Maks Velo: Vjehrra ime anormale, u bë agjente bashkë me gruan time

Historia tjetër përtej dokumentit-Biseda me Alda Bardhylin” është pjesa e fundit e botimit ku del e plotë dosja sekrete e përndjekjes, hetimit dhe dënimit të Maks Velos, që ka ardhur në një libër me titullin “Maks Velo. Jetë paralele” përgatitur nga Alda Bardhyli dhe nën logon e “UET PRESS”. Biseda hedh dritë mbi raportet e artistit me miqtë e të afërmit, që dëshmuan kundër tij në gjyq dhe me kthimin e territorit të lirisë në territor diktature. “GSH” boton sot pjesë nga libri.

DOKUMENTI NR. 3.
Në dokumentin nr. 3, Milto Jorgji flet për bisedat që ju bënit me Edison Gjergon, këshillat për pikturat abstraksioniste që i jepnit… Ai flet edhe për një franceze, së cilës i keni dhuruar dy portrete. Nëse hidhemi pas në kohë, cili ka qenë raporti juaj me Jorgjin? I kujtoni këto pasazhe që ai i tregon?
Shoqëria e artistëve, në të gjitha kohët e në të gjitha vendet ka qenë e hapur, se nuk kanë çfarë të fshehin. Letërsia, muzika, piktura, skulptura nuk janë subversive. Dhe unë, megjithëse rrija i vetmuar, më pëlqente të diskutoja për veprat apo autorët. Personazhi Milto Jorgji, me sa më kujtohet, ishte zbatues i skenave në Teatrin Popullor, vinte dhe ulej kur ne bisedonim, njeri pa vlera, por mesa duket me vlera negative si informator. Po më kujtohen, i kam biseduar te Klubi i Lidhjes, aty ku sot është Teatri Eksperimental.

DOKUMENTI NR. 4.
Gertruda, si e kujtoni raportin me të?
Në fundin e viteve ’20 filluan të vijnë në Shqipëri gratë e para të huaja, martuar me studentët që ktheheshin në atdhe, kishte italiane, austriake, gjermane, franceze, kroate, më vonë ruse. Nuk analizova periudhën e pushtimit osman, kur shqiptarët martoheshin me ballkanase. Këto gra krijuan bërthama të vogla qytetërimi perëndimor dhe ashtu në heshtje ndihmuan shumë në ecjen përpara të Shqipërisë drejt Europës. Shumë nga ato u sakrifikuan për këtë, Zyraka Mano u pushkatua në gjyqin e Maliqit. Më kujtohet mamaja e Pjetër Rodiqit, austriake, si na priste ne shokët e Pjetrit, Robert Shvarcin, Gim Tartarin, mua. Por ajo që nuk e harroj kurrë ishte sjellja e saj me jevgjit. Në oborrin e madh, poshtë shtëpisë, ishin një familje jevgjish. Në çdo festë ajo iu çonte ëmbëlsira, shoqëruar me buzëqeshjen e saj. Por sigurisht jo të gjitha ishin kështu. Pata fatin e keq të kisha vjehërr Gertrudën, e cila ishte anormale. Kjo kuptohet nga dokumentet që i ka ofruar Sigurimit. Si ajo, si vajza e saj, u bënë agjente. Kishin miqësi me Nevzat Haznedarin. Për librin që flet ajo nuk di gjë. Libri nuk m’u paraqit as në hetuesi, as në gjykatë.

DOKUMENTI NR. 6.
Genc Hajdari duket se ka pasur raporte të rregullta kundër jush që në vitin 1973. Ai flet për miqësinë tuaj me Hektor Dulen dhe një prishje të kësaj miqësie…
Po nuk di çfarë të komentoj këtu, dokumenti flet vetë. Më duket sikur këta kanë qenë në një shkollë spiunazhi dhe jo për artistë. Kjo gjë ka për bazë edukimin familjar.

