MAPO RESEARCH: 5 ish-studentë, 5 doktorantë, 5 doktoratura në UET

5 ish-studentë të Universitetit Europian të Tiranës, tashmë janë 5 kërkues të rinj shkencorë, 5 doktorantë të cilët kërkojnë t’i thellojnë kërkimet e tyre në fushën e studimeve. UET PRESS ka botuar së fundmi doktoraturat e 5 ish-studentëve, të cilat mund të qëndrojnë dhe si libra më vete për mënyrën dhe analizën me të cilën janë trajtuar. Besarta Vladi vjen me librin “Kohët e reja të inovacionit”. Vladi ka përfunduar Doktoraturën në fushën e Menaxhimit të Inovacioneve. Anjeza Xhaferraj sjell librin “Sistemi partiak në Shqipëri”, (Struktura dhe organizimi i partive politike 1991-2013). Irena Myzeqari vjen me studimin “Ligjërimi feminist tek Kadare”. Lulzim Hoxha vjen me librin “Tjetri oriental” (Semantika e Modernitetit Europian, rasti i Shqipërisë). Gerti Sqapi vjen me librin “Demokratizimi” (Kushtet dhe faktorët që kushtëzojnë suksesin e tij). Tashmë ish-studentët e UET janë kërkuesit, profesorët dhe kapacitetet në rritje që i janë bashkuar Universitetit drejt progresit.

 

