MAPO shpall Donald Lu njeriun e vitit, ja motivacioni

“Amerikani i hekurt ” në Tiranë, i cili nuk u zmbraps para pengesave të pafundme të politikës së majtë dhe të djathtë për të mos kaluar dhe zbatuar Reformën në Drejtësi, që sipas ambasadorit ‘sapo ka filluar’. Mesazhet e tij për Ramën, Bashën apo “çështjen Tahiri”, në intervistën ekskluzive dhënë kryeredaktorit të MAPO-s, Arion Sulo, dhe me shërbim fotografik të Armand Sallabandës

Është hera e tretë që “Revista Mapo” shpall njeriun që ka influencuar më shumë në ngjarjet e vitit. Zgjedhja e 2017-ës, sigurisht do të duhej të kalonte nëpër disa kulme të forta, si ato të protestës së opozitës në çadër, marrëveshjes Rama-Basha, presidencës së Ilir Metës, zgjedhjeve të qershorit dhe fitores së socialistëve apo skandalit “Tahiri” që në nisje të mandatit të dytë.

Por dinamika e ngjarjeve dhe e protagonistëve kryesorë në to shënjohet nga ulje-ngritje, të cilat në fund të vitit e kanë zbehur ndikimin e tyre në përditshmërinë e shqiptarëve.

Marrëveshja e 18 Majit që ndali bojkotin e opozitës ishte një kandidaturë e konsiderueshme për vendin e parë në kalendarin e 2017-ës, por retushimi i atij suksesi ia bëri jetën e shkurtër dhe kryesorja, dy personazhet e saj, sot janë më larg se ç’ishin para natës së “qepallimit”.

Goditje të rëndë ka marrë dhe fitorja e Ramës në zgjedhjet e qershorit. Qysh në fillim të mandatit të dytë, dosja e trafikut të drogës dhe e dyshimeve për implikim të ish-ministrit të Brendshëm, Tahiri ka ngritur mjegull mbi pastërtinë e 71 mandateve.

Luhatjet e Metës mes bojkotit, vijimit të aleancës me Ramën dhe pranimin e postit të Presidentit, e kthyen aktin në një llogari të thjeshtë politike.

Ajo që për ne mbeti deri në fund qendra e zhvillimeve të vitit është debati i Reformës në Drejtësi dhe “motori” i saj, ambasadori amerikan Donald Lu.

Angazhimi i fortë trevjeçar i përfaqësuesit të SHBA-ve në Tiranë për të ndryshuar sistemin gjyqësor edhe këtë vit ishte e vetmja përpjekje reale që shtyu përpara reformën përballë pengesave nga të gjitha kahet e politikës vendëse, gjykatësit apo prokurorët.

Negociatat dhe presioni i Donald Lu pas çdo ngecjeje në Kuvend, padie në Kushtetuese apo mungese besimi të shoqërisë civile për t’u bërë pjesë e reformës, mbetën njësoj vendimtare po aq sa në korrik 2016, kur 140 deputetët ngritën kartonin jeshil pro shkëputjes së lidhjeve të politikës nga drejtësia.

Paralelisht me reformën, qëndrimet e forta të ambasadorit për “baronët e drogës”, denoncimet me emra të politikanëve të lidhur me krimin, familjet dhe klanet mafioze që drejtojnë të lirë operacionet kriminale ishin “shkundja” e radhës për të nxitur reagimin e policisë dhe të Prokurorisë.

Për zgjedhjen e Donald Lu si “Njeriu i Vitit”, e sigurt është që kampet politike do të ndahen. Por përtej debatit dhe kontestimeve që shoqërojnë qëndrimet e forta të tij, Donald Lu ia ka dalë të krijojë aleancë me pjesën më të madhe të shqiptarëve.

Në intervistën ekskluzive, që shoqëron këtë zgjedhje të revistës “Mapo”, ambasadori Lu përcjell mesazhe të forta mbi çështjet që shënjojnë mandatin e tij në Shqipëri, si: debati për largimin e Adriatik Llallës, raportet e tensionuara me opozitën, qëndrimet për qeverinë apo çështjen “Tahiri”.

Ai mbetet optimist për zbatimin e plotë të reformës në gjyqësor, por edhe paralajmëron shqiptarët për sjelljen e politikës ndaj kësaj reforme.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Berisha nuk ka kujt t’i flasë

Nga Armand Shkullaku Partia Demokratike gjendet sot në udhëkryqin më të madh...
Read More