MAPO ROZE/ Hajde ‘knojmë ma s’miri’

Tregu i muzikës shqiptare është tashmë shumë i fuqishëm. Por vërehet tendenca për të këndur në dialektin geg. Pse ndodh kjo?

Muzika është padyshim terapia e shpirtit, por ajo që ka pushtuar tregjet sot është një muzikë komerciale, që shpesh emra të njohur ndër vite e konsiderojnë të dobët dhe kaotike. Kjo lloj muzike, sipas tyre, çkulturon dëgjuesin. Çfarë është kjo prurje e re, që na është bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë? Dhe pse vërehet një tendencë drejt teksteve në dialektin gegërisht apo gjuhën e vëllezërve tanë kosovarë? Për këto fenomene kanë folur disa figura të njohura të skenës shqiptare.

Dj Sardi është ndoshta më i preferuari sot për sot në kryeqytet dhe në një intervistë ai thotë: “Muzika në klubet ku unë performoj është e shumëllojshme. Vitet e fundit në klubet e natës, luhet edhe muzikë komerciale shqiptare, njerëzit e duan dhe kërcejnë pa fund me të. Nuk mund të them fiks se çfarë pëlqejnë shqiptarët, ajo që mund të them me siguri është se ne jemi një popull kaotik. Ata që sot kërcejnë me këngën ‘Shumë Pis‘, nuk është çudi që të nesërmen të dëgjojnë këngën e fundit të Adele. Kjo situatë ku çdo ditë shfaqen këngëtarë të rinj dhe ku kantautorët përpiqen të sjellin tendenca të reja muzikore, krijon një gamë të gjerë alternativash dhe i ngelet në dorë publikut të vendosë të jetë një dëgjues i kulturuar ose jo”.

Irma Libohova është nga ato zëra që nuk e humbet shkëlqimin e saj pavarësisht kalimit të viteve. Kohët e fundit tregu muzikor është zgjeruar së tepërmi me prurje të reja. Kritika që vjen prej saj për kolegët i referohet pikërisht gjuhës që përdoret në këto këngë. Në dukje një trend i shkujdesur, “gegnishtja” është karakteristika me dominante e projekteve të reja në ‘pop’, ‘hip hop’, ‘rap’ etj.

Për shumicën kjo përshtatje e tekstit në dialektin verior tingëllon më bukur për veshin, është më e thjeshtë për t’u kompozuar me muzikën, por për Irmën rezulton e kundërta dhe këtë ‘revoltë’ të sajn ajo e ka shprehur edhe nëpërmjet një postimi në rrjetin social Instagram ku shkruan: “Këngëtarë të Shqipërisë, këndoni shqip. Lërjani Kosovës dialektin e saj, bëhuni origjinal, ‘gegnishtja’ nuk ju shkon, jeni qesharakë!”. Përmes fjalëve të saj kuptohet që këngëtarja e njohur e muzikës popullore nuk ia adreson në mënyrë specifike ndonjë kolegu apo kolegeje të saj dhe nuk ka asgjë kundra muzikantëve të Kosovës, por nuk i pëlqen aspak mënyra se si disa këngëtarë shqiptarë përpiqen të imitojnë .

Të bëjë muzikë kosovare kemi parë edhe këngëtaren Greta Koçi, e cila u rikthye fuqishëm me disa projekte pas një shkëputje nga skena. Në bashkëpunimin e saj me reperin nga Kosova Gold AG, ajo këndon në gjuhën e tij. E pyetur pse ka zgjedhur të këndojë në këtë dialekt Greta thotë: Në fakt, ne nuk e kemi bërë për trend, por meqenëse teksti u shkrua prej Arjanit (Gold AG), ai ashtu shkruan dhe mua më pëlqeu, sepse edhe kënga e tillë është, ka rrahje të shpejta edhe donte fjalë shumë të shkurtra, gjë që shkonte më tepër me dialektin kosovar”.

Duke qenë se tekstet e këngëve hit janë tipikisht të shkurtra, me një leksik fjalëngushtë, një grusht fjalësh që shfaqen e rishfaqen gjithandej, shpesh ky orientim shihet si shqetësues sepse po krijohet një hendek mes pritshmërisë së publikut dhe muzikës së mirë. Kush kërkon në këto këngë thellësi mendimi, ndjenjë apo botëkuptim përpiqet më kot, janë aq të varfra e pa botë.

Por si shihet muzika shqiptare në 2018 me syrin e një profesionisti që bën muzikë? Për të kuptuar në mënyrë më konkrete këtë fenomen Kristi Bello, kompozitor dhe një nga drejtuesit e studios muzikore ‘ON/OFF PRODUCTION’, i ka dhënë përgjigje disa pyetjeve tona.