Një radiografi e plotë e ekonomisë sonë

Nga prof. dr. Adrian Civici

Inovacioni, teknologjitë e reja, financimi i kërkim-zhvillimit, start up-et, digjitalizimi etj., janë bërë sot fjalët çelës, dukuritë “magjike” që po i çojnë bizneset e të gjitha llojeve drejt eficiencës dhe suksesit në tregjet lokale e globale. Epoka e sotme po karakterizohet çdo ditë e më shumë si “epoka e ekonomisë, e dijes”, “epoka e progresit marramendës teknik e teknologjik”, “epoka e inovacionit”. Të gjitha këto nuk përbëjnë thjesht dhe vetëm një modernizim të gjuhës apo përshtatje me nocionet e reja shkencore, por përbëjnë faktorët bazë të zhvillimit, elementet më të rëndësishme të rritjes dhe eficiencës së bizneseve, rrugën më të sigurt e më të garantuar të përballimit të konkurrencës dhe zgjerimit të tregjeve. Në shpejtësinë marramendëse të zhvillimit dhe sfidave gjithnjë e më të ashpra me të cilat na përball globalizimi, evidentohen si të suksesshme, të qëndrueshme e efektive vetëm ato biznese e sipërmarrje që e kanë kuptuar dhe po e zbatojnë gjerësisht në strategjitë e tyre këtë tendencë apo filozofi të re rritjeje e zhvillimi, vetëm ato biznese që po investojnë masivisht në inovacion e teknologji. Shembujt e suksesit janë të shumtë, po ashtu dhe ato të dështimit. Hezitimi apo mungesa e vendosmërisë për t’u përfshirë në këtë proces po penalizon dhe po i nxjerr jashtë tregut edhe ato biznese që deri dje konsideroheshin të suksesshme e model në performancën e tyre, ashtu siç po na surprizon me rezultatet shpesh spektakolare të bizneseve që kanë vendosmërinë dhe largpamësinë të mos tremben e të mos hezitojnë të investojnë cilësisht në inovacion, teknologjinë digjitale e start up-e. Por inovacioni, teknologjitë e reja, digjitalizimi, start up-et etj., nuk janë thjesht dhe vetëm çështje e mundësi financimi, nuk janë vetëm dëshira të një sipërmarrësi apo drejtuesi korporate, por mbi të gjitha janë çështje edukimi me modernen dhe bashkëkohoren, janë vendosmëri e besim te nevoja për ndryshim, janë dije e njohuri që duhen kuptuar e përvetësuar nga i gjithë kapitali njerëzor i sipërmarrjes. Përballë kësaj tendence bashkëkohore me plot rezultate pozitive për sektorë të ndryshëm ekonomikë e biznese të të gjitha llojeve, realiteti shqiptar lë shumë për të dëshiruar. Në ekonominë dhe bizneset tona, dija, njohuritë moderne, inovacioni e teknologjitë moderne e digjitale apo shkalla e sofistikimit të biznesit janë akoma në stad e nivel mjaft të ulët. Mjafton t’u referohesh disa indekseve të rëndësishme ndërkombëtare që kanë të bëjnë me inovacionin dhe aksesin në teknologjitë e reja, veçanërisht atij të Forumit Ekonomik Botëror mbi Konkurrueshmërinë Globale, për të konstatuar se Shqipëria renditet në grupin e vendeve të fundit të botës në këtë aspekt. Në Shqipëri, inovacionet, dija dhe njohuritë moderne, teknologjia e informacionit dhe digjitalizimi akoma nuk po konceptohen dhe aplikohen si forca të vërteta prodhuese e eficiente për rritjen e fitimit, përmirësimin e cilësisë, uljen e kostove, përballimin e konkurrencës, zgjerimin e tregjeve etj. Treguesi i rëndësishëm dhe shumë domethënës i “shpenzimeve apo investimeve në kërkim-zhvillim” akoma është inekzistent ose tejet minimal në bizneset tona. Akoma ekzistojnë barriera e pengesa të shumta që i frenojnë bizneset, të mëdha apo të vogla qofshin, që të përfshihen në logjikën dhe rrugën drejt inovacionit dhe teknologjive moderne. Ky botim i dedikohet pikërisht këtij problemi madhor e sfide të jashtëzakonshme të biznesit shqiptar: studimin e faktorëve të brendshëm organizativ mbi nivelin e inovacionit në 234 kompani të mëdha në Shqipëri, kompani që mbajnë peshën kryesore në prodhim, investime e punësim; studimin e barrierave të llojeve dhe natyrave të ndryshme që i frenojnë këto kompani në zgjerimin