“Luftë” në Kuvend, PS zgjedh Arta Markun kryeprokurore

Kuvendi ka votuar me 69 vota pro, 2 kundër dhe 2 abstenime Arta Markun si pasuese të përkohshme të Llallës. Seanca u shoqërua me tensione të mëdha, ku në shumë raste është duhur ndërhyrja e gardës. Kryemadhi tenton të godasë Ramën me këpucë, Salianji dhe Noka hedhin tymuese në sallë. Protestuesit e opozitës tentojnë të mësyjnë në Kuvend duke çarë gardhin e policisë.

Arta Marku është kryeprokurorja e re e Shqipërisë. Ajo u votua dhe betua dje si kreu i ri i organit të akuzës në një seancë plenare tepër të tensionuar dhe ku nuk munguan përplasjet fizike brenda dhe jashtë sallës së seancave plenare, ku situata në disa momente i ngjau një fushëbeteje lufte. Kjo pasi opozita kundërshtoi fort zgjedhjen e saj si antikushtetuese, ndërsa u përpoq me të gjitha format që të pengonte votimin dhe të detyronte mazhorancën që të tërhiqej nga zgjedhja e saj në mënyrë të njëanshme. Ndërkohë që mazhoranca qeverisëse kishte marrë të gjitha masat që asnjë veprim i opozitës të mos pengonte vendimin për zgjedhjen e pasuesit të Llallës. Për këtë qëllim policia ishte angazhuar që në orët e para të mëngjesit që të siguronte perimetrin e sallës së parlamentit, ku për të siguruar vazhdimin e seancës dhe ndalimin e protestuesve u angazhuan edhe forcat e ndërhyrjes së shpejt.

Seanca

Seanca ka nisur në një klimë të acaruar, ku ndërsa mbështetësit e opozitës kishin bllokuar hyrjen e jashtme të Kuvendit, opozita nëpërmjet kryetarit të saj Lulzim Basha kërkoi ndryshimin e rendit të ditës dhe heqjen prej saj të projektvendimit për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm. “Hiqni duart nga pushteti i drejtësisë, jeni paralajmëruar të mos pengoni hetimet për Tahirin, Dakon, Sejdinin, dosjet e ministrave, koncesionet, por ju jeni të vendosur të shkelni kushtetutën për të mbrojtur veten tuaj, pushtetin dhe pasuritë tuaja. Ky është çasti i fundit ku në emër të kushtetutës ju ftoj të tërhiqeni, urdhri i popullit binduni atij ose përballuni me pasojat”, -tha ai duke paralajmëruar atë që do vinte më pas. Por shumica e majtë e ka hedhur në votim dhe e ka rrëzuar këtë kërkesë procedurale, duke shënuar kështu edhe momentin e fundit të një seance normale. Menjëherë pas këtij momenti, fjalën e ka kërkuar ish-kryeministri, Sali Berisha, por ai është penguar të marrë fjalën nga punonjësit e gardës, çka ka sjellë dhe tensionimin e menjëhershëm të situatës. Gardistët e shumtë në sallë, ka shtyrë ish-kryeministrin, duke shkaktuar dhe reagimin e deputetëve të tjerë të PD-së. Kjo ka bërë që Ruçi të ndërpresë seancën derisa situata të qetësohej. Kjo iu ka dhënë mundësi deputetëve të opozitës që të lënë pjesë sallën për t’iu bashkuar protestuesve që qëndronin në hyrjen e jashtme të Kuvendit. Përcaktues për fatin e kësaj proteste ka qenë pikërisht fjalimi që ka mbajtur kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e cila iu ka bërë thirrje protestuesve që të marrin fatin e vendit në dorë, pasi sipas saj parlamenti ishte i tyre dhe jo i deputetëve. Kjo ka mjaftuar që një grup jo i vogël protestuesish të mësynin kordonin e policisë që qëndronte përpara tyre. Ata kanë mundur madje që edhe me ndihmën e disa prej deputetëve të opozitës të çanin këtë kordon, çka ka bërë të nevojshme thirrjen e forcave të ndërhyrjes së shpejtë. Me ardhjen e tyre policia ka rimarrë edhe një herë në dorë situatën në hyrje të Kuvendit, duke i rikthyer protestuesit në pozicionin e tyre fillestar, ndërkohë që këta të fundit nuk kanë nguruar që në vazhdimësi të hidhnin shishe e shkopinj në drejtim të forcave blu. Në këtë situatë duket se ka mbetur e dëmtuar edhe deputetja e LSI-së, Floida Kërpaçi, e cila është shfaqur para mediave e gjakosur në dorë, ndërsa ka akuzuar për këtë forcat e policisë, të cilat sipas saj kishin ushtruar dhunë. Por situata do bëhej edhe më kaotike në momentin që një grup të rinjsh nga hapësira e selisë blu do të gjuanin me flakadan forcat e gardës që gjendeshin në sheshin para Kuvendit.

