Makthi i negociatave: Palët kthehen në zero

Kanë zgjatur afro 3 orë bisedimet mes drejtuesve socialistë dhe atyre demokratë në zyrën e Nishanit. Pas takimit kreu i qeverisë takoi ambasadorët dhe kandidatët për deputetë, ndërsa kreu i opozitës demokratët e Kavajës për të organizuar protestën e së dielës. Rama i lë edhe afro dy javë afat opozitës për t’u futur në zgjedhje

Përkundër të gjitha përpjekjeve të faktorit ndërkombëtar por edhe pritshmërive të opinionit publik, dy forcat kryesore politike në vend nuk kanë arritur as dje të gjejnë një zgjidhje për krizën politike që ka përfshirë vendin prej më shumë se dy muajsh. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka mundur më së fundi të ulë në një tryezë kryeministrin Edi Rama dhe kreun e grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi nga njëra anë dhe kreun e opozitës, Lulzim Basha dhe kryetarin e grupit parlamentar demokrat Edi Paloka nga ana tjetër, për të diskutuar gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi, çka do të kthente opozitën në zgjedhje. Por duket se tryeza ka mundur të rivendosë dialogun mes palëve, por jo t’i afrojë ato drejt një zgjidhjeje për situatën e krijuar. Bisedimet që zgjatën gati 3 orë, nuk kanë prodhuar një marrëveshje që do nxirrte opozitën nga çadra dhe do ta rikthente në parlament dhe në garën për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Takimi

Ndryshe nga një javë më parë, kur negociatat i morën përsipër t’i drejtonin dy të dërguarit europian, David McAllister dhe Knut Fleckenstein, formati i zgjedhur dje ishte më i ngushtë, ku nga bisedimet ishte përjashtuar LSI. Të parët që mbërritën në zyrën e Presidentit në orën e përcaktuar kanë qenë dy përfaqësuesit socialistë, kryeministri Rama dhe kryetari i grupit parlamentar, Gramoz Ruçi, të cilët kishin zgjedhur të udhëtonin në këmbë. Pak minuta më vonë në selinë e Presidencës mbërrin makina e liderit të opozitës, nga e cila zbret kryedemokrati Lulzim Basha i shoqëruar edhe nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka. Media e ftuar për të pasqyruar vetëm momentet e fillimit nuk arriti që të fiksonte një shtrëngim duarsh mes drejtuesve të dy kampeve politike, të cilët për aq kohë sa kamerat u lanë brenda nuk tentuan as ta shikonin njëri-tjetrin në sy. Të zënë në vështirësi, i vetmi person me të cilin arrinin të komunikonin ishte nismëtari i kësaj tryeze, Presidenti i Republikës. Ndryshe nga sa pritej takimi ka zgjatur plotë 3 orë, çka dha përshtypjen se palët ishin në rrugën e duhur për të gjetur zgjidhjen e ngërçit politik. Të parët që kanë dalë nga presidenca kanë qenë dy përfaqësuesit më të lartë socialistë, kryeministri Rama dhe kreu i deputetëve socialistë, Ruçi, të cilët ashtu siç edhe kur erdhën zgjodhën sërish të largoheshin në këmbë. Ata nuk pranuan që të deklarojnë asgjë lidhur me rezultatet e takimit pasi në tryezë kishin rënë dakord që mos të bënin asgjë publike, duke i lënë mundësi vijimit të negociatave në një moment të dytë. Kjo ishte një tjetër shenjë e mirë se palët ishin në rrugën e duhur dhe se ishin marrë vesh por jo për të gjitha gjërat. Madje kryeministri ishte edhe në humor, ku teksa shkonte drejt zyrës së tij përshëndeti me dy gishtat lart edhe protestuesit në çadrën e protestës, çka solli dhe reagimin e tyre të cilët hodhën thirrjet “Rama ik”. Ndërkohë që përfaqësuesit e opozitës pas largimit të socialistëve qëndruan në zyrën e Presidentit edhe afro 50 minuta të tjera, dhe siç u mësua më vonë kjo kohë iu kushtua pikërisht një bisede telefonike që kreu i demokratëve Lulzim Basha zhvilloi me kreun e të djathtëve europian Joseph Daul, të cilit do t’i bënte të ditur pikërisht faktin se negociatat nuk kishin ecur ashtu siç duhej dhe se kryeministri kishte hequr dorë edhe nga oferta McAllister-Fleckenstein. Pra negociatat kishin dështuar, të paktën për ditën e djeshme, pasi palët kishin rënë dakord që të vijonin kontaktet. Mungesën e rezultatit do ta konfirmonte pak minuta më vonë edhe institucioni i Presidentit, i cili në një njoftim të shkurtër do të bënte të ditur se gjatë tryezës palët shpalosën qëndrimet e tyre, por pa arritur një marrëveshje.