e inovacionit dhe përmirësimeve teknologjike, në zgjerimin e inovacioneve menaxheriale etj.; studimin e rrugëzgjidhjeve më të mira e më eficiente për eliminimin e pengesave në rrugën drejt modernizimit teknologjik e inovativ. Ky studim i bën një radiografi të plotë pozicionit të ekonomisë sonë dhe veçanërisht kompanive të mëdha shqiptare në raport me 12 shtyllat kryesore të matjes së konkurrueshmërisë globale dhe efektit të tyre në shkallën dhe cilësinë e konkurrueshmërisë së një vendi, duke arritur në konkluzionin se Shqipëria ndodhet në fazën e një ekonomie të udhëhequr nga eficienca ekonomike, me fokus të veçantë edukimin, trajnimin profesional, cilësinë e tregut të punës, eficiencën e tregjeve financiare, zhvillimin teknologjik dhe madhësinë e tregut. Por, elementi më shqetësues që është trajtuar e nënvizuar me kujdes në këtë studim është fakti se faktorët më problematikë për të bërë biznes në Shqipëri vazhdojnë të jenë korrupsioni, burokracia qeveritare, kriminaliteti, informaliteti i lartë, shkalla e lartë e konfliktualitetit politik, dobësia e institucioneve, mungesa e kapaciteteve novatore etj. Studimi dëshmon qartë faktin se për indikatorë të tjerë më të detajuar që kanë lidhje direkte me inovacionin, të tillë si: kapacitetet për inovacion, cilësia e institucioneve kërkimore-shkencore, shpenzimet e kompanive për kërkim-zhvillim, bashkëpunimi biznes-universitete në sferën e kërkimit, produktet e avancuara teknologjike, cilësia dhe disponueshmëria e shkencëtarëve e kërkueseve etj. Shqipëria jo vetëm që nuk ka bërë progres, por përkundrazi e ka përkeqësuar situatën e saj në raport me vendet e tjera, duke u renditur e 97-a nga 144 vende të marra në studim. Me një metodologji të qartë e cilësore dhe një pasqyrim të plotë e cilësor të literaturës moderne bashkëkohore, punimi i dedikohet një studimi të thelluar të disa prej faktorëve dhe shkaqeve që kanë çuar në një gjendje të tillë, duke bërë analiza të thella e të specializuara në kërkim të përgjigjeve për pyetje të tilla: Si ndikon struktura dhe kultura organizative e bizneseve në raport me inovacionin? Çfarë efektesh ka stili i lidershipit dhe cilësitë e burimeve njerëzore në implementimin e inovacioneve? Si ndikon lloji i pronësisë dhe aktivitetit të kompanive në këto aspekte? Sa të qarta janë konceptet inovacion, progres, teknologji, start up etj., në mjediset e bizneseve shqiptare etj. Konkluzionet e rekomandimet e këtij studimi të ndara në dy grupe të mëdha problemore – analizës deskriptive që jep një panoramë të plotë të gjendjes së sektorit dhe analizës së regresionit të faktorëve kushtëzues të inovacionit – janë mjaft konkrete dhe me vlera praktike, mbi bazën e të cilave, jo vetëm që krijohet një panoramë e saktë e realitetit, por mbi të gjitha, mund të ndërtohen politika e masa konkrete për ndryshimin e gjendjes dhe përmirësimin e treguesve të lidhur direkt e indirekt me inovacionin dhe eficiencën e tij në biznesin e madh në Shqipëri. PARATHËNIE Si drejtuesit e kompanive apo bizneseve të mëdha në Shqipëri, ashtu dhe vendimmarrësit e politikanët, mund të gjejnë në faqet e këtij libri elemente shumë të rëndësishme për ndryshimin pozitiv të situatës së shkallës së përhapjes dhe efekteve të praktikave më të mira të lidhura me inovacionin, teknologjitë e reja, inovacionin menaxherial, kostot dhe drejtimet kryesore të financimit të kërkim-zhvillimit etj. Ky libër është shumë i vlefshëm dhe i rekomandueshëm edhe për qarqet akademike universitare, veçanërisht fakultetet dhe departamentet e menaxhimit të biznesit, teknologjisë së informacionit, teknologjisë industriale, menaxhimit të burimeve njerëzore etj., si dhe gjithë publikut të interesuar për problematikën dhe rolin e inovacionit dhe teknologjive të reja në zhvillimin ekonomiko-social të vendit.

