Marrëveshja me Ramën, cilët janë ministrat e propozuar nga Basha

basha dhe ramaLista e propozuar nga kreu i PD-së, Lulzim Basha, në fakt nuk solli ndonjë risi nëse shikohen me hollësi CV-të e secilit prej tyre. Disa prej kandidatëve nuk janë as më shumë e as më pak se ish-përfaqësues të administratës “Berisha” në pozicione kyçe

Takimi mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës dje në Pallatin e Kongreseve ka qenë aq sa për të prezantuar formalisht emrat që kryetari i demokratëve dorëzoi në tavolinë për postin e zv.kryeministrit, gjashtë ministrave, kreut të KQZ-së dhe Avokatit të Popullit.

Lista e propozuar nga kreu i PD-së, Lulzim Basha, në fakt nuk solli ndonjë risi nëse shikohen me hollësi CV-të e secilit prej tyre. Disa prej kandidatëve nuk janë as më shumë e as më pak se ish-përfaqësues të administratës “Berisha” në pozicione kyçe. Në postin e zv.kryeministrit është zgjedhur Ledina Mandia, ish-Avokate e Shtetit, e cila muaj më parë dëshmoi në komisionin hetimor parlamentar për çështjen “CEZ”.

Në detyrën e ministrit të Brendshëm është propozuar Dritan Demiraj. Ai është liruar nga detyra në dhjetor të vitit 2014 nga ministrja aktuale e Mbrojtjes, Mimi Kodheli. Demiraj ka 31 vite kontribut në Forcat e Armatosura, rreshton 47 medalje në ushtri, autor i disa librave, si dhe ka marrë pjesë në misionet paqeruajtëse në Afganistan.

Ish-komandat i Forcave Speciale ushtarake, Demiraj do të ulet tanimë në një tryezë pune me ministren Kodheli, sa herë që Rama do të mbledhë qeverinë. Shkarkimi i Demirajt asokohe u shoqërua me komente të shumta, ku nuk mungoi një postim i gjatë edhe i ish-kryeministrit Sali Berisha.

Ministrja e re e Financave do të jetë Helga Vukaj. Ajo e ka filluar karrierën e saj në vitin 2003 si juriste e Presidentit të Republikës, për të vijuar më pas në vitin 2005-2006 si Drejtore e Drejtorisë së Shërbimeve Juridike në Ministrinë e Brendshme. Për periudhën 2006–2012, Helga Vukaj ka mbajtur një pozicion të rëndësishëm, atë të zv.drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.

Gazmend Bardhi emërohet në detyrën e ministrit të Drejtësisë. Bardhi gëzon reputacion në radhët e PD-së dhe deri më sot ka ruajtur profilin e tij teknik duke punuar si këshilltar ligjor i grupit parlamentar. Ai ka qenë ekspert pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi, ndërsa më herët ka punuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Kodifikimit.

Ministër i Arsimit dhe Sportit është propozuar Mirela Karabina. Ajo ka punuar si pedagoge në Fakultetin e Shkencave Sociale dhe në fakultetin Albanian University.

Në CV-në e saj, ajo radhit një eksperiencë të gjatë në mësimdhënie. Mirela Karabina është edhe bashkëshortja e ambasadorit në karrierë dhe ish-zv.ministrit të Mbrojtjes, Petrit Karabina.

Ministre e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë do të jetë Xhuljeta Kërtusha. Në periudhën 2010–2015, Kertusha ka qenë drejtoreshë e Njësisë së Blerjes së Energjisë dhe Zhvillimit Rajonal të Tregut në kompaninë CEZ.

Ministër i Shëndetësisë është propozuar kirurgu Arben Beqiri. Ai është profesor i Kirurgjisë në Universitetin e Mjekësisë. Në CV-në e tij, Beqiri përfshin detyrën e zëvendës/rektorit, Universiteti i Mjekësisë, kirurg në Qendrën Spitalore Universitare “Nene Tereza”. Beqiri gëzon reputacion në radhët e mjekëve.