Dështimi

Sinjalin e parë se bisedimet kishin dështuar e dha ish-kryeministri Sali Berisha, i cili do të sulmonte ashpër kryeministrin Rama, duke e krahasuar atë me ish-diktatorin e Panamasë, Manuel Noriega. Berisha do të bënte të ditur se Rama nuk kishte pranuar një zgjidhje pasi nuk ishte i gatshëm që të lëshonte postin e tij të kryeministrit. “Karrigia e Noriegës së Shqipërisë, Edi Ramës, po shtyn vendin drejt humnerës! Në vend të një zgjidhje politike, zgjedh mbrojtjen me çdo çmim të karriges së tij!

Noriega i Shqipërisë pranon çdo gjë tjetër por jo një kryeministër teknik sepse nuk i njeh vetes asnjë përgjegjësi për Narko-Republikën që ndërtoi”, shkroi Berisha. Ndërkohë menjëherë pas largimit nga Presidenca, kreu i demokratëve do të shkonte në selinë e PD-së, ku do të takonte pikërisht demokratët e Kavajës për të organizuar protestën që do të mbahet pikërisht më 7 maj, ditën e zgjedhjeve për kryetar bashkie. Një sinjal tjetër i qartë ky se bisedimet nuk kishin sjellë ndonjë zhvillim pozitiv dhe se palët ishin sërish në pozicionet e tyre të mëparshme. Më pas ai do të takonte edhe aleatët e vet, të cilëve do t’iu bënte të ditur rezultatet e bisedimeve.

Deklaratat

Nga ana tjetër, kreu socialist do të zhvillonte një takim edhe me ambasadorët e akredituar në Tiranë dhe që janë angazhuar jo pak në zgjidhjen e kësaj krize. Ndërkohë që për të treguar se nuk tërhiqej nga asgjë që kishte deklaruar edhe në tryezën e bisedimeve ai thirri mediat në një takim partiak të zhvilluar në një nga lokalet në periferi të Tiranës, për t’iu deklaruar se PS do të shkonte në zgjedhjet e 18 qershorit dhe se ajo që duhet të vendoste a do bëhej pjesë e tyre apo jo ishte pikërisht PD. “Unë kam propozuar atë që besoj se adreson problemet objektive, një monitorim si asnjëherë më parë të gjithë strukturave të shtetit, Policisë së Shtetit, drejtorive rajonale të arsimit, etj., pikat që janë vazhdimisht të adresuara si problematike në raportet e mëparshme të ODHIR. Rregullore e avancuar për mënyrën se si duhet shmangur përdorimi i aseteve shtetërore në fushatë, kategori aktivitetesh qeveritare që nuk duhen përdorur në fushatë”, – bëri të ditur Rama lidhur me atë që ishte diskutuar në tryezë, duke bërë të qartë se kjo ofertë ishte shumë më pak nga sa ai kishte pranuar në bisedimet e një jave më parë. Por ai nuk ia mbylli derën vijimit të negociatave dhe mundësisë për të gjetur një zgjidhje, duke i lënë sërish një afat të dytë opozitës për t’u futur në zgjedhje, kësaj here duke e lidhur atë me kohën kur edhe duhet të nisë shtypja e fletëve të votimit. Afati sipas planit orientues të KQZ-së përcakton se vendim për miratimin e sasisë së fletëve të votimit që do të prodhohen për çdo qendër votimi duhet të merret brenda datës 9 mars dhe më pas KQZ duhet të përcaktoj edhe përbërjen dhe formatin e fletës së votimit. Kjo do t’i hapte më pas dritën jeshile KQZ-së që të bënte dhe përzgjedhjen dhe porosinë për kompaninë që do bëjë prodhimin e fletëve të votimit. Pak minuta më pas edhe kreu i opozitës, në një fjalim të tijin nga çadra do të konfirmonte se negociatat kishin dështuar edhe kësaj here. “Edi Rama vulosi faktin para partnerëve ndërkombëtarë se ai jo vetëm është pengesa e vetme, por se nuk ka asnjë argument qenësor”, – u shpreh Basha. Ndaj tha ai tashmë është koha që shqiptarët të marrin në dorë fatet e tyre. Dhe kjo sipas tij do të nisë pikërisht këtë të diel nga Kavaja, ku dhe do mbahen zgjedhjet për kryetar bashkie. “Çdo ditë që kalon, rrit vendosmërinë dhe bashkimin e shqiptarëve. Çdo ditë që kalon, shanset për një kompromis midis dy realiteteve zëvendësohen nga mundësia e padiskutueshme e realitetit që po vjen e do të vijë, Republikës së Re të qytetarëve shqiptarë”, -tha Basha.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Basha ia kërkon Ramës, Rama Berishës

Nga Alfred Lela Lulzim Basha të martën dhe Ben Blushi të mërkurën,...
Read More