 

Dy pyetje themelore, që lidhen me sistemin partiak në Shqipëri

Nga prof. dr. Tonin Gjuraj

Në këtë punim, dr. Anjeza Xhaferaj ka adresuar dy pyetje themelore, që lidhen me sistemin partiak në Shqipëri: Cili është sistemi partiak dhe cila është struktura dhe organizimi i partive politike shqiptare? A karakterizohet ky sistem nga të njëjtat tipare dhe a shfaqin partitë politike shqiptare po ato tipare të simotrave të tyre në Perëndim, apo në vendet postkomuniste? Autorja ka hulumtuar me shumë kujdes dhe shkencërisht tiparet e sistemit partiak shqiptar gjatë periudhës 1991 ‒ 2013, duke ekzaminuar partitë relevante në këtë sistem partiak, përgjatë të njëjtës periudhë kohore. Punimi mbështetet në qasjen neo-institucionale, sipas së cilës sjellja e udhëheqësve të partisë dhe strategjitë partiake nuk mund të jenë të pavarura nga konteksti strukturor në të cilën partia shfaqet. Strategjitë partiake formësohen, si nga konteksti, ashtu edhe nga momenti historik në të cilin partitë shfaqen dhe fillojnë të operojnë. Mjedisi në të cilin fillon të operojë partia është faktori kryesor përgjegjës që përcakton se ç’lloj organizate do të shfaqet dhe, siç argumentojnë edhe Katz dhe Mair (1990), ndryshimi i mjedisit ndodh shpesh të jetë shkaku i fundmë i ndryshimit organizacional. Ndonëse strategjitë e formimit dhe ndryshimit të partisë mund të jenë kontingjent dhe subjekt i zgjedhjes së udhëheqësve, kontingjenca u nënshtrohet gjithashtu kufizimeve strukturore. Prandaj, edhe studimi i partive politike shqiptare, si ajo që ndryshoi (Partia Socialiste), ashtu edhe ata që u formuan, nuk mund ta anashkalojnë kontekstin e gjerë në të cilin ata u shfaqën. Në fakt, mund të thuhet se historia e partive politike shqiptare shfaqet e ndryshme nga ajo e vendeve të tjera postkomuniste dhe pikërisht kjo e bën rastin shqiptar interesant dhe të rëndësishëm për t’u adresuar në mënyrë shkencore. Më konkretisht, në ndryshim nga vendet e tjera komuniste, ku luhatshmëria e elektoratit dhe sistemi partiak kanë përjetuar ndryshime të mëdha, në Shqipëri kemi një sistem partiak të qëndrueshëm dhe një besnikëri partiake të lartë mes elektoratit dhe partive politike. Kjo e bën rastin e Shqipërisë unik për t’u studiuar. Është e rëndësishme, po ashtu, të hulumtohet se, cilët janë faktorët që shkaktojnë këtë stabilitet në elektorat dhe, për pasojë, edhe në sistemin partiak. Për ta vërtetuar tezën e saj, znj. Xhaferaj ka ndërmarrë tre hapa: a) përcaktimin e numrit efektiv të partive dhe përcaktimin e luhatshmërisë së sistemit partiak; b) shpërndarjen e brendshme të pushtetit dhe analizën e rolit të anëtarësisë në partitë e marra në shqyrtim; c) identifikimin e burimeve të financimit të partive politike shqiptare. Partitë politike shqiptare janë parti masash klienteliste, me shtrirje të gjerë në terren, por që nuk financohen nga anëtarësia. Ata përdorin pushtetin shtetëror për të shpërblyer anëtarësinë dhe simpatizantët, për mbështetjen e marrë në kohë fushate. Një aspekt tjetër është se ato janë të centralizuara në qendër, duke lënë pak hapësirë për organizatën bazë në lidhje me procesin e vendimmarrjes. Më tej, ky punim synon të kapë