-DOKUMENTI NR.8
Pse është gjithë ky shqetësim i Gertrudë Buheckes?
E kam vështirë të komentoj. Dokumenti flet vetë se çfarë ishte Gertruda dhe e bija. As nuk e kam qëlluar ndonjëherë. Ajo shkruan: “Madje edhe ime bijë më thotë se po ‘qe se do t’i ndodhë ndonjë gjë Maksit, dije se kam për të të zhdukur ty’. Ime bijë madje më ka goditur mua …” etj., etj. Si mund të jetoja me to? Të dyja ishin agjente. Sigurisht që është gabimi im që u nxitova, pa e njohur mirë, u martova me Luçianën.

DOKUMENTI NR. 9.
Edison Gjergo flet në hetuesi kundër jush?
Në një tjetër dokument më poshtë tregohet qartë se Gjergo ju ka denoncuar. E gjykon sot Edison Gjergon?
Gjergo ishte piktor me të dhëna, por ishte njeri i dobët. Kur u arrestua, u rekrutua. Këto vërtet ia kam thënë atij, por nuk kishin asnjë frymëzim armiqësor. Arti nuk duhet të ketë armiq. Arti i realizmit socialist, ashtu si diktatura, i krijonte armiqtë vetë, në mënyrë imagjinare. Arti duhet të ketë vetëm miq. Çfarë kisha ia thashë kur ishim në kamp, më pas i preva të gjitha marrëdhëniet me të.

DOKUMENTI NR. 14.
-E njihni burimin? Në këtë dokument raportohet për miqësinë që ju keni pasur me grupin e liberalëve, të cilët u dënuan nga Enver Hoxha, mes të cilëve dhe Fadil Paçrami. Çfarë ndodhi realisht me këtë grup dhe pse u godit nga shteti?
Sipas asaj që është shkruar duhet të jetë Dhimo Gogollari. Është Plenumi i 4-t që goditi Fadil Paçramin dhe Todi Lubonjën.

DOKUMENTI NR. 17.
Jeni në Ndroq dhe flisni për Pikason… Si i merrnit informacionet, pasi biseda juaj me operatorin nënkupton piktorin shqiptar Gjon Mili, i cili ka pasur miqësi me Pikason …
Kjo bisedë është bërë me Llambi Blidon. Po unë lexoja çdo libër, çdo revistë që vinte në Shqipëri. Isha i informuar.

DOKUMENTI NR. 22
-Në këtë dokument ju deklaroni se “revolucioni kultural mori fund në vitin 1976”. A ka pasur vërtet përpjekje për një revolucion kulturor gjatë komunizmit?
Bëhet fjalë për Kinën, ku vërtet u zhvillua një revolucion kulturor.

DOKUMENTI NR. 29
-Kujtim Buza… Çfarë të ka lënduar më shumë kur hape këtë dosje?
Që kam kaluar një pjesë të jetës sime përkrah këtyre njerëzve. Asnjëri nuk ka kërkuar falje. A duhet të ketë një ndarje mes artistit dhe njeriut, pasi në dosjen tuaj shohim shumë emra të njohur të artit që kanë qenë bashkëpunëtorë.

-… A duhet të ketë ndikim kjo në mënyrën sesi ne e shohim artin që ata kanë bërë?
Duhet të mos ketë ndarje mes artistit dhe njeriut. Kjo teorikisht. Realisht ka ndarje. Jo vetëm mes artistëve dhe njeriut, por midis të gjithë profesionistëve dhe njeriut. Kjo vjen sepse ne i idealizojmë artistët. Artisti është tjetër gjatë procesit të krijimit dhe tjetër kur është jashtë tij. Për më tepër se artistët janë me probleme psikike apo të karakterit. Artistët zakonisht jetojnë në një botë ireale, absurde, fiktive, shpesh të krijuar nga vetë ata. Artist dhe njeri me karakter të fortë janë pak. Unë pak kam njohur. -Aktekspertimi i kryesuar nga Buza, analizon rreth 246 piktura të ndryshme dhe 73 punime në dru. Bëjnë përshtypje nudot apo siluetat femërore … Erosi bëhet më i fortë në totalitarizëm?
Po, sigurisht erosi në totalitarizëm bëhet më i fortë, më i lakmuar, më i ëndërruar, si çdo gjë që është pakicë karshi kërkesës. Femrat nuk ishin ato që janë sot. Paraqitja e bukurisë dhe ofrimi i dashurisë mësohet, atëherë nuk lejoheshin. Ndiheshin keq edhe femrat, edhe meshkujt. Akti seksual i afrohej praktikës së kafshëve. Diktatura donte vetëm pjellje pa demonstruar hiret e trupit femëror.

