Maks Velo dhe estetizimi i ferrit


Nga Yzedin Hima – “Po t’i hedhësh një sy aktakuzës që hartoi diktatura për të dënuar Maks Velon, po të njihesh me jetën e artistit para se ta dërgonin në burg, vjen në përfundimin se Maks Velo u dënua nga diktatura për të vetmin “mëkat”, ai donte të jetonte estetikisht. Donte të jetonte estetikisht me pikturat e vizatimet e tij, me veprat që realizonte si arkitekt, me letërsinë që lexonte, me vëzhgimet e holla estetike te arti, natyra, te femra.”

Prirjet e tij artistike në disa fusha të artit, e ndihmojnë Maks Velon të këtë një vështrim artistik mbi dukuritë, mjedisin e burgut, natyrën përreth tij, tiparet e të burgosurve të tjerë. Aftësia e tij për të medituar e ndihmon të bëjë përgjithësime filozofike rreth dukurive dhe fenomeneve, dhunës, sjelljes së kolegëve të tij dhe sjelljes së instrumentave të dhunës, që ai ndesh në burg e jashtë tij. Në librin e tij të titulluar “Palltoja e burgut” dhe të emërtuar si kujtime, Maks Velo ka një sërë skicash letrare me tituj të veçantë, të lidhura bashkë nga titulli i librit. Në skicën “Autoburgu ose kali i balladës” autori, makinën e autoburgut, një kamion të mbyllur hermetikisht, të lyer me ngjyrë të përzishme, e quan “Kali i Kostandinit”.

“Ballada i paska parashikuar të gjitha. Ç’duhet ky tmerr, thonja, kur e lexoja i vogël. Por ja që duhej mësuar dhe me tmerrin.” Ndërsa tek skica tjetër e titulluar “Teatri i hijeve” drita e fuqishme e projektorit të kullës së rojes i transformon të burgosurit në hije: “Hijet tona projektohen në bardhësinë e mureve të fjetores të zmadhuara, të zgjatura, të ngjeshura. Një turmë amorfe, pa emër, pa identitet, një turmë hijesh që lëviz mbi mur.”

Estetizimi i ferrit është përpjekja për të mos u shkëputur nga të jetuarit estetik të njeriut, artistit. Në këtë përpjekje të stërmundimshme, një i burgosur politik, duhet të triumfojë mbi urinë, mbi mjerimin, mbi lodhjen nga puna e rëndë, mbi dhunën permanente. Nëse ia del, vuajtjet e burgut lehtësohen. Në librin “Palltoja e burgut” gjendet një skicë letrare që i kalon mjaft parametrat e një përshkrimi a kujtimi nga një mjedis burgu. Kjo prozë, ndonëse e inkuadruar në një libër me kujtime burgu, qendron si një krijim i veçantë artistik. Kjo prozë poetike, për mendimin tim, mjaft e arrirë, titullohet “Përroi”: “Është vija më e ashpër e tokës, rrudha më e thellë në ballin e kores, takimi më dramatik midis tokës dhe ujit, është gërryerja me dhunë e sipërfaqes, një thellim i detyruar, luftë dhe rezistencë. Dhe këtu në Spaç ky përroi duket si një gërryerje me acid në pllakën e gurit, si litografi. Rrallë mund të gjesh një përrua si ky. Ka të gjitha ngjyrat. Të gjitha shkëlqimet, të gjitha dritë-hijet. Ky përrua sjell gjëmime, shkëmbinj, trupa, turbullira, si vuajtjet tona. Ky përrua ndan kampin nga bota e lirë. Nga ballkonet, nga tarraca, përroin e shohim vazhdimisht. Më duket sikur lëviz ngadalë si një llavë dhimbjeje, që përparon, shkon poshtë për të shpënë në pjesën tjetër të botës vuajtjet tona. Kjo natyrë e ndërtuar për tmerr.”

Po t’i hedhësh një sy aktakuzës që hartoi diktatura për të dënuar Maks Velon, po të njihesh me jetën e artistit para se ta dërgonin në burg, vjen në përfundimin se Maks Velo u dënua nga diktatura për të vetmin “mëkat”, ai donte të jetonte estetikisht. Donte të jetonte estetikisht me pikturat e vizatimet e tij, me veprat që realizonte si arkitekt, me letërsinë që lexonte, me vëzhgimet e holla estetike te arti, natyra, te femra. Edhe në burg, ndonëse i rrethuar nga mjerimi total, ai përpiqet të mbijetojë… estetikisht. I gjendur në rrathët e poshtëm të ferrit, në galerinë e minierës, Maks Velo shkruan: “Ndeza kandilin, një dritë e verdhë. Ja forca e Van Gogut, mendova, kjo dritë e verdhë ikandeshente. Ai donte ta vinte në çdo punë këtë dritë të fortë, ato ngjyra që janë një festë.”

