Luksi i moçmë i përrallave të Kutelit

Plot 30 vjet pas botimit të parë të përrallave “Tregimet e moçme shqiptare”, të Mitrusht Kutelit,  për herë të parë ky libër fundamental për letërsinë shqiptare del në një botim luksoz. Janë trashëgimtarët e Kutelit, të cilët kanë menduar se tani është koha për ta rezervuar si një libër luksoz në biblioteka, por në kushte mbijetese botuesit e “Kutelit” e kanë nxjerrë librin në shumë pak kopje

Unë i ktheva këngët në prozë që t’ua lehtësoj hë për hë kuptimin fëmijëve, por proza nuk mund ta përfshinte e ta pasqyrojë kurrë poezinë në tërë madhështinë e saj ritmike, muzikore, ndjenjësore. Të përpiqesh ta kthesh këngën në tregim është, shpesh, pothuaj e njëjta gjë sikur të mundohesh të futësh qiellin në një shami. Prandaj i porosita fëmijët e mi – siç porosit gjithë lexonjësit e vegjël, të këtij libërthi – që t’i lexojnë vetë balladat dhe rapsoditë tona të bukura. Atëhere, ndofta, mund të thonë edhe ndonjë fjalë të hidhur për shkronjësin e këtyre radhëve, që s’mundi t’u japë veçse diçka të zbehtë, pa ngjyra e gjallësi…Ah le ta ndjejnë drejtpërdrejt, thellë e më thellë madhërinë e artit tonë popullor, dhe sidomos rapsodinë e Gjergj Elez Alisë, dhe s’kam veçse të gëzohem dhe të pranoj buzëgaz qërtimet e tyre… – Me këto fjalë shkrimtari Mitrush Kuteli tregon se si shfrytëzoi gjithë kulturën popullore të mbledhur prej tij në një përmbledhje përrallash në Tregimet e Moçme, duke u bërë një libër tipik klasik i letërsisë shqiptare dhe një libër që mban rekordin e ribotimeve në këta 27 vjet, por dhe një nga librat më të shitur, nga rënia e komunizmit. Në çdo panair libri, por dhe nga treguesit e librarive, si dhe shitjet online, kryevepra e magjisë popullore shqiptare  vazhdon të mbetet një rekomandim i përhershëm për fëmijet dhe një zgjidhje brilante për të kuptuar esencën e fantazisë së kulturës popullore.

Botuar së pari më 1987, më pas më 2005, me botimet Mitrush Kuteli, është ribotuar më 2015. E njohur me disa versione në fasadën e kopertinave, Tregimet e Moçme, vjen së fundi në një botim luksoz të përgatitur nga trashëgimtarët e tij.

Me një lidhje cilësore, me kopertinë të kuqe e të dekoruar, libri u paraqit në panairin e fundit të Tiranës, nëntor 2017, ku familjarët kishin nxjerrë për shitje shumë pak kopje, duke u shprehur se kaq ishte mundësia e tyre botuese, pa u mbështetur financiarisht nga asnjë institucion. Libri shënon në faqen e parë nga vetë autori: Në parafjalë, ose bisedime me katër fëmijët e tij dhe me vetveten rreth këtij libërthi, botohet sipas daktiloshkrimit.

E bija, Atalanta ka treguar se nuk kanë ndryshuar asgjë nga version i parë, duke i qëndruar besnik librit siç e ka lënë i ati, Mitrushi, ku parafjala e tij tregon se si arriti të krijontë këtë botim legjendë të letërsisë shqiptare, e sidomos për fëmijë.

Ja si shprehet shkrimtari në hyrje të kësaj bisede në parafjalë me fëmijët, se çfarë pune i duhet një përralltari për t’jua afruar botës së fëmijëve: Vështirë e ka sot përralltari shqiptar; fëmijët tanë kërkojnë gjithnjë më shumë përralla. Dhe nuk i duan sido-kudo, po të reja, të padëgjura, të palexuara.  Dhe domosdo të bukura, me thelb, me kuptim.