DOKUMENTI NR. 45
-Luçiana. Çfarë menduat ku dëgjuat në gjyq dëshminë e saj?
Dëshminë e saj e kisha dëgjuar në mbledhjet e lagjes, në hetuesi. Është çudi se si transformohet femra, çfarë urrejtje ka përbrenda. Ajo nuk diti të ruajë dinjitetin e saj. E përdorën e bënë vegël të Sigurimit.

DOKUMENTI NR. 48
-Safo Marko. Emri i saj del shpesh në raporte të Sigurimit mbi shkrimtarët dhe artistët. Do të doja t’ju pyesja mbi historinë tuaj me të, por nga ana tjetër do të doja të nënvizoja faktin që Marko ka një kontribut në historinë e kopertinave të para të librit shqip. Si duhet të qëndrojë në histori ky kontribut?

Nuk ka ndonjë histori timen me piktoren Safo Marko. I kam admiruar artistët dhe shkrimtarët tërë jetën. Safo ishte një grua e bukur, e zgjuar, e lexuar, shumë e aftë profesionalisht. Është një çudi se si ajo grua ra aq poshtë. Mendoj se do të ketë pasur ndonjë goditje psikike mbi një traumë të vjetër. Edhe sot e vlerësoj artin e saj. Ka kontribut jo vetëm në kopertinat e para, por në të gjithë ecurinë e grafikës, pllakatit dhe ilustrimit në ato vite. Kishte një vizatim perfekt. Mahnitesha nga kapja që ajo i bënte motivit të pllakatit. Pa dyshim është një nga pllakatistet më të mira të të gjithë lindjes komuniste. Sot duhet ta shohim si një kontribut të jashtëzakonshëm. Sot nuk ka një grafiste femër si Safo Marko, nuk e di a do të ketë!

-Në raporte del shpesh emri i Odile Daniel, francezes me të cilën duket se keni pasur një histori dashurie. Ne e kemi lexuar historinë të rrëfyer sipas Sigurimit të Shtetit, por historia juaj për të cila është? Odile Daniel është një studiuese e gjuhës shqipe dhe përkthyese. Ato vite ishte një person që luajti një rol në jetën time. Më vonë kjo mori fund. E falënderoj që më ktheu 32 punimet në vitin 1992. Më hollësisht kam shkruar për të në librin “Kohë antishenjë”.

– E kujtoni kohën kur ju arrestuan? Si mund ta përshkruani kaq vite më pas?

