Maksimalizimi i votave, PS e PD në dorë të aleatëve

votimePS iu ka kërkuar dje partive aleate që të mos konkurrojnë me siglat e tyre por të mbështesin listat e saj. Kërkesa është pranuar nga 23 parti por është refuzuar nga PSD, PDS, PAA, PKD. Në kampin opozitar partitë aleate po shkojnë drejt kandidimit nën siglën e PD-së.

Marrëveshja e 18 majit mes kreut të qeverisë Edi Rama dhe atij të opozitës, Lulzim Basha ka përjashtuar daljen e forcave politike në koalicione zgjedhore si mundësia më e mirë për të maksimalizuar çdo votë. Kjo si një zgjidhje që do ti vinte të gjitha palët në një start të barabartë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por edhe si një mënyrë e mirë për të asgjësuar shumicën e partive të vogla të cilat nuk kanë mundësi që jashtë koalicioneve të mund të marrin mandate deputetësh. Por ndërsa partitë e majta janë regjistruar që më parë në KQZ si subjekte më vete, nga ana tjetër marrëveshja i ka dhënë mundësi partive opozitare që megjithëse nuk mund të krijojnë një koalicion zyrtar të mund të konkurrojnë si të tilla nën siglën e Partisë Demokratike. Natyrisht që kjo ka prishur barazinë e palëve në start, pasi në këtë mënyrë opozita do të shmangte shpërdorimin e çdo vote që mund të shkonte për partitë e vogla. E gjendur në këto kushte dhe për të maksimalizuar çdo votë, Partia Socialiste po bënë përpjekje që ti përgjigjet opozitës me të njëjtën taktikë duke synuar të largojë partitë aleate nga gara në mënyrë që votat e tyre të shkojnë për siglën e PS, si e vetmja mënyrë për t’i shndërruar këto vota në mandate. Por ndërsa për partitë e vogla opozitare kjo gjë mund të jetë më e pranueshme për vet faktin se emra të caktuar të partive të vogla mund të përfshihen në listat e PD-së, për aleatët e vegjël të socialistëve kjo gjë është gati e pranueshme, pasi tashmë listat e PS-së janë dorëzuar në KQZ dhe ata nuk mund të përfshihen më në to.

Të majtët

Për të bërë të mundur këtë taktikë elektorale, kreu i socialistëve Edi Rama i shoqëruar edhe nga deputeti Musa Ulqini, i cili është ngarkuar për marrëdhëniet me aleatët zhvilloi dje një takim me disa nga partitë aleate me të cilat diskutoi mbi mundësinë e tërheqjes së tyre nga gara për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Por burime nga e majta kanë bërë të ditur se ky ishte një takim vetëm me partitë të cilat nuk arritën të regjistroheshin për zgjedhjet parlamentare. Ndërkohë që të gjitha partitë e tjera që janë regjistruar që më parë në KQZ nuk kanë qenë të pranishme. Burime të tjera bënë të ditur se ato munguan në këtë takim se nuk pranuan paraprakisht që të tërhiqnin kandidimin e tyre në zgjedhjet e ardhshme. Bëhet fjalë për partitë kryesore të cilat janë edhe aleate natyrore të PS-së që kanë një peshë të konsiderueshme elektorale, përfshi PSD-në e drejtuar nga Skënder Gjinushi, PDS-në e drejtuar nga Paskal Milo, demokristianët e Zef Bushatit, PAD-në e Eduard Abazit apo edhe kristiandemokratët që sot drejtohen nga Dhimitër Muslia. Gjithsesi pavarësisht këtyre mungesave të mëdha, të 23 partitë e tjera aleate të PS-së të pranishme në këtë takim kanë pranuar kërkesën e kryeministrit Rama për të mos u bërë pjesë e garës elektorale dhe që votat e tyre ti kanalizojnë për Partinë Socialiste. Nëpërmjet një deklarate të përbashkët për mediat tre nga kryetarët e partive të vogla, Idajet Beqiri i PUK, Petro Koçi i PSV91 dhe Gjergji Koja i Partisë Socialiste të Moderuar bënë të ditur se për shkak të taktikës elektorale kishin vendosur që të mos konkurronin në zgjedhje dhe se votat e tyre do ti kalonin PS-së. “Duke patur parasysh që nuk janë regjistruar koalicione, atëherë ne kemi vendosur që të mbështesim kudo Partinë Socialiste, në mënyrë që ajo të sigurojë 71 mandate, ose më shumë, në zgjedhjet që bëhen në 25 Qershor; që do të thotë se çdo votë e hedhur gabimisht për subjektet të tjera, që janë të spektrit të majtë politik, dëmtojnë fitoren e së majtës socialiste në zgjedhjet e 25 Qershorit”, -tha kryetari i PSV91, Petro Koçi. Ata i bënë thirrje edhe partive të tjera që nuk kanë pranuar të tërhiqen që ti bashkohen këtij vendimi si mundësia e vetme që e majta të fitojë bindshëm zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “Të 23 partitë politike u bëjnë thirrje atyre forcave politike që janë regjistruar në KQZ dhe që janë pak parti politike, duke filluar me Gjinushin, me Milon, me Mysliun, me Abazajn, me Ndojën etj., që të tërhiqen nga KQZ”, -tha Idajet Beqiri i PUK.