Në postin e kryetarit të KQZ-së, do të shkoje Klement Zguri, aktualisht anëtar i KQZ-së. Ndërsa në detyrën e Avokatit të Popullit do të shkojë avokatja e njohur Erinda Ballanca. Ajo ka qenë avokate e ish­kryeministrit Sali Berisha në gjyqin e hapur ndaj tij për shpifje vite më parë nga Aneta Rama, e ëma e kryeministrit Edi Rama. Ballanca ka përfaqësuar gjithashtu në gjykatë për rrugën e Kombit edhe kreun aktual të PD­së, Lulzim Basha, në periudhën kur ai ishte ministër i Transporteve.

  1. Zëvendëskryeministër: Znj. Ledina Mandia
  2. Ministër i Brendshëm: Z. Dritan Demiraj
  3. Ministër i Financave: Znj. Helga Vukaj
  4. Ministër i Drejtësisë: Z. Gazment Bardhi
  5. Ministër i Arsimit dhe Sportit: Znj. Mirela Karabina
  6. Ministër i Shëndetësisë: Z. Arben Beqiri
  7. Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë: Znj. Xhulieta Kërtusha

Ministri i Shëndetësisë, Arben Beqiri

Profesor i Kirurgjisë në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë

2013 Zëvendës/rektor, Universiteti Mjekësisë, Tiranë

1993-deri tani kirurg në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”

1993-deri tani Pedagog në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë.

Ministrja e Financave, Helga Vukaj

2003 juriste në Presidencë

2005–2006 drejtore e Drejtorisë së Shërbimeve Juridike, MB

2006 – 2012 Zv.drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Kthimit dhe kompensimit të Pronave

2012–2016 Drejtoreshë në KLSH

Ministër i Arsimit dhe Sportit, Mirela Karabina

Pedagoge e jashtme UT, Fakulteti i Shkencave Sociale 2010

Pedagoge e jashtme AU, Fakulteti i Edukimit 2016

Nëndrejtore, Shkolla 12-vjeçare “Faik Konica” 2014-2016

Pedagoge e jashtme AU, Fakulteti i Edukimit 2014-2015

Ambasada e Shqipërisë, Bullgari (bashkëshorte e Ambasadorit) 2011-2014

Drejtore në shkollën 9-vjeçare “P. Budi”, Tiranë 2005-2011

Ministër i Drejtësisë, Gazmend Bardhi

Nëntor 2013 – Aktualisht këshilltar ligjor i grupit të PD

2015–2016 Ekspert pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi

2008–2013 drejtor i oponencës Drejtoria e Përgjithshme e Kodifikimit

Maj 2012–Shtator 2012 këshilltar i ministrit

Ministër i Brendshëm, Dritan Demiraj

Demiraj ka 31 vite kontribut në Forcat e Armatosura, rreshton 47 medalje në ushtri, autor i disa librave, si dhe ka marrë pjesë në misionet paqeruajtëse në Afganistan. Ish-komandat i Forcave Speciale ushtarake. Ai ka marrë gjithashtu medaljen “Nderi i Kombit” në Shtator 2014 nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani.

Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Xhuljeta Kërtusha

2010–2015 Drejtoreshë e Njësisë së Blerjes së Energjisë dhe Zhvillimit Rajonal të Tregut

2009–2010 Drejtoreshë e Divizionit të Furnizuesit Publik me Shumicë

2009–2010 Anëtare e Këshillit Mbikëqyrës së Termocentralit të Vlorës

Janar–Tetor 2009 Drejtoreshë e Shfrytëzimit dhe Monitorimit të Kaskadës së Drinit

Shkruar Nga
More from revista mapo

Kodheli: Ja çfarë i thashë ministrit grek të Mbrojtjes

Para disa javësh, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë njohën një tensionim të...
Read More