Martesa e frikshme e negociatave me albanofobinë dhe “doket” e Ramës

Nga Ilir Nikolla – Një dëm afatgjatë po i shkaktohet aspiratës së integrimit të shqiptarëve në Evropë nga kalërimi që po i bën Edi Rama tezës së albanofobisë. E përmendur për herë të parë nga ish-kryeministri Berisha në kontekstin e kremtimeve të 100-vjetorit të pavarësisë, teza e albanofobisë u trajtua si një klishe ekstremiste, si një skizmë fatkeqe në fraksionet më minoritare të mendimit politik evropian dhe si një apel për të bërë një “sanatoria”, në mënyrë që metastazat e kësaj ideje raciste të mos afektojnë procesin e integrimit të shqiptarëve.

Sot, 6 vjet më vonë dhe 5 vjet pasi Edi Rama ka marrë tepsinë e qeverimit, propaganda qeveritare po deklamon me të madhe albanofobinë si pengesën e vetme dhe gjigante për integrimin e kombit tonë në strukturën gjeopolitike BE. Vetë Rama e ka paraqitur albanofobinë si simptomë të brishtësisë së një strukture që s’na do, por në fakt s’na meriton. Ligjërimi i tij duket brumë i gatuar në kuzhinat e Erdoganit, i cili s’pushon së sulmuari Evropën si antidemokratike, ksenofobe dhe mbi të gjitha islamofobe. Propaganda po na përgatit për kataklizmën e 2019-s, kur Shqipëria do të mbetet sërish jashtë, por Rama e qeveria e tij s’kanë faj, pasi Evropa është albanofobe.

Kjo makineri që mendon vetëm elektoralisht dhe për përjetësimin e pushtetit po ia arrin ta shndërrojë largimin e vendit nga procesi i integrimit në një proces me përfitime të qarta politike. Në të ardhmen e afërt, për herë të parë do të përballemi me një turmë nacionalbolshevikësh të ekzaltuar (mund të kenë edhe pamjen e nacional-islamikëve), të cilët do të gëzojnë për mos hapjen e negociatave, njësoj si dikur në kohët e Traktatit të Varshavës. Mbetjet ish-komuniste, pinjollët afaristë të brezit të dyte të nomenklaturës si dhe narko-nomenklatura e re e tregtarëve të kanabisit do ta kalërojnë albanofobinë dhe do nisin të luftojnë çfarëdolloj përpjekjeje për përshpejtimin e procesit të integrimit.

Së afërmi, kush kërkon të përmbushen Kriteret e Kopenhagenit do të sulmohet si spiun i Perëndimit, albanofob dhe kundër “dokeve shqiptare”. Vetë propaganda e tanishme e Edi Ramës është një avanpost i martesës së pazgjidhshme të negociatave të vendit tonë me albanofobinë. Teza e kryeministrit “na pranoni kështu siç jemi (me drogë e me oligarki) ose shkuam gjetkë” do të marrë edhe në 2019 përgjigje negative, aq më tepër kur mendojmë se vitin tjetër vendimi do të kalojë edhe nëpër referendumet parlamentare. Pas këtij momenti, “populli” i oligarkisë së kanabisit s’do ketë shumë interes për negociatat e do të luftojë më shumë për “doket tona”. Doket e kanabisit do vijojnë të jenë në rrezik nga Evropa, njësoj si “doket” e Erdoganit, prandaj Brukseli do të sulmohet si albanofob.

Sa më shpejt të prishet lidhja e negociatave me albanofobinë dhe “zgjidhjet e tjera” aq më  i shpejtë do të jetë integrimi. Por që kjo strategji armike e integrimit të Shqipërisë në BE të mos ketë sukses, goditja duhet të nisë ndaj ideologut të narko-regjimit, kryeministrit shqiptar në detyrë.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Dekorimi i Gafurr Mazrekut, flet për herë të parë vajza e Azem Hajdarit

  Me 13 vota pro dhe 1 abstenim, Këshilli Bashkiak i Hasit...
Read More