thelbin e marrëdhënies ndërmjet organizimit partiak dhe elektoratit. Ai kalon nivelin e analizës nga sistemi partiak te partia, duke investiguar se ç’ndodh brenda sistemit. Partitë politike përfaqësojnë njësitë bazike të ndërveprimit dhe ndryshimit në një sistem politik. Ato janë agjentët kryesorë të përfaqësimit dhe konkurruesit kryesorë në zgjedhjet legjislative. Si rrjedhojë, është konsideruar e rëndësishme të shihet dhe shpjegohet se si ndodh zhvendosja e votave nga një parti te tjetra. Për rastin e Shqipërisë (Çili 2002) dhe Kajsiu (2004 & 2005), argumentojnë se është sistemi elektoral ai që kushtëzon partitë politike. Megjithëse ka përpjekje për të provuar se në tensionin agjenci-strukturë, partitë politike shqiptare ia dalin të formësojnë strukturën (Xhaferaj 2012), akoma nuk është studiuar se si lidhen këto ndryshime me strukturën dhe organizimin e partive politike. Pikërisht këtu qëndron, sipas meje, edhe risia e punimit të znj. Xhaferaj. Përveç kësaj, punimi përpiqet të lidhë luhatshmërinë e elektoratit dhe fragmentizimit partiak me strukturën dhe organizimin e partisë, duke konkluduar se dallimi i madh ndërmjet luhatshmërisë në nivel partie dhe luhatshmërisë në bllok, në mungesë të çarjeve shoqërore që do të prodhonin parti programatike, shkaktohet prej zhvendosjes së elektoratit sipas udhëzimeve të krerëve të partive politike. Një zhvendosje e tillë kërkon një marrëdhënie të fortë me elektoratin, pra një depërtim territorial, por jo atashim ideologjik, gjë që është karakteristikë e partisë klienteliste të masave. Për të realizuar këtë studim, autorja është mbështetur në literaturën klasike dhe bashkëkohore, mbi tipologjitë e partive politike, sistemin partiak dhe luhatshmërinë e elektoratit në Europën Perëndimore dhe në vendet postkomuniste. Në pjesën e tij empirike, studimi fokusohet kryesisht në grumbullimin e të dhënave mbi organizimin e brendshëm të partive, të marra në shqyrtim, si p.sh. madhësia dhe struktura e organizatës partiake, balanca e brendshme e pushtetit, si dhe profili financiar i partisë. Po kështu, për të plotësuar studimin, në të janë analizuar edhe të dhënat mbi rezultatet në zgjedhjet e përgjithshme, të cilat janë të nevojshme për të kuptuar llojin e sistemit partiak gjatë periudhës 1991 ‒ 2013, si edhe për të parë se cilat janë partitë politike që duhet të merren në shqyrtim. Duhet nënvizuar se këto rezultate ndihmojnë kryesisht për të kuptuar luhatshmërinë e elektoratit. Luhatshmëria e elektoratit është parë si indikator i lidhjes së partisë me shoqërinë: sa më e ulët kjo luhatshmëri, aq më të forta janë këto lidhje dhe e anasjelltas. Duke qenë se lidhjet e forta janë tipar i partisë së masave dhe ato të dobëta janë tipar i partive “kap gjithkënd”, elektorat-profesional apo kartel, ky element është parë si shumë i rëndësishëm, që indikon në mënyrë të tërthortë se cilës tipologji partiake i korrespondojnë partitë politike. Mund të thuhet pa hezitim se studimi i dr. Anjeza Xhaferaj do të jetë një referencë e pashmangshme dhe shumë e vlefshme për studentët, pedagogët, studiuesit dhe kërkuesit shkencorë të shkencave sociale dhe politike në vend dhe më gjerë.