Dëgjoni ç’më ndodh mua. Kur më shohin pak më të ngeshëm, ata të katër “rebelet” e mi (kështu u them unë, sepse janë edhe të qetë, po edhe të zhurmshëm; të urtë, po edhe kryeneçe; të shtruar po edhe… rebelë), më rrethojnë, më heqin për mënge, më hetojnë…

Materialet që Kuteli mblodhi me durim e kujdes, i përmblodhi në vëllimin “Këngë e britma nga qyteti i djegur”, Fryt i përpunimit me mjeshtëri i materialeve folklorike ishte edhe vëllimi “Tregime të moçme shqiptare” etj

Të njëmbëdhjetë rrëfimet e vëllimit “Tregime të moçme shqiptare” të Kutelit (1907-1967), siç e thotë edhe vetë titulli, janë rikallëzime të motiveve tona popullore – të baladave, të eposit të kreshnikëve dhe të kohës së luftërave të gjata shqiptaro-osmane. Këto tregime, të veshura me bukuritë artistike prej njërit nga mjeshtrit e mëdhenj shqiptarë të rrëfimit, Mitrush Kuteli, monumentalizojnë universe e drama të papërsëritshme të tri kohëve të etnisë – të kohës kur arbërit sfidoheshin nga fuqi të padukshme e nga bajlozë dhe shkelës gjithfarësh që vinin nga toka e deti (“Rozafati”, “Besa e Kostandinit”, “Gjergj Elez Alia” e “Ymer Agë Ulqini”), të kohës së kreshnikëve, pra të shekujve pas zbritjes së fiseve endacake sllave në tokat e Ilirisë (“Muji dhe zanat”, “Muji dhe Behuri”, “Ajkuna qan Omerin” e “Omeri i Ri”) dhe të kohës së treqind kryengritjeve shqiptare kundër osmanëve (“Shega e Vllastari”, “Turku rrëmbeu një arbëre” dhe “Skënderbeu e Ballabani”).

Një rastësi bashkon sërish Tregimet e Moçme të Mitrush Kutelit me ilutrimet unike që ka krijuar enkas për këto përralla piktori Gazmend Leka. Në ditët e panairit të librit Tirana 2017, ndërsa në Universitetin e Arteve, Leka iu rikthye viteve ’86 kur paraqiti për herë të parë ciklin e përrallave në vizatime, vajzat e shkrimtarit nxorrën një botim luksoz të Tregimeve. Pas njohjes së disa ribotimeve, duke u renditur një nga librat më të lexuar të të gjithë kohërave, nga gjithë gurpmoshat, dhe pse janë përralla, trashëgimtarët thonë se kishte ardhur koha për të pasur një botim luksoz të tyre, tashmë të bërë realitet. Por në panair për ta testuar pritjen e lexuesit, patën nxjerrë shumë pak kopje të tij, me frikën se lexuesit nuk do mund t’ja mbajë xhepi, por me dëshirën për të pasur në bibliotekë një libër luksoz fundamental. V.M

 

Gazmend Leka për median: Ilustrimet, si u prezantuan përrallat e Kutelit më ’86, jehona e librit

Para pak kohësh piktori Gazmend Leka ka paraqitur në galerinë FAB, ciklin me vizatime “Tregime të moçme shqiptare”, në rastësi me ditët e organizimit të panairit të librit në Tiranë, në nëntor 2017, kur edhe doli botimi lukzos i Përrallave të Kutelit.

Piktori ka treguar se ky ka qenë cikli më i rëndësishëm i realizuar në karrierën e tij si piktor, duke e shfrytëzuar këtë herë për studentët. tregon se ky është një nga ciklet më të rëndësishme në aktivitetin e tij dhe këtë herë e ka shfrytëzuar për studentët.

