Marrëveshja e vitit 1991: Gramoz Pashko nga Londra, pse kundërshtoi Berishën për të dalë nga qeveria

hajdari, berisha dhe pashkoIsh–kryeministri i Qeverisë së Stabilitetit, Ylli Bufi, tregon në një libër sfidat me të cilat u përball kabineti jetëshkurtër që ai drejtoi dhe raportet që ndërtoi me krerët e partive politike në vitin 1991. “Në fillimet e tranzicionit” një botim i UET Press, pjesë e kolanës Scripta Manent, risjell në kujtesë momente vendimtare të historisë së tranzicionit shqiptar. MAPO publikon pjesë nga libri, kur përfaqësuesit e partive politike mblidhen tek Alia për marrëveshjen politike të vitit 1991

– Në ditët kur PD vendosi për daljen nga qeveria, Gramoz Pashko ndodhej në Londër për të marrë pjesë në një konferencë të BERZH-it, ku do të diskutohej edhe pranimi i Shqipërisë. Kur e mori vesh lajmin, Gramoz Pashko dha nga Londra një deklaratë kundër vendimit për daljen nga qeveria, duke e argumentuar si një vendim që nuk i shërben as situatës në vend, as PD-së. Në këtë mënyrë, Pashko ishte pozicionuar hapur kundër Berishës

Nga Ylli Bufi

Në takimin me Presidentin e Republikës, të zhvilluar në datat 5 dhe 6 dhjetor, morën pjesë përfaqësuesit e pesë partive politike pjesëtare të marrëveshjes politike të majit 1991, mbi bazën e së cilës u krijua Qeveria e Stabilitetit. Nga Partia Socialiste mori pjesë Servet Pëllumbi; nga Partia Demokratike, Sali Berisha; nga Partia Republikane, Sabri Godo; nga Partia Socialdemokrate, Skënder Gjinushi dhe nga Partia Agrare, Meno Gjoleka. Mora pjesë edhe unë, ende në detyrën e Kryetarit të Këshillit të Ministrave. Në këtë takim Presidenti i Republikës insistoi që partitë të arrinin në një mendim të përbashkët për krijimin e një qeverie të re, duke pasur parasysh vënien e interesave të larta të vendit mbi interesat partiakë. Sali Berisha nuk pranoi që PD të ishte pjesë e asnjë lloj formule të qeverisë. Gjinushi dhe Gjoleka ishin më të hapur, ndërsa ra në sy që Godo mbështeste vend e pa vend Berishën për çdo gjë që ai thoshte. Berisha kërkoi që qeveria

të formohej nga Partia Socialiste. Por ky propozim nuk u pranua nga S. Pëllumbi. Kështu, iu hap rrugë formulës së krijimit të një qeverie teknike, e cila do të drejtonte administratën shtetërore deri në zgjedhjet e reja që do të mbaheshin në mars të vitit 1992. Në fund të takimit, Presidenti më kërkoi që qeveria e kryesuar prej meje të vazhdonte kryerjen e detyrave të saj deri në formimin e qeverisë së re.

Pas përfundimit të këtij takimi, më 6 dhjetor, shkova në zyrën e Presidentit dhe i paraqita atij zyrtarisht dorëheqjen time dhe të gjithë qeverisë që kryesoja. Në tekstin e dorëheqjes theksoja se dorëheqja e qeverisë ishte e detyruar nga kriza qeveritare, që shkaktoi largimi i ministrave të Partisë Demokratike.

Pastaj, në zyrën e kryeministrit, bëra këtë deklaratë për Radio Televizionin Shqiptar:

“Kriza qeveritare, e shkaktuar prej tërheqjes së ministrave të Partisë Demokratike nga Qeveria e Stabilitetit të Vendit, bëri të pamundur vazhdimin e mëtejshëm të veprimtarisë së saj. Konsultimet midis Këshillit të Ministrave dhe përfaqësuesve të partive politike, si dhe të këtyre të fundit me Presidentin e Republikës, që të shmangej kjo krizë, në këtë periudhë të vështirë e delikate, nuk dhanë rezultat. Në këto kushte, meqenëse u prish Marrëveshja politike e majit të vitit 1991, sot paradite, i paraqita dorëheqjen Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ramiz Alia. Ai e pranoi dorëheqjen time, por, në përputhje me ligjin, dhe duke pasur parasysh situatën aktuale politike, ekonomike e sociale, kërkoi që derisa të arrihet në një zgjidhje të re, qeveria të vazhdojë të kryejë funksionet e veta në krye të administratës shtetërore. Qeveria dhe unë, si drejtues i saj, e pranuam këtë kërkesë. Të gjithë anëtarët e qeverisë janë dhe do të qëndrojnë në krye të dikastereve të veta, deri në krijimin e Qeverisë së re, me qëllim që e gjithë administrata shtetërore të funksionojë normalisht.

Jam i ndërgjegjshëm se kriza qeveritare ka krijuar shumë shqetësim e pasiguri te njerëzit. E di, gjithashtu, se paraqitja e situatës ekonomike në mbledhjen e fundit të qeverisë ka krijuar tension e diku edhe panik. Kjo paraqitje reale dhe transparente kishte për qëllim të ndërgjegjësonte qytetarët, forcat politike, të gjithë popullin për gjendjen e vështirë dhe të merreshin ato vendime që i përshtateshin asaj. Sigurisht, situata është e vështirë, por jo pa shpresë e pa  rrugëdalje. Nëse unë thashë, për shembull, se kemi rezerva drithi vetëm për një javë, kjo nuk do të thotë se këtu përfundonin mundësitë tona për të siguruar bukën e popullit.

