhvillimeve të fundit, sidomos pas rastit që u bë publik në Mbretërinë e Bashkuar” . Më tej ai theksoi:

“…Mund t’ju them se 48 orët e fundit ka pasur një koordinim brenda NATO-s, edhe me partnerë të rëndësishëm, anëtarë të BE, mbi format dhe mënyrat se si mund t’i përgjigjeshim asaj çka u bë publike në Mbretërinë e Bashkuar, ku sipas provave paraprake flitet qartë për implikime nga ana e palës ruse”.

Por çfarë rrezikon Shqipëria në lidhje me marrëdhëniet me Rusinë pas këtij vendimi?

“Nuk besoj se ka diskutim që ky është një vendim i vështirë. Shqipëria, natyrisht, kur ka ndërmarrë këtë vendim, ka marrë në shqyrtim edhe të gjitha konsekuencat që mund të vijnë nga ky rreshtim në kampin perëndimor dhe mbase nuk është rastësi që sot në Ballkanin Perëndimor kanë ndodhur disa ngjarje, dhe sot për sot kemi rreshtime edhe të vendeve që janë apo që aspirojnë të jenë anëtarë të BE, përkundrejt thirrjeve që kanë ardhur qoftë nga SHBA apo Mbretëria e Bashkuar, për një rreshtim në kampe mbi bazën e disa vlerave të cilat ne i mbrojmë dhe duhet t’i promovojmë”, u përgjigj Bushati.

Presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi dëbimin e 60 diplomatëve ruse, të akuzuar si agjentë. Sipas Departamentit të Shtetit, vendimi amerikan, së bashku me mbylljen e një konsullate ruse në vend, ndërmerret si kundërpërgjigje ndaj “shkeljes flagrante të Konventës së Armëve Kimike dhe shkeljes së të drejtës ndërkombëtare” nga Moska.

Zëri i Amerikës njoftoi se, Shtetet e Bashkuara po urdhërojnë mbylljen, deri më 2 prill, të konsullatës së Rusisë në qytetin port Seattle në shtetin Uashington, duke vënë në dukje afërsinë e tij me uzinën e avionëve Boeing dhe bazën detare Kitsap, ku janë vendosur nëndetëse bërthamore amerikane. Konsullata është “pjesë e këtij problemi më të gjerë që lidhet me një numër të papranueshëm operativësh rusë në Shtetet e Bashkuara”, u tha një zyrtar i lartë i administratës gazetarëve. “Jemi gati të ndërmarrim hapa shtesë nëse është e nevojshme”, -tha zyrtari.

“Shtetet e Bashkuara e marrin këtë veprim në bashkëpunim me aleatët dhe partnerët e NATO-s anembanë botës në përgjigje të përdorimit nga Rusia të një arme ushtarake kimike në territorin e Mbretërisë së Bashkuar”, -tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders në një deklaratë.

Më herët, presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk, bëri të ditur se ishin disa shtete të BE-së që kishin vendosur të dëbonin diplomatët ruse. Disa prej vendeve që po dëbojnë diplomatët rusë janë: Britani (23); Kanada (4); Francë (4); Gjermani (4); Poloni (4); Lituani (3); Çeki (3); Itali (2); Holandë (2); Danimarkë (2); Suedi (1); Letoni (1); Estoni (1); Finlandë (1); Rumani (1) dhe Kroaci (1)

E para që nisi këtë aksion ishte Britania e Madhe, e cila në fillim të muajit dëboi 23 diplomatë rusë.

Ky solidaritet vjen pas helmimit të ish-agjentit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia Skripal, me agjentin nervor “Novichok”. Britania e Madhe fajësoi Rusinë ndërsa kjo e fundit ka mohuar të ketë pasur gisht në sulmin mbi Sergei Skripalin dhe vajzës së tij Yulia, në Salisbury të Anglisë jugore, të cilët vazhdojnë të qëndrojnë në spital në gjendje kritike.

Dëbimet e koordinuara u dënuan menjëherë nga Kremlini, i cili paralajmëroi se do të përgjigjej me të njëjtën monedhë.

Pak ditë më parë, edhe Shqipëria dënoi përmes një deklarate për shtyp sulmin me një agjent nervor ushtarak, i një lloji të zhvilluar nga Rusia, kundër Sergei dhe Yulia Skripal në Salisbury të Britanisë së Madhe më 4 mars të këtij viti

“Si shtet palë në Konventën mbi Armët Kimike, Shqipëria dënon çdo lloj sulmi kimik nga aktorë shtetërorë ose jo, dhe i konsideron shkelje të së drejtës ndërkombëtare që minojnë rendin ndërkombëtar dhe venë në rrezik jetët e qytetarëve.

Shqipëria shpreh solidaritet të plotë me Britaninë e Madhe dhe qytetarët e saj dhe përshëndet angazhimin e Britanisë së Madhe për të punuar ngushtë me Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike në mbështetje të hetimit të sulmit si dhe për identifikimin e përgjegjësve dhe vënien e tyre përpara drejtësisë”, thuhej në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Jashtme.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Duncan Norman, tha pak ditë më parë se nga Britania ishin përzënë 23 diplomatë rusë, të cilët ishin identifikuar si oficerë inteligjence të padeklaruar, numri më i madh i tyre që prej Luftës së Ftohtë. “Ne do të hartojmë propozime për më shumë fuqi për të ndaluar persona që ne dyshojmë punojnë për shtete armiqësore në kufijtë e MB…”, është shprehur ai.

Ndërkohë, ambasadorët rusë janë thirrur për të dhënë shpjegime në disa ministri të Jashtme europiane, në mesin e raporteve për dëbime të mundshme diplomatësh.

Udhëheqësit e BE-së ranë dakord javën e kaluar se, me shumë gjasë Rusia fshihet pas helmimit të ish-spiunit rus dhe vajzës së tij në Britani. Blloku europian tërhoqi të dërguarin e tij në Moskë. “Vendimmarrja është në duart e vendeve anëtare, por do të bëhen nën kornizën europiane, e do të jenë vendime në nivel kombëtar”, -tha zëdhënësja e shefes së diplomacisë europiane, Federica Mogherini.

Ndërkohë, Kryeministrja britanike Theresa May tha: “Ne mirëpresim veprimet e aleatëve, që tregojnë qartë se ne të gjithë qëndrojmë krah për krah duke i dërguar një sinjal mjaft të fortë Rusisë se ajo nuk mund të vazhdojë të shkelë të drejtën ndërkombëtare”.

Ajo e përshkroi vendimin si dëbimin më masiv të oficerëve rusë të zbulimit në histori.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi Read More