Po e kujtoj ekzaktësisht. Besoj se të gjithë që janë arrestuar njëherë e kujtojnë. Them NJËHERË, sepse të burgosurit e vjetër (që ishin arrestuar dy ose tri herë) më thoshin se nuk të bën më atë përshtypje si herën e parë. Më duket normale. Si puna e martesës. Kush është martuar për herë të dytë nuk e ka pasur atë gëzim si herën e parë. Kurse arrestimi i parë është shumë tronditës. Është një ndarje e jetës me botën. Me atë botë dhe jetë që ke jetuar përpara. Marrin fund shumë gjëra, çelen probleme të reja, një jetë krejt e panjohur dhe jo e lumtur. Nuk di ç’të pret. Komunizmi në përgjithësi ishte sistemi i pasigurisë, i të papriturave. Por burgosja ishte ekstremi i pasigurisë. Pastaj ajo që ishe e veçantë në burgosjet komuniste, ishte se ti nuk përgjigjeshe vetëm për veten, por për të tjerët. Do të përgjigjeshe për të afërmit e tu. Kjo ishte më e rënda. Arrestimi ishte një ndarje totale me të kaluarën dhe një bashkim me një periudhë që do të vinte. Periudhë që do të vazhdonte deri në vdekje. Një vdekje për së gjalli. Është si një vijë e drejtë me tush që mbyllet me një rreth. Pastaj do të jesh brenda rrethit. Përgjithmonë. Po tani që u bënë kaq kohë, e që ai arrestim është një film i largët, nganjëherë mendoj se pati edhe anë të mira. Më saktë mund të quhen të dobishme. Pati nga ata që lindën dhe vdiqën brenda komunizmit, si në një kuti kartoni. Nuk e kuptoja atëherë atë nënqeshje dinake që vijëzohej në fytyrat e tyre që kishin jetuar përpara në Europë. Ata sikur na thoshin: “Ju të mjerë nuk e dini ç’është lumturia … qoftë edhe për një çast”. E kuptova mbas vitit 1992 kur shkova për herë të parë në Paris në qytetin ku kisha lindur. Brezi ynë e kishte një detyrë të madhe, por po të mos hyje në burg, këtë detyrë nuk mund ta realizoje plotësisht. Kjo detyrë ishte të përshkruaje kuçedrën. Dhe në përralla kuçedrën e njohin vetëm ata që futen te shpella e saj. Shpella e kuçedrës ishte burgu. Mendoj se po të mos kisha bërë burgun nuk do të kisha shkruar ata libra që kam botuar. As cikli i madh me VIZATIME MBI DIKTATURËN nuk mund të ishte bërë. Jam i gëzuar që së fundi po vlerësohen në botë lart nga personalitete të shquara. Nuk mund të shpikësh dhembjen as torturën, as vuajtjen. Janë këto që krijojnë laboratorin e shenjave.

-E kujtoni shkrimin e parë në birucë? Si lindi nevoja për të shkruar?
Në birucë nuk kishe mundësi të shkruaje. Dy ditë para daljes në gjyq, hetuesi Dhimitër Shkodrani më dorëzoi aktakuzën dhe më dha një fletë letër dhe një laps të vogël 5 cm, me të cilën supozohej se do të bëja mbrojtjen. Në birucë nuk kam shkruar. Kam ndier, kam përjetuar, kam menduar. Çdo gjë e shkrova pas 1989-s. Por në realitet shkrimet ishin bërë gati që atëherë.

-Jeni një ndër autorët që ka shkruar më shumë mbi periudhën e burgut, duke vendosur si në një telajo të vërtetën përtej hekurave… Ishte letërsia një domosdoshmëri për ta thënë këtë të vërtetë?

Po, letërsia ishte një domosdoshmëri. Më parë nuk më kishte shkuar në mendje se mund të shkruaja. Më mjaftonin arkitektura, piktura dhe studimet. Por pas burgut ndjeva një nevojë të papërmbajtshme për t’i shkruar ngjarjet, po ashtu bëra edhe me ciklin e madh “Burgu” me 100 vizatime. Edhe tani kam mbledhur disa ngjarje, më ndihmon shoku i Spaçit, Cesk Drangu, ai ka kujtesë të jashtëzakonshme.

-Ka shumë përcaktime sot mbi letërsinë e shkruar në burg… Ju si e shihni rolin e kësaj letërsie?
Ka rol shumë të rëndësishëm. Është një letërsi specifike që lind nga një kohë e caktuar. Duhet të kemi parasysh se ka dy lloj letërsie burgu. Është letërsia e krijuar nga Viktor Hygo me Zhan Valzhanin dhe Kozetën, që përshkruan burgjet ordinere. Është edhe letërsia që lindi si rezultat i diktaturave të shekullit XX pas rënies së komunizmit dhe nazizmit. Kjo merret me burgjet politike dhe kampet e internimeve.

-Dostojevski tregonte se i duhej një lloj distance nga koha e kaluar në burg për të shkruar librat mbi atë periudhë. Sa e rëndësishme është distanca në këtë lloj shkrimi?
Po, është e domosdoshme që të seleksionosh detajet, të zbutësh urrejtjen dhe ta vendosësh ngjarjen në një kontekst global. Kështu e ka arti dhe letërsia. Çuditërisht koha u jep një patinaturë tjetër. Besoj se koha duhet të jetë midis pesë deri 10 vjet mbas ngjarjeve, se pastaj emocionet zbehen.

