Masakra e ndërtimeve në Sarandë: Paditet ish-kreu i ALUIZNI-t


KLSH kallëzon në prokurori ish drejtorin, 2 ish-përgjegjës sektori dhe 2 specialistë të drejtorisë rajonale të ALUIZNI-t Sarandë.

Ata akuzohen se kanë kryer legalizime në zona të ndaluara me ligj, në zonën arkeologjike të Butrintit dhe në zona të mbrojtura mjedisore, afër rrugës kryesore, afër bregdetit, lumenjve, kanaleve kryesore, pa dokumentacion.

Në këtë mënyrë ata kanë shmangur  pagesat e detyrimeve financiare, si dhe nuk kanë arkëtuar të ardhura të taksës për infrastrukturën, në vlerën 48.9 milionë lekë.

Në njoftimin për media e ardhur sot (9 dhjetor) KLSH ka renditur dhjetra raste të cilat konstatohen me shkelje dhe për të cilat ky institucion i ka kërkuar Drejtorisë së Aluiznit Sarandë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të ALUIZNI-t  në Tiranë, fillimin e procedurave administrative për masa disiplinore për 11 punonjës aktualë të Aluiznit Sarandë.

“Duke i konsideruar veprimet e kryera nga ish drejtuesit dhe specialistët e Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t Sarandë, të cilët, në mospërmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të ligjit  nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” i ndryshuar  dhe akteve të tjera nënligjore dalë në zbatim të tij,  kanë konsumuar elementë të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, KLSH i ka dërguar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Sarandë, me shkresën nr. 513/9, datë 10.10.2017 Raportin Përfundimtar të Auditimit si indicie, pasi janë  kryer shkelje të disiplinës financiare në vlerë 48.852 milionë lekë dhe janë cënuar interesat publike. Për pasojë, KLSH gjykon se duhet të kryhen hetime të mëtejshme, duke i dërguar Prokurorisë të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse” thuhet në njoftimin e KLSH-se 

Rastet e konstatuara nga KLSH

1. Në 10 raste për sipërfaqen  15216  m2, është arkëtuar më pak në shumën prej 9.696 milionë lekё, si diferencë e pagesës së sipërfaqes së parcelës ndërtimore të paguar, me sipërfaqen e vetëdeklaruar të përcaktuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave (VKM) dhe që zotëron poseduesi i ndërtimit informal në fakt, sipas dosjeve, nuk është kërkuar masë kufizimi në ZVRPP Sarandë, deri në arkëtimin e detyrimit nga përfituesit.

2. Në 940 raste, në marrjen e vendimeve “Për kualifikimin për legalizim të objektit informal”, Drejtoria e ALUIZNI-t Sarandë ka vepruar në kundërshtim me ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, neni 27, pika “ç”, duke mos kërkuar nga njësitë e vetëqeverisjes vendore vërtetimet mbi llogaritjen e likuidimit të taksës së ndikimit në infrastrukturë, në vlerën prej  38.228 milion lekë.

 3. Për 45 objekte të ndërtuara në zonën historike, turistike dhe arkeologjike A, si dhe për 97 objekte të ndërtura në zonën e mbrojtjes mjedisore “A” Parku Kombëtar i Butrintit miratuar me VKM nr. 693, datë 10.11.2005 “Për shpalljen kompleksit ligatinor të Butrintit Park Kombëtar”,  ndryshuar me VKM nr. 134, datë 20.02.2013, Drejtoria e ALUIZNI-t Sarandë nuk ka administruar dokumentacionin shkresor për skualifikimin ose jo.

4. 1,853 dosje objektesh janë rikthyer në arshivë, pa u dokumentuar mbi përfundimin apo jo të procedurave të terrenit dhe dokumentare, pa u dokumentuar arsyet e rikthimit në arshivë, dhe pa u selektuar më parë si subjekte që duheshin skualifikuar apo jo.

5. Në 49 raste, legalizimi i objekteve informale është kryer në kundërshtim me dispozitat e ligjit të legalizimit dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij, pasi:

– në 9 raste për sipërfaqen prej 2674 m2, rezultoi se sipas dokumentacionit të pronësisë lëshuar nga ZVRPP Sarandë, parcela ndërtimore e zënë, ndodhet e regjistruar në pasurinë e llojit “Arë, ullishte, pemëtore”, zona jo informale, pra legalizimi është kryer në zona “Territore të tjera”, duke ndryshuar zërin kadastral, regjimin e tokës në llojin e pasurisë “Truall”.