 

Të zbërthesh identitetin feminist të një vepre

Nga Prof. dr. Ylljet Aliçka

Vështirë të gjesh në studimet tona letrare analiza kritike mbi ndërtimin e identitetit feminist të veprës letrare të një shkrimtari, kjo në terma të identitetit politik dhe seksualitetit, në një kohë kur rrallë mund të gjendet ndonjë krijim letrar i hershëm a i sotëm ku femra mos të jetë pashmangshmërisht e pranishme në vepër në mos protagoniste, figurë plotësuese. Pra, ato studime që ngulmojnë gjetjen e atyre këndvështrimeve që mundësojnë dallimin e vlerave të pashfaqura plotësisht më parë. Pranohet se në veprat e çdo shkrimtari realiteti i femrës është sa pasqyrë e saj në kohë dhe hapësirë të caktuar, aq është dhe femra në kokën e shkrimtarit mashkull, në rastin tonë të mashkullit Kadare. Thënia e njohur “Më thuaj si i ke marrëdhëniet me seksin e kundërt të të them se cili je”, në rastin e këtij studimi mund të përshtatet “Më thuaj si e trajton figurën e femrës në letërsi të të them se cili është roli emancipues i veprës tënde” apo dhe madje do ta shtyja më tej se “Cili je ti si shkrimtar në të vërtetë”. Është pikërisht ky objektiv i këtij libri në fjalë që synon të analizojë se si ndërtohet identiteti feminist te vepra e përfaqësuesit më emblematik të letrave shqipe Ismail Kadare, duke kërkuar ato veçori apo funksione kryesore që u mvishen grave, duke identifikuar dhe shqyrtuar strategjitë ligjërimore që janë përdorur në veprat e tija të përzgjedhura, jo vetëm në përmbajtjen e tyre, por edhe në stil, formë dhe strukturë. Thënë ndryshe si përvijim i përmasave më të rëndësishme të kulturës dhe të transmetimit të saj. Tërë vëllimi përvijon një mozaik që jo pak herë priret të riformohet, pikërisht sa herë përftohet si i tillë. Kjo prirje lind nga fakti se brendia e analizave dhe trajtesave e mban me vështirësi gjerësinë dhe thellësinë e objektit të studiuar, sepse për çdonjërën nga çështjet e trajtuara mund të përvijohen dhe përmasa të tjera më të gjera. Kjo dhe për vetë faktin se vepra letrare e Ismail Kadaresë ka përftuar statusin e një prej referencave kryesore të koncepteve të rëndësishme historike dhe kulturore në Shqipëri. Për shkak të dimensioneve dhe origjinalitetit që mbart vepra e tij, ajo ka qene shpeshherë terren në të cilën janë zhvilluar një sërë debatesh teorike, jo vetëm të natyrës letrare, por edhe qasjeve të tjera shkencore. Mund të përmendim këtu koncepte të tilla si nacionalizmi, tjetri, hapësirat, mitet, identitetet etj. Është kjo arsyeja që analiza e veprës së Irena Myzeqarit ndihmon në një farë mënyre, sado që në formë të përthyer artistikisht, të mund të bëhet radiografia e shkallës së emancipimit të shoqërisë shqiptare, parë në evolucionin e saj. Libri është i vetëmjaftueshëm në komunikimin e leximit, pjesët qëndrojnë në raporte varësie dhe bashkëmarrëdhënieje, përmes formash të veçanta të vlerësimit të dukurive. Në këto raporte bashkëmarrëdhënieje, përparësi nuk merr përshkrimi i dukurive, por domethënia, kuptimësia e thelbit të veprës së Kadaresë në raport me identitetin e femrës, duke krijuar një pjesë integrale të shqetësimit të tij për drejtësinë sociale. Bëhet fjalë për një libër i konceptuar si një studim interdisiplinor, që synon të sjellë së bashku teoritë e komunikimit, kritikën letrare dhe teoritë feministe, duke qenë në këtë mënyrë ndër të parat lexime ndryshe që i bëhet korpusit letrar shkruar nga ky shkrimtar, i njohur gjithashtu për ambiguitetin e tij, si një konvencion i një rëndësie të veçantë që ndikon pa masë debatin publik. Bazuar mbi qasjen se identiteti është proces, ndërtim i vazhdueshëm dhe duke pasur parasysh që letërsia luan një rol të rëndësishëm në formimin e identitetit të lexuesve të saj, studiuesja përpiqet të provokojë gjithashtu dilema e mëdyshje nëse librat e Kadaresë, shkruar gjatë periudhës së komunizmit, janë ende të rëndësishëm edhe sot dhe në cilën mënyrë. Apo nëse ato ndikojnë ende në kategoritë identitare ekzistuese, ndërkohë që pranohet se ambiguiteti dhe kompleksi i tij shfaqet në çdo faqe të veprës së tij. PARATHËNIE 2 Libri synon t’u japë përgjigje pyetjeve e dilemave të mëposhtme: Si ndërtohet identiteti feminist tek Ismail Kadare? Si ndërtohet feminiliteti? Si i mveshin karakteret tiparet gjinore? Janë përplotësues apo kundërshtues të njëri-tjetrit? Si flasin personazhet? Cila është struktura gjuhësore? Për çfarë flasin personazhet? Gruaja është gjithçka që burri nuk është? A “genderizohen” tematikat? Vetë renditja dhe emërtimet e pjesëve të librit rezonojnë me njëri-tjetrin brenda një domethënieje më të gjerë që synohet të përftojë atmosferën e përgjithshme që karakterizon këtë libër. Në një farë mënyre vetë zhanret e ndryshme stilistike, pasuria e temave të trajtuara duke filluar që nga antikiteti dhe vazhdimësia e tij moderne, shoqëruar edhe me një peizazh të gjerë personazhesh dhe karakteresh, ofrojnë apo krijojnë mundësi të mjaftueshme për të gjurmuar problemin e ndërtimit të identitetit feminist në veprën e Kadaresë. Vlerë e shtuar e këtij libri përbën gjithashtu fakti se analizat i shmangen idesë së një kuptimi a domethënieje përfundimtare, pra ky libër nuk ndalet, nuk mbyllet, duke synuar të shpalosë drejtime të reja më të thelluara, pra përmes një mënyre të tillë konceptimi ky botim mundëson këndvështrime më të gjera.

