Lufta gjithnjë e më pranë, pasiguri pas largimit të Amerikës nga marrëveshja me Iranin

Pas vendimit të Presidentit Trump për të hequr dorë nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 me Iranin, si aleatët ashtu dhe kundërshtarët po vëzhgojnë nga afër zhvillimet. Në emisionin televiziv të kësaj jave të gazetares Greta Van Susteren, disa ekspertë diskutuan mbi pasojat ekonomike dhe të sigurisë kombëtare në tërësi që sjell largimi nga marrëveshja bërthamore me Iranin.

Tashmë po ndihen efektet e tërheqeqjes së Presidentit Trump nga marrëveshja bërthamore me Iranin e vitit 2015. Lajmi çoi në rënien e monedhës iraniane përballë dollarit amerikan.

Eksperti Ilan Berman, skeptik i marrëveshjes, i tha gazetares Greta Van Susteren se rivënia e sanksioneve ekonomike do të ketë pasoja të gjera.

“Kompanitë dhe shtetet që bëjnë biznes me Iranin i vë para një zgjedhjeje, ata mund të mos e pëlqejnë këtë zgjedhje, por i bën ata të zgjedhin.”

Brett Decker, ish zyrtar i lartë në Bankën Amerikane të Eksport-Importit, mbështet vendimin për heqjen dorë nga marrëveshja.

“Marrëveshja përbëhej kryesisht nga taktika vonuese, por me gjithë dobësitë e saj, kryesisht në verifikimin e objekteve, ajo nuk kishte garanci përveç premtimeve të Iranit.”

Ish Sekretari i Energjisë Ernest Moniz, ndër kontribuesit e marrëveshjes nën Presidentin Obama, kundërshtoi kritikat mbi jetëgjatësinë e marrëveshjes.

“Institucioni i verifikimit nuk egzistonte para marrëveshjes. Siç e kam thënë më parë, verifikimi, më i ashpri që ka parë bota, më parë nuk ekzistonte. Tani kemi një strukturë verifikimi të përhershme.”

Kur krahason mësimet e dala nga Irani dhe Koreja e Veriut, zoti Moniz thotë se verifikimi është kyç në çdo marrëveshje.

“Nuk mund të përsërisim sistemet e mëparshme të dështuara të verifikimit, ku inspektorët shkonin vetëm aty ku thoshte Pheniani. Duhet të kemi të njëjtën gjë që kemi tani në Iran, aftësinë për të kontrolluar kudo ka dyshime për aktivitet.”

Disa ekspertë të politikave të jashtme thonë se vendimi i kësaj jave për Iranin ka implikime të rëndësishme para bisedimeve të planifikuara mes Uashingtonit dhe Phenianit.

“Mund të përdorësh mësimet e dala nga Irani në bisedimet me Korenë e Veriut. Të thuash se marrëveshja me Iranin ishte e dobët, dhe që të mos ndodhë e njëjta gjë me Phenianin, duhet më shumë transparencë. Mendoj se rastin e Iranit zoti Trump do ta përdorë në favor të tij me Korenë e Veriut”, thotë Eksperti Ilan Berman.

Vendimi amerikan për Iranin vjen ndërsa pesë vendet e tjera të përfshira në marrëveshje shprehën përsëri mbështetje për marrëveshjen ekzistuese.

Shkruar Nga
More from Redaksia

‘Në 15-17 shtator në Tiranë mblidhen Shefat e Shtabit të NATO-s’

  Presidenti i Republikës Ilir Meta bëri të ditur se “për herë...
Read More