Lufta ndaj krimit nuk është objekt i konsumit politik të ditës

Nga Ervis Iljazaj

Ngjarja e Elbasanit ku shihet në një video përballja e forcave të policisë me një grup personash që janë në ndjekje, ka nxjerrë në pah edhe marrëdhënien e kaq përfolur midis politikës, policisë dhe kriminalitet në vend. Një marrëdhënie kjo, e cila ka shoqëruar politikën shqiptare gjatë gjithë këtyre 27 viteve të tranzicionit politik.

Rasti i Elbasanit, është një rast që ka ndodhur pothuajse gjithmonë sa herë që ndërrohen ministrat e rendit. Sepse janë ekuilibra midis politikës dhe krimit që janë vendosur dhe kërkohen të prishen. Nëse prishja e këtyre ekuilibrave është vullnet i mirë për të luftuar krimin apo për të ndërtuar të reja kjo mbetet për t’u parë. Sepse, përplasja midis dy palëve tregon qartë që kjo marrëdhënie në këtë moment nuk është në një moment paqeje, por konflikti.

Por, asgjë nuk e ndryshon faktin që policia u zmbraps para krimit në këtë rast. Si të thuash humbi betejën në sytë e opinionit publik dhe na kujtoi edhe njëherë që lidhja midis politikës dhe krimit vazhdon të jetë ende prezent.

Megjithëse ky fakt dihet tashmë nga opinioni publik dhe shoqëria shqiptare, pamjet e transmetuara krijuan përsëri një lloj tronditje, duke na kujtuar se lidhjet e krimit me politikën, kanë qenë dhe janë po aty.

Edhe kësaj here, si çdo herë tjetër për këtë çështje, politika nuk nguroi ta kthente në konsumim politik të ditës, aq sa të gjitha debatet parlamentare të së Enjtes, u fokusuan në akuza dhe kundërakuza midis palëve politike.

Edhe në debatet e mediave dhe të ekraneve, diskursi kishte në qendër të tij “betejën” se cila nga palët politike është më shumë e lidhur me krimin.

Ndërkohë që, është e qartë se kjo marrëdhënie ka qenë prezente në të gjithë periudhën postkomuniste të politikës sonë.

Kjo është një qasje tërësisht e gabuar për të përballuar një problematikë kaq të rëndësishme të politikës dhe shoqërisë shqiptare në përgjithësi. Lufta ndaj krimit nuk fitohet me propagandë politike për të fituar vendin e moralit politik, i cili nuk e meriton asnjë nga palët shqiptare për atë që kanë treguar gjatë këtyre viteve, por me profesionalizëm, me Reformën në Drejtësi dhe vullnet politik konstant.

Sepse ekziston rreziku, që pas disa ditësh, siç ka ndodhur përherë, çështja e krimit dhe lidhjet e tij me politikën të rreshtin së qeni në vëmendje të opinionit publik, pasi të ketë konsumuar debatin politik të ditës.

Kshu ndodh kur kriminaliteti përdoret si kartë elektorale dhe jo si një shqetësim serioz dhe problematik që duhet të përballohet me të gjitha mjetet e nevojshme, duke shkuar te shkaku i tij.

Lidhja e politikës me krimin në Shqipëri është një çështje sociologjike që kalon përtej emrave konkretë politikanësh apo episodeve sporadike që dalin media.

Është një fenomen tipik i shoqërive ku marrëdhënia e politikës dhe shoqërisë është personale dhe jo institucionale. Duke qenë e tillë, votat kërkohen nëpërmjet këtyre marrëdhënieve dhe jo sipas bindjeve apo parimeve që duhet të lidhin normalisht një shoqëri me klasën politike të saj. Prandaj, politika ka gjithmonë nevojë për të fortin e lagjes, të qytetit apo të zonës për të siguruar këtë lidhje në mënyrë të dhunshme apo me mjete të tjera.

Në këtë kuptim, lufta ndaj këtij fenomeni është më së pari një betejë kulturore dhe ndërgjegjësimi për të reformuar më së pari mendësinë e qasjes ndaj tij.

Ka ardhur koha që kjo marrëdhënie që është instaluar si pasojë e një fenomeni shoqëror të tillë, të marrë vëmendjen dhe seriozitetin e duhur pa u bërë objekt i debateve politike që në këtë drejtim nuk kanë asnjë rëndësi për zgjidhjen e problemit.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Edi Rama kryeministër i Shqipërisë?! Gafa logjike e “Doktorit”

Nga Klementin Mile “PD zyrtare e mbyti Ramën me opozitë për atletet!”....
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.