“Made in Albania”, jeta bruto



made inNga Miho Gjini

I dëshiruar së tepërmi për të parë një shfaqje origjinale shqiptare, kur nëpër skenat e atyre pak teatrove tona ka vërshuar “lumi” i dramave e komedive të huaja, falë edhe ngasjes së mikut tim Luftar Paja, do të hyja këto ditë në sallën e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, për të parë pjesën “Made in Albania!”. E shkruar nga dramaturgu ynë Stefan Çapaliku në trajtën më të thjeshtë të mundshme, por në afërsi me stilin e kërkesat e dramaturgjisë bashkëkohëse, me bisturinë që “operon” duke “prerë e shëruar” trupin e njeriut, shkon edhe ca më tej, deri te “vertebrat” e shoqërisë së sotme shqiptare. Pra, si “pjesë teatrore”, – sikundër e quajta fillimisht, – ajo qëndron midis dramës e komedisë, me një mesazh shoqëror tronditës, si edhe me një vështrim prej satirës therëse e humorit zbavitës. Është si një “copë jete” bruto, që i ka të dyja drejtimet: Edhe rrënimin e shpirtrave, edhe anën dëfryese, kur njerëzia s’ka ç’të bëjë tjetër, veç të qeshë hidhur nga “litari” që i vërtitet ende nëpër këmbë, sikundër ndodhte edhe te Gogoli rus, kur thoshte se “do të qeshni me lotët e mi!”.

Vetë konceptimi dramaturgjik është mjaft zbavitës. Gjithçka zhvillohet në sfondin e zhvillimit të festës së karnavaleve të një qyteti verior shqiptar, për të shpalosur atë çka fshihet përbrenda një kompanie (fasonerie) që “qep e shqep” rroba për tregun e brendshëm e të jashtëm. Para nesh radhiten makinat qepëse dhe një tufë grash me të njëjtën uniformë të shpëlarë, që i bën ato të ngjajnë me të burgosurat e dikurshme të “kampeve të riedukimit (!)”. Ato janë gjithmonë nën mbikëqyrjen e një polici injorant e të një pronari cipëplasur, të cilët vëzhgojnë pareshtur e ndrydhin deri në rraskapitje personalitetin e tyre njerëzor. Shpalosja graduale e botës së tyre shpirtërore do të shpjerë deri në shpërthimin dhe “vlimin vullkanik” të mllefit të grumbulluar kundruall një lloji të ri skllavërimi modern të trupit e të shpirtit. Diku “pikon” tragjizmi e diku tjetër humori i zi, që ushtrohet prej pasigurisë së jetës të tyre në këtë tranzicion të gjatë, që të bën të pëlcasësh e pastaj të qeshësh si ndonjë i marrë! Herë të duket se je në një spital psikiatrik, ku të marrët luajnë me gjithfarë marionetash, e herë tjetër të kujtojnë burgjet e grave gjatë punës së detyruar! Koha ka ndryshuar vërtet, por jo mentaliteti.

Këto gra e vajza të mjera, që s’e kanë gëzuar kurrë jetën e tyre, do të jenë derisa të mbyllet sipari, të automatizuara e të shoqëruara nga ritmi monoton i makinave qepëse, që herë ndërpritet e herë shtohet, çka e bën gjendjen e tyre ulëritëse. Dhe ngjall revoltën. Por sigurisht një “revoltë” e parë nga dritarja e ironisë. Gati si te “Kohët moderne” të Çaplinit, kur ingranazhet e pafund vërtiten e marrin edhe të gjorin me vete, prej trullosjes së tij, për ta petëzuar, si lëkurën e buallit! Po, edhe Çapaliku, njohës i mirë i dramaturgjisë, ka ditur t’i bëjë këto personazhe gra si pjesëza të pandara të makinave të tyre primitive, si një sfidë ndaj realitetit ekzistues fason (trajtuar sot, te ne, si arritje e madhe (!?), derisa të pëlcasin apo edhe të zbaviten në thellësinë e një bodrumi, aty mbi një tryezë karnavalesh, e cila nga pamja do t’i shëmbëllejë “darkës së shenjtë” të Jezu Krishtit para kryqëzimit të tij, për ta mbaruar pastaj shfaqjen me festën e karnavaleve me maska. Një jetë me “maska” do të vazhdojë përsëri me “maska” e do të duket sikur harrohen dhimbjet në zbavitje e sipër (!), me privacione, zhgënjime, mundime skllavëruese të kohëve të reja, me shitje të krahut e të trupit, si edhe me vrasje në rrugë nga persona që zhduken “në drejtim të paditur”. Pra, kemi një afërsi me aktualitetin ekzistues, sido që struktura e pjesës nuk e ka “peshën” e duhur, atë që quhet “pleksje dhe fuqia e kontradiktave”, kjo për vetë mbështetjen e subjektit vetëm mbi “copëza jete”, pra në episode të rastit e batuta, në fakte e ngjarje që sa ndizen dhe shuhen, për të kapërcyer rrethanat dramatike e për të dalë në “brigjet” e humorit zbavitës.

