Marrëdhëniet SHBA-Kubë, çfarë ndryshon nën administratën Trump

trump

Presidenti Donald Trump do të shfuqizojë disa elementë të marrëveshjes historike SHBA-Kubë për normalizimin e marrëdhënieve që ndërmori paraardhësi i tij, Barack Obama pas më shumë se 50 vjetësh izolim të ishullit. Por masat e propozuara janë më pak drastike sesa pritej.

Njoftimi i presidentit rikthen marrëdhëniet SHBA-Kubë në një fazën e mëparshme të relatave konfliktuale:

“Tani që unë jam presidenti juaj, Amerika do t’i ekspozojë krimet e regjimit të Kastros dhe do të qëndrojë krah popullit kuban në luftën e tij për liri” tha ai.

Gjatë fjalimit të tij në lagjen Havana e Vogël në Majami, presidenti Donald Trump rishpalli mbështetjen e tij për sanksionet e Shteteve të Bashkuara mbi Kubën, duke ngrirë efektivisht lëvizjen dyvjeçare drejt normalizimit të lidhjeve mes dy vendeve.

“Ne nuk do të heqim sanksionet ndaj regjimit kuban, deri sa të lirohen të gjithë të burgosurit politikë, të respektohen liritë e grumbullimit dhe të shprehjes, të legalizohen të gjitha partitë politike dhe të mbahen zgjedhje të lira e të mbikqyrura nga vëzhgues ndërkombëtarë,” tha presidenti Trump.

Por, ndonëse Trump deklaroi se ai po “anulonte” atë që ai e cilësoi si “një marrëveshje krejtësisht të njëanshme me Kubën” të administratës Obama, në realitet masat janë shumë më të buta.

Aspektet kyçe të marrëveshjes me Kubën të ish-presidentit Obama do të mbeten në fuqi.

Lidhjet diplomatike nuk do të ndërpriten. Ambasadat në Havanë dhe Uashington do të qëndrojnë të hapura.

Dhe megjithëse ka kufizime të reja për turistët dhe bizneset amerikane që duan të investojnë në Kubë, edhe këto lëvizje nuk janë aq drastike sa pritej nga disa.

“Edhe pse udhëtimi është i kufizuar, nuk është i ndaluar, dhe ndonëse lidhjet e biznesit lejohen vetëm me disa firma kubane, ato nuk janë të ndaluara,” thotë William LeoGrande, profesor në Universitetin “American”.

William LeoGrande, një studiues i marrëdhënieve Shtetet e Bashkuara-Kubë, paralajmëron se veprimet e presidentit Trump mund të mos përmbushin synimin që ai ka deklaruar për të përmirësuar respektimin e të drejtave të njeriut.

“Kur marrëdhëniet ishin këqija, kubanët me të vërtetë kishin një mentalitet bllokade dhe rezultati ka qenë tipik, kufizimi i hapësirës politike për kritikët e brendshëm dhe kundërshtarët dhe disidentët. Prandaj kam frikë se kjo politikë do të japë rezultatin e kundërt”.

Ky ndryshim mund të prekë edhe biznesmenët kubanë, të cilët kishin filluar të rrisnin aktivitetin për shkak të shtimit të turizmit, thotë Andrew Otazo, duke folur nëpërmjet Skype-it.

“Nëse kufizohen mundësitë e qytetarëve amerikanë për të udhëtuar në Kubë, ndikohet drejtpërdrejt sektori ku vërehet një përfshirje më e lartë e sipërmarrësve të bizneseve private në Kubë” thotë ai.

Politika e presidentit Trump ndaj Kubës u hartua kryesisht nga dy ligjvënës republikanë, senatori Marco Rubio dhe ligjvënësi Mario Diaz-Balart.

“Faleminderit, President Trump, që mbajtët premtimet. Nuk na keni tradhëtuar” tha ligjvënësi Diaz-Balart.

Një premtim i mbajtur për kubano-amerikanët e Floridës, një grup mbështetësish ndër më të rëndësishmit të zotit Trump.

Shkruar Nga
More from Revista User

15 njerëz dënohen me vdekje si spiunë të Iranit

Një gjykatë saudite dënoi të martën 15 njerëz me ekzekutim, me akuza...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.