-A ka një lloj disidence në letërsinë e shkruar gjatë asaj periudhe?
Kjo pyetje është shtruar shumë herë. Ishte e pamundur, vetëm Kadareja me “Pallatin e ëndrrave” mund të quhet një disidencë. I çuditshëm është dhe një rast i veçantë, ai i Engjëll Çobës që shkruan “Kujtimet e burgut” në atë periudhë, pasi del nga burgu më 1975-n, dhe që u botuan vetëm tani vonë.

-E keni rrëfyer burgun përmes vargjeve dhe prozës … A ka përfunduar ky rrëfim te ju? Po, sigurisht, tani janë bërë mbi 30 botime, sigurisht jo të gjitha mund t’i quash vepra letrare, por dobia e tyre është e jashtëzakonshme, sepse krahas dokumenteve që po botohen është krijuar edhe kjo që ju e quani fraksion. Nga ndryshon letërsia e shkruar në burg nga ajo që bëhej jashtë tij …
Letërsi të shkruar në burg ka pak. Të sqarohemi, vetëm në burgjet ordinere lejohet të shkruash dhe kanë lindur disa shkrimtarë në Francë dhe në SHBA. Letërsia jonë e burgut është shkruar pas ’90-s. Po marrim në analizë këtë. Ndryshon në atë që shumica e autorëve me të mbaruar ato kujtime nuk shkruajnë më, nuk dinë të bëjnë letërsinë e zakonshme, sepse kjo lloj letërsie ka lindur nga vuajtja dhe nga një jetë e caktuar. E gjitha është e vlefshme si dokumentacion edhe e atyre që dinë të bëjnë letërsi edhe e atyre që nuk dinë të bëjnë. Besoj se e gjitha kjo do të mbetet si letërsi e burgut nën diktaturë. Besoj se kjo tani e ka zënë vendin e vet në letërsinë që është bërë në këto vitet e tranzicionit. Historia e artit dhe kulturës gjatë regjimit komunist mbart ende shumë mistere dhe pikëpyetje mbi protagonistë të kohës.

-Vitet e fundit janë botuar libra me kujtime, autobiografi apo studime mbi atë periudhë. Sa objektive do t’i vlerësonit këto përpjekje?
Nuk ka se si mund të ishte ndryshe. Historia e diktaturës në Shqipëri u ushqye dhe u mbajt gjallë edhe nga një masë e madhe shkrimtarësh dhe artistësh. Nuk ishte i kotë dhe pa arsye zhgënjimi që bota perëndimore pati nga vonesa dhe zgjatja e jetës së regjimit në prag të nëntëdhjetës. Të mësuar me zgjedhën e gjatë osmane ishim çmësuar me lirinë. Varfëria dhe injoranca janë sindromat e zgjedhave. Enver Hoxha e pati disi të lehtë të krijonte mitin e tij. Ndihmuan shumë shkrimtarët dhe artistët. Lidhja ishte organi i ngarkuar për këtë. Sidomos pas 1973-shit, Dritëro Agolli si kryetar dhe Kujtim Buza si sekretar bënë një punë të madhe për këtë. Tani të gjithë duan të lajnë duart. Prandaj botojnë kujtime. Këto kujtime kanë shumë pak objektivitet dhe vërtetësi. Më shumë janë si fiksione. Edhe një herë tregojnë veten. Por harrojnë se një ditë (sado që të shtyhet kjo ditë) dosjet do të hapen. Arti pa moral është anije e mbytur në liman. Detyra e parë dhe më e lartë e artit është edukimi moral.