 

“Semantika e modernitetit europian mbi ‘tjetrin’ oriental”

Nga dr. Hysamedin Feraj

Tej shumëçkaje, studimi “Semantika e modernitetit europian mbi ‘tjetrin’ oriental – rasti i Shqipërisë”, me autor dr. Lulzim Hoxha, na sfidon ta rimarrim seriozitetin e fjalës. I vendosur në qasjen semantike, studimi ofron një rrëfim mbi rolin e ndryshimit kuptimor në brendësi të fjalës, sa për të kërkuar rrethanat e këtij ndryshimi nga jashtë, aq dhe realitetin që del më pas nga ky ndryshim brenda kuptimit. Në polin tjetër qëndron filozofia që vendos një hendek ndërmjet fjalës dhe veprimit (real) dhe që te ne shprehet në fjalën popullore “nga e thëna në të bërë shtrihet një det i tërë”. Polariteti i tillë shoqëron dhe ushqehet nga pragmatika të ndryshme, ku shquhen ato praktike politike. Është e dukshme se hendeku i supozuar nuk është marrë seriozisht nga askush i dhënë pas pushtetit personal. Nuk e kanë supozuar ata që Sokratin nuk e shpërfillën me sintagmën “vetëm llafe ka”, as rabinët dhe romakët nuk i reduktuan në “vetëm fjalë” predikimet e Jezuit, as kisha dhe inkuizicioni blasfemitë qofshin vetëm fjalë, as diktatorët komunistë “agjitacionin dhe propagandën”. Supozimi i hendekut mund të ligjërohet po aq nga mosbesimi te hendeku dhe besimi te fuqia e fjalës, sidomos në stadin fillestar të pafuqisë së saj. Derisa të fuqizohet. Duket sikur fuqia e fjalës qëndron në aftësinë e saj subversive. Përndjekja ose mbështetja tradicionale e “fjalës” ka qenë më shumë përndjekje ose mbështetje e “ideve” që mendoheshin të rrezikshme, përkatësisht të vlefshme për realizim. Semantika e zhvendos vëmendjen në nivel më atomik të gjuhës, te fjala. Këtu ndryshimi duket sikur ndodh në fshehtësi, pothuaj pa u vënë re, vjen nga shumë anë, a thua se “vetiu”, pa autorë dhe pakuptueshëm, aq sa kur kupton diçka krejt tjetër me atë fillestar duket sikur kuptimin e ri e ka pasur gjithnjë, dhe se askush nuk mund të bëhet përgjegjës për të. E me këtë fuqi kuptimore fjala e këshillon dhe e ndikon realitetin si të idesë ashtu dhe jashtë saj. Nën shembullin e fjalëve të tilla si “Orient”, “Oksident”, “Europë”, “Ballkan”, “modernitet” etj., veçanërisht në kapitullin e dytë dhe të tretë, studimi i dr. Hoxhës jep një ilustrim të pasur të karakteristikave të tilla të fjalës, të gjenealogjisë së kuptimit, të shumësisë së burimeve nga vjen, të fuqisë që ka ushtruar, posaçërisht në praktikat politike etj. Nën shembujt e tillë shfaqet rëndësia e veçantë e qasjes semantike: zbulon një burim të ri fuqie që, si çdo fuqi, mund të përdoret për keq e për mirë, nga tashmë të fuqishmit aq sa nga tani për tani të pafuqishmit, një fushë betejë në të cilën kur palët e shquajnë njëri-tjetrin mund të jetë shumë vonë. Veçse një përmbledhje e mirë e literaturës duket se nga kapitulli i parë kjo na vjen nëpërmjet një udhëtimi në kohë dhe a thua se gjeografik: nisur nga diskutimi i gjatë dhe më i largët ndërmjet Said dhe Lewis, afrohet në Ballkan nëpërmjet sllovenit Božidar Jezernik, bullgares Maria Todorova dhe, në kapitullin e katërt, ndalon në Shqipëri te studiuesit Enis Sulastarova, Isa Blumi etj. Nëpërmjet udhëtimit në literaturë dëshmohet diversiteti i fjalës, si dhe fuqia diversioniste e saj. I tillë është jo vetëm rasti i fjalëve “orientalizëm”, “modernitet” etj., por edhe i fjalës “komb” dhe “nacionalizëm”. Në përpjekjen e Perandorisë Osmane për t’u rifuqizuar u angazhuan prej saj termat “modernizim” dhe ndërtim i një “kombi” në themelin e saj të deriatëhershëm akombëtar. Por të dyja nocionet diversifikohen në mënyrë të papritur: “modernitet” kupton të kundërtën e Perandorisë Osmane që është “orientale”, ndërsa “kombi” kupton diversitetin e kombeve brenda Perandorisë, secili si themel i mundshëm i një shteti përkatës. Kësisoj, vepra e dr. Hoxhës i shtohet dhe e pasuron serinë e studimeve mbi ndërtimin ligjërimor të përfytyrimit shqiptar për veten si komb, i hapur rëndësishëm nga dr. Enis Sulstarova dhe i pasuar nga Isa Blumi, Doan Dani etj. Në mënyrë karakteristike studimet e këtij lloji për krijimin e identiteteve kolektive flasin nga një sfond teorik lakanian i vetëdijësimit për veten nëpërmjet pasqyrës: pamjen e vetes nëpërmjet tjetrit dhe veçimin prej tij, i përjetuar si konkurrent për padallim dhe kërcënim për humbjen e vetësisë. E bashkuar me qasjen gjenealogjike, kryesisht fukoldiane, qasja semantike i gjurmon edhe në nivelin e fjalëve kontekstet, rastësitë, praktikat dhe zgjidhjet që shpesh rezultojnë në produkte / entitete që nuk kanë qenë synim i asnjërës prej atyre, por që janë koincidentale me to. Procedimi i tillë metodik, në termat semantikë, duket se angazhon për pranimin e plotësisë dhe të pavarësisë së predikatit nga subjekti dhe krijimit të subjektit kulluar nga predikati, ndërsa në termat metafizikë për historinë pa objektin histori e të cilit mëton të jetë. Brenda vetë ligjërimeve të tilla për ndërtimin ligjërimor të përfytyrimeve për “identitetin” dhe “veten”, autori e ka veçuar vështrimin e tij në mënyrë kritike, duke e bërë kështu të mundshëm konstatimin e origjinalitetit të veprës që na fton për lexim.

