Mario de Matteis: Studiuesi që i dha 13 vëllime Albanologjike bibliotekës gjermane

Mario de Matteis, Profesor i gjermanishtes dhe pasardhës i albanologëve nga hapësira gjermanofolëse; Në kujtesë, rendit të gjatë të studiuesve shqiptarë patriotë dhe të huajve dashamirës që punuan për shqipen dhe që tani ajo qëndron me dinjitet midis motrave të saj indoevropjane, pa frikë mund t’i shtohet edhe emri i Profesorit tonë De Matteis. Është vendi të theksojmë fort ndihmesën e tij të thellë në arkeologji, në kulturën historike (p.sh. hulumtimi i gjurmëve të Via-Egnatia-s, realizuar në botim dhe në prezantime këtu dhe jashtë vendit).

Nga Brikena Kadzadej- Zavalani

Profesor De Matteis erdhi në Shqipëri në vitin 2007, dërguar nga Fondacioni nismëtar Johann Gottfried Herder, program që drejtohet nga Shërbimi për Shkëmbimin Akademik Gjerman (DAAD-ja) dhe Konferenca e Rektorëve të Shkollave të Larta (HRK) që promovon profesorë gjermanë në pension, të cilët me përvojën e tyre në mësimdhënie, hulumtim dhe në organizimin akademik, duan të japin ndihmesën e tyre për zhvillimin e përbashkët të sistemeve të arsimit të lartë në Evropë. Por kush është Prof De Matteis?

Ai ka kryer studimet për Filologji Romane, Indogjermanistikë dhe Filologji Latine Mesjetare në: Romë, Firence, Piza, Padova dhe në Gjermani (Këln, Mynster dhe Bohum). Që prej 1959 ka qënë pedagog në universitetet gjermane. Në vitin 1982 profesor në Universitetin e Mynsterit dhe në shumë universitete evropiane, duke dhënë lëndë të ndryshme, kryesisht në Universitetin e Bohumit.

Autor i shumë punimeve dhe artikujve, lidhur me kontrastivitetin gramatikor, didaktikën e gjuhës së huaj, migracionin, sidomos për atë italian dhe spanjoll në Gjermani (histori, gjuhë, kulturë etj).

Që në vitin e parë në Shqipëri, Prof De Matteis u bë jo vetëm pjesë e aktiviteteve didaktike dhe shkencore të Universitetit të Elbasanit dhe Tiranës, por edhe nismëtar i shumë projekteve të Fondacionit, si edhe të finacuara nga vetë ai.

Falë mbështetjes së Profesorit, prej një dekade u botua në Gjermani, në shtëpinë e njohur botuese Athena seria “Albanische Universitätsstudien” (Studime universitare shqiptare), seri me 13 vëllime, ku përfshihen punime të mirëfillta për Albanologjinë, po ashtu punime përqasëse.

Në këtë seri kanë shkëmbyer mendimet e tyre personalitete të Albanologjisë, shqiptarë dhe të huaj, si Bardhyl Demiraj, Emil Lafe, Ardian Klosi, Basil Schader, Rol Ködderitzsch, Kurt Gostentschnigg etj. Kjo seri u mendua prej Profesorit si një podium i rrahjes së mendimeve dhe si një produkt i shkëmbimit shkencor në hapësirën gjermanofolëse dhe më tej.

Ajo përmban një spektër aktual dhe të gjerë fushash hulumtimi të orientuara edhe didaktikisht si: gjermanistika jashtë vendit, gjuhësia pothuaj me të gjitha disiplinat e saj, komunikimi ndërkulturor, kultura, letërsia, qytetërimi dhe albanologjia e hershme. Të gjitha këto janë të cituara në internet.

„Dituria“- Zeitschrift für Sprach- und Literaturëissenschaft, revistë shkencore për gjuhësinë dhe letërsinë gjermane, me titull në vijim të traditës shqiptare dhe të semantikës së saj në periudhën e Rilindjes Kombëtare, është gjithashtu pjesë e punës së Profesorit, me drejtues Prof. dr. Jörg Riecke, Drejtor i Institutit të Gjermanistikës në Heidelberg si edhe bashkëautorë shkencorë Brikena Kadzadej, Jürgen Röhling etj. Kjo revistë është pjesë e forumit të gjermanistëve shqiptarë, të hapësirës gjermanofolëse, të Rajonit e më gjerë.

Kuptohet që ishte një rrugëtim kompleks e i vështirë, por sfida triumfoi.

Në kujtesë, rendit të gjatë të studiuesve shqiptarë patriotë dhe të huajve dashamirës që punuan për shqipen dhe që tani ajo qëndron me dinjitet midis motrave të saj indoevropjane, pa frikë mund t’i shtohet edhe emri i Profesorit tonë De Matteis.

Është vendi të theksojmë fort ndihmesën e tij të thellë në arkeologji, në kulturën historike (p.sh. hulumtimi i gjurmëve të Via-Egnatia-s, realizuar në botim dhe në prezantime këtu dhe jashtë vendit).

Prej 11 vjetësh, me një modesti për t’u admiruar, u bë shembull për veprimtarinë e tij metodiko-didaktike. Breza të tërë studentësh morën mjaft prej tij, si njeri dhe si pedagog.

Ai u bë një shembull i vyer dhe që do të mbetet gjallë i tillë për pedagogët jo vetëm të gjermanishtes, por edhe të fakulteteve të tjera.

I papërtuar megjithëse në moshë dhe në kushte të vështira, ai pa u lodhur dhe me një zemër të madhe dha ndihmën e tij kudo dhe kurdoherë që iu kërkua.

Ai është një personalitet si në hapësirën gjermanofolëse (krijoi departamentin në Universitetin e Bohumit) dhe në të gjithë Rajonin e Ballkanit.

Fjalët e mia janë të pafuqishme për të shprehuar atë që duhet të shprehim për këtë Profesor dhe Njeri dhe duhet t’i jemi borxhli të gjithë ne, pedagogë të vjetër e të rinj.

Puna e Profesor De Matteis nuk ka mbaruar, vazhdon me Projekte për Shqipërinë dhe Ballkanin.

Më duket me vend ta mbyll këtë shkrim me sentencën e latinëve të vjetër “Do të shkëlqejë mungesa e tij”.

*(Profesor në Departamentin e gjuhës gjermane; Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Tiranë)

Shkruar Nga
More from Redaksia

Wess Mitchell vazhdon sulmin: Rusia po luan rol destruktiv në Ballkan

  Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Vess Mitchell,...
Read More