Piktori ka treguar se ciklin e ka krijuar në vitin 1986 duke ilustruar për herë të parë librin e Kutelit. “Ishte Brikena Çabej ajo që ma propozoi, pasi e dinte që unë kisha një manjetizim drejt kësaj pasurie shpirtërore të shqiptarëve dhe që përpara këtij libri, kisha ilustruar një tjetër libër të Institutit të Folklorit me titull “Ballada Popullore”. Brikena donte që të ilustroja disa tregime, por unë i propozova t’i ilustroja të gjitha, të bëja edhe ilustrime të vogla mbyllëse dhe të shkruaja titujt manualisht, për t’i dhënë librit frymën e kohës. Ramë dakord menjëherë dhe për një kohë shumë të shkurtër e me një tension të madh krijova 36 vizatime me penë. I bëra menjëherë dhe me frymëzim, pasi e gjithë qenia ime në ato vite të formimit tim ishte e mbushur me figurat, simbolet dhe metaforat, të cilat populloheshin prush midis rreshtave. Bëhej fjalë për legjenda arketipale sikurse “Rozafa”, “Kostandini e Doruntina”, “Vajza e Diellit dhe e Hënës”, “Gjergj Elez Alia” etj. Nuk kisha studio atë kohë dhe më duhej të punoja në orët e vona të natës, kur gjithë shtëpia ime pushonte në gjumë. Bëja një vizatim në ditë dhe isha i etur ta shihja ciklin e kryer sa më shpejt”, ka pohuar piktori për librin, kur më ’87 krijoi një jehonë mjaft të madhe te lexuesi. Ekspozitën e parë me to, e pati në ekspozitën Kombëtare të Arteve Figurative në sallat e katit të parë të Pallatit të Kulturës, ku merrnin pjesë artistë nga e gjithë Shqipëria.

“Cikli u vlerësua me çmimin e madh si “Vepra më e mirë e arteve figurative”. Ndërkohë që më akordohej çmimi, në gazetë shkruhej se këto vizatime të bëra me mjeshtëri të lartë, mbartnin një frymë të theksuar mistike, fjalë kjo që nuk ishte shumë e pëlqyeshme për veshët e censurës, por për fat nuk u rigjykua e nuk ndodhi asgjë, që të më trondiste në ato kohë të vështira”. Sot ky cikël është pjesë e fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve.

 

 

Vështirë e ka sot përralltari shqiptar

Nga Mitrush Kuteli

Kuteli: Parafjalë ose bisedime me katër fëmijët e mi dhe me vetveten rreth këtij libërthi, botohet sipas daktiloshkrimit

Vështirë e ka sot përralltari shqiptar; fëmijët tanë kërkojnë gjithnjë më shumë përralla.

Dhe nuk i duan sido-kudo, po të reja, të padëgjuara, të palexuara.  Dhe domosdo të bukura, me thelb, me kuptim.

Dëgjoni ç’më ndodh mua.

Kur më shohin pak më të ngeshëm, ata të katër “rebelët” e mi (kështu u them unë, sepse janë edhe të qetë, po edhe të zhurmshëm; të urtë, po edhe kryeneçe; të shtruar po edhe… rebelë), më rrethojnë, më heqin për mënge, më hetojnë:

-E le punën, baba?

-E lashë.

-Tani ç’do të bësh?

-Do të çlodhem.

-Mirë, çlodhu e rrëfena një përrallë.

Këto fjalë kumbojnë më fort si urdhër se sa si lutje. Unë bëj buzën në gaz, sepse më kujtohet ajo e thëna e popullit: “Rri që rri, na shkruaj një hajmali”.

Po s’kam ç’bëj: i nënështrohem urdhrit.

Mirëpo me të filluar përrallën e parë që më vjen në mendje, hidhet njëri e ma pret pothuaj me përbuzje:

-E dimë!

Dhe aty për aty nis e ma tregon shkurt, si një plan mësimor, me pikat kryesore: ku vajti ariu, ç’i tha dheplpra, ç’bëri lepurushi..Të gjitha!

Dhe fundja ma këput: – Këto përrallat me dhelpra dhe arinj u bënë bajate, s’na pëlqejnë më! Si folka dheplpra e ariu? Si folka gjarpëri e gargulli? Ata s’kanë gojë. Jo, gojë kanë, po jo për të folur. Më parë i besonim, tani nuk i besojmë më. Janë për të vegjëlit fare. Ja, për këtë…

Dhe më tregojnë me përbuzje të motrën e vogël, Doruntinën flokëgëshenjtë, që i shikon e fyer me ata sytë e kaltër, tërë dritë, dhe ment ia kris të qarit. Mua më vjen keq, po s’kam ç’bëj: shumica fiton! Së voglës, do t’i tregoj një herë tjetër, veçan, ndonjë përrallë me arinj, lepuj, dhelpra apo me zogj. Mbase këtë përrallë do t’ia tregojnë ata vetë, më të mëdhenjtë, kur t’iu shkrepet, që ta qetësojnë.