-Popujt perëndimorë i ka edukuar feja dhe arti. Duke qenë se ju jeni një ndër të atakuarit nga sistemi komunist, si e keni parë raportin mes artit dhe politikës në atë periudhë dhe si mund të lexohen sot veprat e krijuara në atë kohë?
Është një detyrë e vështirë. Gjithë problemi qëndron te gjenialiteti. Gjithmonë ka pasur gjeni që kanë koinçiduar me periudha diktatoriale. Gjenitë e zgjidhin në mënyrën e tyre. Po marr Shostakovicin dhe Kadarenë. Secili e ka zgjidhur ndryshe. Kam marrë dhuratë të 15 Simfonitë e tij dhe po i dëgjoj shpesh. Shostakovici ka në muzikën e tij, një tragjizëm të panjohur dhe të paarritur asnjëherë më parë në muzikën simfonike. Aty është tragjedia e komunizmit botëror. Kadareja ishte shumë më i sofistikuar. “Pallati i ëndrrave” është pallati i kongreseve të partisë, i pesëvjeçarëve, i dëlirit socialist dhe i varfërisë ekstreme. Pallati është tërë kampi socialist. Guximi i tij është për t’u vlerësuar lart. Raporti që Dritëro Agolli mbajti në dënimin e librit është fytyra e vërtetë e Dritëroit dhe jo shprehjet e tij babaxhane “e mo” … Përse nuk tha edhe aty “… e mo se nuk ka bëre gjë Kadareja, një libër ka shkruar…?”. Kam një përçmim dhe përbuzje për artistët dhe shkrimtarët që shartohen në politikë. Kur vetë artisti ose shkrimtari bëhet politikan, “territori i vogël i lirisë” kthehet në “territor të vogël diktatorial”. Këta shkrimtarë dhe artistë sëmuren nga sindroma e madhështisë dhe bëhen më të këqij se zyrtarët. Ata dinë të godasin më mirë shokët e tyre. Dritëroi nuk mund të jetë edhe shkrimtar edhe patriark i Partisë Socialiste. O njëra o tjetra. Këta shkrimtarë apo artistë politikanë bëjnë një lojë të dyfishtë. Publikut, kur nuk i u mjafton vlera artistike i imponohen me titujt politikë. Dhe politikanëve u imponohen me vlerat e dyshimta artistike. Mjafton të thuash në Kuvend “Tanket mbi Vlorë” … dhe jeton 15 vjet (bashkë me djemtë).

-Pse nuk kemi ende sot një histori në versionin zyrtar të asaj çfarë ka ndodhur me artin dhe kulturën gjatë komunizmit?
Nuk mund ta kemi, nuk do ta kemi edhe për 50 vjet akoma. Nuk e shihni se si duan të manipulojnë historinë tonë të dhembshme nën sundimin osman? Tani tërë protagonistët janë gjallë. Dosjet nuk janë hapur. Dokumentet kryesore të Lidhjes nuk gjenden. Tërë këto kujtime duan të falsifikojnë. Është domethënëse një fakt. Në vitin 1994, piktorët Hasan Nallbani dhe Sotir Capo, shkojnë në Galerinë e Arteve në Berat, marrin portretet e Enver Hoxhës, bërë prej tyre, por të blera nga shteti dhe i djegin. Në vitin 2000 i propozova drejtorit të Galerisë, Abaz Hados, dhe së bashku me studiuesen Suzana Varvarica ngritëm një muze në natyrë (në kopshtin e Galerisë) me vepra të vogla (buste, torse, monumente). U bë edhe ndriçimi. Reaksioni i autorëve ishte i papritur për mua. Të gjithë nuk e donin dhe bënë çmos deri sa e prishën. Nuk duan asnjë alibi. Por asnjëri deri më sot nuk ka dorëzuar titujt dhe dekoratat që ka marrë me ato vepra. Asnjë shkrimtar, kineast, piktor apo skulptor. Pastaj që të shkruhet historia e artit ose e letërsisë duhet të detektohen plagjiaturat. Ka shumë në muzikën e lehtë, atë simfonike, në skulpturë, pikturë, poezi etj. Këtë nuk ka historian dhe studiues që ta bëjë. Arti duhet patjetër të jetë origjinal. Si vetë njeriu. Nuk ka njeri kopje. Kopja, plagjiatura nuk ka vlerë. Po si mund të mbrohet e drejta e autorit, kur shteti stimulon ndërtimet pa leje duke i legalizuar. Kemi 400 000 ndërtime pa leje. Ky është treguesi. Kjo është historia më e rëndë, po këtë kush do e shkruajë? Përderisa ne sillemi me natyrën dhe territorin në këtë mënyrë, çfarë t’i thuash një artisti se vjedh një melodi dhe shkon në Eurovizion…?