Ky artist duhet të ketë patur energji të pazakonta te vetja për të triumfuar mbi dhunën, urinë, injorancën edhe të ushtruesve të dhunës edhe të bashkëvuajtësve të tij që shpesh bëheshin bashkëpunëtorë të ushtruesve të dhunës.

Kërkonte syri i tij të bukurën edhe te përroi në skaj të burgut, edhe te karakteret e fortë njerëzorë të të dënuarve edhe në galerinë vdekjeprurëse: “Në galeri kishte pak dritë dhe hijet nga kandili zmadhoheshin gjigante si pikturat e Dalisë. Muret, tavani, toka ishin pa ndarje dhe shpesh njerëzit përziheshin me hijet e tyre. Hijet afroheshin, largoheshin, kryqëzoheshin, zgjateshin, shkurtoheshin, zmadhoheshin, zvogëloheshin, e pastaj zhdukeshin fare, kur i burgosuri kalonte nga ana tjetër e kandilit.”

Maks Velo në tekstet e tij tregon se e përballoi më së miri dhunën e diktaturës me përjetimin estetik dhe filozofik të gjendjes së tij, të mjedisit ku u internua apo u burgos.

Në librin “Kohë antishënjë” ai tregon se nuk e përjetoi si fundin e botës punën e rëndë në kooperativë. Madje ai i mbush mendjen, së pari vetes, se kjo është një punë e bukur që të jep edhe kënaqësi, ndonëse qe dënim, që një arkitekt e artist të punonte si punëtor bujqësie: “Më dënojnë me punë në prodhim, një vit në një brigadë të Pezës. Punoja sa mundja, por e kisha të pamundur të arrija normën 120 metra. Kur palosja tokën me bel pala – pala kisha një kënaqësi të veçantë, atë ndjenjë të lashtë të zotërimit të tokës. Punimi i tokës më qetësonte, atëherë e kuptova se njeriu primitiv filloi të zbutet kur filloi të lërojë tokën. Palët dhe brazdat e hapura të tokës janë libri i parë, janë vepra e parë e artit.”

Edhe qelinë e burgut Maks Velo e shikon me një sy estetik e filozofik. Ndoshta e gjitha kjo ka qenë një autosugjestion për t’iu larguar statusit të të burgosurit, duke marrë statusin e vëzhguesit, artistit, filozofit. Duke vëzhguar qelinë e burgut, duke medituar për të ai shkruan:

“… atëherë kanë kuptuar të vërtetën e madhe se mirësia është e pakët dhe e rrallë, por ajo është bërthama rreth së cilës mbështillet jeta e lënduar, e vuajtur, e pashpresë, që është pjesa më e madhe e jetës njerëzore. Atëherë kuptova se nuk kisha takuar dhe nuk kisha për të takuar një kub më të pistë dhe njëkohësisht më sublim, një volum torturonjës dhe më çlironjës. Kjo është biruca, një hapësirë bosh me gjashtë faqe të pista. Kështu duhet të jetë vepra e artit, mendova me vete, kaq mësimdhënëse, kaq e papritur, kaq e rëndësishme. Kështu po mendoja duke rrotulluar sytë në këtë hapësirë boshe, në qendrën e së cilës qendroj unë, artisti.”

Në prozën dokumentare të Maks Velos, në dallim nga autorët e tjerë, më tepër se përshkrimi i dhunës, vuajtjeve, zë vend meditimi filozofik dhe estetik për gjendjen, dukurinë. Edhe për qendrimin krruspull në qeli ai mediton dhe vjen në një përfundim sa befasues po aq bindës: “U mblodha fort, shtërngova këmbët te stomaku dhe kokën në mes të gjunjëve. Ky ish pozicioni që merrja kur kaloja seanca të vështira hetuesie. Shtrihesha mbi batanije në dysheme, mblidhesha kruspull dhe dalëngadalë qetësohesha. Me sa duket trupi në momente të vështira vetëmbrojtjeje, ka nevojë të shndërrohet në një masë sa më të vogël, me sa më pak kontakt me ambientin, me një gravitacion sferik që shkon në qendër ( Është një pozicion embrional në barkun e nënës.)”

Në këtë rast autori nuk tregon dhunën, por efektet e saj. Pozicioni kruspull duke kërkuar në mënyrë instiktive pozicionin më mbrojtës që mund të gjejë njeriu, atë në barkun e nënës së tij, nënkupton se dhuna ka qënë e përbindshme, e vazhdueshme, pa shpresë shpëtimi. Forma e përdorur për të treguar përmasat dhe efektet e dhunës e kalon dimensionin e prozës dokumentare, duke i dhënë asaj vlerat e mirëfillta letrare. Ky është në përgjithësi tipar i prozës së Maks Velos.

