Maks Velo rrëfen ‘femrat e tij’ në ‘Jetë paralele’

Një libër që ka shkaktuar shumë bujë në media. Bëhet fjalë për “Jetë paralele”, një libër i UET-Press për jetën e vështirë të artistit Maks Velo në diktaturë. Bëhet fjalë për dosjen e plotë të përndjekjes nga Sigurimi i Shtetit. Në mesin e dokumenteve pikasin edhe emrat e femrave të rëndësishme për jetën e Velos si Gertrura, vjehrra që dëshmoi kundër tij, Luçiana, e shoqja apo franceze Odile Daniel (NE FOTO), me të cilën pati një lidhje. Më poshtë Velo komenton femrat e jetës së tij.

Gertruda, si e kujtoni raportin me të?

Në fundin e viteve ‘20 filluan të vijnë në Shqipëri gratë e para të huaja, martuar me studentët që ktheheshin në atdhe, kishte italiane, austriake, gjermane, franceze, kroate, më vonë ruse. Nuk analizova periudhën e pushtimit osman, kur shqiptarët martoheshin me ballkanase.

Këto gra krijuan bërthama të vogla qytetërimi perëndimor dhe ashtu në heshtje ndihmuan shumë në ecjen përpara të Shqipërisë drejt Europës. Shumë nga ato u sakrifikuan për këtë, Zyraka Mano u pushkatua në gjyqin e Maliqit.

Më kujtohet mamaja e Pjetër Rodiqit, austriake, si na priste ne shokët e Pjetrit, Robert Shvarcin, Gim Tartarin, mua. Por ajo që nuk e harroj kurrë ishte sjellja e saj me jevgjit. Në oborrin e madh, poshtë shtëpisë, ishin një familje jevgjish. Në çdo festë ajo iu çonte ëmbëlsira, shoqëruar me buzëqeshjen e saj. Por sigurisht jo të gjitha ishin kështu. Pata fatin e keq të kisha vjehërr Gertrudën, e cila ishte anormale. Kjo kuptohet nga dokumentet që i ka ofruar Sigurimit. Si ajo, si vajza e saj, u bënë agjente. Kishin miqësi me Nevzat Haznedarin. Për librin që flet ajo nuk di gjë. Libri nuk m’u paraqit as në hetuesi, as në gjykatë.

Pse është gjithë ky shqetësim i Gertrudë Buheckes?

E kam vështirë të komentoj. Dokumenti flet vetë se çfarë ishte Gertruda dhe e bija. As nuk e kam qëlluar ndonjëherë. Ajo shkruan: “Madje edhe ime bijë më thotë se po ‘qe se do t’i ndodhë ndonjë gjë Maksit, dije se kam për të të zhdukur ty’. Ime bijë madje më ka goditur mua …” etj., etj. Si mund të jetoja me to? Të dyja ishin agjente. Sigurisht që është gabimi im që u nxitova, pa e njohur mirë u martova me Luçianën.

Luçiana. Çfarë menduat ku dëgjuat në gjyq dëshminë e saj?

Dëshminë e saj e kisha dëgjuar në mbledhjet e lagjes, në hetuesi. Është çudi se si transformohet femra, çfarë urrejtje ka përbrenda. Ajo nuk diti të ruajë dinjitetin e saj. E përdorën e bënë vegël të Sigurimit.

Nuk ka ndonjë histori timen me piktoren Safo Marko. I kam admiruar artistët dhe shkrimtarët tërë jetën. Safo ishte një grua e bukur, e zgjuar, e lexuar, shumë e aftë profesionalisht. Është një çudi se si ajo grua ra aq poshtë. Mendoj se do të ketë pasur ndonjë goditje psikike mbi një traumë të vjetër. Edhe sot e vlerësoj artin e saj. Ka kontribut jo vetëm në kopertinat e para, por në të gjithë ecurinë e grafikës, pllakatit dhe ilustrimit në ato vite. Kishte një vizatim perfekt. Mahnitesha nga kapja që ajo i bënte motivit të pllakatit. Pa dyshim është një nga pllakatistet më të mira të të gjithë lindjes komuniste. Sot duhet ta shohim si një kontribut të jashtëzakonshëm. Sot nuk ka një grafiste femër si Safo Marko, nuk e di a do të ketë!

Në raporte del shpesh emri i Odile Daniel, francezes me të cilën duket se keni pasur një histori dashurie. Ne e kemi lexuar historinë të rrëfyer sipas Sigurimit të Shtetit, por historia juaj për të cila është?

Odile Daniel është një studiuese e gjuhës shqipe dhe përkthyese. Ato vite ishte një person që luajti një rol në jetën time. Më vonë kjo mori fund. E falënderoj që më ktheu 32 punimet në vitin 1992. Më hollësisht kam shkruar për të në librin “Kohë antishenjë”.

Shkruar Nga
More from Redaksia

“Ceremonial terrorist”, Spartak Ngjela reagon ndaj ceremonisë së varrimit të Kacifas…

    Avokati i njohur Spartak Ngjela ka reaguar nëpërmjet rrjetit social...
Read More