– në 3 raste, për ndërtimit pa leje me adresë Borsh, Drejtoria e ALUIZNI Sarandë ka miratuar lejet e legalizimit për këto objekte ndërkohë që për zonën e Borshit, si pjesë e vijës bregdetare nuk lejohet legalizimi i objekteve deri në hartimin e planit të integruar sektorial për vijën bregdetare, veprime këto që bien në kundërshtim me vendimin e KKT-së nr. 1, datë 08.10.2013 “Për masat emergjente të ndërhyrjes mbrojtëse dhe rehabilituese mjedisore në disa zona me rëndësi kombëtare dhe procedurën e hartimit të Planit të integruar sektorial për brezin bregdetar”.

– në 9 raste rezultoi se janë kryer legalizime të objekteve pa respektuar distancat nga brigjet, rezulton se objektet ndodhen në një distancë prej buzës së detit me pak se 100 metra ,veprime këto në kundërshtim me ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006, të ndryshuar, ligjin nr. 111/2012 “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, i ndryshuar.

– në 17 raste janë pajisur me leje legalizimi objekte të ndërtuara brenda zonës së mbrojtjes mjedisore “A” Parku kombëtar i Butrintit, miratuar me VKM nr. 693, datë 10.11.2005 “ Për shpalljen kompleksit ligatinor të Butrintit- Park kombëtar” ndryshuar me VKM nr. 134, datë 20.02.2013.

– në 2 raste është dhënë leje legalizimi godinë banimi 5 kate, pa u administruar më parë në dosje akt-ekspertiza për ndërtimin mbi 4 kate .

– në 2 raste, me adresë Ksamil, Sarandë për deklarimin e ndërtimit informal në pronë shtet, me sipërfaqe të zënë 1000 m2 dhe sipërfaqe ndërtimi 144 m2, një kat, rezulton se nga ALUIZNI Sarandë është proceduar me dhënien e lejes së legalizimit, pa u ankimuar vendimet e gjykatave të shkallës së parë, të cilat kanë marrë formë të prerë pas kalimit të afateve të ankimimit.

– në 1 rast është miratuar leje legalizimi në Zonën “B” Muzeale me nr. 1040149, datë 31.08.2016, “Godinë e kombinuar 4 kate”, me adresë lagje nr. 3 Sarandë, ZK nr. 8641.

– në 1 rast për dosjen nr. 759, datë 23.05.2005, godinë banimi 5 kat +1 papafingo, nga ALUIZNI Sarandë nuk është nxjerrë dosja për punim, e për pasojë nuk është proceduar me skualifikimin e objektit informal si dhe njoftimin e institucioneve kompetente për ndërtimin pa leje, pasi objekti është ndërtuar në Zonën “A” arkeologjike Sarandë.

– në 1 rast për dosjen nr. 918, datë 01.08.2006, në zonë të studiuar jashtë zonës informale, blloku H2, parcela nr. 36 në pronë publike, me sipërfaqe të zënë 510 m2, sipërfaqe ndërtimi 125 m2, në zërin kadastral truall, me pronar shtet, pra 114 m2 më shumë së leja e legalizimit.

– në 1 rast për dosjen nr. 979, datë 17.06.2016, Ksamil zk. 2297, është proceduar me dhënien e lejes së legalizimit kur kofirmimi i statusit juridik nga ZVRPP Sarandë cilëson se parcela bie mbi rrugë .

– në 4 raste në dosje nuk është administruar deklarata noteriale për përjashtimin nga leja e legalizimit,  gjithashtu dhe miratimi i pjesëtarëve të tjerë për shtesën në lartësi, pasi është pjesë e ambienteve të përbashkëta dhe zgjidhje e mosmarrëveshjeve nëpërmjet rrugëve gjyqësore.

– në 6 raste për dosjet e legalizimit në favor të shtetasve Z.V dhe E.P, është proceduar me dhënien e lejes së legalizimit, pa u ankimuar vendimi i gjykatës së shkallës së parë dhe apelit, që ka marrë formë të prerë pas kalimit të afateve të ankimit dhe nuk është nxjerrë urdhër për pezullimin e procedurave të legalizimit deri në përfundimin e procesit gjyqësor .

– në 14 raste për sipërfaqen totale prej 430 m2, ka rezultuar se ka mos përputhje të sipërfaqeve të katit përdhes me sipërfaqen për banim dhe janë miratuar leje legalizimi me mospërputhje të sipërfaqeve të miratuara me VKM.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Duka apo Fino? Komuniteti i futbollit zgjedh drejtuesin e 4 viteve të ardhshme

    Pas një fushate të ndezur elektorale, me projekte e platforma,...
Read More