-Letërsia e burgut, ku ju jeni një ndër autorët që e ka lëvruar, është një tjetër temë shumë pak e prekur në letrat shqipe. Si e shihni këtë letërsi dhe a është prekur ajo nga plagjiatura?
Kujtime për burgjet, kampet dhe qendrat e internimit të viteve 1945 – 1990, kanë shkruar rreth 30 autorë ish të burgosur apo të internuar. Letërsi kanë bërë pak. Janë katër ose pesë. Megjithatë, nuk do ta quaja një prurje të paktë. Po të shohim letërsinë e burgut në Rusi, emra të njohur botërisht janë po kaq. Dhe Rusia pati miliona të burgosur dhe të internuar. Dhembja nguroset në pak duar. Më pëlqejnë Lek Tasi, Zef Pllumi, Fatos Lubonja. Për mua nuk ka ditur të shkruajë Pjetër Arbnori, meqenëse përmendet shpesh. Më ka çuditur gjithmonë fakti që Kasëm Trebeshina dhe Arshi Pipa nuk kanë shkruar për burgjet e tyre. Nuk di si ta shpjegoj. Kjo për më tepër se ka pak, shumë pak për kampet e para, e kam fjalën për Maliqin. Mitrush Kutelin nuk e fajësoj dot se ish shumë i trembur. E mbaj mend kur vinte në klubin e Lidhjes. Ulej me kujdes me një buzëqeshje plot mirësjellje që nuk i ndahej kurrë. Sikur i falej dhe falënderonte JETËN që e la të jetonte. Në qetësinë dhe heshtjen e tij shprehej tmerri që kishte kaluar. Po Arshi Pipa iku, ish në Amerikë, ish i lirë… përse nuk shkroi. Mos ishte një nga pikat e paktit që pati me Sigurimin që e nxori jashtë…? Nuk bisedoi për librin me POEZI … poezia nuk jep të vërtetën, është një aludim, një perde filtrimi, jo një dokument. Vetëm proza është dokument. Mbi poezinë nuk betohesh, mbi prozën duhet të betohesh. Jam nga të parët që fillova të shkruaj letërsi burgu që më 1991-shin, nuk kisha as një shembull. Botova tregime të shkurtra. Tani gjithsej janë afro 80 tregime, skica dhe ese. Jam munduar të jem i drejtë, i vërtetë dhe i paanshëm, si me të burgosurit e ndershëm, si me spiunët dhe me operatorët e diktaturës. Se ka dhe diktaturë të falsitetit, të gënjeshtrës dhe të mburrjes pa meritë. Shembull unikal është Engjëll Çoba, është i vetmi që, si ka dalë nga një burg i gjatë shkroi kujtimet, por gjatë kohës më të egër të diktaturës. Është shembull i rrallë guximi dhe ndershmërie. Ata që përbuz janë falsifikatorët, se ka edhe të tillë, madje edhe të mirënjohur. I shkruajnë sot dhe thonë i kemi shkruar në burg me mend. Çdo letërsi është e prekur nga plagjiatura. Sidomos kjo lloj letërsie. Se është i vështirë, kontrolli mbi të… E di si m’u përgjigj një ish i burgosur shkrimtar kur i thashë se ke marrë nja 20 ngjarje nga libri im: “Po dhe unë isha aty”, më tha. Mjafton të qenët aty në kohën që ishe edhe ti, që atë ata ta justifikojnë për ç’do gjë që marrin, megjithëse i kisha të botuara. Letërsia është gjetje, si gjetja e kryqit ditën e ujit të bekuar në lumë. Të tjerët mund vetëm ta puthin kryqin.

 

Shkruar Nga
More from Redaksia

Perimet që duhet të konsumoni për të reduktuar ankthin, depresionin dhe atakun kardiak

Magnezi është një përbërës i rëndësishëm për trupin e njeriut dhe për...
Read More