Masakra në Lushnjë/ Nipi i Aldo Bares kishte truprojë njërin prej viktimave

Të tjera detaje dalin në dritë nga atentati me dy të vrarë në Lushnjë. Në një kohë kur policia është vënë në ndjekje të dy autorëve të dyshuar për masakrën, Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili, Panorama shkruan se njëri prej viktimave ishte truproja i nipit të Aldo Bares, Xhulio Shkurtit. Haxhiu dhe Bilbili dyshohen si autorët që hapën zjarr me breshëri me dy armë automatike nga një automjet në ecje. Për pasojë mbetën të vdekur shtetasit Jurgen Hoxha, 22 vjeç, dhe Zamir Latifi, 23 vjeç. Gjithashtu, mbeti i plagosur 26- vjeçari Marius Xhepexhiu, si dhe 66-vjeçari Bujar Turku. Ky i fundit rezulton se ka qenë kalimtar i rastësishëm. Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se në momentin e ngjarjes, viktimat kanë qenë në rrugë në këmbë, bashkë me të plagosurin Xhepexhiu dhe Sajmir Xhelilin.

Ndërkaq, pak minuta para atentatit, bashkë me ta ka qenë edhe Xhulio Shkurti. Ky i fundit, nip i Aldo Bares, ishte ndarë nga grupi vetëm disa minuta më parë. Ai do të shkonte për t’u qethur, për t’iu bashkuar më vonë sërish grupit të miqve. “Nga analiza e ngjarjes dhe informacioneve që ka mbledhur grupi hetimor, pjesë e të cilit ishin edhe drejtues nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, rezulton se ngjarja e djeshme (e mërkurë) ka lidhje me ngjarjen e datës 25.09.2016, ndodhur në qytetin e Lushnjës, ku është tentuar të vriten me armë zjarri 2 shtetas.

Autorët e dyshuar të asaj ngjarjeje janë shtetasit L.H. dhe O.B., të shpallur në kërkim për kryerjen e veprave penale ‘vrasje e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim’ dhe ‘mbajtje pa leje e armëve të zjarrit dhe municioneve’”, bëri të ditur Policia. Sipas të dhënave nga hetimorët, dyshohet se objektiv i atentatit ka qenë Xhulio Shkurti. Dyshohet se autorët kanë marrë informacion për vendndodhjen e tij disa minuta para se të ndodhte krimi. Ata janë nisur drejt vendit, duke hapur zjarr menjëherë, ndonëse shënjestra nuk ka qenë në atë moment në grupin e të rinjve, shkruan Panorama.

Nuk përjashtohet që shënjestra të ketë qenë edhe shtetasi Sajmir Xhelili, i cili në atentatin e 25 shtatorit të vitit të kaluar mbeti i plagosur bashkë me Xhulion. Ky i fundit arriti të largohej në kohë dy net më parë, duke i shpëtuar atentatit. I pari që ka konstatuar mjetin me armët e drejtuara te ta ka qenë Zamir Latifi. “Çuna na vranë”, ka thërritur ai teksa ka nxjerrë pistoletën. Por breshëria e menjëhershme i ka marrë atij jetën. Mësohet se Zamiri ishte mik i Xhulio Shkurtit. Në trupin e Latifit u konstatuan 35 plumba, kurse në trupin e Hoxhës 7 plumba. Në vendin e ngjarjes ekspertët mblodhën 41 gëzhoja. Mësohet se në pyetje është marrë edhe personi që dyshohet të ketë qenë shënjestër, Xhulio Shkurti.

“Kur ndodhi ngjarja unë mund të kem pasur rreth 15 minuta që u ndava me ta. Shkova te berberi, do të qethesha e do kthehesha prapë për të pirë kafe. Pinim kafe çdo natë aty vërdallë. Nuk kemi pasur frikë se mos rrezikoheshim nga ndonjë gjë. Dilnim gjithmonë në qytet, pa menduar diçka të tillë”, ka deklaruar në Polici Xhulio Shkurti, i cili mësohet se është marrë në mbrojtje nga policia.
Pas ngjarjes së rëndë, policia ka nisur hetimet në dy pista. E para ka lidhje me hakmarrjen, pasi në vitin 2000 banda e Aldo Bares ka vrarë shtetasin Bledar Haxhiu, djali i xhaxhait të Laert Haxhiut.
Pista tjetër ka lidhje me pazaret e drogës dhe luftën për territore, pasi dy të dyshuarit kanë precedentë në veprimtarinë e drogës. Por dyshohet se edhe disa prej viktimave të jenë të përfshirë në këtë veprimtari, ndonëse ata nuk rezultojnë të kenë precedentë në këtë fushë.

Shkruar Nga
More from Revista User

Aksident tragjik, kamioni përplaset me autobusin, 11 të vdekur

9 fëmijë kanë humbur tragjikisht jetën, kur një kamion u përplas me...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.