Gjithsesi, regjia e Altin Bashës, kostumografia e Iliriana Loxhës (Bashës), koreografia e Gjergj Prevazit dhe një grup aktorësh me eksperiencë skenike e plasticitet, kanë mundur të ndërtojnë një spektakël të plotë me jetë e gjallëri. Edhe dobësia tjetër e pjesës, që mbetet në të vetmen pamje e vend veprimi, kamuflohet prej një zhdërvjelltësie flakëruese aktorësh, prej ngjyrave, dritave e kërcimeve, që duket se janë kryer nga vetë krijuesit e spektaklit për atmosferë, si në një shfaqje vodevileske. Në të njëjtën kohë, edhe plastika e “manekineve” që shfrytëzohet si hapje-mbyllje, sidomos është e aksentuar bukur, në funksion të mesazheve që përcjell autori. Por edhe përdorimi i maskave shprehet si simbol i fshehjes së identitetit të personit, apo i kryerjes së veprimeve ndaj individit “me maskë”. E gjithë jeta është një “maskë”, të gjitha gratë janë të veshura njëlloj, pedalet e makinave qepëse lëvizin në të njëjtën kohë, bile edhe një gazetare që vjen t’i intervistojë automatet-gra rreth fenomenit të përdhunimit të grave të moshuara (!), është edhe ajo vetë e “automatizuar”, në plastikë e në të folur. Aludimi, që bëhet pastaj për automatizimin e krejt jetës sonë, përbën këtu paralelizmin e dytë, pas asaj të karnavaleve. Dhe nga tingulli i krejt shfaqjes do të ndihet performanca tragjikomike e këtij suzheti, i cili, në tërësinë e vet të bën edhe për të qarë, edhe për të qeshur. Pjesa e Çapalikut përcillet kështu deri në finalen e gjetur bukur me “darkën e shenjtë” të Jezu Krishtit, nga ku “shuplaka” është dhënë në trajtën më groteske e më sfiduese. Kësisoj, me mbylljen e siparit, do të ndihet mesazhi tingëllues, se shoqëria shqiptare duhet ta përligjë me domosdo etiketimin frymëzues “Made in Albania!”, për të mos e vënë kurrë atë në ankand publik a në tribunën e së qeshurës … si qesëndisje!

Dhe, do të vijmë tani tek aktorët, mjaft mirë të zgjedhur që i dhanë tonin, ngjyrën, frymën këtij spektakli, duke e mishëruar e ngritur ca më lartë pjesën e Çapalikut. Dy nga artistët tanë më të mirë të komedisë, Zyliha Miloti e Luftar Paja, janë këtu si dy “kollonata” të forta.

Luftari në rolin e një polici, si xhandarët e dikurshëm, rrondokop, shallap e injorant “te Zoti”, si edhe Zylihaja e Shkodrës, ish-partnerja dinjitoze e Tano Banushit dhe e Gjosho Vasisë së madh, aktore që e mbart humorin “me vedi” sa hap gojën, janë, si të thuash “krypa e gjellës”. Por, lezetin ata do ta kenë doemos midis dy aktorëve më të rinj, sikundër janë Aleksandër Seitaj, virtuoz, gjithashtu plastik e i gjithëpushtetshëm mes grave robina, i bindur ndaj shefit të tij, si dhe Florian Agalliu, pronar i ndërmarrjes fasone, kurdoherë në qendër, si “çelës i dyerve të komedisë”, sa serioz, aq edhe qesharak, që do të jetë shënjestra e radhës prej rivalëve, konkurrentëve, “malavitës” me vrasësit e tyre të porositur, si edhe shumë të tjerë më parë në skenën e biznesit shqiptar, shpesh informal e i përzier me segmentet kriminale e të korruptuara të tregut dhe politikës. Por, vështirë se do të shkëlqente kjo shfaqje, pa ato vajza e gra që vënë në punë makinat qepëse dhe që e servirin të qeshurën, brengën e shpirtin e tyre, fare lirshëm, ashtu si pa u vënë re.

Të dhjeta aktoret femra, personazhe të fasonerisë, mund të përmenden radhazi për seriozitetin e tyre në krijimin e figurave e të karaktereve skenike sikundër janë: Eglantina Ceno, personazhi i së cilës nuk e ka parë kurrë “dorën e burrit” e është e trembur nga “hija e policisë”, sa herë që e thërrasin aty; Sava Smaja, me beqaren e saj të mbetur me barrë pa pasur burrë asnjëherë, e cila duhet të “lindë në skenë” (!); Albana Kocaj, personazhi i së cilës “qahet sa nis e mbaron pjesa” për burrin e saj të burgosur; Arjeta Dhima, që përcjell dhimbjen e gruas së divorcuar e të mbetur lëneshë; Algiona Aga, interpretuese e së dashurës 16-vjeçare të pronarit që tashmë “e ka humbur pusullën!”; Loredana Gjeçi, që demonstron me personazhin e vet dramën e babait të saj të vdekur, aq sa do ta prishë ngaherë atmosferën e lodhshme të këtyre grave; si edhe Eva Çaushi, që gjithmonë i hakërrehet policit tutkun, duke krijuar ilaritet të qeshurash … Të gjitha këto personazhe, gra e vajza, përbëjnë karaktere të spikatura e kategori të ndryshme shoqërore, krijojnë dhimbje e humor bashkë, ashtu sikundër është edhe jeta, me vuajtje, dhimbje, peripeci e humor.

Por…, por… Ka gjithmonë një “por”, një aktore që shkëlqen ca më tepër me mjeshtërinë e saj, me plastikën e mrekullueshme, me të folurën e automatizuar të një gazetareje skrupuloze, gjoja “moderne” dhe me një përshtatje të kurdohershme, edhe pse nuk ka një rol qendror. E kjo është aktorja e re Linda Jarani.

Kemi të bëjmë me një shfaqje që të imponohet, që të “ngjit” dhe ti e merr me vete gurin e saj, edhe brengën që ofron. Të duket paksa e rënduar skenografia, por gradualisht, derisa të vijë fundi i spektaklit, do të hyjë në punë si funksion i vendveprimit e si atmosferë, për të thënë që këto gra fatkeqe të fasonerisë punojnë e jetojnë si “në një burg të vërtetë”, në atë bodrum a nën shkallët e shumta të një pallati, por që (të paktën) janë të mbrojtura nga krismat e rrugëve, të cilat ndihen e vijnë deri këtu me “larjen e hesapeve”, gjer edhe me pronarin e tyre.

Duke përfunduar, duhet të them se ky bashkëpunim i Kompanisë Teatrore “Basha” me Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, i bëri mirë jetës teatrore të hallakatur, i dha kënaqësi publikut, por sidomos i kontribuoi lëvrimit të mëtejshëm të dramaturgjisë shqipe.

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

DSSH 2017: Fjala e shkencës për zhvillimin ekonomik e reformat

Studiues të huaj dhe vendës marrin pjesë në Konferencën Ndërkombëtare në UET...
Read More