Marrëveshja: Xhafaj-Marku ngrenë “SPAK”-un e tyre

Ministri i Brendshëm dhe Kryeprokurorja e Përkohshme ngrenë një strukturë të re për luftën kundër krimit dhe korrupsionit bazuar mbi një marrëveshje.

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku kanë ngritur dje një strukturë të re të posaçme kryesisht për veprat penale kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit bazuar mbi një marrëveshje të firmosur prej të dyve dhe që ka si pikënisje (veç disa referencave ligjore) edhe vendimin e qeverisë “Për miratimin e planit të veprimit për luftën kundër krimit të organizuar, operacionit “Forca e Ligjit”, si dhe urdhrit të kryeministrit për krijimin dhe funksionimin e Task Forcës Qendrore Ndërinstitucionale. Në marrëveshjen e firmosur dje dhe e bërë publike po dje, thuhet se, “me qëllim forcimin e bashkëpunimit në luftë kundër krimit të organizuar, pjesëtarëve të grupeve të strukturuara e organizatave kriminale, aseteve dhe të ardhurave të tyre të paligjshme, si dhe rritjen e efektivitetit në hetimet penale dhe vënien përpara drejtësisë të autorëve”.

Marrëveshja në fakt është e para e këtij lloji nëse do t’i referohemi përmbajtjes së saj. Në bazë të marrëveshjes, Prokuroria e Përgjithshme merr përsipër që të krijojë Seksione të Posaçme të përkohshme, në Prokurorinë për Krime të Rënda, Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore, Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Vlorë, Fier, Korçë, Gjirokastër, Lezhë. Kompetenca lëndore e këtyre seksioneve do të jenë krimet në fushën e krimit të organizuar, trafikut të narkotikëve, korrupsionit, krimet në ekonomi, krimet e kryera nga subjekte të posaçme. Ajo që vihet re është se prokurorët që do të zgjidhen për hetimin e veprave sa më sipër, përfshijnë edhe detyrat që ligji i ka caktuar SPAK (Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) e cila pritet që të ngrihet nga KLP-ja që ende nuk është zgjedhur. Por, ndryshe nga SPAK, prokurorët e seksioneve të posaçme nuk do të kalojnë as procesin e vettingut. Sipas marrëveshjes, ata që do të caktohen në Seksionet e Posaçme do të kalojnë paraprakisht një proces verifikimi të pasurisë dhe integritetit nga Prokuroria e Përgjithshme. Ky proces do të realizohet në bashkëpunim me SHISH-in, ILDKPI-në dhe DSIK-në, kjo e fundit e varur nga kryeministri. Procesi i verifikimit të pasurisë nga organet sa më sipër do të zgjasë vetëm 5 ditë, sepse pas këtij afati, Prokuroria e Përgjithshme do të caktojë prokurorët në këto seksione. Në raste të veçanta madje, në varësi të numrit të çështjeve, marrëveshja citon se drejtuesi i prokurorisë mund të përfshijë prokurorët e seksionit në hetime të çështjeve të tjera, që mund të jenë sensitive për publikun. Një tjetër pikëpyetje që lind është se sa ligjore do të jetë kjo veprimtari sa kohë që e gjithë struktura bazohet mbi një marrëveshje. Vetë palët sqarojnë ndër radhë se, “kompetencat dhe veprimtaria e këtyre seksioneve në përbërje të strukturës së Prokurorive të Rretheve Gjyqësorë Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Vlorë, Fier, Korçë, Gjirokastër, Lezhë dhe Prokuroria për Krime të Rënda Tiranë, do të ushtrohen bazuar në aktet ligjore në fuqi dhe në këtë marrëveshje”.

Pranë Prokurorisë së Përgjithshme caktohet gjithashtu një prokuror/ Koordinator ndërmjet Seksioneve të Posaçme dhe Task-Forcës Speciale Qendrore. Pranë këtij koordinatori, prokurorët e seksioneve të posaçme do të duhet të raportojnë brenda datës 10 të çdo muaji. Në marrëveshje thuhet gjithashtu se, për të shmangur nxjerrjen e sekretit hetimor, shërbimet e policisë gjyqësore dërgojnë materialet në këto seksione në mënyrë të drejtpërdrejtë, jashtë shërbimit postar. Në marrëveshje janë caktuar edhe disa detyra të ministrisë së Brendshme. Kjo e fundit, ndër të tjera, siguron automjete në mbështetje të prokurorëve, në funksion të hetimit të çështjeve, në një kohë sa më të shpejtë. Ajo siguron gjithashtu mbrojtje dhe siguri fizike për prokurorët dhe familjet e tyre kur u vihet në rrezik jeta, shëndeti apo pasuria e tyre dhe e familjes.

Veprat penale

-Veprat penale që referohen në Seksionet e Posaçme

-Vepra penale në fushën e lëndëve narkotike dhe pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.

-Vepra penale kundër korrupsionit.

-Vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën e ekonomisë, shoqërive tregtare.

-Vepra penale në fushën e tatim-taksave.

-Sekuestrimi dhe konfiskimi i aseteve kriminale

-Vepra penale të kryera nga subjekte të posaçme

 

PD: Marrëveshja zhbën Kushtetutën dhe ligjin për SPAK

Treshja e juristëve të PD-së, Oerd Bylykbashi, Enkeleid Alibeaj dhe Gazment Bardhi deklaruan dje përmes një konference për shtyp se, “marrëveshja Xhafaj-Marku zëvendëson Kushtetutën, Kodin e Procedurës Penale, Ligjin për Prokurorinë dhe Ligjin për SPAK-un”. Ata u shprehën gjithashtu se marrëveshja bazohet edhe në një vendim të qeverisë, që nuk është botuar në Fletoren Zyrtare dhe për pasojë është i pavlefshëm.

“Kjo marrëveshje është bazuar në Urdhrin 204, dt. 23 11.2017 të kryeministrit Edi Rama. Një marrëveshje që bazohet në urdhrin e kryeministrit, që do të thotë se vendos totalisht Prokurorinë në nënshtrim, nën urdhra të qeverisë të Edi Ramës të atij organi që do të duhej të ishte i pavarur, jo politik dhe që do të duhet të hetonte krimin dhe korrupsionin politik të qeverisë së Edi Ramës”, thuhet në deklaratën e tyre. Gazmend Bardhi tha se, para se të ngrihet SPAK, detyrën për hetimet ndaj veprave penale kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit për zyrtarët e lartë publikë e ka përkatësisht Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe prokuroritë e rretheve sipas juridiksionit që kishin përpara hyrjes në fuqi të ndryshimeve në kuadër të Reformës në Drejtësi. “Ajo që bën kjo marrëveshje është ndryshimi i këtij rregulli”, -tha ai. Gjithashtu, sipas tij, nuk do të jenë më rregullat që përcakton Kodi i Procedurës Penale për caktimin e Prokurorëve që hetojnë një çështje, por do të jetë ministri i Brendshëm dhe Prokurori i Përgjithshëm që, nëpërmjet kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi do të caktojnë prokurorët konkretë që do të hetojnë çështje konkrete. Edhe Bylykbashi dhe Alibeaj nënvizuan se, “marrëveshja zhbën totalisht Kushtetutën, ligjin e SPAK-ut dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese që garantojnë moskapjen e Prokurorisë”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ekspozita në Venecia: Vangjush Mio, arti i dritës në pikturë

Hapet sot ekspozita “Omaggio a Vangjush Mio”, dedikuar piktorit shqiptar në Venecia,...
Read More