 

Që një demokratizim të jetë i suksesshëm…

Nga prof. dr. Tonin Gjuraj

Mund të thuhet që në fillim të kësaj parathënieje që dr. Gerti Sqapi, për ta kuptuar procesin e demokratizimit, ka përdorur koncepte dhe qasje të qarta teorike, duke e trajtuar shkencërisht këtë proces, pasi, përndryshe do të kishte qenë shumë e vështirë të analizoheshin funksionimi dhe konsolidimi i rendit demokratik në vendet e ish-Lindjes, veçanërisht rasti shqiptar. Autori e zbërthen demokratizimin si një koncept të gjerë, por edhe specifik politik, ndryshe prej liberalizmit, në funksion të suksesit të tij dhe të zhvillimeve të mundshme të procesit të tranzicionit demokratik në vend. Studimi i dr. Gerti Sqapit “Demokratizimi: kushtet dhe faktorët që kushtëzojnë suksesin e tij” analizon kushtet dhe faktorët, që kushtëzojnë një demokratizim që të jetë i suksesshëm, duke argumentuar, se kjo varet kryesisht nga forca të brendshme, përkatësisht ekzistenca e një shteti efektiv dhe e një shoqërie civile të gjallë, sikundër edhe nga niveli i lartë i theksimit të vlerave të vetëshprehjes midis anëtarëve të një shoqërie etj. Cilësia e analizës dhe e argumentimit në këtë studim janë të një niveli të lartë, duke evidentuar këtu edhe faktin se Dr. Sqapi është njohës shumë i mirë i fushës së demokratizimit dhe autorëve kryesorë eksponencialë që kontribuojnë brenda kësaj fushe. Gjithashtu, autori, në këtë punim, veçanërisht në kapitullin IV të tij, atë të kuadrit teorik, nuk mbetet vetëm në nivelin e njohjes dhe analizës së argumenteve të autorëve që ndërmerr në studim, por, në disa raste, ai avancon më tej në mendimin politik për demokratizimin dhe argumentet që lidhen me të. Analiza dhe argumentimi në studim janë të një natyre të mirëfilltë shkencore, si në kapitujt teorikë, ashtu edhe në aplikimin në rastet studimore (krahasuese) që ndërmerren. Më konkretisht, synimi kryesor i këtij studimi është ndërtimi dhe/apo ofrimi i një qasjeje alternative teorike të ridimensionuar, për shpjegimin e demokratizimeve bashkëkohore (ato vende që u përfshinë nga një tranzicion regjimi përgjatë valës së tretë, përfshirë dhe Shqipërinë, si vendi i fundit i valës së tretë të demokratizimit), dhe, si e tillë, mund të kategorizohet, pa asnjë dyshim, si ndërtim teorie. Me këtë ndërtim teorie, autori Sqapi ka hequr, në fakt, “pronësinë” apo “monopolin” e analizave të tranzicionit dhe demokratizimit, kryesisht të politikanëve dhe medieve të pas viteve ’90, që kanë ngelur në nivelin e opinioneve në formë gjykimesh apo preferencash. Në studim mbizotëron argumenti, si subjekt vlerësimi dhe analize, një “tezë” e qartë, që shoqërohet me fakte, që mbështesin argumentin qendror të studimit, të nënvizuar në paragrafin e dytë të kësaj parathënieje. Origjinaliteti dhe dobia e studimit shprehen nga fakti se dr. Sqapi kërkon të (ri)kthejë vëmendjen në rëndësinë e faktorëve dhe kushteve strukturore të brendshme të një shteti, në kushtëzimin e suksesit të arritjes së një demokracie të konsoliduar. Origjinaliteti edhe risia e punimit, po ashtu, shprehen edhe në ridimensioninin dhe analizën që ai bën në ofrimin e variablave të pavarur të studimit (përkatësisht, shtetshmërisë, shoqërisë civile dhe vlerave të vetëshprehjes), për të zbuluar ndërlidhjet dhe rëndësinë relative të tyre, në konstituimin e faktoreve (pra të variablave të pavarur) dhe në shpjegimin, nëpërmjet tyre, të demokratizimit në mjedise të ndryshme. Dr. Sqapi shpjegon qartësisht të gjithë rrugën kërkimore dhe metodat që ka përdorur për të arritur në konkluzione mbi studimin. Përzgjedhja dhe justifikimi i instrumenteve të kërkimit përkon plotësisht me qëllimin e punimit. Metodologjia e punimit përfshin analizën e të dhënave, si ato cilësore, ashtu edhe ata sasiore, për të matur dimensionet e variablave të pavarur të studimit, duke i dhënë kështu dhe një dimension empirik këtij punimi, si dhe për t’i bërë më të besueshme të dhënat e paraqitura. Burimet prej nga ku studiuesi Sqapi merr të dhënat, përbëjnë burime autoritare dhe të njohura në fushën e mbledhjes së të dhënave, duke i bërë ata të paraqiten në mënyrë të besueshme. Stili shkencor është respektuar në mënyrë rigoroze prej autorit dhe është shprehur me një gjuhë të thjeshtë e të qartë prej tij. Po kështu, bibliografia e përdorur është mjaft e pasur dhe përfshin të gjithë autorët më të njohur e më në zë të fushës, që kanë kontribuar brenda fushës së demokratizimit. Kjo përbën një vlerë të shtuar në studimin e dr. Sqapit. Libri “Demokratizimi: kushtet dhe faktorët që kushtëzojnë suksesin e tij” plotëson çdo pritshmëri të një studimi shkencor dhe ndihmon studiuesit e shkencave sociale dhe politike të njohin më mirë procesin e tranzicionit demokratik në Shqipëri, të demokratizimit, si dhe atë të konsolidimit demokratik, dallimin dhe shpjegimin në mënyrë shkencore të këtyre termave dhe kontekstin shqiptar, që u gjet në prag të hapjes ndaj botës demokratike dhe asaj që rrugëtoi drejt demokratizimit, ngritjes dhe ndërtimit të institucioneve demokratike e praktikave demokratike, si dhe të konsolidimit demokratik.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Muajit i Ramazanit: Këshillat e mjekëve, ushqimet dhe kujdesi shëndetësor gjatë agjërimit

Rekomandohet ngrënia ngadalë dhe në sasi të përshtatshme me nevojat e gjithsecilit....
Read More