Pra  nis një tjetër, herë me mbret e mbretëreshë, me bij mbreti, me vrastarë thikë mëdhenj e sa të tjera. Po shpejt e shpejt hidhet e ma pret i dyti:

-Edhe këtë e dimë!

Dhë përsëri ato pikat kryesore të planit mësimor: ra e vdiq mbretëresha dhe la dy jetimë, të vegjël, të urtë, të bukur, po të mjerë. Mbreti përdrodhi mustaqet, i ngriti përpjetë, u martua së dyti. Njerka –piperka nuk i deshi të thjeshtërit, donte t’ua fshinte skotën, sepse do të bënte fëmijë nga barku i saj e t’u linte këtyre fronin, mbretërinë e gjithë të mirat. Pra i nisi e dërgoi në mal, që t’i hajë ujku. Atje, në mal…Pra iku edhe e dyta, duhet të filloj të tretën. Sapo e nis këtë, kërcen numuri tre e thotë…

*fragment nga parathënia

 

Mbi autorin

Dhimitër Pasko-Mitrush Kuteli Lindi më 13 shtator 1907 në Pogradec. Mësimet e para i mori në vendlindje, studimet e mesme në Selanik, në Shkollën Tregtare Rumune (1921-1928). Më 1931 u diplomua në Bukuresht, në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike. Më 1934 mori doktoratën në shkencat bankare dhe monetare. Për shkak të rezultateve të shkëlqyera në mësime, seriozitetit dhe kapacitetit të veçantë intelektual, u emërua drejtor i Bankës Nacionale të Rumanisë. Kundërshtimi që i bëri politikës financiare të pushtuesve gjermanë, i solli si ndëshkim mobilizimin në ushtri dhe drejtimi drejt Frontit të Lindjes. Nga rruga e vdekjes së sigurt e ktheu një telegram ku njoftohej se Nëna e tij ishte shumë sëmurë. Mundi të arrijë në Shqipëri në Shtator 1942, dy javë pasi Nëna kishte ndërruar jetë. Në janar u emërua Drejtor i Drejtorisë Qëndrore të Bankës së Shtetit Shqiptar. Dha dorëheqjen në gusht 1946, pasi nuk pranoi të firmosi kursin që pati caktuar shteti komunist mes lekut shqiptar dhe dinarit jugosllav, dhe që dëmtonte rëndë ekonominë e vendit tonë. Në maj 1947 e arrestuan dhe pasi i thanë “armik i popullit”, e dënuan me pesë vjet heqje lirie. Kuteli u dërgua në kampin e Vioçishtit, bashkë me të burgosurit e tjerë që punonin për të tharë kënetën e Maliqit. E liruan “me falje”, në prill 1949. Nga viti 1949, Kuteli nuk u mor më me ekonomi dhe punoi si përkthyes pranë Shtëpisë Botuese Naim Frashëri. Letërsisë i kushtoi kohën e pakët që i mbeti nga puna e normuar e përkthimit. Zemra e tij pushoi së rrahuri nga një infarkt, më 4 maj 1967. Veç shkrimeve të shumta në shtypin e kohës, si në fushën ekonomike dhe në atë letrare, Kuteli botoi që në të gjallë edhe 30 libra, (17 në fushën ekonomike, shumica rumanisht) ku shpaloset talenti dhe gjenia e tij krijuese si ekonomist e prozator, poet e folklorist, publicist, prralltar e kritik letrar. Një vend më vete në krijimtarinë e tij zënë përkthimet, nga Rusishtja, Rumanishtja, Frëngjishtja e Italishtja.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Të martat liberale në UET: Debatet mbi përfitimet e ideve liberale në Shqipëri mbeten të margjinalizuara

Liberalizmi ekonomik dhe politik është rruga e vetme drejt mirëqenies dhe prosperitetit....
Read More