Një 37-vjeçar nga Lushnja është arrestuar nga policia pasi në banesën e tij iu gjetën 1.3 kilogramë kanabis sativa, 8550 fara kanabis, 1 ndezës unifikues granat dore si dhe 7 copë fishekë pistolete.
Në kuadër të operacionit “Koria”, u bë arrestimi i shtetasi Gëzim Goga, 37 vjeç, banues në fshatin Krutje e Poshtëme, Lushnje.
“Në bazë të informacioneve të mara më parë në rrugë operative për posedim të lëndëve narkotike, është shkuar në fshatin Krutje e Poshtëme dhe është ushtruar kontroll në banesën e shtetasit Gëzim Goga ku nga kontrolli i ushtruar në banesën e tij, u gjetën 1.3 Kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sattiva, 8550 fara bime të dyshuara Cannabis Sattiva, 1 ndezës unifikues granat dore si dhe 7 copë fishekë pistolete të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, sqaron policia e Lushnjes.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, Trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje i armëve dhe municionit luftarak” parashikuar nga Nenet 283, 283/a dhe 278/2 të Kodit Penal.