Votimi

Në një situatë të tillë të tensionuar, ku jashtë protestuesit tentonin në vazhdimësi të mësynin Kuvendin duke u përplasur me policinë, brenda sallës rinisi seanca plenare, ku mazhoranca tentoi të kalojë me shpejtësi projektvendimet e para që ishin në rend të ditës. Natyrisht që momenti kulminant ka qenë ai kur ka ardhur radha e votimit të projektvendimit për zgjedhjen e kryeprokurores së re. Pamjet që deri në atë moment kishin shoqëruar zhvillimet jashtë Kuvendit, kishin mbërritur edhe brenda sallës. Deputetët e PD-së, mes të cilëve Ervin Salianji kishte mundur që të shmangte kontrollet e Gardës në hyrje dhe të fuste në sallë disa flakadanë, të cilët i shpërndau edhe te kolegët e tjerë, të cilët nisën t’i hidhnin në drejtim të kryeministrit, Edi Rama, duke evokuar në këtë mënyrë pamjet që shoqëruan zhvillimet parlamentare në Kosovë rreth 1 vit më parë. Salla u mbush me tym ndërsa situata doli tërësisht jashtë kontrollit. Për t’i dhënë fund sa më parë këtij tensioni, kreu i Kuvendit kërkoi të hedhë në votim të fshehtë votimin e kandidates që kishte marrë firmat e deputetëve socialistë për kryeprokurore, por votimi për pak momente ka qenë i pamundur. Kjo pasi deputetët e opozitës i kishin marrë kartat e votimit disa prej deputetëve socialistë, duke bërë kështu praktikisht të pamundur votimin e fshehtë elektronik. Kështu, ra në sy momenti që deputetja dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, tentonte me forcë t’i merrte kartën e votimit deputetit Ulsi Manja, ndërsa deputetja tjetër e LSI-së, Kejdi Mehmetaj u vu re duke u konfrontuar me deputetin socialist, Bujar Çela për të njëjtën arsye. Në një situatë të tillë, kryeparlamentari Ruçi ndërpreu edhe një herë seancën deri sa të zgjidhej situata e kartave, por kjo ka shërbyer vetëm për të larguar median nga salla, por jo deputetët. Nga pamjet e shpërndara pas seancës u vu re kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e cila fillimisht heq këpucët dhe tenton të godasë kryeministrin Edi Rama, i cili megjithëse seanca ishte ndërprerë nuk kishte lëvizur nga vendi i vet. Ajo nuk ndalet me kaq, pasi teksa tenton të godasë kryeministrin me gjithçka i del para nuk i kursen atij edhe një arsenal të tërë sharjesh dhe etiketimesh të rënda. Për t’i dhënë fund një situate të tillë, Ruçi rihap dhe një herë votimin, ndërsa deputeti i PD-së, Flamur Noka, një prej flakadanëve që mbante në dorë, e hedh në drejtim të kryeministrit, duke rrezikuar shumë ta godasë. Ndërkohë që punonjësit e gardës kishin hapur çadrat për të pritur çdo lloj sendi që hidhej në drejtim të tij dhe të kryetarit të Kuvendit. Me 69 vota pro, 2 kundër dhe 2 abstenim, mazhoranca arriti të votojë dhe të zgjedhë Arta Markun kryeprokurore. Por megjithëse shumica i kishte numrat realë në sallë për ta votuar kryeprokuroren, votimi më pas rezultoi se ishte shoqëruar me parregullsi që cenojnë ligjshmërinë e tij. Kjo pasi për të zëvendësuar kartat që i kishin marrë deputetët e opozitës, përfaqësuesit socialistë gjetën si zgjidhje që të marrin disa nga kartat e deputetëve demokratë dhe të votojnë me to. Një prej deputetëve të shumicës që mori kartat e deputetëve të opozitës ishte dhe Balla, i cili nga pamjet e dhëna në media shihet duke marrë kartën e një deputeti të PD-së. Por kjo përbën një shkelje dhe parregullsi, pasi karta është e personalizuar me emrin e deputetit dhe në tabelën e votimit del si votues deputeti, të cilit ajo kartë i përket dhe jo kush e ushtron të drejtën e votës. Kështu, ndonëse opozita nuk mori pjesë në votim, në tabelën e votimit rezulton se ka votuar edhe deputeti Genc Pollo dhe deputeti, Ervin Salianji. Një gjë të tillë e ka pranuar edhe vetë kryetari i grupit të PS-së, Balla, i cili ka sqaruar se ishin detyruar që të merrnin kartat e opozitës për të votuar, pasi kjo më parë kishte marrë me forcë kartat e deputetëve të PS-së. Por edhe me këtë problematikë, votimi tregoi se jo të gjithë brenda grupit të PS ishin dakord me procedurën dhe kandidaturën e Arta Markut. Kjo pasi 4 prej deputetëve socialistë votuan kundër vendimit të grupit. Për t’i dhënë fund gjithë debatit të shkaktuar këto javë, kryetari i Kuvendit ka ndërprerë sërish seancën, duke ftuar kryeprokuroren e zgjedhur të bënte betimin. Proces ky që sërish është shoqëruar me tensione, pasi kryeprokurorja e re i është dashur të betohet në një sallë të mbushur me tym dhe një situatë tepër të tensionuar. Madje gjatë momentit të betimit ajo i ka shpëtuar goditjes nga një prej deputetëve të opozitës, dhe kjo falë shkathtësisë së një prej gardistëve që ka eliminuar sendin e hedhur me anë të një çadre.

Ndërkohë që menjëherë pas votimit, kreu i opozitës, Lulzim Basha, e quajti puç kushtetues zgjedhjen e Arta Markut si kryeprokurore. “Sot kemi një Parlament ilegjitim të dalë nga votat dhe paratë e krimit dhe të drogës, kemi një kryeministër ilegjitim, të aferave të krimit, drogës e korrupsionit dhe një kryeprokuror ilegjitim, kukull në duart e krimit dhe drogës, që ka vetëm një detyrë, të shpëtojë Saimir Tahirin, Vangjush Dakon, të shpëtojë Habilajt e Balilajt për të shpëtuar lëkurën e Edi Ramës, kryeministrit më të inkriminuar dhe korruptuar të Europës. Populli shqiptar dhe opozita shqiptare nuk do ta tolerojnë! Ky është fillimi i kryengritjes popullore”, deklaroi Basha.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Fuqia e dialogut në shkollë

Nga Gladiola Jorbus Mësimdhënia dhe të nxënit janë procese komplekse dhe të...
Read More