Refuzimi

Por thirrjes së PS-së I janë përgjigjur vetëm partitë që nuk kanë ndonjë peshë të madhe elektorale, pasi aleatët e saj kryesor dhe që mund ta dëmtojnë realisht në zgjedhje nuk kanë pranuar të heqin dorë nga konkurrimi. Kështu, duke përjashtuar LSI-në dhe PDIU-në të cilat kanë kapacitetet për të konkurruar dhe fituar mandate edhe vetëm, edhe PSD, PDS, PKD, PAD kanë vendosur që të qëndrojnë në garë dhe të mos e tërheqin kandidimin e tyre. Duke iu përgjigjur interesit të mediave, kreu I socialdemokratëve, Skënder Gjinushi ka deklaruar dje se PSD do arrijë vet të marrë minimalisht dy mandate. “Nuk pranoj të tërhiqem nga zgjedhjet e 25 qershorit. Po u tërhoq PSD nuk fiton e majta. “Delet manare” le të tërhiqen, por jo “deshtë”. E majta fiton vetëm me PSD-në dhe 71 mandatet në Kuvend arrihen me PSD-në. PSD do sigurojë të paktën dy mandate në këto zgjedhje. Nëse Rama mendon se i duhen aleatët, të krijojë koalicionin dhe të regjistrohet në KQZ, ka edhe dy ditë kohë, deri në datën 26”, -tha Gjinushi. Ndërkohë që kreu i PDS-së, Milo deklaroi se nuk ishte ftuar fare për të qenë pjesë e kësaj tryeze. “Nuk jam ftuar në atë tryezë dhe nuk mund të shkoj pa ftuar. Dhe fakti që nuk jam ftuar do të thotë që nuk kanë nevojë për ndihmën dhe mbështetjen time. S’mund ta pres ftesën nga Petro Koçi kur ai nuk është regjistruar fare në zgjedhje pasi nuk arriti të marrë firmat e duhura. Nëse PS kërkon të bisedojë me mua të më ftojë në tavolinë, të bëjmë negociata dhe të shikojmë nëse arrijnë apo jo në marrëveshje”, -tha Milo. Ndërsa PKD, e cila është një forcë që sot ka përfaqësim në parlament sqaroi opinionin se takimi i djeshëm i Edi Ramës me partitë aleate ishte vetëm me ato subjekte të cilat nuk arritën të regjistroheshin si subjekte zgjedhore më vete. “PKD konkurron në 12 qarqet e vendit me listat e saj me intelektualë të mirënjohur në fusha të ndryshme. PKD tashmë ka filluar fushatën duke transmetuar programin e saj”, thuhet në deklaratën e PKD-së. Natyrisht që kjo do të penalizojë ndjeshëm PS-në në raport me PD-në dhe LSI-në, në një kohë që asnjë nga aleatët e saj me peshë nuk ka pranuar t’i bashkohet thirrjes së saj për të mos konkurruar më vete.

Opozita

Ndërsa të majtët në prag të skadimit të afateve të reja në KQZ paraqiten të përçarë, e djathta duket se po bën përpjekje serioze që të dalë e gjitha nën siglën e PD-së. Dhe këtë e ndihmon shumë fakti që PD i ka ende listat shumemërore të deputetëve të hapura dhe aleatët e saj mund t’i bëjë pjesë e tyre. Përjashtim mund të bëjë vetëm Partia Republikane, e cila duket se kërkon të ruajë identitetin e saj partiak, por edhe të ketë komisionerët dhe numëruesit e vet në zgjedhjet e ardhshme, duke përfituar nga e drejta që i jep ligji. Duke folur për mediat dje, kreu i republikanëve ka lënë të hapur mundësitë për të dalë si me PD-në ashtu edhe më vete. “Kushtet e marrëveshjes e limitojnë jo vetëm PR, por edhe mundësitë e opozitës për të fituar vetëm nëse do të dalë e ndarë në zgjedhje dhe duke qenë kështu jemi përballë përgjegjësisë për të ruajtur autoritetin politik të PR, por edhe si e djathta të fitojë”, -tha Mediu. Ai gjithsesi shtoi se PR do ushtrojë dhe të drejtën e saj për të qenë pjesë e komisioneve zgjedhore, duke lënë të kuptohet se pavarësisht se mund të përfshijë kandidatët e saj në listën e PD-së do të regjistrohet edhe si sigël më vete për të patur komisionerë në zgjedhje. Një parti tjetër aleate e PD-së që ka një peshë të konsiderueshme elektorale dhe që po mendon të konkurrojë më vete është edhe Partia Agrare Ambientaliste. Burime nga PAA kanë bërë të ditur se kjo forcë ka kërkuar që të ketë 4 kandidatë në listat fituese të PD-së, në të kundërt ajo mund të dalë vetëm në zgjedhje duke konkurruar me siglën e saj. Por deri dje në mbrëmje mësohet se PAA po shkon drejt konkurrimit nën siglën e PD. Ndërkohë që partitë e tjera aleate të demokratëve, nisur edhe nga fakti se kanë një peshë më të vogël elektorale, janë duke shkuar drejt vendimit për të mos konkurruar më vete. Natyrisht moskonkurrimi më vete i aleatëve, favorizon ndjeshëm PD-në në raport me partitë e tjera kundërshtare. Kjo pasi në këtë mënyrë të gjitha votat e aleatëve do të kalonin për PD-në, çka do të sillte një maksimalizim më të madh të votës së tyre. Për të kuptuar rëndësinë që ka ky vendim mjafton të llogarisim mandatet që merr PD në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të 2013-s. Në rast se partitë aleate të PD-së do konkurronin më vete, PD do të merrte vetëm 51 mandate, ndërkohë që nëse votat e aleatëve kanalizohen për PD-në, atëherë e gjithë opozita do të merrte afërsisht 60 mandate.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Shpërbërja sovjetike e Bashkimit Evropian

Nga Leonid Bershidsky, Bloomberg Vladimir Bukovski, ish-disident që jeton në Britaninë e Madhe,...
Read More