Luli mos mendo për elefantin

Nga Gentian Gaba*

Nëse dikush ju thotë: “Mos mendo për elefantin”, arrini dot të mos mendoni për këtë kafshë? E pamundur apo jo? Pra, edhe pse dikush ju thotë mos mendoni për të, kafsha më e madhe në tokë del nga skutat e trurit tuaj. Ky eksperiment ka rrënjë të forta shkencore, tregon sa energjike është fuqia ndjellëse e fjalëve. Kjo frazë është një sajesë e gjuhëtarit George Lakoff për të demonstruar rëndësinë e fjalëve në komunikimin politik, dhe mbi të gjitha, për t’iu shpjeguar demokratëve amerikanë si t’iu transmetojnë vlerat dhe programet e tyre një elektorati të pavëmendshëm.

Kur Lakoff kërkonte që demokratët amerikanë të mos mendonin për elefantin, Obama ishte ende një senator i thjeshtë, rrjetet sociale dhe marketingu elektoral ishin në fazë embrionale, dhe e majta amerikane ishte në ditët e saj më të zeza. Humbisnin zgjedhje pas zgjedhje, të paaftë për të bindur edhe bazën e tyre elektorale, pra një analogji e fortë me situatën e demokratëve të djathtë në Shqipëri.

Lakoff, me hulumtimin e tij arriti të sqaronte rëndësinë e frame, kornizat që mendja jonë përdor për të pozicionuar konceptet që i përkasin të njëjtës fushë semantike. Për ta thënë thjesht, Demokratët dilnin nga qendrat e votimit kokulur pasi nuk komunikonin ose – më keq – për të komunikuar zgjidhnin leksikun e kundërshtarëve. Pasoja ishte një efekt dizineskues, në fakt kornizat e krijuara nga Republikanët shkonin dy herë drejt zgjedhësve falë kundërsulmeve të partisë kundërshtare. Padyshim mesazhi më i fortë ishte origjinali, i cili përforcohej. Sikurse ishte rasti i uljes së taksave, një program i djathtë i artikuluar edhe nga e majta në ligjëratë e liderëve të saj.

Suksesi i Ramës në zgjedhjet e qershorit nuk është një mister. Popullariteti i tij rrjedh nga një metodë rigoroze e të komunikuarit që, të na pëlqejë ose jo, kondicionoi debatin politik dhe pati efekte të thella mbi zgjedhjen e elektoratit. Rama ka një talent të lindur për provokimin dhe hiperbolën, gjëra që i lejon të tërheq si magnet vëmendjen e mediave dhe të mbaj në hije kundërshtarët.

Truri ynë, sipas Lakoff, është një makinë e ndërlikuar e cila përpunon një sasi mahnitëse informacioni. Sapo mundet, përdor skema – korniza – që ka përpunuar më parë. Kur diçka e re tërheq vëmendjen e tij, përpara se të fillojë nga zeroja, kërkon nëse kemi brenda nesh imazhe ose koncepte që mund të përdoren. Ne nuk e kuptojmë këtë pasi 93% e aktivitetit cerebral ndodh në nivel të nën-ndërgjegjshëm, por në mendjen tonë veprojmë nëpërmjet skemave dhe metaforave; përdorim diçka të njohur për të kuptuar më mirë diçka të re dhe të pazakontë. Nëse imazhi i vjetër është shumë i fortë, shumë i fuqishëm, metafora të çon në rrugë të gabuar. Për ta kontekstualizuar: “timoni” dhe “tepsia” ishin metafora më të thjeshta dhe familjare se “Republika e Re” dhe “oligarkët”. Imazhi i PD-së dhe hija e liderit historik, edhe pse me lista gati të reja, ishte ende shumë i vjetër dhe nuk përcolli një frymë të re te shqiptarët.

Nuk dihet nëse lideri i sapokonfirmuar i opozitës e ka lexuar apo jo librin e Lakoff, por rezultatet e zgjedhjeve dhe natyra e kundërshtarit politik lips që Basha mos të mendojë për elefantin. Nëse gjatë zgjedhjeve të kaluara Partia Demokratike pranoi kornizën e Partisë Socialiste, atë të tepsisë dhe timonit, duke “harruar” identitetin e djathtë dhe duke mos qartësuar konceptin e “Republikës së Re”, mbështeti me “spond” fushatën e Ramës duke përforcuar ligjëratën e tij. Nuk mjaftoi pra e vërteta mbi kanabisin, koncesionet, kriminalizimin etj., pasi të thuash të vërtetën mbi pushtetin dhe abuzimet nuk mjafton. Elektorati zgjedh mbi identitetin dhe vlerat e tij, të cilat shpeshherë nuk përkojnë me interesat e tij. Pra, për një pjesë të elektoratit, identifikoi veten me një lider autoritar që ngjall reminishencat e nostalgjikëve të regjimit të dikurshëm. Votuesit zgjodhën një model familjar për ata, diçka e kuptueshme për disa shtresa që kanë kaluar 45 vjet në regjimin e vjetër dhe vetëm 25 në të riun. Spostimi në qendër i Partisë Demokratike bëri që elektorati i saj të mos ta ndjekë. Ky spostim rezultoi i rrezikshëm për dy arsye: largoi bazën dhe ndihmoi të majtën të tërheqë ata pak të pavendosur që morën pjesë në zgjedhje.

Sot Partia Demokratike duhet të gjejë fjalët për të fituar. “Limitet e gjuhës sime janë limiti i botës sime”, thoshte gjuhëtari i njohur Ludwig Wittgenstein. Basha ka nevojë për një gjuhë të re e cila duhet të përshkruajë metaforën e djathtë për Shqipërinë e ardhshme. Opozita nuk duhet të jetë vetëm rojtari i qeverisë, por duhet të flasë për një botëkuptim alternativ, duhet të ketë një vizion moral për qytetarët, një botëkuptim me vlera të djathta në qendër. Për të fituar nuk është i nevojshëm një spostim në qendër, përkundrazi, nëse Partia Demokratike do të mbrojë me bindje vlerat e saj do të mbajë elektoratin historik dhe do të fitojë një pjesë të elektoratit gri. Rama këtë e ka kuptuar, për të mirën e të djathtës dhe të interesit publik është koha ta kuptojë edhe Basha përpara se të jetë tepër vonë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Film dhe kulinari: Spanjollët, me premierë botërore për Shqipërinë e ’97-ës

Mbrëmë, deri më 8 korrik, në kinemanë “Mitrush Kuteli” në Pogradec ka...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *