Majko: Hapim kufijtë me Kosovën! Tërbohen serbët: Provokacija

Ministri për Diasporën, Pandeli Majko, ka deklaruar dje se në fillim të vitit të ardhshëm, kufijtë mes Shqipërisë dhe Kosovës do të jenë të hapura.

Në Forumin Ekonomik të Diasporës Shqiptare të zhvilluar në Kosovë, ministri për Diasporën, Pandeli Majko, tha se Shqipëria dhe Kosova do të firmosin dy marrëveshje për diasporën në mbledhjen e përbashkët, që pritet të zhvillohet sot në kuadër të festave të nëntorit.

Majko tha se më 1 janar 2018, në vitin e Skënderbeut duhet të hapen edhe kufijtë mes dy vendeve. “Emergjencën e një marrëdhënie të re me diasporën shqiptare, e cila është shumë herë më e fuqishme në aftësi dhe kapitale. Shqipëria dhe Kosova në takimin e përbashkët midis dy qeverive edhe me rastin e ditës së flamurit do të firmosin për marrëdhënien me diasporën dy marrëveshje të rëndësishme bilaterale. Të dyja shtetet po shikojnë mundësinë për t’i bashkangjitur ambasadave një rrjet të konsoliduarish të përfaqësuesve të diasporës për të ndihmuar në promovimin e imazhit të vendit dhe interesave ekonomike të tyre. Një rrjet qendrash kulturore të përbashkëta midis Shqipërisë dhe Kosovës do të ngrihen si qendra të shqiptarisë në perëndim. Kalimi nga modeli i reminitancave në modelin e kontributit direkt në formën e investimit është prioritet dhe detyrim për shkak edhe të ndryshimeve në fluksin e reminitancave dhe zhvillimeve të rëndësishme në vendet ku bashkatdhetarët jetojnë në një numër më të madh… Në 1 janar 2018 vitit të Skënderbeut të hapim kufijtë”, -tha Majko.

Pas deklaratës së ministrit të Shtetit për Diasporën ka reagur menjëherë Serbia.

Sipas mediave serbe kjo deklaratë vlerësohet si provokim ndaj shtetit serb. Gazeta serbe Blic, shkruan se Majko në këtë forum foli në emër të kryeministrit shqiptar Edi Rama. Aty theksohet se në takim kanë marrë pjesë edhe Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Presidenti, Hashim Thaçi.

Majko, që në kohën e eksodit të madh gjatë luftës në Kosovë, ishte kryeministër i Shqipërisë, tha se në atë kohë kur Shqipëria hapi kufirin për shqiptarët e Kosovës, askush nuk kërkoi pasaporta dhe s’ka përse të kërkohen pasaporta as tani.

Ndërkohë sot, në Korçë do të zhvillohet mbledhja e përbashkët mes dy qeverive, ajo mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Në axhendën e kësaj mbledhjeje përfshihen disa marrëveshje, për dy prej të cilave foli edhe deputeti socialist, Pandeli Majko.

Kjo është mbledhja e katërt e dy qeverive, që kur në pushtet ka ardhur Edi Rama.

Mbledhja e parë u zhvillua në Prizren më 11 janar 2014, ku në atë kohë kryeministër i Kosovës ishte Hashim Thaçi. Mbledhja e dytë e përbashkët u zhvillua më 23 mars 2015, në Tiranë, ku qeveria e Kosovës prezantohej me Isa Mustafën.

Në 3 qershor 2016 dy qeveritë u mblodhën përsëri në Prishtinë, ndërsa sot radha i takon sërish Shqipërisë, në një tjetër qytet të bukur, Korça, ku kryeministri shqiptar Edi Rama do të jetë në krah të homologut të tij kosovar Ramush Haradinaj. Por ndryshe nga herët e tjera mbledhja e dy qeverive do të zgjasë dy ditë.

Mbledhja e përbashkët do të nisë në orën 16:00 të ditës së sotme ndërsa një orë më pas do të mbahet ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve ndërqeveritare, e cila do të pasohet nga një konferencë e përbashkët e dy kryeministrave, Rama dhe Haradinaj.

Të dyja delegacionet do të zhvendosen nesër në ditën e pavarësisë, në qytetin e Vlorës, ku në mesditë do të organizohet ceremonia e ngritjes së Flamurit në sheshin e “Pavarësia”.

Pas ceremonisë, do të shpallet zyrtarisht edhe logoja e vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Pas axhendës së ditës, dy delegacionet do të nisen për në Tiranë, ku do të marrin pjesë në pritjen që organizohet nga Presidenti i Republikës, me rastin e festës kombëtare. Edhe qeveria e Kosovës ka shpallur ditën e 28 nëntorit, si festë kombëtare dhe ditën e shqiptarëve.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Problemet mendore te fëmijët, flet psikiatrja: Si hetohen

Shenjat variojnë dukshëm, çrregullimet mendore karakterizohen në përgjithësi nga disa turbullime të...
Read More