Pse tendenca e shumicës të këngëtarëve është drejt teksteve në dialektin gegërisht? Çfarë e bën atë dominant në raport me gjuhën letrare?

Për hir të së vërtetës, gjuha jonë letrare nuk ka ardhur organikisht, por me vendime të kushtëzuara. Të mos harrojmë që, Kongresi i parë i gjuhës shqipe ku dhe u miratua gjuha letrare e sotme, është zhvilluar në vitin 1972, ndërkohë që Shqipëria në periudhat më të rëndësishme të saj që nga Rilindja e më tej, më së shumti ka përdorur si gjuhë të shkruar dialektin ‘Geg’. Nëse në gjuhën letrare do të duhen 3 fjalë për të dhënë një kuptim të caktuar, në këtë dialekt, duke qenë se kemi rigrupim fjalësh mundet që të njëjtin kuptim t’ia japësh vetëm nëpërmjet një fjale. Dhe kjo pa diskutim që ndihmon shumë në rrokjezimin e teksteve në përputhje me ritmin e këngës.

Duke qenë se ju vetë shkruani tekste, a ju duket se ky dialekt i popullarizuar tashmë në muzikë jua lehtëson punën?

Përgjithësisht këngët e mira janë ato të cilat trajtojnë gjithmonë një ‘fabulë’ apo një histori të caktuar. Unë mendoj që të gjithë komponentët e një kënge duhet të jenë sa më mirë të lidhur me njëri-tjetrin, çka do të thotë që si muzika, teksti, orkestrimi apo këngëtari duhet të ndërthuren në atë mënyrë, që kënga të japë mesazhin për të cilin është krijuar dhe të përthithet sa më lehtësisht nga publiku.

Studioja juaj muzikore mirëpret artistë nga të gjitha trevat, por sa e ndieni prezencën e këngëtarëve me origjinë kosovare? A zgjedhin ata të bashkëpunojnë me ju dhe studiot në Tiranë apo studiot në Kosovë janë më kompetitive?

Këto 5-6 vitet e fundit ka një bashkëpunim shumë të madh midis këngëtarëve të Kosovës me studiot shqiptare si dhe anasjelltas, çka detyrimisht sjell dhe një prezencë shumë më të madhe të këngëtarëve me origjinë kosovare. Është e vështirë të bësh një analizë të tillë nëse janë më kompetitive ose jo, duke qenë se të dy vendet tona kanë studio produksioni mjaft serioze. Ajo që vlen të theksohet është se të dyja palët, kanë fituar nga eksperiencat e njëra-tjetrës duke sjellë mjaft risi në muzikën shqiptare.

Po këngëtarët shqiptarë a kanë qasje në studiot e Kosovës?

Përgjithësisht këngëtarët shqiptarë tashmë kanë krijuar stilet e tyre muzikore duke zënë një vend të rëndësishëm në tregun muzikor mbarëshqiptar. Janë të shumtë këngëtarët kosovarë që kanë një kontratë me studio produksioni shqiptare, sikundër edhe kemi shumë këngëtarë shqiptarë që disa prej hiteve te tyre më të mira i kanë me studiot e Kosovës. Për hir të së vërtetës këngëtarët e Kosovës kanë qenë më herët se ne, të orientuar drejt tekstit duke i mëshuar më shumë çështjes për të cilën flet kënga. Kjo ka sjellë një qasje shumë pozitive pasi po të shohim kohët e fundit, shumica e këngëtarëve seriozë kanë filluar të eksperimentojnë rryma dhe stile të reja të të kënduarit përfshi këtu edhe gegnishten, që i bën këta këngëtarë të pëlqehen edhe më shumë nga publiku shqiptar. Sepse në fund të fundit ky është dhe misioni i tyre.

Çdo ditë shohim të rinj që duan të bëhen pjesë e muzikës. Cila është këshilla juaj lidhur me projektet e tyre? A i garanton një tekst në dialekt më shumë sukses?

E vetmja këshillë që mund të jepet në këto raste është vetëm puna intensive. Një tekst i mirë, është i mirë si në gegërisht ashtu edhe në gjuhën letrare, mjafton të lidhet organikisht me muzikën e çdo komponent tjetër dhe pa diskutim që në fund do të kemi një këngë të bukur.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Prapaskenat e arrestimit të dytë të ish-drejtorit të rrugëve, Dashamir Xhika

Gjykata e Elbasanit caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për dy...
Read More