Nga sjelljet e instrumentave të dhunës, autori bën përgjithësime për diktaturën dhe e krahason atë me qytetërimin perëndimor, demokracinë. Sjelljen e butë të policëve ditën që do të bëhej gjyqi i tij, Maks Velo e shpjegon: “Diktatura edhe në krim kishte sjelljen e saj, kish kodin e mirëdukjes, tjetër nga kodi europian. Diktaturat sillen mirë vetëm pasi të kanë bërë të vuash dhe kur të dënojnë. Qytërimi perëndimoer e ka të shkallëzuar dhe feston gëzimin. Barbaria e ka të shkallëzuar dhe i gëzohet vetëm vuajtjes. Secila i gëzohet asaj nga e cila mbijeton.”

Absurdin e dhunës dhe të diktaturës autori e ndriçon nëpërmjet një episodi gati të pabesueshëm. Shkrimtari Dhimitër Xhuvani u dënua të punonte si punëtor, pas dënimit të romanit “Tuneli”, një ndër veprat e tij më të mira në prozën e gjatë. Dënimi i autorit të kësaj vepre për shkaqe të devijimit nga metoda e realizmit socialist në nyjëtimin e saj, ishte një ngjarje e rëndomtë në diktaturë. E pabesueshmja qe, siç shkruan Maks Velo, që krahas dënimit të romanit “Tuneli”, duke e ndaluar qarkullimin e tij, krahas dënimit të autorit të këtij romani Dhimitër Xhuvani me punë të detyruar si punëtor, u dënua edhe personazhi i romanit, Vaideja, infermierja e Muzinës, fshat pranë kantierit të ndërtimit të hidroçentralit të Bistricës, nga e ka marrë temën autori. Ajo u dënua sepse kishte lidhje dashurore jashtëmartesore me inxhinjerin Gjin, personazhin e romanit.

Infermierja e vërtetë do të vuante dhunën e shtetit për shkak të infermieres personazh. Maks Velo e sjell episodin në ligjëratë të drejtë, siç ia ka treguar shkrimtari Dhimitër Xhuvani: “…Makina qendroi. Para nesh një grua që kish mbuluar fytyrën me një shami të bardhë, si mandilet e dropulliteve mundohej të mbushte një gropë në mes të rrugës. Ajo po na vononte. Si më i riu që isha, zbres nga makina, ia marr lopatën nga dora dhe nisa të mbush gropën. Nuk e njihja fare dhe nuk i fola, i bindur se do të më thoshte faleminderit që po e ndihmoja. …Sytë se si m’u dikën si të parë. Ata se si qeshën, sikur fshihnin një kënaqësi… “Ti je ai shkrimtari, Dhimitri?”, foli ajo. Nuk u befasova, sepse e dija që në kantier ishte bërë një mbledhje e madhe ku qe diskredituar “Tuneli” dhe ishte shkruar një letër kolektive. “Po”, i thashë duke mosduruar atë nënqeshje të hidhur që shprehte edhe një kënaqësi. “Mirë ta paskan bërë ty. Mua në lopatë ty në ngarkim- shkarkim. Nuk po më njeh, ë? Jam Vaideja tënde”, shtoi ajo me përbuzje, duke e quajtur veten me emrin e personazhes”. “Zot”, thashë me veten time dhe u mundova t’i shpjegoj teorinë e letërsisë, tipizimin, gërshetimin e spuntos reale me fantazinë, por qe e kotë…” Më tej Maks Velo shton: “Është takimi më tragjik midis një shkrimtari dhe një personi të bërë personazh, në tërë historinë e letërsisë botërore. Tani gjykoni kush është romani i vërtetë, “Tuneli” i shkruar nga Dhimitër Xhuvani, apo antiromani i shkruar nga diktatura.”

Në “Letërsinë e penguar” proza e Maks Velos ka tipare origjinale dhe dallon dukshëm nga proza e autorëve të tjerë. Te proza e Maks Velos detaji merr vlera të posaçme për të kaluar në përgjithësime estetike apo filozofike. Maks Velo, duke qënë një artist i penelit, artist i fjalës dhe artisti i volumeve dhe rifiniturave, në prozat e tij i përzien këto teknika, duke nyjëtuar një prozë mbresëlënëse.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Zija Çela, Çfarë lexojmë, mbetet gjithmonë e pamjaftueshme…

  Për herë të parë një shkrimtar i njohur reagon ashpër për...
Read More
CLOSE
CLOSE