Nga ndihmat e kreditë e akorduara vazhdojnë të vijnë sasi të tjera gruri dhe ushqime të tjera dhe qëllimi imediat i Qeverisë është që të sigurohen rezerva më të mëdha të drithërave. Vazhdojnë të funksionojnë normalisht fabrikat e miellit dhe të bukës, vazhdojnë të vijnë kontingjentet e ndihmës ushqimore italiane, të cilat gjatë dhjetorit do të përshpejtohen. Këto ditë kanë ardhur sasitë e para të vezëve, të orizit, qumështit pluhur etj. Po merren të gjitha masat që drithi dhe ushqimet të transportohen sa më shpejt në qytetet e fshatrat e vendit.

Është e rëndësishme që organet e pushtetit në qendër e në bazë të vazhdojnë të funksionojnë rregullisht. Për këtë qëllim, sot u kam kërkuar të gjitha ministrive, institucioneve qendrore dhe komiteteve ekzekutive të rretheve e të rajoneve, të qëndrojnë në krye të punës e në mënyrë të veçantë t›u kushtojnë vëmendje të posaçme ushqimit, ndriçimit, ngrohjes, furnizimit me ujë të pijshëm, ruajtjes së rendit, duke goditur me forcën e ligjit spekulatorët, vjedhësit dhe provokatorët. Është jetike që, sidomos në ditë të tilla të vështira, çdo nëpunës, pavarësisht nga funksioni që kryen e nga përkatësia partiake, të jetë, mbi të gjitha, patriot e qytetar.

Në emër të qeverisë, u bëj thirrje të gjitha partive politike, Bashkimit të Sindikatave të pavarura, Konfederatës sindikale dhe Sindikatës së punonjësve të naftës, organizatave dhe shoqatave, si dhe komuniteteve fetare që të kontribuojnë në përballimin e kësaj situate. I bëj thirrje popullit, që në këto ditë të ruajë qetësinë dhe gjakftohtësinë e të shfaqë edhe një herë mençurinë dhe atdhedashurinë e vet. Jam i bindur se kjo krizë nuk do të zgjasë dhe se shumë shpejt forcat politike të vendit do të arrijnë në atë zgjidhje që u shërben interesave kombëtare, përparimit dhe demokracisë”.

Në ditët kur PD vendosi për daljen nga qeveria, Gramoz Pashko ndodhej në Londër për të marrë pjesë në një konferencë të BERZH-it, ku do të diskutohej edhe pranimi i Shqipërisë. Kur e mori vesh lajmin, Gramoz Pashko dha nga Londra një deklaratë kundër vendimit për daljen nga qeveria, duke e argumentuar si një vendim, që nuk i shërben as situatës në vend, as PD-së. Në këtë mënyrë, Pashko ishte pozicionuar hapur kundër Berishës. Por, me të mbërritur në Tiranë, Gramozi e modifikoi qëndrimin e tij, duke deklaruar “Me Berishën kemi më shumë gjëra që na bashkojnë, sesa gjëra që na ndajnë”.

Disa ditë më vonë, gjatë takimit konsultues të Presidentit të Republikës me përfaqësuesit e PD për formimin e qeverisë së re, në zyrën e Presidentit, Neritan Ceka bëri para mediave, si edhe para meje, në zyrën time, deklaratën e mëposhtme: “Duke e konsideruar shumë kritike gjendjen e krijuar nga vendimi për tërheqjen e ministrave të PD-së nga qeveria, si dhe duke parashikuar rrezikun që i kanoset vendit në momentin kur PD-ja përfaqëson një forcë vendimtare politike në drejtimin e shtetit, ndiej përgjegjësinë të sqaroj anëtarët e PD-së dhe popullin për qëndrimin tim ndaj këtij vendimi. Publikut, që më ka parë të ulur krahas zotit Sali Berisha në konferencën e tij të shtypit në ha në konferencën e tij të shtypit në orën 13.00 të datës 4.12.1991, duhet t’i them se kam qenë atje jo për të përkrahur deklaratën e tij, por për ta penguar, qoftë edhe në momentin e fundit. I ngarkuar nga PD-ja për të biseduar me Presidentin, kryetarin e Këshillit të Ministrave, Kryesinë e Kuvendit Popullor dhe titullarët e pushtetit ligjor mbi të katër pikat e deklaratës së Këshillit Kombëtar të PD-së, unë i referova z. Sali Berisha rreth orës 12.00 të datës 4.12.1991, pra, një orë para konferencës për shtyp, se për të gjitha pikat ishte arritur marrëveshja dhe, si rrjedhim, ne nuk kishim arsye të tërhiqeshim nga qeveria. Koha ishte e mjaftueshme për të thirrur kryesinë e PD-së dhe ministrat, për të gjykuar për këtë veprim. Megjithatë, z. Sali Berisha preferoi të pyeste vetëm një grup deputetësh, që u ndodhën në parlament, prej të cilëve asnjëri nuk mban përgjegjësi për rrjedhojat e këtij veprimi, përveç kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Tiranës, z. Tomor Malasi, i cili ka dy ditë që e ka lënë qytetin pa bukë. Me këtë mandat të paligjshëm, pa marrë asnjë kontakt me ministrat dhe kryeministrin, pa marrë parasysh protestën time si nënkryetar i PD-së, z. Sali Berisha imponoi vendimin për tërheqjen e ministrave nga Qeveria e Stabilitetit.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Mesazhet e reja, gjyqtari Çobo: S’duhet të pretendojmë idealen në këtë jetë makabër

Zbardhen të tjera SMS nga lista e gjatë e mesazheve  filozofiko-erotike që...
Read More