Lufta europiane kundër krimit në Shqipëri

Nga Ervis Iljazaj

Është e qartë se, një meritë të madhe për aksionin e përgjithshëm në aksionin e fundit kundër krimit të policisë shqiptare kanë institucionet ligjzbatuese europiane. Ka kohë që, aktiviteti kriminal që e kishte burimin në vendin tonë, është bërë shqetësues për shumë nga shtetet europiane.

Mjafton të shikosh deklaratat e ndryshme të homologëve europianë sa herë që kanë takime me ata shqiptarë, për të kuptuar se sa seriozisht e kanë marrë ata luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri.

Në këtë kuptim, lufta kundër krimit të organizuar në Shqipëri, është një kërkesë konstante që vjen nga vendet europiane kundrejt vendit tonë.

Prandaj, përgjigjja ndaj këtyre kërkesave nuk mund të vononte, dhe, në një farë mënyre, është e detyrueshme. Megjithatë, policia shqiptare, duhet mbështetur dhe përgëzuar për çdo aksion të tillë, me ose pa mbështetjen e kolegëve europianë.

Në fakt, lufta kundër krimit të organizuar është një luftë e cila nuk ka më kthim mbas. Në të kundërt politika shqiptare do të jetë totalisht e izoluar nga vendet e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara.

Situata aktuale ku gjendemi sot, është një situatë, e cila nuk mund të vazhdojë më. Ka ardhur momenti që, nëse duam të atashohemi me politikën perëndimore, lufta ndaj krimit është një kusht, nga i cili asnjë Kryeministër dhe as një qeveri nuk mund të shpëtojë dot.

Për një arsye shumë të thjeshtë. Shqipëria është në pritje të çeljes së plotë të negociatave në vitin 2019.

Vendimi për negociatat që Shqipëria pret të marrë në vitin 2019, nuk ka kriter tjetër, përtej indeksit të krimit që do të kemi deri në atë moment.

Kështu që, lufta ndaj krimit të organizuar, është padyshim prova më e madhe qeverisë Rama. Jo vetëm për hapjen e negociatave, por do të shërbejë edhe si një test për vazhdimin ose jo të kësaj qeverie.

Ndoshta jo rastësisht, Bashkimi Europian ka deleguar në Tiranë zotin Soreca, i cili është një njohës i mirë i çështjeve të sigurisë dhe krimit të organizuar.

Luigi Soreca ka patur një pozicion për çështjet e sigurisë në Komisionin Europian. Në këtë kuptim, lufta ndaj krimit të organizuar, është një çështje që e njeh mjaft mirë, dhe me shumë gjasa do të jetë prioritet i tij gjatë misionit në Tiranë.

Bashkimi Europian, në të gjitha raportet e tij, thekson fort domosdoshmërinë e luftës ndaj krimit të organizuar. Në këtë moment, ndoshta ky kriter është i vetmi nga i cili varet ecuria e çështjes së negociatave vitin që vjen.

Reforma në Drejtësi, e cila ka qenë një nga kushtet kryesore të hapjes së negociatave, është një reformë që, mirë apo keq, ka hyrë në një rrugë pa kthim. Mekanizmat e përfundimit të saj, tashmë janë mekanizma automatikë, të cilat nuk varen nga vullneti politikë. Në këtë aspekt, ajo që mbetet deri në momentin e vendimit përfundimtar për negociatat është vetëm lufta ndaj krimit, gjë e cila është totalisht detyra e qeverisë.

Ndonjëherë, politika shqiptare dhe opinioni publik bie preh e iluzionit se, Bashkimi Europian do të na pranojë për faktin se ka interesa gjeopolitikë në Shqipëri dhe Ballkani. Kjo është e vërtetë, por, BE, është një organizatë e ndryshme nga NATO. Nëse NATO, është një organizatë ushtarake dhe diplomatike, dhe, për këtë arsye anëtarësimi është gjeostrategjik, Bashkimi Europian është tjetër histori. Bashkimi Europian është një sistem politik dhe një mënyrë qeverisje e përbashkët. Si e tillë, ka ekonomi të përbashkët, ligje të përbashkëta dhe parime të përbashkëta. Nëse ne nuk arrijmë dot të përafrojmë të gjitha këto standarde me BE, integrimi është i pamundur.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Gjyqtarja e parë që kalon vetingun: Vitore Tusha mbetet në detyrë

Vitore Tusha kalon me sukses vetingun. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmon lënien...
Read More